Κυριακή 27 Μαρτίου 2011

I aksidentuari






I aksidentuari


Ishte duke tërhequr ngadalë nga kablloja e makinës-vinç rrotën e teltë, me copat e së cilës në bangon e hekurkthyesit, bënte format lidhëse të shufrave të hekurave, që përbënin skeletin e kolonave të betonta të pallateve.
Papritur, dielli u coptua në mijra shkëndija verbuese, pa i dhënë as sekondën e kohës të mendonte se çfarë i kishte ndodhur. Boshti i tokës u bë paralel me trupin e tij dhe bashkë me të humbi hapësirës kozmike, si i thithur nga ndonjë vrimë e zezë e universit. Në shpejtësinë thithëse, edhe pse mbahej fort pas çdo pjese të tokës, ndjeu një çast shkëputjen prej saj të trupit, me përjashtim të këmbëve. Qëndruar kështu vertikalisht, veshët i përplasën brenda kokës vibracione tingujsh të stërzgjatur, që shtoheshin e shtoheshin deri në shurdhim. Në qetësinë e frikshme shurdhuese, dikush i foli duke i kujtuar mendjen.
Mendja? Ku ishte mendja? Çfarë dinte ai për mendjen?
Ah, po, dinte që brenda trurit të tij ekzistonte një mendje, mendim, një dije, jo, jo një, shumë dije, shumë njohje.
Nga e dinte këtë? Dmth e dinte! Pra, mendja po i mendonte diçka atë çast, qoftë dhe aq, që ai kishte mendjen e tij.
Po më tej? Çfare duhej të dinte më tej?
Ah, po, e gjeti. Kujtesën. Ku ishte ajo? Ku ta gjente?
Prit, mos u nxito, ndryshe do devijosh dhe ti boshtin tënd të lëvizjes, si toka pak më parë.
Pse, kishte devijuar toka?
Ç'rëndësi ka për ty kjo? Mjafton që je prapë me të, kudo ku shkon ajo. Dhe që ajo është bashkë me ty, kudo ku shkon ti.
Po kujtesa? Mos u verbua dhe ajo bashkë me verbimin e syve? Se ja, ti akoma je i verbuar.
I verbuar? Jo, jooo, nuk dua të verbohem! Dua të shikoj!
Prit. Pa hapi sytë tani dhe shiko?
Ja i hapa. Çudi! Kjo qenka pamja e verbërisë? Nuk është si ajo vrima e zezë thithëse? Kudo ngjyra të lëngshme, të gazta, të ngurta. Ooh, sa të ngatërruara qenkan!
Po kujtesa, kujtesa, ku është?
"Materia është një kategori filozofike, që shërben për të treguar realitetin............"
Ja, kjo është kujtesa, kjo, e gjitha, e tëra, e plota. Eshtë tek ty, brenda teje, aty në truri tënd i mbledhur, i ngjeshur, i strukur brenda kafkës së kokës, të goditur pak sekonda më parë nga kthetra e një përbindshi të hekurt.
Bëke dhe krahasime, pale! Sa mirë! Paske shpëtuar për mrekulli!
Gjak? Nga ku? Dhimbje? Ku?
S'kagjë. Gëzohu që gjaku del nga një plagë e mishtë e trupit. Nëse s'di se nga, mjaftohu me kryesoren që posa mësove. Nuk del nga truri tënd, ndryshe...


Zëra të përzjerë çbllokojnë shurdhërimin. Nga më të njohurit, të prekshmit, të dashurit, të ndjeshmit, deri në ata të largëtit, seriozët, akademikët.
"Bir i nënës, pu, pu, ç'më gjeti! Doktor, të luteem, si është, ka pësuar gjë djali im?'
Më afër veshit:
"Shpirti im, jeta ime, hapi sytë! Shpëtove bir, shpëtove. Mirë je. Qetësohu!"
Më larg veshit:
"Gjendja është stabël. Duhet të presim 24 orët e para. Mire i bën të vjellë pak..."
Nxirre, mos u ndruaj, por gëzohu që po ndodh ajo që thanë doktorët. Dhe aq sa thanë ata. Vjellje e paktë.


Përsëri, "Materia është një kategori....."
Ha, ha, s'po të ndahet sot përkufizimi i materies.
Si? Provë tjetër për kujtesën? Mirë bën, të lumtë!
Tjetër? Çfarë tjetër dëgjove?
Vizitë nevrologu për...
Për çfarë? Pse s'e thua? Si? Eshtë turp? Ha, haa! I turpshmi 20 vjecar!
Paske tjetër ide për atë provë? Mos aman! Dhe kush, ti, që pak më parë u skuqe nga fjala e turpshme.
Mirë, mirë, po të besoj. Ti gjithmonë je i papritur në mendime e veprime.


S'e prisje të vinte ajo? Po ja që të erdhi. Mos e fsheh, të pëlqen më duket. Si? Simpati? Po zëri pse të dridhet? Po trupi?
E di, e di, që s'i ke prekur majën e flokut, të besoj.
Ç'bën, u çmende? Je në vete? Paske dorë trazovaçe. Po ajo? Po ngrin? Po shkrin? Po dridhet tani? Ha, haaa! S'ma merrte mendja kurrë, qoftë dhe për kaq sa po e prek. Pa hë, më thuaj më shumë, të lutem!
Po, i vure dorën mes gjunjve. Pastaj? Vazhdove më tej? Në butësinë e këmbës? Oh, mos, po më ngacmon më shumë. Si ishte? Si u ndjeve?
Si, u ndale pak aty dhe u tërhoqe? E mirë, të kuptoj. Dhe aq, ti qofsh, qenke i çmendur.
Çfarë? Dhe ajo njëlloj me ty? Puu, puu, latë nam të dy.
Dmth? U ndeze? E paske marë vesh më parë përgjigjen e nevrologut.


Këtu e ke fletoren dhe lapsin.
Ika, ika, e di që do të shkruash.

Δεν υπάρχουν σχόλια: