Κυριακή 10 Απριλίου 2011

Kritiku në kompleksitetin e vetes

Mendime

Kritiku në kompleksitetin e vetes


Kritika sot vuan kompleksitetin e vetes. Kaq e vuan, sa dhe më pretenduesit e zotërimit të saj nuk po gjejnë dot vetveten tek ajo, sepse as ajo s'po gjen veten tek ata. Diçka absurde, paradoksale kjo, por fatkeqësisht e vërtetë.
Kompleksiteti i kritikës shqiptare është më tipiku mbase në botë, sepse kjo kritikë nuk pati më parë profesionalizmin e vërtetë, siç mund të thuhet për degë të tjera të studimit nëpër shkolla e universitete. E mbyllur në rrethin vicioz të realizmit socialist, ajo, nga kritikë e artit, u kthye në gjykatë supreme e superstrukturës së regjimit. Si shumë pjesë të tjera të superstrukturës, edhe ajo ishte një ingranazh lëvizës i sistemit totalitar. Sistemi totalitar, krijoi si në shumë fusha të tjera të jetës, edhe kritikën totalitare.
Pra, nga e shkuara, me përjashtime shumë të rralla, kritika shqiptare s'ka se çfarë miell të marë, për të gatuar të sotmen e saj. Por, ndërsa s'ka ç'të marë, ajo e paska vështirë të lerë atë ç'ka ka brumosur vetvetes ndër vite. Më e çuditshmja e paradoksalja sot, nuk është tek ekzistenca e këtij brumi të allçinosur nga koha tek disa fanatikë, dogmatikë, apo intrasigjentë të asaj çka kanë mësuar më parë, por tek miellosja me miellin e skaduar të dikurshëm të brumit që sot gatuajnë disa kritikë të kohës, që kanë mësuar e mësojnë nga kritika botërore, pa kurfarë censure, tutele, kufizimi e kërcënimi.
Pse-ja mban pas shumësinë e pyetjes, por s'ka pse të na labirinthojë gjykimin.
Edhe kritiku është krijues, bile në shumë raste krijues i dyfishtë. Ai krijon edhe gjatë kritikës, sikurse edhe vete mund të jetë poet e prozator. Specifika si krijues kritik e dallon atë nga ajo e krijuesit letrar, por e kompleksiton më shumë në aplikimin e rolit të dyfishtë. Kritiku i tille vuan kontradiktsionin e uni-t të dyfishtë, kontradiktsion që e ve mes dilemash, shijesh, analizash, studimesh e kritikash shpesh kontradiktore. Paanshmëria e qëndrimit si kritik, shpesh ndikohet, ngacmohet, deri në devijim të njëanshëm qëndrimesh ndaj veprave letrare. Aty ku cënohet paanshmëria, fillon shfaqja e kompleksitetit të kritikut.
Tani edhe dijet, njohjet e shumta të akumuluara në formimin e tij, do i shërbejnë këtij kompleksiteti të shfaqur. Konvertimi mes paanshmërisë dhe njëanshmërisë është i pashmangshëm. Bashkë me të dhe devijimi i shtratit rrjedhës të kritikës konkrete për veprën konkrete.
Brenda tre palëve protagoniste, lexues-kritik-autor, ky devijim më shumë dëmton kritikun dhe autorin, kurse brenda dy palëve, kritik-autor, më shumë dëmton vetë autorin.
Kam lexuar dhjetra e dhjetra analiza kritike kritikësh, por pak kritikën objektive, atë kritikë që të ketë aftësinë veçuese të vlerave krijuese. Duhet një programatizim kompjuterik mbase, që nga shumësia e analizave të mundesh të dallosh e veçosh vlerat brenda pozitivitetit vleror të të gjithë veprave e krijimeve të analizuara. Kjo e vërtetë ndodh më shumë në kritikën e veprave të plota, ku po ndodh absurditeti më qesharak e tragjik bashkë, i njëtrajtshmërisë së niveleve deri ekstremale në vlera letrare, artistike, etj, etj.
Pse ndodh kjo?
Ah kjo pse-ja, që ndërsa vërtet ekziston e shumtë në jetë, shpesh e shumojmë ne me absurditetet tona dhe kërkojmë pastaj përgjigjen.
Në rastin konkret ajo lind pikërisht nga vetë kompleksiteti i kritikut-kritik, që duke "harruar" si doktori betimin e Hipokratit, merr zarfin nën dorë. Por deri këtu ngjason me doktorin, sepse ndërsa ky pastaj vepron me pacientin profesionalisht, kritiku vepron me klientin tregëtisht deri në fund. Doktorit i është paguar vizita, kujdesi, operacioni dhe ai s'ka pse mos i bëjë ato me profesionalizëm, kurse kritikut i është paguar fjala, e cila duhet të shërojë edhe të sëmurin për ment. Kritiku e ka ilaçin e kësaj sëmundjeje të shumë krijuesve dhe s'e ka për gjë (në dreq betimi i Hipokratit!) ta përdorë atë jashtë çdo përgjegjësie e etike morale, profesionale, njerëzore.
Po lexuesi?
Fare thjesht e ka zgjidhjen. Lexuesi nuk niset nga kjo paçavure kritikane për të rendur e blerë librin e autorit të apoteosur nga kritiku. Edhe në rastin ndikues të parë, falë reklamave tregtare të një libri, lexuesi gjen vetveten dhe di ç'të kërkojë e lexojë.
Në fund mbetet mjerane vetë dyshja kritik-autor, që kënaq vetveten në fillim dhe po aq e zhgënjen atë në fund.
Një pikë tjetër që dua të prek për kompleksitetin e kritikut shqiptar, është kontradiktsioni brenda tij, mes asaj ç'ka ai ka mësuar e di nga dituria botërore e artit të kritikës dhe aftësisë së tij trajtuese, interpretuese dhe krijuese, që mund të bëjë gjatë analizës e kritikës së një vepre letrare.
Konstatoj fatkeqësisht, që në të shumtën e rasteve studimore, kritiku e ka shumë më lehtë të gjejë citate autorësh të huaj të artit kritik, për të thënë me gojën e tyre atë që vetë s'mund ta thotë dot, edhe aty ku duhet ai të vazhdojë zbërthimin e vetë citatit për veprën në fjalë. Ndodh njëlloj si të gjesh formulën e një problemi dhe mos dish ku të vesh të dhënat e tua për ta zgjidhur atë problem. Kjo është gjysma e së keqes, pasi përmban gjysmën e së mirës, sepse ka të keqe të plotë, kur tjetër është problemi e tjetër formulë gjen për zgjidhje.
Kritikë të tillë ngjasojnë me ato raportet e dikurshme të totalitarizmit, kur në çdo tre rrjeshta gjoja analizë, dy ishin citime fjalimesh të liderit e klasikëve të m-l. Mund të thuhet, që paralelizmi nuk shkon, pasi citimet e sotme janë në funksion të analizës. Dakort kjo, po për çfarë po flas deri tani, pikërisht për këtë mospërputhje citimesh me vetë analizën. Për të mos thënë më të keqen e përmendur më lart, kur këto citime ofendohen përballë veprave mediokre.
Kompleksiteti i kritikut shqiptar s'mund të bëjë përjashtim nga kompleksiteti i krijuesit shqiptar. Ata shkojnë paralel, kryqëzohen sa herë, konvertojnë mes tyre, ushqejnë njeri-tjetrin, aq sa ndodh në disa raste të ndrojnë rolet, duke shtuar më shumë tragjiken e komiken, në tempullin e artit shqiptar.


Selanik, 10 prill 2011

Δεν υπάρχουν σχόλια: