Παρασκευή 1 Απριλίου 2011

Dhe ishin vëllezër...


Dhe ishin vëllezër...


E vetmja ngjashmëri mes tyre ishin sytë, me të kafenjtën e errët të ngjyrës. Ku mbaronte kjo ngjashmëri, fillonte gjithçka tjetër e veçantë në çdo tipar e pjesë të trupit, aq sa askush s'mund t'i bënte për vëllezër. Të dy kishin marë maksimumin në të kundërt të tipareve të prindërve, por këtë mund ta kuptoje nëse kishe forcë dalluese dhe depërtuese në ato tipare, përtej harmonisë shfaqëse të tyre.
Vërtet pak i dobët i jati, por njeri ja kishte marë më të theksuar dobësinë, si në trup, ashtu dhe në fytyrë, ku lëkurën nga kocka dukej sikur s'e ndante asnjë shtresë tjetër mishore. Nga kjo thellësi kockore, flokët dilnin si gjemba iriqi, të pafuqishme të ktheheshin në onde, si flokët e prindërve. Edhe pse truri brenda kafkës s'ka lidhje me masën e dobësisë në trup, tek i dobti dukej sikur kishte vazhduar harmoninë me të, duke i dhënë logjikës dhe instikteve, mendime e reagime naive, të lehta, të dobta. Pafuqishmëria e tyre ndaj përballjes me mësimet në shkollë dhe njerëzit pak më të zgjuar se ai, kishin ngjizur në shpirtin e tij djallëzinë, hilenë dhe cmirën. E vetmja veti, që antipatinë dhe veset ja zbuste në simpati para njerëzve, ishte humori dhe xhestet shoqëruese të tij. Me sa duket, naiviteti dhe djallëzia, kur përzjehen mes tyre, veç ligësisë që mund të sjellin në raste përplasjesh, krijojnë dhe qesharakësi, sa herë përplasja apo ballafaqimi është i papërballueshëm.
Tjetri, me dy vite më shumë në moshë se i vëllai, ishte përzjerja më harmonike e bukurisë së prindërve, aq sa kur ndodhej me të jëmën, njerëzit thoshin se i ngjet asaj, sikurse thoshin të kundërtën, kur e shikonin me të atin.
Kur i shikonin të dy, rrallë e për mall, i merrnin për dy të njohur rastësisht rrugës, që së shpejti do ndaheshin secili në udhën e vet.
I madhi gati sa s'i binte në gjunjë të voglit të dilnin bashkë, si në mëhallë për të luajtur kur ishin të vegjël, ashtu dhe shëtitje bulevardit, kur hynë adoleshencës. Kështu vazhdoi ai edhe më tej, por pa arritur kurrë ta bindte atë për ta patur pranë, si shokët e tjerë të ngushtë. Kështu ndodhi ndarja mes tyre, edhe pse lidhja më parë ishte vetëm brenda shtëpisë. Secili me shokët e vet dhe mënyrën e vet të kalimit të kohës. Kohës në shtëpi, i madhi më të shumtën e kalonte duke shkruar ose lexuar, kurse i vogli veç kohës ngrënëse e fjetëse, tjetrën e kalonte jashtë.
Ekstremet mes vëllezërve vazhdonin njëlloj, edhe aty ku mund të ndryshonin, zbuteshin, harmonizoheshin mes tyre. Por, me sa dukej, mbizotërimi i forcës së genit formues tek i vogli, ishte më i fuqishëm se ndikimi për mirë nga kushtet e rrethanat e jetës, gati të njëjta me të madhin. Të njëjtat këshilla dhe e njëjta dashuri prindërore, shkaktonin efekte të kundërta tek dy vëllezërit. Dukej sikur e mira, tek takonte udhës së të voglit të keqen, përpihej prej saj duke shtuar vetveten.
Ata do ishin më larg seç ishin nga njeri-tjetri, kur i vogli do ikte ushtar, kurse i madhi për studimet e larta në universitet. Bilanci i letrave gjatë kohës larguese, kishte vetëm firmën e të madhit e megjithatë ai u mbyll ditën e fundit të mbarimit të shërbimit ushtarak.
Vërejtjes së të madhit për mospërgjigje, i vogli ju përgjigj me ironinë e zakonshme, "Ty të vjen ndoresh për letra, mua s'më ke për punëra me laps. Kur u ndanë, këto na ranë".
Si në kjo përgjigje, ashtu dhe në të tjerat para të madhit, shtrëngimi i nofullave e hollonte lëkurën mbi to sa një cipë qepe. Pak më tej të vazhdohej fjala nga i madhi, ishte rrezik që cipa e lëkurës të çahej.
I madhi e mbyllte më parë se ta hapte bisedën me të voglin. Ishte e pamundur për të çdo vazhdim debati, qoftë dhe më i thjeshti i të thjeshtëve. Përgjigjet deri në absurditet të të voglit, e bënin atë të ndjehej i pafuqishëm, aq sa shpesh vinte në dyshim logjikën e vet të njohjes.
Vazhdimi më tej, mund të ndizte gjakrat, duke shuajtur çdo fije logjike të përmbajtjes. E kishte provuar një herë, duke i shpëtuar për qime grushtit.
I vetmi superioritet që ndjente i vogli ndaj të madhit ishte loja e fjalëve deri në budallallëk, që e bënin të madhin të dukej si një nxënës i dobët para tij. Kishte borxh ditën ta bënte natë, kurse natën ta zhdukte, duke mos ndaluar lojën deri sa të bëhej e tija.
I madhi s'desh të besonte kurrë cmirën deri në urrejtje të të voglit ndaj tij. Çdo kundërti me të, çdo zënkë e kërcënim, ja justifikonte me pafuqishmërinë e dijes. Ishte mësuar qysh në shkollë me të dobtit në mësime, që kush e di sa herë talleshin dhe e ngacmonin në klasë e jashtë shkollës.
Do kalonin vite, shume vite, që ky mendim të kthehej në tjetër dyshim dhe dyshimi në bindje, se diçka më e thellë, më në rrënjë, ishte mbjellë keq e ishte rritur akoma më keq.
I vogli e urrente vërtet në gjithçka atë.
E pamundur, por e vërtetë. Në ndjesinë e inferioritetit në gjithçka, ishte mbjellë e po rritej gjithçkaja e superioritetit absurd, që çdo takim e bisedë, e kthente në arenë cirku, ku ai, kllouni, mund të argëtonte e gajaste spektatorin. Para tij, i madhi kthehej në një spektator të verbër, të shurdhër e memec.
Triumfator, i vogli nuk ndalej me kaq. I madhi kishte trurin plot, kurse ai xhepin. Truri në këto kohëra zor të mbushte xhepin e të madhit, kurse xhepi i të voglit, mund të krijonte tjetër tru e ta mbushte sa të deshte, duke ja kaluar atij të vëllajt.
Ky ishte superioriteti më absolut, që e bënte të voglin mospërfillës ndaj të madhit.
E megjithatë, ai nuk ngopej me kaq. Për të ngopësia do ishte fundi i superioritetit, pra vetë fundi i tij.
Deri ku? Deri sa?
Deri aty, ku të njihej vetëm ai. Deri aq, sa të mos i shfaqej më para sysh i madhi. Vetëm ashtu do ndjehej më i plotë, më i qetë, më triumfator.
Çdo sinjal i mirë për të madhin, që depërtonte boshllëkut të krijuar, e tërbonte deri në çmenduri.
Atëhere i sulej boshllëkut, që kishte lejuar sinjalin deri tek ai, duke e shtuar hapësirën e boshtë, aq sa të shuhej edhe sinjali më kumbues.
Ata rronin në të njëjtën kohë në dy universe krejt të kundërt.
Për të madhin kjo ishte krijesa më absurde në gjithësi, që rrezikonte thelbin e ekzistencës së harmonisë njerëzore. Ajo dilte jashtë çdo logjike të kundërtisë krijuese, pasi e përmbante atë kundërti në të kundërtën e saj. E kundërta e kundërtisë është asgjësimi, zhdukja, pra, hiçi, asgjëja.
I madhi e ndjente këtë proces të tmerrshëm drejt asgjësë, e vuante tmerrësisht atë.
I vogli i lumturohej asaj.
Dhe ishin vëllezër...


Dola nga spitali me padurimin e frymëmarrjes së plotë jashtë tij. Bashkë me frymëmarrjen, sikur m'u freskuan dhe mendimet. Këtë rradhë, vetëm këtë rradhë, shpresa tejkalonte vetveten drejt besimit e bindjes për mirë.
Mbase veshka e dhuruar nga i madhi të voglit, bashkë me filtrimin e lëngjeve në trupin e tij, këtë rradhë do filtronte sadopak atë lëng të trurit, që i kishte llumosur e dreqosur më të përbashkëtën pjesë lidhëse mes tyre, genin e të qënit vëlla.
 
Selanik, 1 prill 2011

Δεν υπάρχουν σχόλια: