Κυριακή 19 Δεκεμβρίου 2010

Unë, Toka dhe Koha

Unë, Toka dhe Koha

Me mua ec Toka
Me Tokën unë ec
Me ne ecën koha
Në ecje të tre.

Në ecje të tre
Por jo në një hap
Dikush prapa ngel,
Dikush tepër larg.

Dikush tepër larg
Pa ditur se ku
Dikush rend ta ndal
Por humbën diku.

Por humbën diku
Ndaj ec kuturum
Nuk di në jam un'
Apo koha u zhduk?

Apo koha u zhduk
Dhe mbeta pa kohë
Si pikë në fund
Si pena pa bojë.

Si pena pa bojë
Si letra pa fjalë
Pa kohën në kohë
Pa Tokën, i marrë.

Pa Tokën, i marrë
Hapësirës së çmendur
Bëj të hedh një hap
Por strukem i trembur.

Por strukem i trembur
Rreth vetes i ngrirë
Vetëm shpirti i mbetur
Më kujton njerinë.

Më kujton njerinë
Nga vendi më tund
Rend kohës ta arrij
Në fundin pa fund.

Në fundin pa fund
Dhe unë le të jem
Një grimcë më shum’
Që mbartën një jet’.

17 dhjetor 2010


Δεν υπάρχουν σχόλια: