Κυριακή 26 Δεκεμβρίου 2010

Tjetërsimi (a)normal i Njeriut A

Nga Edmond Shallvari

Tregim alternativ




Tjetërsimi (a)normal i Njeriut A
 
Fjolla ndricuese e rrezes mëngjesore të diellit, zbuti errësirën brenda kapakëve të syve e bashkë me të edhe peshën e gjumit, duke ngacmuar gjithë qenien e njeriut A në drejtim të zgjimit. Një shtrirje paksa deformuese e trupit brenda mbulesës së çarçafit, shoqëruar me fërkim fëminor të syve, dëshirën kthyese nga krahu tjetër për vazhdimësi gjumi dhe brofjen e papritur nga krevati, me habinë ndaj ndjesisë së çuditshme, gjatë gjysmëhapjes së syve.
Për një çast njeriu A e pandehu veten në llojin e veçantë të ëndrrës, që të zgjon po në ëndërr dhe të bën të ndjesh realen e jetës brenda saj, por mjaftoi fërkimi i fundit deri në dhimbje i syve, që ky iluzion mëngjesor ta bindë për zgjimin real. Megjithatë ndjesia e re që s'po e kuptonte se ku e kishte qendrën e saj në trupin e tij, s'po e lëviste nga e qëndruara ulur në anën e krevatit. Shtrëngoi kokën siç bënte në provën zgjedhëse të shalqinit, se mos aty ishte burimi i ndjenjës së çuditshme, pastaj ngriti më lart kapakët e syve për shikim më qartësor të dhomës dhe kur u bind se gjithçka në kokë e sy ishte brenda normales, u ngrit vertikalisht për t'u bindur më shumë me pjesët e tjera të trupit.
Gjithçka e tyre në rregull. Kujtoi syzet si shpresën e fundit për zbulimin e asaj që po ndjente, por vënia e tyre, s'bëri gjë tjetër veç se e përforcoi më shumë atë ndjenjë.
Po ecja? Mbase ajo mund ta shkundte nga efekti i rëndë i gjumit dhe ajo ndjesi e shkaktuar prej tij. Hapi i parë ju duk sikur ja lehtësoi peshën e trupit, po ashtu i dyti, i treti, aq sa njeriut A ju duk vetja si astronaut brenda anijes kozmike, mes hapësirës boshe me mungesën e rëndesës.
Tundi kokën, vazhdoi ecjen drejt banjës, la diku syzet, hodhi disa herë ujë fytyrës dhe duke u fshirë me peshqir, priti që zbulimi i syve dhe shikimit përreth ta bindte se gjithë ndjesia e mëparshme, s'ishte gjë tjetër veçse pasojë e efektit të gjumit të turbullt. Por, as kjo nuk pati efekt dhe njeriu A për herë të parë filloi vërtet të merakosej e shqetësohej.
Ndihmën e parë ja kërkoi pasqyrës. Ajo si gjithmonë i shfaqi pamjen e zakonshme mëngjesore, pa ndonjë të veçantë të këtij mëngjesi të veçantë. Njeriu A as e diskutonte që ky mëngjes ishte vërtet i veçantë, po qysh e tek, e pamundur ta gjente. As largimet e afrimet para pasqyrës, as pozat nga më qesharake të trupit e fytyrës dhe së fundi, as çakëritja e syve si ajo e debilëve, nuk i dhanë sinjalin më të vogël, për të kuptuar atë ndjesi të re në çdo qelizë të trupit.
As dhimbje, as marrje mendsh, as etje për ujë, apo uri për ushqim, as mpirje, as mosqartësi shikimi, dëgjimi, mungesë frymëmarrjeje, apo siklet lëvizjeje të duarve e këmbëve.
E megjithatë trupi i përshkohej nga një ndjesi tjetërlloj, që pasi e përfshinte të tërin, i shkarkohej në sytë, si në çastin e orgazmës.
Sytë?
I vërtiti përreth, si të kërkonte diçka të humbur. Shikimi i ktheu pamjen e sendeve me qartësi të kristalta formash e ngjyrash. Asgjë shqetësuese, përkundrazi, e shijshme. Kësaj i thonë të shijosh nëpërmjet shikimit, mendoi në çast njeriu A, duke vazhduar si zakonisht me bërjen e kafesë.
Mendimin e vazhdoi me idenë tjetër të ndonjë përmirësimi të shikimit nga efekti i syzeve, edhe pse kjo gjë për moshën e tij ishte absurde. Le të ishte. A s'ishte vetë jeta e tij një normalitet absurditetesh dhe absurditet normalitetesh? Mos vetëm e tija?
Me efektin ndjesor të pandarë asnjë çast, njeriu A nuk devijoi nga e zakonshmja e mëtejshme e veprimeve. Erdhi radha e xhveshjes së rrobave të natës dhe veshjes së atyre për dalje jashtë shtëpisë. Preferoi për sot pantallonat e zeza, këmishën me kuadrate ngjyrë kafe me nuanca të ndryshme hijesh, kapelen me ngjyrën e pantallonave që i mbulonte tullacllëkun e krijuar papritur para një viti, nga kush e di se çfarë efekti ikës i leshrave, hedhjen në njerin krah të rripit mbajtës të një kulete mbartëse të lloj-lloj dikumentave e kartave me vlera të ndryshme përdorimi, bashkë me disa kartmonedha evrosh një shifrore dhe monedhash metalike, deri në ngjyrën e bronxtë të tyre. Pasi bëri një kontroll shqisor të shtëpisë, kryesisht të çelsave elektrikë dhe prizave, hapi e mbylli portën e koridorit, zbriti shkallët, hodhi një sy kalimthi të vetes në pasqyra e madhe e hyrjes së pallatit dhe pas hapjes së portës dalëse, u gjend në trotuari i ngushtë i tij.

Mendimi i çastit se me se të lëviste, me këmbët e veta apo të urbanit, u zgjidh në favor të moslodhjes ecëse. Përreth një qetësi e pazakonshme mëngjesore, veç zhurmës së njohur të makinave. Shenjë njeriu s'dukej gjëkundi. Mbase çasti i asaj ore kishte larguar njerëzinë kohë më parë në punët e ditës, sikurse një pjesë të saj mund t'i kishte lënë në preferencën e gjumit, apo rehatllëkun brenda shtëpisë.
Megjithatë, njeriut A kjo gjendje qetësie i dukej si pjesë vazhduese e asaj ndjesie, që s'po i ndahej qysh në çastin e zgjimit. Tundi kokën, nënqeshi, hodhi shikimin si për të zbuluar tej pamjes të vërtetën e fshehur pas saj, apo pas vetvetes, deri sa zhurma e urbanit e solli në vete. Jo, nuk ishte në gjumë, edhe pse gjumit kush e di sa herë ëndërrat i kishin krijuar ndjeshmërinë e reales. Gjithë këto veprime të tij në ëndër nuk ndodhnin kaq imtësisht, pra ishte vërtet ai i paszgjimit dhe jo një personazh ëndrre, apo vazhdues sonambël i veprimeve të pavetëdijshme.
Njeriu A ngjiti shkallën e urbanit dhe vendi bosh që posa pa, e bëri të shpejtonte drejt tij. Përsëri tundje koke me të qeshur bashkë, kur pa që përreth gjithë vendet ishin bosh, veç atij të shoferit. Çudia s'qe aq e madhe, pasi edhe here tjetër kishte ndeshur me boshësinë e tillë të urbanit mëngjesor. Humbi vështrimin dritares së pluhurosur ku thërmoheshin zbehshëm rrezet e diellit, pa u përqëndruar dot nga shpejtësia lëvizëse e urbanit. Deri sa… Çfarë deri sa? Dihej ngadalësimi i shpejtësisë deri në ndalim stacionesh, ku i pari posa u arrit. Çafffi shurdhues i hapjes së dyerve e çmendte sa herë shtypej butoni dhe kjo për njeriun A ishte prapambetje e pajustifikuar teknologjie për urbanet. Jo vetëm kjo. Urbani dridhte sa herë xhamet e gjithçka metalike, sikur t’i ishin liruar gjithë vidhat e çkolitur ngjitjet dhe mjer po të të binte të uleshe në ndjenjëset e fundit. Elektroshok i vërtetë. Me këtë ndjesi ankese do vazhdonte akoma njeriu A, por ajo ju ndalua papritur, kur pas ngjitjes së pasagjerit të parë dhe drejtimit të tij në një vend përpara urbanit, sytë do tejhapeshin habitshëm, para pamjes së shfaqur në pjesën mbivithore të pasagjerit disi të njohur. Njeriu A lëvizi vendit në po atë vend , rifërkoi sytë dhe ishte gati të vetshuplakosej për të ardhur në vete, nga përçudnia që i përcollën sytë në tru. Në çast kujtoi ditën e muajin e ekzistences së tij, se mos kishte lidhje me kohën e karnavaleve, por ajo ishte tepër larg tyre. Megjithatë, mendimi se sot njerëzit modelojnë ekstremitete veshjesh e pamjesh, e qetësoi disi, duke e lidhur dhe pamjen shfaqëse me një nga këto manira të rinjsh. Të rinjsh? Sikur s’dukej për i ri pasagjeri disi i njohur. Po lajthitjet me sa duket s’njohkërkan limite moshe, në këto kohe antilimitesh. U qetësua në çast, por në çast u shqetësua përsëri, pas ngjitjes dhe shfaqjes kurrizore të pasagjerit të dytë. E njëjta pamje mbivithore me pasagjerin e parë. Njeriu A ndjeu tronditjen e parë pas çudisë së paszgjimit. Pra ai zgjim, i ngacmuar nga fjolla e fortë ndriçuese e rrezes së diellit, ishte vërtet tjetërlloj dhe ja tani sytë e tij, po aq të çuditshëm si më parë, ishin vërtet shikues të diçkaje tej normalitetit trupor të dy pasagjerëve.
Të dy pasagjerët, ishin me nga një bisht prapa. Bishti i njerit ndriste nga qimet e zeza, kurse i tjetrit kuqonte, njëlloj me ngjyrën e flokëve. Gjatësia aty afër, pa ndonjë ndryshim të dukshëm, kurse trashësia e të ziut ja kalonte kuqoshit. Bishti kuqalosh ja kalonte të ziut në përdredhjen bastunore, që ngjante si pikpyetje. Pasi bëri dallimin e çdo bishti, duke e humbur për n jë çast habinë, njeriu A u ngrit si me sustë dhe filloi t’ju afrohej dy pasagjerëve me bisht. Por ata, pas vulës së biletës në aparati i urbanit, u ulën sejcili në ndenjëse larg njeri-tjetrit. Njeriu A ndoqi bishtat e tyre, i bindur se ndodhej mes një iluzioni shqisor , që më pas do ta rikthente në shikimi normal i pasagjerëve pa bishta. Kështu kujtoi për një çast pas uljes, por tek bëri hapa prapa ndenjseve, poshtë tyre vareshin dy bishtat, i ziu dhe i kuqi. I foli në fillim me zë vetes të mblidhej e mos bëhej gazi i botës, pa menduar se dhe kështu po shfaqej para saj, si ata me mangësi mendore që flasin me vete. Heshti, pa dhe njëherë për siguri bishtmbajtësit, duke filluar të bindej se ishte më se në realitet e jo në ëndërr, se ajo ndjesi e veçantë mëngjesore s’paska qenë gjë tjetër veçse kjo aftësi shqisore për të parë të padukshmen për të tjerët, bishtat e njerëzve. Bindja e dyshimtë në fillim do bëhej e plotë, pas hipjes në urban të katër pasagjerëve të tjerë në stacioni i mëpasshëm. Të katërt me bishta, me të vetmin ndryshim tek femrat, ngjyrat e të cilave ndryshonin nga ajo e flokëve. Njeriu A kaloi me marifet dorën prapa trupit të vet, në të njëjtin vend bishtshfaqës të pasagjerëve, por ajo i dëshmoi normalitetin njerëzor të trupit të tij. Mori frymë thellë në fillim, por më pas ajo që i panë sytë e futi turbullirës menduese dhe vrasjes së mendjes, se çfarë po ndodhte me të në të vërtetë. Filloi të kujtojë copra ndodhish të jetës së shkuar , emra të afërmish, sendesh, vendesh, pastaj thënie të ndryshme të njohura prej tij, duke arritur deri në ndodhitë e një dite më parë. Edhe mendimi tjetër, mos kjo aftësi e tij ishte e njëjtë me të tjerët nga efekti i kush e di çvale rrezatuese të hapësirës, mbeti e vetme për të, pasi asnjë nga pasagjerët nuk shfaqi as shenjën më të vogël çuditëse në shikim e veprim. Ata ishin shumë më normal, para anormalitetit të tij. Si? Anormalitetit të tij? Hahahaha! Po ata ishin të gjithë me nga një bisht, kurse ai më se njeri në tërësinë e vet trupore. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëhere normaliteti i tyre ndronte vend me anormalitetin e tij. Të ishte vërtet kështu? Ç‘kuptim do kishte kjo botë njerëzore me shumicë anormalësh? Jo, më mirë të ishte ai i tillë, edhe pse kontrolli mendor dhe trupor që posa i bëri vetes, s’i dha kurfarë shenje anormaliteti. Njeriu A vendosi të priste akoma për të plotësuar të vërtetën e bindjes së tij. Dhe ajo, sipas tij, s’mund të vërtetohej vetëm me numurin e pasagjerëve të këtij urbani të çuditshëm. Për një çast mendoi absurdshëm, sikur kjo gjendje bishtshfaqëse e njerëzve, me përjashtim të vetvetes, shkaktohej vetëm nga hipja në këtë urban bishtformues. Sepse dhe në hipjet në të të pasagjerëve të tjerë në stacionet pasardhëse, shfaqja e bishtit ndodhte pikërisht aty. Jashtë, me siguri, sipas logjikës së njeriut A, njerëzit do ishin njëlloj me të. Shtypi butonin lajmërues për zbritje në stacioni tjetër dhe bashkë me dëngun shtrëngues në gjoks nga përzjerja e rrahjeve të shpejtuara të zemrës dhe frymëmarrjes, mezi priti ikjen nga ky urban pasagjerësh me bisht.
Ajri i ngrohtë i përzjerë me flladin mëngjesor e bëri të hedhë shikimin drejt qiellit, gjë që i lehtësoi shtrëngesën e mëparshme të gjoksit dhe rrahjet e zemrës. Por…. Jo, kjo s’duhej të ndodhte kursesi. Ai kishte njohur qoftë dhe dy tri të çmendur në jetën e tij dhe asgjë të ngjashme nuk kishte me ta këtë moment. Apo kështu i duket vetja çdo çmendaraku? Sikurse të dehurit, që kurrë s’thotë se jam i dehur? Për herë të parë njeriu A e mendoi veten në mos krejt të çmendur, në gjysmën e metamorfozës së saj. Duhej patjetër të shkonte në psikiatri. Këtë rradhë nuk mund të ishte i vetmi ai normali, para asaj bote njerëzore prej dhjetra e qindra njerëzve, që shikonin sytë e tij. Dhe ata nuk ishin si ai. Sado që kërkoi mes tyre, duke i numuruar bile dhe me gishtat e dorës, të gjithë përfshiheshin në numurin e njerëzve me bisht, njëlloj si pasagjerët e urbanit. Një pamje bishtore e paparë ndonjëherë, as në pamje filmash me kafshë, as në kopshtin zoologjik të qytetit. Dhe mbartësit e tyre, të gjithë njerëz, po, po, njerëz, ja si ai, me gjithçka tjetër të ngjashme me të, veç bishtit. Njeriut A ju duk për një çast vetja e mangët, aq sa s’dinte si t’i fshihej shikimit të njerëzve. Për herë të parë ndjeu nevojën e bishtëzimit dhe të mos qenit normal, sipas idesë së tij të normalitetit njerëzor. Në dreq ideja, koncepti, bindja, besimi, para kësaj ndjesie vetmie të sikletshme mes bishtnjerëzve përreth! Edhe pse shpesh stonues mes tyre, mospajtues në mendime e veprime, idera e koncepte, ai prapë ndjehej vetvetja dhe aspak si sot. Sot ai stononte dhe ishte mospajtues me vetë qenësinë e racës njerëzore si racë, pra si qenie njerëzore dhe kjo i kalonte kufijtë e durimit të çdo lloj bindjeje për të drejtën në anën e tij. Për njeriun A, sado e tjetërsuar që ishte bërë raca njerëzore në thelbin e intelektit të saj, kjo s’mund të ishte bindje për të, për të pranuar të qenit e tij, jashtë formësisë së saj trupore. I duhej patjetër dhe atij një bisht, ndryshe më mirë të zhdukej nga ekzistenca mes njerëzve. Por kjo gjendje antivetvete, njeriut A do t’i zgjaste vetëm pak sekonda, mbase minuta, posa të shikonte që bishtnjerëzit e kudondodhur, as që kishin fare idenë e pasjes së bishtit, si në trupin e tyre, ashtu dhe tek të tjerët. Edhe në gjendjen më ngjeshëse mes tyre nëpër stacione urbanesh, rradhërash nëpër banka, apo pazaresh rrugëve, njeriu A do dallonte që askush nuk shqetësohej nga bishti i tjetrit afër tij. Bishti, si të ishte diçka valore, humbte materialitetin e vet dhe askush nuk ankohej nga ndonjë ngacmim bishtor i tjetrit në trupin e tij. I përzjerë në shpirt nga ky zbulim, guxoi të afrohej e ngjishej më shumë, bile zgjati dorën për të prekur bishtin e njeriut të kthyer në kurriz para tij. Dora kaloi pamjen bishtore, pa kurfarë ndjesi materialiteti. Njeriu A ndaloi diku mes një trotuari, si të ishte diçka ujore që ngrin nga minusgrada. Ashtu qëndroi minuta, mbase orë të tëra. Për të s’kishte më përmasë kohe e hapësire, mjaftonte të depërtonte asaj enigme të krijuar qysh çastin e pas zgjimit dhe që tashmë kishte marë përmasat e një qenësie me aftësi tej njerëzores. Po, po, tej njerëzores. Duhej ta pranonte në çast këtë përmasë dhe mos endej kot së koti hamendjeve dhe vetgjykimeve absurde. Ishte zgjuar me aftësinë mbi njerëzore të shikimit të diçkaje, që askush tjetër s’mund ta dallonte e kuptonte. Pra, nuk ishte ai anormali, as i çmenduri i rradhës në racën njerëzore. Ishte normali mes anormalëve, sikurse anormali mes normalëve. Ky paradoks s’kishte pse ta mundonte tani e më tej. Nxorri fërshëllimën e parë të gëzueshme, duke ecur shkujdesur mes njerëzve me bisht.
Njeriut A gjendja e krijuar ju duk si dhurata më e pabesueshme qiellore, që mund t'i vijë një njeriu të tokës. Sado paralelizma që filloi të bëjë me të tjera të mira ardhur nga oxhaku, siç quheshin shpesh ato me dhurata shtëpish e pasurish të pronarëve për fëmijët e pagëzuar, apo shërbëtorët besnikë deri në fundin e jetës së tyre, kjo e sotmja përsëri kishte diçka mbi njerëzore se ky materialitet interesash. Me asnjë lloj të mire tokësore nuk mund të krahasohej me të, edhe pse njeriu A mbetej po ai i djeshmi, i pardjeshmi për nga gjendja materiale. Ky sinjal qiellor, diçka më shumë se kaq duhej të kishte në misionin e zbritur tek ky njeri. Ishte një besim, që hë për hë mbetej dëshirës së tij. Me pandashmërinë e fërshëllimës në buzë, ai filloi të përqëndrohet tashmë më shumë në veçantia e çdo bishti dhe mbartësve të tij. Edhe pse ndryshe nga bota e kafshëve e shpendëve, bishti njerëzor ishte i njëjtë në llojin e vet. Diçka e ngjashme me bishtin qenor e dhelpëror, në vartësi kjo nga llojshmëria peshore e lartësore e trupave dhe ngjyrore e flokëve njerëzorë. Kjo e fundit, më pak tek meshkujt dhe më shumë tek femrat, i largohej origjinalitetit të ngjyrës së qimeve të tjera të dukshme të njerëzve, si ato flokore, faqore, mustaqore, mjekërore, krahore, këmbore e deri në sqetullore, në rastet kur dikujt i shfaqeshin ato qime nga mënyra ngritëse e krahut në të folur, apo mbajtjes dorezave të urbaneve. Edhe kjo e sqetullave mund ta ndihmonte në krahasime më shumë për meshkujt, sepse femrat në shumicën e tyre nuk linin shenjë qimeje në sqetull. Në kërkim të së mëtejshmes së panjohur, njeriu A vazhdoi ecjen e shkujdesur pa kurfarë destinacioni, në pritje të kontaktit me ndonjë të njohur, apo rastësor të rrugës, që mund ta pyeste për ndonjë adresë të panjohur, orën a diçka tjetër. Gjatë kësaj pritjeje në fillim pa pikën e ankthit, më pas në gjysmëankth e më tej me ankth të plotë, njeriu A kaloi fazat klasifikuese të bishtave, të cilat i rezultonin vërtet të çuditshme e disi të ngatëruara. I bindur për origjinalitetin e tyre ngjyror, e para ndjesi zbuluese që ju shfaq ishte ai për femrat, ku kontrasti ngjyror mes qimeve të tjera në trup dhe atij bishtor, ishte deri në ekstremal. Bionde deri në rrënjë të flokëve, me bisht të zi sterë dhe e kundërta. E njëjta gjë për kuqaloshet, kurse për të tjerat me ngjyra qimesh trupore, që s'i përkisnin asnjë lloj origjinaliteti qimesh njerëzore, ju desh më shumë kohë përfytyrimi për këtë origjinalitet kaq shumë të tjetërsuar. Njeriut A i doli një raport jashtë çdo lloj baraspeshimi, mes të vërtetës së origjinës dhe asaj të artificialitetit. Bishtat e grupuar në jo më shumë se katër, pesë, lloj ngjyrash, stononin gati qindpërqind me dhjetra llojet e ngjyrave artificiale, që ngjyronin pamjen leshtore të njerëzve. I kënaqur për këtë konstatim dhe klasifikim ngjyrash natyrale e jo natyrale të qimësisë njerëzore, njeriu A ndjeu lehtësimin e parë, pas mundimit të parë të kësaj dite. Në vetvete ai priste diçka më shumë se kaq. Deri kaq, asgjë e veçantë e konstatuar s'mund të merrej për ndonjë zbulim dhe meritë, që do ta veçonte në aftësi e kënaqësi. Askush s'do ta besonte e të gjithë do ta qeshnin e merrnin për shtesë të një njeriu në botën e budallenjve të parrezikshëm. Fërshëllima ndali menjëherë, pas këtij mendimi kërcënues. Njeriu A duhej të përmbahej dhe të vepronte po aq normalisht, sa gjithë bishtmbajtësit e tjerë. Bile mirë do ishte të ndjehej dhe ai i tillë, për të mos stonuar mes tyre. Vërtet, ashtu po ndjehej, Imagjinatës krijoi dhe ai bishtin e tij me ngjyrën e përzjerë të kafesë në të zezë, me të argjendën thinjoshe të qimeve të mustaqeve dhe mjekrës. I pëlqeu kjo ngjyrë e veçantë, që rrallë e kishte ndeshur deri atë çast. Ishte diçka mes ngjyrës akullnajore, përzjerë me pak nuanca ngjyre toke, poshtë cipës ngrirëse të akullt. I dha dhe një formë e madhësi sipas përfytyrimit të çastit dhe kështu vazhdoi më i shkujdesur ecjen mes njerëzve me bisht.
Thagma dhe çudia, magjia e profecia, gëzimi dhe dëshpërimi, e vërteta dhe zhgënjimi, deri në kulmimi i gjendjes apokaliptike, do kalonin shpejt metamorfozës së tyre, në gjithë qenien e njeriut A, që nga çasti fillues i kontaktit të parë folës, me të parin njeri bishtmbajtës.
Ishte një nga klientët e dikurshëm në dyqanin ku njeriu A punonte kohë më parë. Mbanin ment që të dy njeri-tjetrin, kështu që s'pati vend për hutim e siklet. Ish klienti vinte shpesh në atë dyqan dhe më shumë se aq herë të vajture, s'i ndahej thënies, "Bëja yzmetin kësaj pune se je si mbret këtu. Je me fat, ta dish". Të ishte një e dy herë kjo thënie e po ajde, por aq e tejkaluar ishte kthyer deri ne bezdi dhe mendim, sikur ai ishte kulmi i meritueshëm i punës, kur ai, njeriu A, kishte një diplomë të marë me aq mundime e studime dikur. Nejse, tani s'ishte vendi për kësi kujtimesh. Ish klienti i kaloi një përqafim, shoqëruar me pyetjen habitëse e kureshtare, "Ç'ka ndodhur, ka kohë që s'të shikoj në dyqan?"
Për njeriun A pyetja përbënte më se të zakonshmen e të njohurve kohëve të fundit, fill pas largimit nga puna në dyqan, por ndryshe nga përgjigjet e tij dhe reagimet habitëse e të dhimbshme të të gjithëve në raste të tilla pushimesh, përgjigja e posa dhënë tani dhe reagimi habitës, i dhimbshëm deri në ngritje toni revoltues i ish klientit, i shkaktoi ndjesinë më të afërt për një shok, vërtet shok. Njeriu A vuante shpesh prej zhgënjimeve nga miq e shokë, aq sa mbyllej vetvetes me mosbesimin e ekzistencës sot të miqve, si të dikurshmit e fëminisë, kështu që s'kish si mos lumturohej këtë çast, qoftë dhe nga një ish klient dyqani. "Paska vërtet dashamirës, edhe pse jo të rangut të shokut. Pra paska kjo botë dhe një të largët që i ardhka keq për mua. Sa mirë!", mendoi dhe i ndritën sytë nga kënaqësia. Ish klienti vazhdoi revoltën, përzjerë me keqardhjen për atë fat mizor, që kap më shumë të mirin, në këtë botë fatkeqe. I prekur deri në thellësi të shpirtit, njeriu A u ndje si të ishte ai shkaktari i asaj dhimbjeje të ish klientit. Nuk dinte ç'të thoshte për ta qetësuar atë, por më shumë s'gjente fjalë më të bukur se falenderimi për ato fjalë aq njerëzore dhe prekëse që po dëgjonte nga goja e tij. Nga goja e tij… Sa do vazhdonte më tej dhe me thënien, "nga shpirti i tij", nëse atë çast sytë, ah, sytë, nuk do anonin drejtimin shikues tek pjesa bishtore e shfaqur anash këmbës të ish klientit. Ishte një harlisje e çuditshme lëvizjeje, përdredhëse e lëkundëse majtas e djathtas, gjithmonë në vertikalitetin e saj. Për njeriun A kjo lloj lëvizjeje përmbante vetëm momente të gëzueshme të racës së qenve, me aq sa përvojë kishte ai nga kjo racë e preferuar prej tij.
Nuk ishte e mundur, ishte jashtë çdo lloj përvoje e logjike bashkë, jashtë ndërvartësisë fiziologjike dhe trurore të çdo kafshe me bisht, mospërputhja e instiktit gazmor, me tundjen ndryshe të bishtit. Dhe kjo ndërvartësi, sa do e perfeksionuar të ishte tek njeriu, s'mund të ndryshonte kursesi thelbit të saj. Për njeriun A ishte akullnimi i dytë në trup, pas asaj ç'ka i dëgjonin veshët dhe shikonin sytë tek ish klienti i posa takuar.
Bishti i tij gjysmëthinjosh, s'mund të vepronte kaq i pavarur nga gjendja shpirtërore e të zotit, bile dhe nga pamja e mërzitshme dhe revoltuese e fytyrës. Ai bisht vazhdonte si për inerci harlisjen, si të ishte ngacmuar nga diçka e gëzueshme në burimin e vet. Ngrija e njeriut A u shkri në çast tek mendjes i kaloi ajo thënië e bezdisshme për fatin e rënë nga qielli, për atë punë që jo kushdo mund ta arrinte.
Domethënë....? -Lere domethënien, o tutkun dhe mblidh veten! Kot shpresove se doli një qarës i vërtetë hallesh për hallin tënd. Shikoje tamam tani në sy, në çdo pjesë lëvizëse të lëkurës në fytyrë, vrimat e hundës, buzët dhe tonin e zërit. Çfarë? Asgjë s'përputhet me harlisjen e bishtit? Ke te drejtë. Evolucioni s'ka brirë që ta kuptosh. Ky është evolucioni më i ndyrë i racës tënde, kupton? S'të pëlqen ta quaj evolucion? Ke prapë të drejtë, mbase. Merre atëhere për metamorfozë. Sepse ajo i përmban të dyja llojet e ndryshimit, të mirën e të keqen. Ajo është simbioza e të kundërtave, që i përket vetëm racës tënde. Bile më shumë se e të kundërtave, është vetë paradoksi i qenies me intelekt. Ai mbetet i tillë, përderisa mbetet i padukshëm në dukshmërinë e njëanshme në trupin e njeriut. E dukshmja e tij, do fshehë gjithmonë të vërtetën e së padukshmes. Ajo ngjan me lojën e maskave në një ballo, por edhe vetë maskat e kanë zili atë. A s'ishe ti i pak mëparshmi i lumtur nga revolta e ish klientit? Çfarë revoltë bindëse, ngushëlluese për shpirtin tënd, aq sa mezi po përmbaje lotët e gëzimit për ekzistencën e një njeriu të tillë hallqarës. Po tani çpate? Pse ngrive? A haaa, kuptova. Zhgënjimi i rradhës. Sa keq! Vërtet më vjen keq për ty. Nuk ke faj ti. As ish klienti tënd. Faj ka vetëm një, bishti i tij. Nëse s'do ekzistonte ai bisht, ti do vazhdoje ditën më të bukur të papunësisë tënde. Ai bisht i mallkuar përmbysi tani gjithçka. Atij bishti që ti ju gëzove pak më parë, e quajte thagmë, dhuratë hyjnore, etj, etj, profka të tilla. Ai është shembëlltyrë e bishtit të djallit. Larg tij, sa më parë! Bile që tani! Mjaftoju vetëm me kaq. Si? Zhduku nga kjo botë njerëzish me bisht, shko aty ku ishe para zgjimit dhe prit, prit tjetërlloj zgjimin. Atë zgjim normal, që i përshtatet anormalitetit të kësaj bote. Mjaftoju vetëm me anormalitetin e dukshëm, shfaqës. Ai mjafton dhe tepron për ty e për këtë botë, deri në kufijtë e mosçmendjes. Ndryshe, mjer ti! Ndryshe, ti qofsh! -E mirë, mjer unë, unë qofsha! Dhe pastaj? A s’ma ke qarë sa herë kështu hallin tim, gjendjen time, sikletin tim? Mos kujton se jam ndjerë më mirë, më pak i hallshëm dhe sikletshëm? Përkundrazi. Nëse ai bisht qenka shembëlltyrë e bishtit të djallit, mos qenka shembëlltyrë e fytyrës së Zotit ajo fytyrë e ish klientit? Më thuaj, kë duhet të besoj, të dukshmen e deritashme , apo të padukshmen e deritashme, që e bëri të dukshme ky bisht djalli? Mos vazhdo të lutem, se të kuptoj. Për ty më mirë një dhimbje e vogël për të keqen e ditur pjesërisht, se një dhimbje e madhe për të plotën e saj. Por kështu duhet të pranoj mosnjohjen e së vërtetës së hidhur dhe të rroj me çerekshfaqjen e saj. Kështu kemi ecur këtu e mijra vjet dhe ja ku arritëm. Aq sa të na bëhet për e besueshme pjesa e dyzuar e vetes, kurse ajo tjetra, pjesa origjinale e saj, e vetmja e krijuar prej Zotit, të vishet me shembëlltyrën e djallit. Jo, nuk e bastardoj aspak këtë origjinalitet njerëzor me bishtin. Ne paskemi arritur të bastardohemi e tjetërsohemi, duke mos ngjarë me vetveten jo e jo, por as me padjallëzinë e një qeni. Lemë pra rehat sot në të veçantën e saj, qoftë kjo dhe ecje rrathëve të ferrit! Më mirë kjo lloj ecjeje ferrit real, që më takon me të vërtetën, se një fluturim iluzionit parajsor, që më largon prej saj. Dhe e gjitha kjo ecje, ta dish, që po më ngjan me shfaqje karnavalesh, me një ndryshim ama, që unë ndryshe nga ty dhe të tjerët, dalloj tashmë më shumë fytyrën pas maskës dhe jo maskën para saj. Kjo është dita ime e veçantë dhe unë s’ka pse ta flak atë. Ajo po flak para syve të mi, maskat e njerëzve. Iku e para maskë, dëgjon? Shfaqja posa filloi.
Njeriu A largoi nga vetja atë pjesë të saj që i ngulmonte të hiqte dorë nga kjo ditë e çuditshme dhe vazhdoi ecjen drejt bankës, për shlyerjen e këstit të n jë karte krediti të marë dikur për lehtësi blerjesh. Por ajo kartë i ishte kthyer në një lak varur qafës, që edhe e lirë e bënte të ndjente shtrëngimin e saj. Kush e di sa herë shtrëngimi ja kishte vështirësuar frymëmarrjen, duke e bërë t’ja merte vrapit për pagesën. Kjo i ngjante me maskën e oksigjenit në reaminacionin e të sëmurit të posa operuar. Ajo vetëm sa e lehtësonte përkohësisht, për t’u përsëritur muajin e ardhshëm me të njëjtin kërcënim mbytës. Karta i ngjante me një mitër të pangopur që vetmbarsej dhe pillte para, që vetëm xhepi i tij duhej të kujdesej t’i shlyente. Mjaftonte pak vonesë në shlyerje, për të ndodhur mbarsja e re dhe detyrimi i ri. Shtypi butonin, mori numurin e rradhës dhe u ul diku mes rradhësve të tjerë. Shumica e tyre dukej që ishin pensionistë. Të mësuar me rradhën, ata ngjanin si agalma allçish të pluhurosura e gëryera nga koha, që vetëm kur dëgjonin dingun e e numurit të tyre, gjalloheshin dhe kërkonin të hutuar sportelin. Bishta t e tyre, si në një togë ushtarake të komanduar nga i njëjti urdhër, qëndronin në të njëjtin pozicion të varur, me majën fshehur mes këmbëve. Për njeriun A ishte e lehtë të kuptonte sa nevrasteninë dhe inatin e tyre, aq dhe frikën përzjerë me to. Vetëm kur me paratë në dorë largoheshin dhe hapnin kuletën për ti vendosur aty, bishti shfaqej më i plotë dhe tundej drithshëm në gjysmën ngritëse të tij, pa mundur për më lart. Aq sa dhe gëzimi i pensionistëve. Njeriu A ndjeu lehtësim për harmoninë që ndjeu mes gjendjes shpirtërore dhe reagimit lëvizës të bishtave të atyre njerëzve, mes hallit të plotë e gëzimit gjysmak. Me bisht përpjetë si të derdhur në bronx, kaloi para njeriut A një çantëmbajtës, që të jepte përshtypjen e disa zanateve fitimprurëse. “Tërr s’i bëka syri këtij”, tha me vete, pa ja ndarë sytë bishtit të bronxtë. Bashkë me të dhe dy të tjerë më pas, me të njëjtën rritëm lëvizës të bishtave të zinj si nata pa hënë. “Këta me siguri ja dalin kënaqshëm nga puna që bëjnë për bishtpërpjetin”, vazhdoi mendimin njeriu A. Kriza luajtka me bishtat më keq se me fytyrat e njerëzve. Por edhe bishtat luajnë me lakuriqësinë e saj, duke ja nxjerrë sheshit atë. Mes këtij mendimi, njeriu A gati sa s’humbi rradhën e vajtjes në sportel. Edhe pse pagoi një këst, shuma e pagesës totale, ju duk më e shtuar, si të ishte ortek bore.
Me duart e lirshme në xhepa, vazhdoi ecjen, këtë rradhë vërtet kuturum. Dielli si me dembelizëm, akoma s’po sillte mesditën, por kjo ishte në favor të dëshirës së njeriut A, për të patur më shumë kohë lëvizjesh e takimesh, se çdo ditë tjetër e zakonshme. I mësuar tashmë me pamjen e re të njerëzve, pa kuriozitetin e mëparshëm shikues të bishtave të tyre, nxitoi hapat për të dalë nga kuturumi i kotësisë. Si në gjendje udhëkryqi ndaloi një çast hapat, duke vërtitur kokës destinacionin më të afërt. Dhe ai ishte njeriu më i afërm i tij, motra. Për pak sa s’do gafonte me lëvdatën për bishtin e saj, aq i bukur dhe i veçantë nga të tjerët ju duk. Me kapërcim të shpejtë fjalësh, mundi që lëvdatën t’ja veshë bishtit të leshrave, që për fat ishin moda më e preferuar e flokëve të motrës. Pa e pyetur, motra nxitoi për bërjen e kafesë. Bashkë me zjerjen e kafesë filloi dhe faza zjerëse e fjalëve të motrës. E zakonshmja rrëfyese e blerjeve të reja, e arkëtimeve pak më të ulta nga e planifikuara e parave në bankë për shkak të krizës dhe ngacmimi ndaj tij për epërsinë tashmë të padiskutuar të saj mbi të, në çdo drejtim të jetës. Gjithçka folëse e saj shkaktonte të njëjtin efekt lëvizës të bishtit, pa e ngatërruar aspak njeriun A. Të paktën është e sinqertë në ç’ka thotë, mendoi. “Kështu qofsh gjithmonë , motër!”, i ndërhyri mes fjalëve, duke mbajtur në majë të gjuhës vazhdimin më tej të urimit, “me bishtin përpjetë!” “Ti akoma vërdallë?”, dëgjoi pyetjen e saj. “S’është në dorën time, kërkoj gjithandej, por mosha më pengon shumë”. “Humbe vëlla, kupton? Je bërë një hiç tani. Të rrofshin librat e shkolla e lartë. Të tjerët u bënë ministra e deputetë, ti mbete ja kështu, një i papunë pa kurfarë vlere”. Njeriu A nuk do shtangej aq nga thënia e rëndë, që gati e groposi të tërin, nëse bishti i bukur i motrës nuk do lëvizte nga ai pozicion përpjetë, në majtësinë dhe djathtësinë e vitheve të saj, si të ishte jo prej kërci e lëkure plot qime, por si bisht puplor. “Gëzim motror për fatkeqësinë time?!” tha me zë të drithshëm e me pikla loti në sy, duke lënë në mes kafenë dhe drejtuar nga dera e koridorit. “Kush tha që gëzohem? Ç‘thua, je vëllai im dhe më dhemb, prandaj të flas kështu”. Bishti u tund duke rënë menjëherë poshtë, për të vazhduar në çast me ngritjen ngadalë lart, deri në gjendjen e para harlisjes. “E ka fajin bishti, motër. Atë e komandon jo fjala, po truri. Paske vërtet bisht të bukur”. “Paske roitur më duket. Mblidh mendjen, dëgjon? U bëre ti të më ofendosh mua. Ke punë me tim shoq, dëgjon?!” “Ha ha, besoj njëlloj i keni bishtat të dy. Aj me të mira!” Njeriut A ju duk vetja si një bisht që dridhej e s’ndalonte. Mendimi që dhe e motra ndjente triumf gëzimi mbi të, i ngacmoi idenë çmendarake të vetvrasjes. Kuturumi i ecjes ju kthye përsëri.
-Të thashë mos vazhdoje më tej, po s’më dëgjove. Na, tani, duro dhe shuplakën e dytë, para së cilës thua, “xhan ajo e ish klientit!” Mblidh veten o i zgjuari ndryshe nga gjumi, o bishtpari i njerëzve bishtmbajtës, sepse kjo ditë është e djalltë për ty. -Ashtu qoftë, lemë rehat, të thashë , lemë të digjem dhe unë bashkë me ju në rrathët e këtij ferri. Nëse shikimi i një të vërtete përbëka zbulimin e djallit, pse s’thua që kjo botë qenka bota e djallit dhe jo ajo e Zotit? Hë, pse hesht, apo s’të vjen mirë të pranosh atë që shikojnë dhe dallojnë sytë e mi? E di, që i vetëm edhe ta zbuloj këtë botë, ashtu kam për ta lënë atë më pas, por kursesi veten time. E nëse ndodh vërtet kjo tek unë sot, besoj që nesër ka për të ndodhur edhe tek ty, edhe tek tjetri, tjetra, të tjerët, të paktët në fillim, por të shumtit në fund. E besoj këtë, sikurse besoj këtë pjesë timen të vetvetes. Nëse sot shkoj drejt çmendurisë, me keqardhje të them që e njëjta gjë do ndodhë dhe me ty e të tjerët, me të paktët në fillim e të shumtët në fund. Ç‘kujton, se kështu ti dhe të tjerët po jetoni normalitetin e vetes? -Bëj si të duash, vetëm mos harro se ku arriti të të çojë pak më parë dëshpërimi tënd. Nuk po i besoja vetes për ty. U tremba. Sepse bashkë me ty, do zhdukesha dhe unë. -Pse pak realitete të tilla dëshpërimesh kemi kaluar të dy më parë? Dil pak nga mua dhe shiko kronikat e zeza, pastaj ajde më folë kështu. Unë s’jam një i përjashtuar nga dëshpërimi njerëzor. Dëshpërimi njerëzor është i përjashtuar qysh në lindjen e tij nga misioni i vërtetë i krijimit. Ky mision u ngurtësua embrionit të qenies sonë dhe ashtu vazhdon edhe sot. Dhe pritet apokalipsi biblik ta çngurtësojë. Mos është njëlloj ky apokalips me gjendjen time të sotme, në dukje çmendarake për ty? Nëse është kështu, ndodhtë sa më parë edhe për ty, edhe për të paktët e fillimit e të shumtit më tej. Sa më parë, aq më mirë. Njeriut A ngacmimi i ndriçimit diellor ja grimcoi shikimin në mijra shkëndija verbuese, aq sa gjithçka përreth mori pamjen e një mozaiku kozmik ngjyrash. Më pas grimcat filluan madhimin, formësimin pjesë-pjesë të materialitetit sendor e njerëzor, me pamje nga më të pafatanzuarat nga imagjinata e tij. Një xhvendosje përçudnuese pjesësh sendore e trupore, që dhe piktori më abstraksionist do ta kishte zili. Pamje sa qesharake, aq dhe të frikshme qeniesh që kishin kokën në vend të këmbëve dhe bishtin në vend të kokës. Pjesë të tjera gjysmake, çerekshe, treçerekshe trupash njerëzorë, të plotësuar nga pjesa e sendeve pa shpirt. Në këtë formësi absurde, krijesa amalguese kapërcente çdo lloj çmendurie në krijim. Gota pijesh, pjata mezesh, ndenjëse e trapeza, shtylla elektrike, ballkone e dritare pallatesh,, një shatërvan diku, të përzjerë me gojëra, veshë, hundë, sy, qafa, shpatulla e gjymtyrë njerëzorë. E vetmja e përbashkët në këtë çmenduri formash, ishte ekzistenca e bishtit. Njeriu A fërkoi sytë, ngriti kokën lart dhe për një çast ju duk sikur dielli ja bëri me sy. Lëvizi me hapjembyllje të shpejtë kapakët e syve dhe pasi mori frymë thellë, lëshoi shikimin qetazi . Formësitë e mëparshme, si me magji, u kthyen sejcila në vendin e vet. Pyetjes se ç’po ndodhte ashtu me të, ju përgjigj pjesa tjetër e saj. “Thjesht një shpërfytyrim fizik i realitetit, për të ndjerë e shijuar më mirë të kundërtën e tij, atë që prek e jeton në çdo çast të jetës tënde”. Përgjigjen e kishte në majë të gjuhës. “S’mund të ketë realitet të tillë të shpërfytyruar, pa shpërfytyrimin e vetë njeriut. Mos më trego pasojat e një shkaku që jetojmë për ditë”.
Dhe njeriu A ju dha këmbëve ecjen, këtë rradhë drejt një turme njerëzish, që po shtohej vazhdimisht mes sheshit kryesor të qytetit. E gjitha kjo, shoqëruar me buçimën e muzikës patriotike, që vërtet të shkaktonte rënqethje mornicore e krenarie në trup. Nuk kishte ç’humbte, bile i bindur që diçka më shumë se herët e tjera do përfitonte, njeriu A u përfshi dhe ai mes turmës. Zëra të ulët deri në çjerrje, xheste gjymtyrësh nga më akrobatiket dhe prej palaçoje cirku, do ta rrethonin e ndalonin sa herë, për të kuptuar më nga afër e qartë kuptimësinë e tyre. Ajo ishte sa serioze, aq dhe tallëse, sa bindëse, aq dhe zhgënjyese, sa e qetë, aq dhe revoltuese. Gjithkush kishte të drejtë, edhe në çastin më ekstrem të të kundërtave në debat, po aq sa dhe s’kishte. Si në xhungël gjarpërinjsh, bishtat e tyre nuk pushonin lëvizjen gjarpëruese. Ky krahasim njeriut A, edhe pse ju duk i rëndë, justifikohej për momentin. Kursesi ai nuk deshte të krahasonte atë turmë njerëzish me bishtgjarpëra. Turma më shumë mund të krahasohet me bishtqeni, për nga vetë ngjashmëria e shumtë me botën qenore. Por tani s’ishte vendi për të tilla lojra fjalësh e krahasimesh. Tani pritej nga çasti në çast ardhja e atij, kryesorit, atij të mbiturmës, liderit të saj. Për të, turma e shkërmoqur në fillim kush e di se nga ç’zona të largëta e të afërta malore, fushore e qytetëse, duhej të mblidhej e gjitha në këtë shesh, ta priste e duartrokiste, ta apoteonte e lideronte përsëri e përsëri. Sepse ai ishte i saj, i përkiste asaj dhe ajo ishte e tij, e duhej atij t’i përkiste.
“Sa bisht të madh që paska!”, shprehu habinë njeriu A, nga përshtypja që i la bishti i liderit. Thinjoshur si shpejt kohët e fundit, bishti shkëlqente si xixat e shndritshme të fishekzjarrëve. Ngjeshur vertikalisht pas kurrizit, ai largohej nga pak, duke i dhënë profilit liderian tamam pamjen mbretërore, të qenies së konvertuar të luannjeriut. Bishti, si në ato theatrot me kuklla drejtuar nga duar njerezish poshtë skenës, lëviste përshëndetshëm njëlloj me tundjen e dorës së liderit. Njeriu A kalonte vështrimin, herë nga lideri e herë nga turma. Në grupe të ndryshme njerëzish, ndodhte e njëjta skenë lëvizëse duarsh e bishtash me të liderit, por në shumë të tjerë grupe e njerëz më vete, harmonia lideriane prishej dhe larmishmërohej në lloj- lloj formash. Bishtat lëviznin sipas qejfit të tyre, duart gjithashtu. Por po aq ndryshe dilte dhe zëri thirrës për liderin e Partinë e tij e të turmës. Njeriut A ju morën mentë nga kjo lëvizje kaotike gjymtyrësh e bishtrash njerëzorë, kurse veshët i buçisnin nga përzjerja e muzikës, me thirrjet çjerrëse të tyre. Zhurma zhurmuese do ndalonte si me shkopin magjik, posa lideri filloi fjalimin e tij. Gjithçka më pas do zhurmonte vetëm nga urdhëri i shkopit magjik, atij shkopi dirigjenti të padukshëm, që prej mijra vjetësh dirigjon sipas qejfit të vet, turmën. Edhe pse, sipas aftësisë njohëse të njeriut A, mes kësaj turme ka shumë antiturmë, pra antilider, pra antiParti, pra anti të kënaqur, pra… Çfarë pra? Përsëri turma ka mbetur unike në qenësinë e saj, sikurse lideri unik në qenësinë e vet mbi të. Ja si sot, këtë çast, kur edhe pse bishtmbajtësit nuk janë në harmoni lëvizjesh të bishtave, përbëjnë përsëri një trup turme, me të vetmin bisht gjigand lëvizës, njëlloj me bishtin e liderit. Pse-në e këtij kontradiktsioni mijravjeçar, njeriu A vetëm mund ta përmendte e kursesi t’i jepte përgjigje. Ajo mbetej enigma dhe kodi më i pazbërthyeshëm, sepse me sa dukej, sipas mendjes dyshuese të njeriut A, ky kod, më shumë se ekzistent, duhej të ishte inekzistent. Ai me siguri do ishte shpikur e sofistikuar më pas, posa gjeti të gatshëm vetë kontradiktsionin brenda dhe jashtë qenies njerëzore. Qysh atëhere, ai mban si me magji turmën dhe turma mban si me magji liderin. Pa çka se këtë çast sytë e njeriut A shikojnë edhe të kundërtën e kësaj dëshire mbajtëse. Ajo bën muu nga revolta e heshtur e…. bishtave. Po bishti i liderit? Njeriut A gati sa si shkau krahasimi për keq i bishtit, si bishti më hipokrit që kishte ndeshur ditën e sotme. Kur për të, bishti ishte më i padjallëzuari, edhe në trupin e më të djallëzuarit njeri. Ai përcillte shfaqshëm të vërtetën e skutave trurore të mbartësit e si i tillë, nëse do dihej prej tij, do ishte i pari që do dënohej me zhdukje. Ai ishte pjesa më e sinqertë e mbetur, në qenien e njeriut më të pa sinqertë. Pas pjesëve të pakta harmonike mes të folurës dhe lëvizjeve të bishtit të liderit, do vazhdonte ajo që njeriu A e quajti lajthitje të pranueshme të bishtit. Ai s’po i bindej më asnjë fjale, asnjë xhesti të të zotit, gjë që ndërsa në fillim ju duke krejt e arsyeshme, më pas e alarmoi dhe tmerroi njeriun A. Kaq lajthitje në këtë shekull, ishte vërtet apokaliptike për fatin e kësaj turme e të këtij vendi. Njeriu A nuk mund të duronte më. Përzjerja e trubullt mendore i kaloi gjithë trupit, ndaloi në bark, u nakatos aty, pastaj u ngjit gjoksit me një shpejtësi të papërmbajtshme, duke shpërthyer në vjellje. Bishtat e vjellosur të njerëzve para tij, hynë mes shalëve të tyre. Kurse të zotët vazhdonin thirrjet histerike për liderin. Ç’paradoks!
I shtyrë e duke shtyrë turmën, njeriut A i vazhdoi mentmarrja gjatë gjithë ecjes labirinthore mes njerëzve. Dalja prej atij labirinthi mbytës, pështjellues, ishte çasti më triumfues i ditës. U ndal pak për frymëmbushje më të thellë, hoqi kapelen duke bërë freski fytyrës me të, nxorri grënçkën e një kolle të thatë, përsëri thithje të thellë aksigjenit të mbetur mes ajrit të rënduar nga pluhurat, tymrat e makinave dhe frymënxjerrjet karbonike të qindra e mijra mushkërive e gojrave njerëzore.
-Hë, më thuaj, ndjehesh më mirë se të tjerët tani? Nuk e shikon katandisjen tënde? Kurse të tjerët vazhdojnë llojin e tyre të pranueshëm të katandisjes. Jo si ty ama. Ja shikoji. Po qeshin disa. Ata më tej japin e marrin mes tyre me të njëjtën pamje si të liderit. Ju skuqin faqet, ju fryhen bullçinjtë, ju jargon goja nga e folura. Ata ndjehen tani më të sigurt, më të lumtur, më optimistë, më të kamur. Çfarë? Për ata më tutje e ke fjalën? Të duken të mjerë, të zhgënjyer? Po ata kështu kanë qenë edhe më parë e kështu do jenë edhe më vonë. Po janë ata ama, gjithmonë në njëtrajtshmërinë e tyre të ekzistencës, të besimit dhe mosbesimit. Jo si ty sot, kaq katandisur e shpërfytyruar. Të thashë, të paralajmërova, por s’më dëgjove që në fillim. Më mirë me zhgënjimin e mësuar e të kthyer në normalitet, se me zhgënjimin e vetë këtij normaliteti të kthyer tashmë tek ty në çmenduri.
-Booll, më! Nuk të duroj dot akoma me këtë fatalitet logjike! Ç‘kemi fituar prej saj deri më sot, ma thua dot? Jetën e qenies sonë, apo qenien e jetës sonë? Le të na ndante nga tjetër bota e gjallë vetëm intelekti dhe jo mospasja e bishtit. Po ta them këtë me bindjen më të madhe të jetës sime. Bëmë budalla, të çmendur, të ikur nga dynjaja e sotme njerëzore. Kjo dynja(kështu më erdhi ta them e jo “botë”) s’do ishte e tillë, nëse që në ngjizjen e saj njerëzit do kishin dhe treguesin e thelbit të së vërtetës së fjalës së tyre, bishtin. Po qesh? Qesh sa të duash. Ja dhe unë atë po bëj tani, bashkë me ty. Kurse sot, sot është vërtet e tmerrshme ekzistenca e këtij bishti. Me një ndryshim mes nesh. Sepse për ty e këdo si ty, ai është lloji më kafshor i shëmtimit fizik të njerëzve, kurse për mua është lloji më njerëzor i vetshëmtimit të shpirtit të tyre. Qartë tani?
Njeriu A ecte dhe fliste me atë pjesë të vetes, që me sa dukej nuk ishte zgjuar njëlloj si pjesa tjetër e tij. E dinte, që më shumë se mani kondre, ajo pjesë s’ishte gjë tjetër veç se e plota e tij e zakonshme, e përjashtuar vetëm nga e jashtzakonshmja e të sotmes. E dinte gjithashtu që dhe pjesa e sotme, më shumë se mani kondre me tjetrën, s’ishte gjë tjetër veç se pjesa e jashtzakonshme, e përjashtuar nga e zakonshmja e së përditshmes. Dhe, po aq e dinte, që si njera dhe tjetra , s’ishin gjë tjetër veçse vetvetja e tij e plotësuar në mangësinë e saj, apo vetvetja e tij e mangësuar, në plotësinë e vërtetë të saj. Në vetvete ai i jepte asaj pjese naive po aq të drejtë, sa dhe e kundërshtonte me bindjen e të drejtës të së sotmes. Sepse, sipas njeriut A, ajo pjesë, më shumë se e padrejtë, ishte një e drejtë e cunguar qysh në ngjizjen e saj tek njeriu. Që të arrinte tek e sotmja, ajo duhej vetëm të çngjizej, për t’u ringjizur pa difektin e cungimit. Ja kështu, siç ndodhi me pjesën tjetër të tij pas zgjimit të sotëm.
-Haha, haaa, më bëre të qesh deri në gajasje me idenë tëndë të ringjizjes. Po s’ke faj ti. Për ty sot duket sikur po ndodh vërtet apokalipsi dhe pret pas pak ringjalljen e vërtetë të njeriut të vërtetë. Dhe e gjitha kjo, në formën më shëmtarake, të ringjizjes së bishtit tek njeriu. Nuk e di sa beson apo jo në evolucioni, sa bindës je për profecinë biblike, por sot me këtë ide, je jashtë çdo logjike, besimi e bindjeje, qoftë dhe në absurditetin e tyre. Sepse, si në rastin e një evolucioni në të kundërt, ashtu dhe në rastin e një apokalipsi të ardhshëm, dashke të na kthesh tek majmunizmi njerëzor.
-Kush tha, o filozof cungac, për këtë majmunizëm të njeriut? Kush tha që ekzistenca e bishtit, është patjetër shenjë e tij, kur në fakt mospatja e bishtit, aq sa e dallon njeriun nga majmuni, apo qeni, apo ndonjë kafshë tjetër bishtore, po aq e bën atë më të egër se vetë bota kafshore? Më thuaj atëhere ti një shenjë tjetër njerëzore, veç shenjës kafshore të bishtit, që të më bindë për sinqeritetin e shpirtit të tij dhe unë po marr arratinë nga kjo ditë e këta njerëz bishtmbajtës. Hesht, hë, sepse s’gjen dot as më të voglën e kësaj shenje. Edhe ajo pak skuqje, pak marrje goje, pak hutim mes gënjeshtrës, që shfaqet tek njerëz të veçantë, ka mbetur si atavizmë në zhdukje, bile është kthyer në të shumtën e saj, në llojin më të sofistikuar mashtrues të hipokritit. Të kujtoj vetëm lotët e krokodilit, për të mos vazhduar me lodhje të tjera shembujsh. I kënaqur për llojin e shumtë të argumentave, njeriu A u ndje përsëri i fatshëm për dhuratën e pabesueshme qiellore, siç e quajti në fillim të kësaj dite. Edhe pse ideja çmendarake e kotekzistencës pas kësaj dhurate, e godiste shpesh kokës si gjëmim bubullime, pas shkrepëtimës së vetëtimës. Sado që bënte lëvizjen shkundëse të kokës, për ta flakur tutje këtë ide, ajo zhurmonte mbytshëm brenda skutave të trurit.
-Mos dashke të bëhesh fli perëndish, për diçka që anjë lloj perëndie, s’ta plotëson dot? Bile do tallet perëndia dhe njerëzia, qoftë dhe me këtë ide tënden, jo më të të shikojnë të vetflijuar. Veflijim për çfarë? Për fatalitetin tënd para të vërtetave tmerrësisht zhgënjyese, që s’ka zot nëne ti ç’bëjë ndryshe sot, apo flijim si që moti, për të ndodhur thagma qesharake e bishtimit njerëzor? Në të dyja rastet, i humburi, i talluri, mosekzistenti, do jesh ti e vetëm ti. Bashkë me ty dhe unë. Njeriut A nuk i erdhi as gërma e parë e ndonjë fjale për kundërshti. Jo në çdo gjë, kishte sot të drejtë. Në raste të tilla, ai përgjigjej me heshtjen. Sikurse dhe tani.
Ngriti kokën lart, por këtë rradhë në vend të shkeljes së syrit, sytë e diellit ju dukën në përgjumjen e skuqur. Çuditërisht të njëjtën gjendje po ndjente dhe ai. Përgjumjen diellore njerëzit kishin kohë që e kishin zbutur me ndriçimin dritor, aq sa në disa pjesë të qytetit ai ja kalonte shpesh dhe diellit në kulmin e tij ndriçor. E megjithatë, njeriut A ky ndriçim nuk ja zbuti përgjumjen e posa filluar. Me lëvizje munduese hapëse të kapëve të syve, filloi të shquajë pamjen e re të njerëzve bishtmbajtës, që ishte krejt ndryshe nga pjesa e ditës me diell. I fërkoi sytë si në mëngjes, bile i shplau pak me ujin e shatërvanit, por pamja i theksoi më shumë këtë kontrast të papritur. Njerëzit, ndryshe nga përgjumja e tij, ishin më të zgjuar se pas zgjimit mëngjesor dhe më të dhënë pas vitrinave të dyqaneve dhe frekuentimit të klubeve. Për njeriun A kjo s’sishte diçka e re, e paparë, bile kot po shfaqej habitshëm. Jo, jo, nuk ishte habi e kotë. Ai s’e kishte me njerëzit, si njerëz pa bisht. Të ishte kjo, as ai s’do ishte i përgjumur këtë çast, as njerëzit s’do ishin si gjithë ditën e sotme, me bisht. Ajo që po shoqëronte përgjumjen si çast hipnoze të tij, po i shfaqte shikimit të mbetur, metamorfozën e shpejtë të bishtave njerëzorë. Ato po humbnin lëvizjen dhe formësinë e mëparshme, në një shkurtësi kohe të pabesueshme, për çdo lloj qenieje të gjallë. Ndryshe nga shfaqja e menjëhershme mëngjesore e njerëzve me bisht, tani mes njerëzve dhe bishtave po ndodhte metamorfoza më paradoksale në minimunin e ekzistencës së saj. Bishtat po humbnin shkëlqimin qimor duke u zvogëluar në trashësi, deri në çastin më të fundit shfaqës të një qimeje të vetme, që si në rrëfimet përrallore, pas një shkëndijimi verbues, u zhduk. Çasti zhdukës i bishtave, ishte dhe çasti largues i përgjumjes tek njeriu A. Po tjetër? Njeriu A ishte bindur në qenësinë reale të kësaj dite dhe të bishtnjerëzve të saj, sikurse tani në mosqenësinë e tyre. S’kishte pse të çuditej nga ky paradoks i ri, mes paradokseve të shumta të jetës.
Në ekranet e plazmave televizive jashtë lokaleve, shfaqet pamja e liderit, pas tij e turmës dhe ja, edhe ai, njeriu A mes saj. Jo, s’kishte pse të çuditej më me sytë dhe pjesët e tjera të vetvetes. Në ekran shkëlqente gjithçka dhe mbi këtë shkëlqim, me larmishmëri ngjyrash e formash lëvizjeje,… bishtat e turmës dhe bishti i veçantë i liderit.
Me bisht, çuditërisht, ishte dhe ai, njeriu A.

Selanik, 20 dhjetor 2010 – 26 dhjetor 2011 (02:50nm)

Δεν υπάρχουν σχόλια: