Σάββατο 9 Απριλίου 2011

Kombëtarja dhe globalja në letërsi


Mendime


Kombëtarja dhe globalja në letërsi


Kombëtarja në letërsi jam unë (ti, tjetri), që i përkas asaj, që jam lindur, ushqyer, rritur me ajrin e hapësirës së cilës i përket ekzistenca territoriale e vendit tim, me belbëzimin, të folurën, të dëgjuarën, të shikuarën, lexuarën e të shkruarën e fjalës, që më veçon mua nga kushdo tjetër përtej hapësirës së asaj që i përkas si vendali i një vendi të caktuar, me territor te caktuar, kufij të caktuar. Nuk përjashtoj nga kjo, ekzistencën e vendalinjve të mi nëpër botë, të cilët sikurse dhe unë, kanë lënë me dashje apo pa dashje folenë e parë ku kanë dalë nga "veza" e tyre.
Kombëtarja në letërsi jam unë (ti, tjetri), që jam formuar me format e mënyrën e jetës të trashëguar ndër kohëra, të ndikuar, deri të konvertuar në disa pjesë të saj ndër kohëra, me ndikime e rrezatime jete fqinjësh e përtej fqinjëve.
Kombëtarja në letërsi jam unë(ti, tjetri), me tipiken time të personalitetit tim, genit tim, aftësive të mia trashëguese e formuese në jetë.
Kombëtarja në letërsi jam unë (ti, tjetri), me bagazhin e diturive, njohjeve, përvetësimeve, të filozofisë së jetës, që nga edukata e kultura familjare, shoqërore, që nga kopshti, bangat e shkollës dhe gjithë struktura e superstruktura përkatëse e sistemit ekonomiko-shoqëror, në të cilin kam jetuar e jetoj.
Si e tillë, kombëtarja në letërsi s'mund të jetë kursesi një abstraksion shpirtëror, por një shpirt i abstraguar në fjalën e shkruar. Pikërisht, ky abstragim imi, tëndi, i tjetrit, përbën individualitetin e secilit krijues në shkallë të ndryshme nivelesh, arritjesh, meritash, suksesesh e dështimesh.
Si e tillë, kombëtarja në letërsi, s'mund të jetë kursesi e ashtuquajtura kullë e fildishtë në ekzistencën e saj absolute izoluese, nga universi shumëkombësh i letërsisë.
Universi shumëkombësh i letërsisë, gjithashtu s'mund të jetë një abstraksion shpirtëror, por një shpirt i abstraguar i çdo krijuesi të çdo kombi në fjalën e shkruar.
Për rrjedhojë, mua, nuk më rrezikon, nuk më tremb, nuk më fatalizon aspak, as globalizmi letrar, as egoja e nacionalizmit të kulluar.
Pse?
Sepse, si njeri, si tjetri, më shumë se ekzistenca objektive të domosdoshme ekzistence, janë ekzistenca subjektiviste njerëzish, grupesh, qarqesh, mbase dhe platforma regjimesh, në një kohë e hapësirë të caktuar. Koha e hapësira përtej kësaj "të caktuar", dëshmon të vërtetën e madhe të dështimit të globalizmit e nacionalizmit të kulluar letrar. Ky dështim është që nga individi mbartës, deri tek grupimet që përmenda më lart.
Unë ndjej njëlloj alergji, si nga një penë, që bojën ku ngjyen e stërkullon me filtrin inekzistent të nacionalizmit të kulluar, ashtu dhe ndaj asaj, që e ngjyen në llumin e mbetur të globalitetit letrar.
Çdo kombëtare në letërsi mbart globalen, sikurse globalja përbëhet nga kombëtaret. Çdo tentim tjetër, mbyllës, në rastin kombëtar, apo dalës, në rastin global, janë për mua ekstremitete manirash penash dështake. Ato shprehin defiçitin letrar të krijuesit, që në rastin e parë fshihet pas ndjenjës të ashtuquajtur patriotike, nacionaliste, kombëtare, kurse në rastin e dytë, pas ndjenjës globaliste, moderne, bashkëkohore, planetare.
Në të dy rastet, krijimtaria vuan origjinalitetin e saj. Mungesa e origjinalitetit në krijimtari ka dështuar gjithmonë, edhe pse në faza kohe si kjo e jona sot, arrin të krijojë deri monopolizim të artit, për rrjedhojë dhe gabimin fatal të ndarjes së meritave nga ky monopol.
Monopole të tilla, që mbajnë vetveten dhe duan të përjetësojnë vetveten, më ngjajnë me mumjosjen e faraonëve.
Në një kohë, që njerëzimi vazhdon të shijojë e mos ngopet së shijuari fjalën e shkruar letrare, papiruseve të lashtë dhe miliona e miliona fletëve nëpër libra.
Kështu ka ndodhur, po ndodh e ka për të ndodhur, sa ekziston e do ekzistojë njeriu, me gjuhën e folur e të shkruar të tij.


Selanik, 9 prill 2011









Δεν υπάρχουν σχόλια: