Πέμπτη 23 Δεκεμβρίου 2010

Intervista dhënë Monda Moisiut, në www.fjalaelire.com

Gjithmonë në kërkim të së vërtetës brenda e jashtë vetes.
Font size: Raimonda Moisiu 23/12/2010 12:38:00
Edmond Shallvari Intervistë me poetin dhe shkrimtarin Edmond Shallvari.


Bisedoi:Raimonda Moisiu
E po çka mund të thuhet me pak fjalë për krijimarinë e poetit dhe shkrimtarit Edmond Shallvari? Në fillim të herës duhet të thuhet se Shallvari është një krijues gjithmonë në kërkim të së vërtetës brenda e jashtë vetes. Atmosferën e botës së brendëshme njerëzore e reflekton ndjeshëm me thjeshtësinë dhe vërtetësinë e jetës në krijimtarinë e tij, duke qëmtuar tipiken, realen dhe universalen për të na dhënë marrëdhëniet e botës artistike me mendimin filozofk. Si në poezi, edhe në prozë, lëvron tema interesante nga e kaluara e largët, e tashmja dhe e ardhmja, që së bashku sjellin mesazhin e njerëzores. Është ineresant fakti se si Edmondi e nis këtë bisedë: "Zhytur përrallave, rrëfimeve dhe më pas leximeve të para. Interpretoja pjesë prozaike e poetike sikur të isha protagonist", e cila të fut në botën krijuese të tij, që mbresat, kujtimet dhe përvojat në udhëtimin e bukur të jetës i ka potretizuar në krijimtarinë e tij. Edmond Shallvari ka lindur në qytetin e Korçës, më 30 korrik 1957, nga nëna korçare dhe baba shkodran. Nëna e Edmondit është motra e ikonës të artit skenik e kinematografik, aktorit Stavri Shkurti, detaj që do të ndikonte dashamirësinë për artin dhe kulturën që në moshë fare të re. Pas mbarimit të gjimnazit në "Raqi Qirinxhi" me mesatare të lartë, afër dhjetës, vahdon studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, dhe diplomohet në vitin 1982. Qysh herët në pasioni dhe dashuria për artin e letërsinë e zgjon talentit për të krijuar në poezi e prozë, pjesë të të cilave filloi t'i botojë në shtypin e kohës dhe në gazetën “Studenti” të Universitetit. Biles dhe vlerësohet me çmim në gjininë e prozës (tregim) mes penave të njohura krijuese të kohës. Krahas krijimtarisë letrao-artistike, shkruan edhe shkrime ekonomike e filozofike, të botuara këto në shtypin e kohës, të mirëpritura e të vlerësuara nga audienca e lexuesve. Ngjarjet tragjike të vitit '97 e detyrojnë të largohet familjarisht në Selanik, Greqi, ku jeton aktualisht dhe vazhdon aktivitetin e tij krijues gjithashtu. Libri i parë i shkrimtarit Shallvari është "E megjithatë..... jetojmë!", libër me mbresa e kujtime. Është mjaft aktiv me penën e tij të çmuar e të talentuar në forume e website shqiptare në internet, ku ka krijuar profilin e tij me një audiencë të konsiderueshme e të admirueshme si dashamirës të krijimtarisë së tij, të cilët jo vetëm e lexojnë, komentojnë dhe e vlerësojnë, por kërkojnë librat e tij.

Rreth krijimtarisë letraro-artistike të Shallvarit kanë shkruar në shtypin shqiptar pena të njohura letrare, kritike dhe studjuese, si akademik Fatmir Terziu, Bujar Muçaj, Ziko Kapurani, Stavri Dajo dhe komentet e shumta vlerësuese të dhjetëra krijuesve. Revista rumune "Haemus", në Rumani, boton here pas here në gjuhën shqipe dhe rumune nga krijimtaria e tij poetike.
Vëllimi poetik "Mos e ndiqni hijen”, u vlerësua si libri më i mirë poetik në konkursin e gazetës “Nositi” dhe shtëpisë botuese “D.I.J.A”, nw Poradec, në vitin 2009. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Krijuesve, Dega e Blertë, në Selanik dhe anëtar i klubit të shkrimtarëve shqiptarë në botë "Drita"

Në këtë intervistë ai rrëfehet për dëshirën, ambiciet dhe sfidat e krijimtarisë së tij letraro-artistike. Për më tepër, ndiqni intervistën!

A ka pasur shënja në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit poet?

Ndjeja shpesh veten tej realitetit që jetoja. Zhytur përrallave, rrëfimeve dhe më pas leximeve të para. Interpretoja pjesë prozaike e poetike, sikur të isha protagonist. Nuk harroj një pjesë të interpretuar në mjedisin familjar dhe me të afërm, në monologun e gjethes gjatë rënies nga pema. Dridhesha gjatë rënies, sikur të isha vërtet gjethja, deri në ahun e fundit të prekjes së tokës. Sot pas kaq e kaq kohësh, kam një poezi të tille, me gjethen.
Shenja e asaj kohe, diçka paska qenë...

Më jepni tre fakte që lidhen me punën tuaj krijuese dhe frymëzimin për të shkruar. Cili është krijimi juaj i parë në gjininë e prozës, poezisë apo tw publicistikës?
- Çasti, çasti, çasti... E krahasoj me grimcën e Zotit(siç pëlqehet të thuhet) nga ku ndodh shpërthimi i madh krijues. Ky çast, Monda, është në dukshmërinë e padukshmërinë e tij. Ai më merr brenda tij, më “grimcon” e formon, deri në ngjizjen reale të krijimit.

Vargëzimi ka qenë i pari në shkruarjet e mia të fëminisë. Janë dy-tre poezi, mbaj mend(njera ka qenë e para sigurisht), shumë pranë njera-tjetrës në kohë. Njera për mesuesen, tjetra për një plak me lahutë... Më pas të tjera vjersha dhe diku mes tyre dy tregime lufte, frymëzuar nga rrëfenjat e babajt.
- Ju shkruani poezi, lirika dashurie, me ton qytetar, mjeshtëri artistike dhe filzike. Ç'mund të na thoni për këtë?
Më lart theksova çastin dhe çasti për mua është në vetvete një univers i tërë. Jam pjesë e këtij universi, që më rrezaton energji dhe aty ku kjo energji prek më shume koshiencën e subkoshiencën time, kthehet në krijim. Por, që të ndodhë kjo në larmishmërinë e saj tematike, artistike, etj, nuk mjafton vetëm kjo energji e ky ngacmim. Ashtu si ky univers është i mbushur me kaq energji, duhet që dhe truri im të jetë vetë i formuar për ta mirëpritur krijimtarisht atë. Dhe këtë formim, veç të tjerash, ma kanë dhënë librat, që për mua janë tjetër univers krijues i njerëzimit.
-Poezi dashurie… Çfarë ju ka bërë ju të shkruani poezi të tilla? Ç’është dashuria për ju? Kur një burrë e ndjen se është i dashuruar? Si ia keni arritur ju ta reflektoni në poezitë tuaja?

Dashuria, kjo apriori e fuqishme e shpirtit!

Ne të dashuruarit e përjetshëm, virgjërohemi menjëherë, pas çdo çvirgjërimi. Dashuria për mua është magjia dhe fuqia e krijimit. Mendo fuqishmërinë magjike që krijohet kur në qenien tënde energjojnë të dyja, dashuria dhe krijimi.
Një burrë ndjehet i dashuruar kur krijon femrën brenda shpirtit të tij.
Nuk kam arritur unë ta reflektoj atë, që ka reflektuar më parë tek unë. Thjesht bëj kthimin e këtij reflektimi në vargje.
- Cilat janë disa nga idetë apo temat që ju i shtjelloni në poezitë tuaja? A janë ato autobiografike?

Ideja është një koncept për një send, fenomen, ndodhi, njerëz, në kohën e hapësiren e tyre ekzistuese. Brenda saj ndjehem sa absolut, aq dhe relativ, sa real aq dhe ireal. Kjo më bën të jem sa i njënashëm në trajtim, aq dhe i gjithanshëm. Ajo që e konkretizon idenë time është tematika zgjedhëse e saj. Ajo mund të jetë, që nga grimcat e padukshme që më josh shumë e më fut në tjetër përmasë ekzistence, deri në materialiteti i dukshëm i çdo gjëje përreth. Si grimca e padukshme, si ajo e dukshme, duke qenë të prekshme nga mua, bëjnë që në krijimtari të konvertohen dy botët ekzistuese, personalja dhe tjetra rreth saj. Mes të tjerash, në hyrjen e librit të parë me poezi, “Diku... Dikë... Dikush...”, kam shkruar, ”Vargu është Unë, por unë nuk arrij dot të jem i gjithi në varg.

Çfarë është idealja përreth poetëve në mënyrë që të dalë me poezi të mira? Nganjëherë poetët zgjedhin natyrën, malet, detin, dallgët, lidhin mendimin filozofik me mjetet dhe njerëzit që e rrethojnë etj. Ata kanë një rrjedhë më të mirë mendimi të ideve dhe të mendimeve. Është e vërtetë kjo në rastin tuaj?

Krijimi. Kam thënë më parë diçka në dukje absurde: Të krijosh, domethënë... të krijosh!

Kush krijon, është në udhën e ideales. Jo çdo shkrim është krijim dhe jo çdo krijim është ideal. Por, krijimi mbart në vetvete farën e ideales. Kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjen që bëj në natyrë e shoqëri të pjesëve përbërëse të tyre. Për mua, çdo pjesë e tillë, mbart krijimin e për rrjedhojë përbën premisën e ideales.

Jam plotësisht i bindur për determinimin filozofik e meditativ në çdo krijim. Unë s’mund ta konceptoj dot, jo më ta pranoj dhe aq më shumë ta shijoj më pas një krijim, të xhveshur nga ky determinim. Natyra e shoqëria e kanë vetë bukurinë e shëmtimin në përmbajtje e formë nga më e ulta, në më kulmoren dhe asnjë krijues nuk mund të quhet i tillë nëse imiton këte metaforë objektive, me subjektivitetin e vet fotografik. Ky, për mua, në thelb s’është krijim, por imitim shkronjor i vetë realitetit. Magjia e krijimit është kur nisur nga ky realitet, arrin ta bësh shkronjimin një tjetër realitet paralel, ku njeriu lexues të ndjehet sa brenda reales që jeton, aq dhe jashtë saj, në atë realen tjetër ideale, por të domosdoshme për botën e tij shpirtërore. Këtë arritje në krijim, nuk mund ta konceptoj kursesi dot, pa atë që thashë më lart, determinimin meditativ e filozofik, sado i talentuar qofsha.

- Më jepni një poezi tuajen më të preferuar?

S’ka pse të bëj prindin për krijimet që kam(edhe pse jam vërtet prind i tyre), që nuk veçon në preferencë ndonjë nga fëmijët. Mund të jenë disa në preferenct e mia, por veçoj poezinë, “Puthja e Judës”.

-- Cila është gjëja më e vështirë për të shkruar një poezi?

Mosekzistenca e çastit. Vërtet jetojmë çastin, vërtet vargu është çasti, por jo çdo çast merr rugën e vargut. Çasti nuk krijohet nga poeti, pasi ka ligjet e veta të krijimit. Kthimi i çastit në krijim poetik, kërkon ngjashmërinë me atë që përmenda diku më lart në bisedë, grimcën e Zotit. Duket ekzagjerim në dukje, por në thelb për mua është krejt normal domosdoshmëria e kësaj grimce magjike.

- Cilin konsideroni sukses në ‘botën e poezisë”? Si është një poet përgjegjës për formimin e tij, A është kjo kritike për suksesin?

Nuk ekziston, për mendimin tim, suksesi në botën e poezisë. Suksesi përbën një kulm gjithmonë të paarritshëm. Edhe kur në dukje pëlqehet masivisht një poezi, kjo nuk përbën suksesin, por një arritje të saj. Të arrish pëlqimin e poezisë, edhe pas kohës tënde ekzistente, je në udhën e duhur drejt suksesit gjithmonë të paarritshëm. Nuk ka për mua poet të paformuar, por ka poet në shkallë të ndryshme formimi. Sa më lart shkallët, aq më lart krijimi. Kush kërkon ngjitje shkallësh, është më përgjegjës për formimin e tij. Kush mendon se ka ngjitje dhe me shkallë elektrike, apo ashensor, mbetet një poetuc i mjerë.

-Poezia është një art introspektiv (analizë e vetvetes). A besoni se përhapja e poezive të shkruara në internet, revista e gjetkë, kontribuon pozitivisht apo negativisht në gjendjen e poezisë sot?

Përvoja ime e deritashme është në kahun pozitiv. Ndjehem vërtet më i universalizuar.

-Kini në proces botimi romanin ‘Unë në DY”... Cila është sfida që ju përballeni ndërsa shkruani atë?
Janë disa krijime të mbaruara gati për botim(edhe pse kanë nevojë gjithmonë për krehje, siç thuhet). Po i përmend, me që erdhi fjala.
Romanin e parë, “Unaza e diamantë”, romanin alternativ, “Unë në Dy”, një libër me tregime, “Edeni tjeter”(titulli diskutohet) dhe dy me poezi, “Absurditet apo...” dhe “Një çast me fshehtësinë”.
Po ndalem tek romani alternativ, si më i freskëti në shkrim, mbaruar para dy muajsh.
Sfida që u përballa ishte ajo me vetveten. Nuk më interesonte asgjë jashtë meje atë çast që e shkruaja. Isha unë përballë vetes, ishte vetja përballë meje. Kërkim, kundërshtim, ndeshje, përplasje, pajtim, përqafim, qeshje e lot bashkë, pagjumësi, ëndërra, iluzione, përjetime, dehje(edhe pse nuk jam aq pas gotës dehëse), oreks e mungesë oreksi, deri në çastin e fundit magjik të mbarimit, të paparashikuar për atë çast. Ky çast( i pa caktuar më parë) më ndodh çuditshëm në çdo krijim.
- Sa e vërtetë është përfaqësimi i personazheve realë në rrëfimin tuaj?
Eshtë i vërtetë në fantazi dhe fantazi në realitet. Si të tillë, personazhet jetojnë bashkë në një harmoni për t’u patur zili.
- Romani “Unaza e diamantë” është inspiruar nga ngjarje e vërtetë? Teksa e shkruanit, a ka pasur ndonjë moment të vështirë për ta ndarë me audiencën e lexuesve? A ka ndonjë pjesë që ju dëshironi të mos e shkruani?
Romani, “Unaza e diamantë”, është në të vërteta ngjarjesh të konvertuara e transformuara njëkohësisht. Në romani alternativ, “Unë në Dy”, jam Uni real dhe jo real, për arsye të kohëveprimit të uneve të mia. Momente të vështira nuk kam, pjesë që s’kam për t’i shkruar kurrë, kam shumë pak dhe siç kam thënë në librin e parë me kujtime, do t’i marr me vete në botën tjetër, se elbete, edhe andej do më duhet frymëzimi, bile mendoj se andej do shërbejnë më shumë për tjetërjetën.
- Shumë shkrimtarë teksa shkruajnë e përshkruajnë veten si ‘personazh”, ose “subjekt" i tregimit apo i romanit. Ju cilës i përkisni? Cila është pjesa më e vështirë për t’u shkruar?
Unë i përkas dirigjentit, që drejtoj orekstrën e shkrimeve të mia. Shpesh më ndodh t’i largohem partiturës, sepse e di atë përmendësh, shpesh rrëmbej i frymëzuar “violinën” dhe bëhem pjesë e orkestrës. Pra, dirigjoj dhe vetdirigjohem.
-Si e vendsoni strukturën e romanit në kapituj të alternuar mes personazheve në fillim dhe në fund?
Nuk bëj asnjë projekt imtësor të romanit, veç atij të përgjithshëm që kam në mendje. Nuk më pëlqen puna e arkitektit në roman, veç asaj të pamjes kryesore që ai hedh si projekt. Mos u çudit, po shpjegohem. Arkitekti vepron sipas ligjësisë së ndërtimit të objektit. Bën skicën kryesore dhe pastaj hyn brenda saj me ndarje e nëndarje të imta, që besoj se nuk i dinte më parë. Unë i kam imtësirat të akumuluara në arshivën e mendjes dhë më mjafton çasti I idesë së parë për çka do shkruaj, që ato imtësira njohëse, të veprojnë mrekullisht, duke u veçuar nga të tjerat. Kështu ato janë për mua gati në çdo çast. Alternimi ndodh sipas rrjedhës që merr e shkruara dhe forcës ngacmuese të atyre imtësirave protagoniste. Gjatë rrugës ndodhin çudira të tilla të pabesueshme, ku komandoj dhe komandohem, aq sa ndodh të jem në shumë raste i pafuqishëm para tyre. Kjo më pelqen dhe shkakton efekte emocionale të paprovuara kurrë.
-Personazhet e romanit në përgjithësi janè të përballueshëm, me të metat e të mirat e tyre. Disa prej tyre janë tejet të rëndësishëm. A kini merak se lexuesi a do të mund të pëlqejë protagonistin e romanit, paçka se sa i rëndësishëm është?
Me thënë të drejtën, nuk nisem nga rregulli strikt i strukturës së romanit. Kështu jam i lirë të ec në udhën time dhe asaj që më çojnë personazhet. Për mua, çdo personazh është i rëndësishëm, që në çastin që bëhet i tillë në roman. Ai është protagonist i fatit të vet aty dhe unë e jetoj botën e tij si të çdo personazhi tjetër. Asnjë personazh, për mua, s’është figurant në roman, siç ndodh nëpër filma.Kam lotuar papritur për një personazh në romani, “Unaza e diamantë”, që për tjetër e nisa diku dhe tjetër përfundoi ai, pasi kishte krijuar pavarësinë prej meje. Kur i thashë gruas, qeshi në fillim e më tha, po çoje prapë ku deshe ti. S’mundem , pa mirë, ja ktheva. Dhe më dha të drejtë kur ja lexova gjithë pjesën lëvizëse të atij personazhi. Lotuam të dy atë çast.
Monda, besomë, që kur shkruaj s’kam parasysh asnjë lexues, veç vetes. Nuk kam si te kem merak, pa shkakun e këtij meraku. Dua të jem vetvetja në çka shkruaj dhe kjo më bën të besoj që të tillë më do dhe lexuesi. Nuk ndjej sforco fare, por ndjej që atë çast jam mes një energjie tej normales, sikurse në një botë tej botës reale.
- Kur ju vendosët të shkruani këtë roman, si ndikon kjo në gjendjen tuaj emocionale, teksa ndani ndjenja të përbashkëta me personazhet e tij?

Vendim çastor(mundet dhe tani), si çdo veprim që bëj në të shkruar. Më uli një çast i tillë për romanin e parë, në vitin 2006 dhe më ndaloi ky çast në vitin 2009. Për romanin tjetër, alternativ, më uli po ky çast në tetor të vitit 2009 dhe më ndaloi në shtator 2010. Mos përsërit ç’thashë më lart, shtoj, që nuk ndaj ndjenja, por bëhem pjesë ndjenjash me personazhet.
- Si poet, shkrimtar, por edhe si mendimtar kritik e filozofik, a ndjeni ndonjëherë ankth apo pasiguri? Sa jeni në gjendje ta ndani emocionin nga procesi krijues?

Nuk ulem kurrë të shkruaj me ankth e pasiguri. Kur ulem, apo më saktë kur më ul çasti frymëzues, jam i tëri emocion e mendim bashkë. Vetëm kështu mund të më ndodhë procesi krijues. Nuk e ndaj kurrë emocionin nga procesi krijues. Sepse, në të dyja gjendjet, vepron nga brenda forca e meditimit dhe filozofimit.
- Ju lutem, tregona diçka rreth veprave të tjera letrare. Cili është interesi që kanë ngjallur ato tek lexuesit? Si e përfytyroni audiencën e lexuesve kur ju shkruani?

Në rafte librarish(fizike dhe me dërgesë interneti) dhe shtëpish dashamirësish, me firmën time janë këto libra të botuar deri më sot.
“E megjithatë ...jetojmë!”, libër me shkrime të kujtuara e kujtime të shkruara.
I mirëpritur e vlerësuar në publik dhe shtypin shqiptar këtu në Greqi.
Vazhdojnë librat me poezi’
“Diku...Dikë...Dikush”
“Ç’u bëmë kështu!”
“Mos e ndiqni hijen!”
“Më foli heshtja”
Them kënaqshëm pritja e këtyre librave me poezi, nisur nga elitariteti i poezisë, vërshimi i madh i botimeve, reklamave shpesh komerciale, mishmashi i madh që ekziston në promovime veprash mediokre, monopolizimi i artit, etj.
Nuk përfytyroj lexues, Monda, kur shkruaj, e shpjegova diku më lart këtë.
- Në rast se do të kërkohet të lexoni një fragment nga veprat tuaja letrare? A ka ndonjë pasazh nga më të preferuarit personalisht që do ta përzgjidhnit ta ndanit me lexuesit?

Nuk di me se ta krahasoj forcën e rezistencës njerëzore, ndaj kontradiktave deri në ekstremale të jetës. Sikur të njëjtat kontradikta të konvertoheshin në minuset e të ftohtës dhe pluset e të ngrohtës që veprojnë në këtë tokë, me siguri dhe shkëmbi më rezistent, do ishte shpërbërë në copra të vogla guriçkash. Nuk di, nëse mund të ketë pas kësaj jete, ferr më të keq dhe parajsë më të mirë, nga ç’ka provon në këtë jetë krijesa njerëzore. Nuk di, nëse arshiva e ferrit dhe parajsës imagjinare mund të ketë më shumë djaj e ëngjëj, nga ç’ka djaj të kthyer në njerëz dhe njerëz të shfaqur si ëngjëj, arshiva pa mbarim e realitetit njerëzor.Janë kaq në harmoni me njeri- tjetrin dielli i ditës dhe hëna e natës, sa dhe kur njëherë në kushedi sa vjet mbleksen me njeri-tjetrin në eklipsin e tyre, për pak minuta tërheqin vëmendjen e njerëzve në tokë. Ndërsa njerëzit paskan borxh të eklipsojnë për tërë jetën, bardhësinë e shpirtit të tyre, me errësirën e krijuar e të akumuluar në skutat e këtij shpirti.

-Ju shkruani analiza, kritik, jeni edhe në shtypin shqiptar. Ç’ mund të na thoni për përvojën tuaj në këto fusha?

Krizë, krizë, krizë. Dhe kjo që tek vetja e tej vetes. Mundohem pra të çkrizohem unë së pari e duke e bërë këtë mbase ndikoj sadopak tek të tjerët. Përsëris një thënie timen, që liria vuan teprinë e saj. Shumë shkruajnë e pak mendojnë, sepse pak njohin. Kjo është fatkeqësia sot në fushën e analizave e të kritikës. Eshtë krizë e kompleksitetit njerëzor edhe tek vetë krijuesit. Shumica bëjnë më shumë ankuesin e predikuesin dhe jo analizuesin e mendimtarin kritik. Mos rënça kurrë në këtë grackë egoiste.
-Ç’mund të na thoni për krijimtarinë tuaj në proces apo në të ardhmen?

Në proces më shumë jam me sistemimin e krijimtarisë së përfunduar dhe asaj që s’më ndahet e s’më ndahet, poezisë. Kurse në prozë jam mes idesë së një tregimi tjetërlloj, që më vërtitet e vërtitet mendjes e fantazisë dhe pret çastin ta shkruaj. Më tej ndjej që më presin të tjera dëshira e idera. Paçin ato durim, paça unë shëndet!
- A ka kritikë të mirëfilltë letrare?

Nuk ve tjetër mbiemër pas profesionit, KRITIK, veç asaj, TE ARTIT.Ka kritikë të tillë, por janë mënjanuar nga kritika e monopolistëve të artit. Por ka dhe pseudokritikë, apo kritikë mediokër, sikurse ka pseudokrijuesa, apo krijuesa mediokër, që vuajnë atë që theksova më lart, krizën e kompleksitetit njerëzor të krijuesit(në rastin këtu, të kritikut). Dhe ndodh paradoksi më i çuditshëm. Posa shfaqet një i tillë në shtyp, apo libër të tij, del pseudoja tjetër (pseudokrijuesi), që s’është asnjë fije kritik dhe bën recensionin, apo kritikën e kritikës së pseudokritikut, duke e piedestaluar atë!
- A është shtypi i lirë sot?

Po përgjigjem me pak vargje...

Liria vuan teprinë e saj

Unë teprinë e lirisë vuaj

Tërësisht i plotë në gjysmak

Tërësisht gjysmak i plotësuar.

- Kush iu mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme letrare dhe publicistike?

Mondi (vetja)dhe Mirela, gruaja ime.

- Çfarë dëshironi të shtoni?

Mbase duhet të shkurtoj përgjigjet më lart. (qesh)
Ju faleminderit!
Unë më shumë.

Bisedoi: Raimonda Moisiu

Δεν υπάρχουν σχόλια: