Gazeta ALBANIAPRESS, që del në Greqi në gjuhën shqipe, botoi në dt.14 janar 2011, shkrimin, "Fjalomania e manimadhështive".
Mendime nga Edmond Shallvari
Fjalomania e manimadhështive
Nuk ka vetëm modë të mirëfilltë veshjeje firmash të njohura e panjohura, tashmë të mësuara për syrin e njerëzve. Bile njerëzit sot nuk mund të konceptojnë dot llojet e veshjeve, pa paradën paraprake të tyre sallave të modave, me manekine të gjalla elegantesh, deri ne skeletim. Punë e modelistëve dhe gustove kjo. Mua as më tërheq e as më ngacmon kjo mënyrë fushe krijuese, që dua, s'dua, e pranoj që i përket fantazisë krijuese te modelistit. Sejcili u kënaqtë në fushën e vet të talentit.
Ajo që më dëshpëron e ngacmon pjesën instiktive të revoltës, por edhe pjesën logjike të koshiencës sime, është kthimi në paradë mode, i atij produkti magjik të talentit të krijuesit të artit, nga vetë krijuesi dhe konjukturistët rreth tij.
Pra, copa qenka gati, veshur jashtë e brenda në faqet e manekinit-libër, salla e paradës gjithashtu, spektatorët të njëjtit e zakonshëm, të numurueshëm me gishtat e dorës. Për krijuesin dhe organizatorët konjukturistë, pak rëndësi ka kjo matematikë e paktë njerëzish, gjë që kalohet me pak mbledhje buzësh dhe përgojimesh të njohura shqiptareske. Ata e kanë aftësinë, që ligjin dialektik të kthimit sasior në cilësor ta riintepretojnë ndryshe, pra , edhe sasia e paktë, sjell një cilësi të re pozitive të fenomenit. Kjo është aftësia e subjektit për të objektivizuar vetveten.
Gjithçka tashmë është gati për paradën e modës së fjalës së shkruar. Sa keq ndjehem, sa lëmsh shtrëngues më mblidhet në gjoks dhe kërkon të dalë përmes revoltës së zërit tim, edhe me kaq sa me dhimbje e shkrojta më lart, “paradën e modës së fjalës së shkruar”, duke bërë mëkatin më të madh në jetën time, para të cilit them, "xhan o lule, ai i tradhëtisë në dashuri!"
Nuk paska mëkat më të pashlyeshëm(ai i tradhëtisë u shlyeka përmes rrëfimit tek prifti), se mëkati ndaj ofendimit që i bëhet fjalës së shkruar të krijuesit. Dhe unë, pa pikën e etikës dhe frikës së ferrit, guxoj që këtë paraqitje të fjalës së shkruar ta quaj këtu paradë fjale.
Por le të digjem ferrit më mirë, se të rroj pseudoparajsën e sajuar në të gjallë nga disa gjallorë mjeranë.
Nuk di, nuk njoh, mbase kaq di e kaq njoh, nga e shkuara qindra e mijravjeçare e krijuesve të artit.
Çfarë s'di e çfarë s'njoh?
Atë pra, që në kohësinë e tyre, të kenë patur vërtet parada të tilla të fjalës së tyre të shkruar. Di vetëm këtë, që edhe atëhere ka patur kontradiktsion vlerash të pashmangshme në udhën e krijimtarisë. Vetëm kaq di, sikurse di që vlerat e vërteta të mosnjohura për të tilla në të gjallë të autorëve, më pas kanë gjetur udhën e meritueshme drejt pavdekësisë. Nëse ka patur vërtet parada si sot, tronditja ime madhohet keqazi, pasi më dëshmon mosevoluimin e racës njerëzore pas kaq e kaq shekujsh. E pamundur, që raca ime, mos ketë mësuar kaq nga e shkuara, e cila na ka lënë tashmë të pastër si kristali vlerat e vërteta të fjalës së shkruar. Mos duhet që sot ne të presim të ndodhë kristalizim tjetër mijravjeçar i vlerave të sotme?
"Kush tha?" më pyesni. Dhe e di që vazhdoni më tej me, "nuk shikon që sot evidentohen vlerat në promovime, reklama, bankete, shkrime analistësh, kritikësh, mendimtarësh, duke ju lënë brezave të gatshme vlerat e krijuara sot? Të shkuarat patën kohën për t'u seleksionuar, ne kemi penën tonë për përjetësime, nuk e shikon?"
E shikoj, e vuaj, por edhe qesh e nënqesh. Keq më vjen për kohëhumbjen e madhe e bashkë me të, të fjalomanive të manimadhështive, që sot mbushin eterin mediatik të shkruar e valor.
Nuk është fjala aspak për një ceremoni promovimi, për një bisedë krijuesish, për auditor krijues-lexues, ku sejcili është me këmbët në tokë e jo në qiell dhe mendjen në kokë e jo jashtë saj.
Fjalomania sot ka farmakosur auditoret dhe vetfarmakosur fjalomanët. Si e tilllë ajo është kthyer tamam në llojin më të shëmtuar të paradës së modës së fjalës, duke e përmbytur atë në cekësinë e mediokritetit.
Fjalomania përmban pak njohje të fjalës, sepse nuk i le vend mania e madhështisë. Si e tillë, ajo e bën fjalomanin të vlerësojë veprën si gjellën guzhinjeri, qoftë dhe me majën e lugës. Maja e lugës, pra maja e leximit, është kthyer në llojin më bindës të etalonit matës të vlerave të një vepre. Kjo s'ka të bëjë vetëm me numurin e faqeve të pakta në lexim, pak në fillim, pak në mes e pak në fund, por edhe me vetë tërësinë e tyre. Sepse fjalomani i manimadhështisë, nuk ka ngenë, durimin e për më tepër dëshirën për të bërë analizën e veprës, se sa shfaqjen e vetvetes. Ai ka aq nuhatje në fakt që dhe me aq provë shijimi, të kuptojë vlerën e saj, por konjuktura e interesave nga njera anë dhe metoda hipokrite për mbivlerësim nga ana tjetër, janë për të udhëhapja për madhështinë e vetes. Kështu ai është në rregull dhe harmoni me palën tjetër, duke filluar nga autori i veprës, auditori dhe ajo që i intereson më shumë, kupola e artit dhe monopolistët e tij. Ai kujton se i afrohet, apo është pjesë e kësaj kupole, se ka dhe ai aksionet e veta shkrimore në monopolin e saj. Ai tjetri, autori promovoues, le të rrojë me realitetin e ëndrrës së posakrijuar nga fjalomani. Më shumë se një ëndërr, ai s'ka ç’ti japë autorit dhe ky s'ka ç'ti marë më shumë se kaq këtij. Një dualitet kompromisi, që e bën sejcilin të lumtur në llojin e vet të lumturisë.
Po lexuesi? Atë çast lexuesi, edhe pa lexuar veprën, duhet të marë të mirëqënë vlerat dhe suksesin e saj apriori.
Se ja, shikoni, dëgjoni, lexoni median, të nesërmen e promovimit. Ajo është paguar tashmë dhe si e tillë duhet të shesë fjalën në barasvlerën e saj me pagesën. Pak rëndësi ka pra vlera e veprës, tani ka rëndësi masa e pagesës, e cila kërkon të barasvlershmen e saj për këmbim, reklamën. Cikli i biznesit u krye. Sejcili në këtë cikël mbyll mikrociklin e vet, për ta rihapur mbase tjetërkund, me të tjera kushte ofertash e pagesash në paradën e fjalës, tashmë të kthyer në mall e plaçkë tregu.
Ashtu siç u nis në fillim, cikli do marë përmasat e pameritueshme të madhimit, duke e futur në lojën e manimadhështisë edhe vetë autorin. Autori kujton vërtet se ka shkruar në mos kryevepër, një risi, një prurje të re në letrat shqipe. A s'e tha kështu referuesi i parë("mjeshtër i penës"), po dhe i dytë("perlë e vërtetë"), i tretë, i katërt...? A nuk e shkrojti e tha kështu të nesërmen edhe media?
Po lexuesi? Lere lexuesin, ai kaq di, kaq ble, kaq lexon, pra më mirë dhe pa të. Koha është ajo që do ta pavdekësojë dhe ajo filloi qysh pak më parë, ja aty, në parada e promovimit të fjalës së shkruar. Tani autorit s'i mbetet tjetër gjë, veç të shtojë pasurinë e kësaj pavdekësije, pra të vazhdojë të shkruajë e vetëm të shkruajë.
Të tjerët, e konjukturës, interesit, kupolës, monopolit, vazhdojnë gjithashtu madhështimin e vet. Ja, ku i pret një tjetër botim i ri, promovim i ri.
Tam-tami, përpara, në mes dhe pas promovimit, vazhdon tamburanë zhurmuese, edhe nga ata që s'dinë as një notë muzike, as një magji fjale. Servirja e gatshme e "kryeveprës", i lehtëson shumë për të kënduar dhe ata mes korit, pa u veçuar në stonim. Sepse ata bëhen pjesë tashmë, e vetë korit stonues.
Koha mbarset kështu me embrionin skarco të dështimit të ardhshëm.
Mbarsësit e saj jemi ne, fjalomanët e pandrequr të manimadhështive çmendarake.
Deri kur, o ...
S'po e them, sepse një e dy dhe i drejtohemi Zotit, edhe për atë që e kemi vetë ne në dorë ta çpenëzojmë.
Selanik, 29 dhjetor 2010
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου