Refren që shkaktoi Tragjedinë e një çmendurie.......
Korça vajtoi banorin e parë të saj, goditur nga një plumb, i dalë nga një armë, e shkrehur nga një bashkqytetar pa kurfarë armiqësie apo inati personal. Korça u skuq nga gjaku i më të pafajshmit, i më të pambrojturit bir të saj. Por lotët e të zezat e asaj nëne, nuk ndaluan dot tragjedinë e një çmendurie, që po mbyllte shtëpi e shtonte varre, që ngjallte urrejtje e hapte plagë mes banorëve e fqinjëve. Në rrugë filluan të dilnin qindra njerëz, me lot në sy e thirrje për ndalimin e kësaj tragjedie vetvrasëse. Ecja dhe unë mes tyre, me dëshirën për të bërë diçka, por e ndjeja veten të pafuqishëm para asaj anarshie totale. Rastësisht takoj Beni Miçinotin, që më thotë se do bëhej një miting paqësor në sheshin para theatrit e më ftoi në grupin organizues. Entusiast pranova, por vura kushtin që në miting të mos fliste asnjë përfaqësues partish, se njerëzit, më shumë se politikë, dëshironin ulje armësh, qetësi e paqe, harmoni dhe siguri për jetën. Sheshi u mbush me mijra qytetarë, pa përgatitje pompoze e parrulla partiake, pa ftesa e imponime interesash materiale e financiare. Si për ironi të asaj situate paqësore, në rrjesht të parë u vunë tanket, që s’dihej kush i drejtonte, se mbi kullën e hekurt të tyre ishin ata me shami në kokë. Ishim disa veta aty para dyerve të theatrit e në shesh një popull që thërriste për paqe e vetëm paqe. Foli Beni e njerëzit njëzëri lëshonin të vetmen fjalë: PAQE!
Zemra sa s’më çante gjoksin e sytë më lotonin, duke u bashkuar me mijra rrahje zemrash e lot dhimbjeje e shprese njëkohësisht.
Le të gënjejnë veten krerët partiakë kur brohoriten nga turmat, por a kanë ndjerë qoftë dhe një çast, të njëjtën rrahje zemre, të njëjtën dhimbje e gëzim, me mijrat e zemrave e shpirtrave njerëzorë? Ne ishim aty më anonimët e anonimëve, që me mijrat bashkqytetare nuk u futëm skutave të shtetit për të dalë më pas në lojën hipokrite të marrjes së pushtetit.
Zbrita shkallët e theatrit, kur Beni më tha të vija pasdite në godinën e Prefekturës, se do mblidhej i ashtuquajturi Komitet i Shpëtimit. Ah, kjo përpjekje hipokrite për përfitim e zaptim situatash në udhëkryq të një populli, me të njëjtit skenarë uzurpues të posteve partiake e shtetërore! Megjithatë, do pranoja të vija, por kur më tha dy-tri emra komitetas, nënqesha dhe morra rrugën drejt shtëpisë, i ndarë në dy pjesë ndjenjash, ku ndërsa ajo e entusiazmit të para pak çasteve filloi të venitej, ajo e zhgënjimit dhe dëshpërimit më tmerronte tmerrësisht. E pashë në lajmin televiziv atë Komitet jo Shpëtimi, por Shpartallimi dhe para syve më dolën koklidhurit e mauneve, veturave dhe tankeve, që mes anarkisë e haosit u pasuruan me pronën e popullit dhe të shtetit. C’ishin këto lloj komitetesh shpëtimi, që na dëgjonin veshët e po mbinin njeri pas tjetrit në qytetet jugore të Shqipërisë? Ishin vetë protagonistët e shkatërrimit, eliminimit të kundërshtarëve, por edhe të ndërtimit të parajsës e kupolës së tyre mafioze. Deri më sot nuk kam dëgjuar apo lexuar asnjë analizë objektive e shkencore të kataklizmosë të 1997-s dhe sigurisht s’më mbeti mua rradha për një gjë të tillë. Nëse shpreh atë çka jetova e pashë, nëse shpreh atë çka ndjeva e vuajta dhe të gjitha këto janë reale ashtu si vetë shkrojtësi i tyre, s’ka burrë nëne të më bindë për të kundërtën!
Boll e mësuam historinë, sipas interesave të protagonistëve të saj!
Por, ç’rëndësi kanë analizat e shkaqeve e pasojave, të skenave e prapaskenave, që e katandisën vendin në një barbari dhe anarki totale, për atë çift intelektual të emigruar në Greqi, që një ditë të tillë ogurzeze, i vetmi fëmijë i tyre, një i shkëlqyer në mësime, një e ardhme kaq e domosdoshme për këtë vend, do mbyllte sytë përgjithmonë, i goditur nga një plumb qorr nga bashkqytetari i tij. Ishte duke ecur në rrugën e njohur të spitalit dhe pak hapa më lart, nga thellësia e lulishtes pas Pandës, u dëgjua nje krismë, një rënkim e thënie, “Më vranë!” dhe në krahët e xhaxhajt u shojt jeta në më të bukurën çast të saj, e më të pafajshmit djalë korçar. Pashë vargun e njerëzve të lotonin tek përcillnin një jetë të shuar, pashë atë nënë zezëveshur të drobitur e zalizur, pashë atë baba fatkeq të ulërinte e të sulej në varrin ku po zbriste për të mos u kthyer më trupi i njomë i djalit. Dhe me lot në sy e dhimbje në shpirt, fillova të shkruaj thirrjen time për bashkqytetarët e mi. Në atë çast, televizori lokal jepte direkt qytetarë të ndryshëm, që bënin thirrje për ndalimin e të shtënave, për qetësi e gjakftohtësi, ndaj dhe unë vendosa të shtoj forcën e kësaj thirrjeje aq të dëshiruar, me ato çka shkrojta pak më parë. Nga rrugët e qytetit jeta ishte zhdukur e strukur shtëpive e pallateve. Ecja drejt godinës televizive, sikur shkelja në një planet të akullt, hapa derën dhe kur thashë qëllimin e vajtjes, më shoqëruan në zyrën e drejtorit. Një kërkesë e kuptimtë nga drejtori për të mos patur ngjyra politike ajo çka do flisja dhe pasi u bind, më çuan në studion e lajmeve. Zëri më dridhej, jo nga emocioni para kameras, por nga ato çka po lexoja, duke dashur ta përcillja këtë mesazh dhimbjeje e lutjeje për ulje armësh tek çdo shikues. Kur mbarova, pashë lot në sytë e të gjithëve, dëgjova një, “Të lumtë!”, ndjeva shtrëngim të fortë duarsh dhe një lehtësim në shpirt. Do mbushë një boshllëk në këto shkrime gjetja e asaj thirrjeje, për të kuptuar e ndjerë sot disa të vërteta lotësh të 1997-s.
Dhe kërkimi nuk zgjati shumë, se sekretarja ime perfekte e bashkëshorte njëkohësisht, pa udhëzime kodesh e datash, aty mes shkrimeve të mia, gjeti origjinalin e dëshiruar të asaj thirrjeje të paharruar. Nuk është krijim në komoditet zyrash redaksish nga ndonjë gazetar apo publicist rrogëtar, ndaj mos e paragjykoni për nga stili apo rregullat gazetareske. Në ato çaste kur dheu mbulonte trupa njomëtarësh të pafajshëm, pena ngjyhej në gjakun e plagëve dhe në lotët e vajtuesve, duke ngritur aktakuzën më të rëndë ndaj shtetit të çoroditur e të vetmohuar. Në ato çaste doli dhe një zë modest nga studioja televizive korçare..........
Korçarë të dashur!
Ju flet shpirti im i brengosur, i tronditur, nga bataretë e armëve, shpirti im i etur për qetësi e jetesë normale.
Lulet e pranverës u shpuan nga plumbat, por plumbat nuk janë farë e jetës, veçse e të zezës vdekje.
Nuk më vjen keq të vritem për një ideal madhor, por në u vrafsha sot nga plumbat e vëllezërve të mi, kush vallë do më përcjellë në varr?! Sepse në banesën e fundit, unë dua të më përcillni ju korçarët e mi, miqtë e mi, e jo vrasësit e mi.
E në mbetsha gjallë ndër të gjallë,
pyes se si do na vejë hallë,
veç në paçim ca kurajë,
që zemra kurrë më mos na qajë.
Në paqe ne korçarëve nuk na ka hije ftohtësia e armëve, por melodia e kitarës. Ku e latë ju djem të rinj kitarën e dashurisë? Vajzat presin mesazhet e dashurisë suaj, mos i llahtarisni ato me tmerrin e krismave.
Sa na ka marrë malli për serenatat korçare!
Shndroni pra këmbëzën e armës në tel të kitarës, krismat e nxjerra, në këngën: Në mes të natës në qetësi, ti në ballkon më rrije....dhe unë menjëherë do vrapoj rrugicave, bashkë me ju e do këndoj mor miq me aq forcë, sa ta lemë Korçën pa gjumë.
Dhe Korça do ta pranojë këtë pagjumësi, se do jetë pagjumësia më e lumtur e saj. E në rast se ende keni fishekët e gishtin në këmbëz të armës, prisni ju lutem, se kam një propozim: Ejani të gjithë, Korça e qielli le të na falin për një çast. Le të zbrazim njëherë e mirë lart armët për herë të fundit, për të fituar këtë rradhë mbi vetë veten tonë! (Fundi i thirrjes)
Nuk di nëse forca e valëve televizive kish aq fuqi depërtuese në eterin e asaj hapësire të ngurosur, por di të nesërmen përqafimin e një nëne dhe urimin më nënësor, “Hallall qumështi i nënës o bir!”
Ah, sikur ta mbanin këtë hallall qumështi të paprishur ata “bij nënash”, që vetë ky hallall i ngjiti posteve, por që e bastarduan dhe e shndruan në lot e gjak, në arratisje e syrgjynosje të qindramijë shqiptarëve!
I vetmuar ecja qytetit dhe veç bekimit të asaj nëne, asnjë rreze shprese nuk ma ngrohte shpirtin. Qyteti sikur po më largohej nga këmbët dhe më krijonte udhëkryqe rrugësh e mendimesh. I ndalur në një udhëkryq të tillë, e ndjeva veten për një çast në vargun e atyre që “Po iknin”. Ja vlen të vazhdoj shprehjen e çasteve të tilla, me vargjet e krijuara pas tre vjetësh në poezinë me titull:
Mars 1997
Dita natës i lutej:
Më jep pak errësirë!
Dielli në vetvete strukej
Mes zjarrllëkut të ngrirë.
Ktheja kokën prapa
Kish filluar shpërbërja
Pas mbetej hiçi
I ndjekur nga asgjëja.
Fund invazioni
Asgjëja u pushtua.
Vetveten ndiqja pas
Apo vetvetja mua?!
Maj 2000 Selanik
E ndërsa këto vargje u krijuan në kushte komode e largësi kohore 3vjeçare nga ngjarjet e 1997-s, them të paraqes më poshtë poezinë “Pa titull”, të shkruar pikërisht në një nga ato ditë marsi, ashtu nxitimthi e drithshëm, pa pretendime rregullash poetike, por frymëzuar ama nga vargjet e njohura, “Shqipërinë e morri turku i vu zjarr...” etj,etj.
Shqipërinë e “morri” shqiptari i vu zjarr
Shqipëtar, mos vrit, por duku atdhetar!
Mjaft luftove shqipëtarin, mor fatzi
Lufto djallin dhe fut ëngjëllin në gji!
Hapi sytë dhe shiko si po shton varet
Nëna qan birin e vrarë, qajnë dhe malet
Hidhe poshtë mor i shkretë, atë armë të mallkuar
Ndryshe çfarë do të mbetet, kur kombi të jet’ shuar!?
O moj Shqipëri e mjerë, ç’të zuri kjo lëngatë
Armikun s’ke në derë dhe ti lyer me gjakë
Si s’plas kjo zemra ime e shpirti i lënduar
Largohem kokëulur, kush vallë më ka “dëbuar!?”
Mars 1997
* * *
Ishte një natë e errësuar totalisht e marsit 1997, që kish zaptuar gjithshka në mjedisin e jashtëm e të brendshëm korçar. Unë, Mira dhe dy djemkat e strukur në krevat, prisnim pranë telefonit vendimin përfundimtar të këshillit dyfamiljar vëllamotëror, aty në Selanikun e Greqisë, pas propozimit ultimativ dashamirës disa orë më parë të Koços, burrit të motrës sime, ”Dhi... çdo gjë aty dhe hajdeni këtej!” Ngrita receptorin pas ziles dhe zëri i Mondas bëri të qartë hollësinë e veprimeve tona në vazhdim, të argumentuara sipas saj si rruga më e saktë dhe e logjikshme. Shpërngulja familjare pra nuk do bëhej e menjëhershme, por në dy faza kohore jo të largëta. I pari të nisesha unë, për të punuar e përgatitur kushtet e marrjes së Miras e djemkave. Nuk ja vlen të merrem me logjikrat disa herë anapulla e pa kuptim të motrës sime, qoftë produkte të saj, apo ndikime naive të të tjerëve, që përbëjnë një kompleks kontradiktor të personalitetit e veprimeve të saj.
Në atë çast, vetja ime nuk isha më unë i tëri dhe kjo gjendje e cunguar e vetvetes do më ndiqte Selanikut për gjashtë muaj me rradhë, si për të vënë në provë kufijtë më të prekshëm të qënies sime fizike e shpirtërore.
Por, le t’i lemë në një takim tjetër, miq të dashur, rrëfenjat e 180 ditnetëve, që mbase koha mund t’i përrallëzojë e të nisin me nga një “Na ishte seç na ishte” të njohur.
Para tyre janë ato ditë të fundit marsiane korçare, si prolog përgatitjeje të një udhëtimi kozmik të panjohur. Të parët që lajmëruam për këtë ikje ishin gjykoja dhe nëna e Miras, që me lot e merak për fatin tonë, me heshtjen e tyre shfaqnin aprovimin e imponuar të mosaprovimit prindëror. Ishte koha e paradoksimit të njerëzve, se ajo e sistemit ishte vetë prototipi paradoksal.
I mirënjohuri shofer maunesh i kohëve socialiste allashqiptare, i thirrur nga të gjithë Dhori i Opit, morri përsipër shkëputjen time nga forca tërheqëse e tokës shqiptare dhe kalimin në tokën fqinjë greke. E kuptoj kuriozitetin tuaj që nxitet nga forma aventuriere e ngjarjeve, por tani dua të filozofoj pak, siç e kam zakon në raste kulmesh revolte e tronditjesh shpirtërore.
Ta kenë të qartë të njohurit e të panjohurit, me çdo lloj aftësie mendore njohëse e gjykuese, se ç’ishte ajo IKJE MASIVE e 1997-s, që shpesh u paragjykua sipas interesave e pozicioneve egoiste të njerëzve, të thjeshtë apo të graduar në shoqëri. Të mos e zgjat pastaj, me një pjesë të ikurish që u vetetiketuan për të fituar më lehtë në konsolidimin e tyre aty ku shkuan. Sepse nuk do mund të dal dot nga labirinthi i analizave kontradiktore, që përmban gjithë procedura vlerësuese e kësaj kategorie të ikurish. Nga vetë rrëfimet e ardhshme, do kuptohen më thjesht të panjohurat dhe enigmat e mjaft ngjarjeve e fenomeneve. Sa për mua, pjestar familjarisht në atë IKJE, paragjykimet dhe etiketimet e tipit EMIGRANT, I ARRATISUR POLITIK, etj, etj, janë pjesë propagandistike mediokre e një sistemi mediokër politiko-ekonomik shqiptar.
Unë, miq të dashur, ashtu si mijra bashkqytetarë të mi, pashë e ndjeva me sy e me gjithë qënien time, KATAKLIZMONE në vendin tim. I tmerruar dhe për të shpëtuar veten e familjen prej TIJ, hymë dhe ne në anijen e NOES, duke ikur drejt të panjohurës, por me shpresën e mbijetesës. Në atë anije ishim mijra, nga të lindurit e të palindurit ende, me ëndrra e shpresa të vrara, të vdekura e të ringjallura njëkohësisht. Nuk i futa unë mijrat e të ikurve në atë anije NOEANE, prandaj është e kotë çdo nxjerrje apriori e tyre nga kushdo qoftë. Nuk di nëse në ato çaste paranisjeje, ishim ne që numuronim zbrazësinë e ditëve të fundit korçare, apo ishin ato ditë që numuronin zbrazësinë njerëzore të qytetit.
Në një nga këto ditë, dola rrugëve të qytetit me aparatin fotografik në dorë, si për të shkulur nga realja shkatërimin barbar e rikthyer normalitetin. Guxova të merrja me vete Jorgaqin dhe Pirushin e vogël e të tre për dore, si të zbritur nga planeti i padjallëzisë, morrëm pamjet filmike më ironike të fatit të tokësorëve korçarë. Dyqane të shkatërruara, por të veshura me arne dërrasash e llamarinash, që dhe piktori më abstraksionist do t’i ketë zili. Një tank para Bankës së gurtë, me tytën drejt Hotelit 9-ë katësh, që do çuditë çdo strateg ushtarak të NATO-s dhe Pentagonit amerikan! Në të ashtuquajturin trekëndëshi (mos e ngatëroni me të Bermudës), ku ndahet rruga në dy kahe, atë të spitalit dhe të varreve, një tjetër tank me tytën si çibuk të varur anash dhe në mbrojtje të tij dy policë! No koment!
Hipa Pirushin mbi tank dhe shkrepa aparatin, duke krijuar kështu fotografinë me kodin më enigmatik.
E ndërsa tanket mundoheshin të krijonin ditën idenë e rojes së hekurt të qytetit, ide e gënjeshtërt e qesharake njëkohësisht, errësira e natës i përpinte në të zezën e saj sunduese. Dhe atëhere, copra të errëta lëvizëse merrnin formën e qënieve dykëmbëshe, që me tmerrin e krismave shurdhuese vrisnin çdo natë ëndërrash njerëzore.
Komshiu në pallatin përballë gjeti një copë letër hedhur poshtë derës, ku i kërkoheshin qindramijra lek, ndryshe ato qënie dykëmbëshe do t’ja coptonin jetën. Dhe atëhere komshiu, që s’i kish parë as në ëndër ato lek, jo t’i kish prekur me dorë, u përgjigj me gjuhën e armës, duke shtënë çdo natë nga ballkoni, ashtu kuturum, deri në çastin e skadimit të afatit ultimativ. Ai çast na shtriu rrafsh me dyshemenë të gjithëve, duke detyruar Jorgon dhe Pirushin të zinin veshët me dorë nga breshëritë shurdhuese të armëve. Nuk pati të vrarë nga kjo betejë, por i stërvrarë mbeti gjumi e shpirti i njerëzve të mëhallës sonë. Dhe ky gjumë e shpirt do të rivritej përsëri pak kohë më vonë, por që është rasti ta përshkruaj tani. Ndodhi kur kish hyrë në zbatim plani i shpërnguljes sime në Greqi, kurse Mirushja ime me dy djemkat, të përjashtuar nga ky plan absurd, përjetonin ende tmerret pambarim të krismave. Rradhën e kishte pallati tonë, me protagonist mbrojtës Peron e katit të tretë në hyrjen tjetër. I vetmi “krim” i Peros, ishte pronësia e një veture që e mbante në garazhdin tek sheshi para pallatit. Veç ta shikoje si kujdesej për të, do kuptoje sakrifikimin e jetës së tij atë natë, kur ndjevi se dikush desh t’ja vidhte. Ishin më shumë se dy veta që po mundoheshin të shkallmonin derën e garazhdit dhe Peroja ju thirri të largoheshin me të mirë.
“Nuk kemi punë me ty”, u përgjigj një zë i pasuar nga një tjetër më i fortë, ”Na lerë të marrim veturën dhe s’do pësosh gjë”, duke vazhduar të godisnin derën e kyçur të garazhdit.
“Po ajo është jeta ime morre plehra!”, thirri sa mundi Peroja dhe shtiu në ajër për t’i trembur. Kaq ishte vendi i fjalëve, se të nisi një kryqëzim krismash nga të dy palët, që zgjoi mëhallën e fqinjët e saj. Peroja i shtrirë në ballkon shtinte në drejtim të garazhdit, kurse hajdutët e kriminalizuar përgjigjeshin me breshëri drejt pallatit nga ku dëgjoheshin ulurimat e familjarëve. Dikush, apo vetë krismat, zgjuan policinë gjysmake e krejt amatore, që u shfaq kur plumbat mbaruan dhe hajdutët u zhdukën mes errësirës. Peroja i mbytur në gjak mbante sytë me dorë dhe nga të qarrat e grave u mendua mos ishte plagosur për vdekje. Por shyqyr Zotit ishte jashtë rrezikut dhe plumbi kaluar tangent ballit, kish hapur një plagë, ndofta të rrezikshme për syrrin. Ende pa u gdhirë mirë, me përpjekje shokësh e miqsh, u nis për mjekim në spitalin e Follorinës.
Një mëngjes marsi, hipa në autobusin urban të linjës Korçë-Maliq, për të parë gjëndjen e Fabrikës për ushqim blektorie, që e kisha në pronësi bashkë me një djalë nga Maliqi, të thirrur shkurt Xhevo.
Në degëzimin e rrugës në Libonik, autobuzi nuk mund të merrte majtas për në qytet, se maliqarët kishin vënë barrikadë në tërë gjerësinë e asfaltit një autobuz të vjetër, për t’u mbrojtur nga çdo sulm i jashtëm korçar. Detyrimisht vazhduam rrugës drejt, për të hyrë nga zona e ish NRGJ-së. Pa arritur tek urra, shoferi ndaloi autobuzin i detyruar nga një postbllok njerëzish të armatosur me automatikë. Njëri nga rrojet u afrua dhe tha, ”Na vjen keq, por këtu duhet të zbrisni dhe të vazhdoni më këmbë. Urbani nuk lejohet të hyjë në Maliq”.
Kur zbrita dhe njoha Malon, një djalë trupmadh në kufijtë e njëqindkilshit, morra frymë disi normalisht, se me të ishim ulur dhjetra herë kafeneve të Maliqit. Me pamjen e një kaçaku babaxhan, hapi krahët, dhe duke më përqafuar më tha fjalët më luftarake pe triumfatori, ”Mos ki merak, se fabrikën e kemi rruajtur me Xhevon me tank”.
Gjëndja brenda në qytet nuk ngjasonte me Korçën. Mbase vogëlsia e qytetit dhe lidhjet fisnore e shoqërore, kishin shmangur shkatërrimet e vjedhjet.
Por, nuk kish ndodhur kështu me stallat e derrave të Zervosit në të djathtë të rrugës nacionale, as një kilometër larg Libonikut. Maniakë ziliqarë, të varfër në shpirt, nuk e ndalën barbarizmin as para atyre kafshëve të pafajshme mishdhënëse për tryezën njerëzore, që u masakruan nga plumbat e kallashnikovëve. Dhe bashkë me derrat e pushkatuar, u zhduk si me magji gjithë kompleksi i stallave. Dhe bashkë me atë kompleks kohor, u ndërpre prodhimi cilësor i linjës së sallamit e shitja e mishit të freskët. Dhe bashkë me atë.........Sa “bashkë” të tilla ka arshivuar inventari i ekonomisë shqiptare dhe i memories njerëzore!?
Vajta në shtëpinë e Xhevos dhe ai më tregoi se si kish kaluar ditë e netë në fabrikë dhe se si një tank bënte rroje në anën e rrugës për Lozhan, në gjithë gjatësinë e Kombinatit të Sheqerit. Për të rruajtur veten e familjen, shpesh rrinte natën në tarracën e shtëpisë me armë në dorë. Kur i thashë vendimin tim për t’u larguar nga Shqipëria, më tha i prekur se të njëjtën gjë kish vendosur dhe ai. Dhe bashkë me ikjen tonë, ikte dhe një aktivitet modest prodhimi ushqimi për blektori. Dhe bashkë me këto “IKJE” të pandalshme njerëzish, aktivitetesh, profesionesh, talentesh, mjeshtrish, ikte një pjesë e shenjtë e të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë.
E megjithatë, miq të dashur, jeta përsëri triumfonte e vazhdonte, qoftë me paradokset e saj, me të qarat e të qeshurat e saj. Doni një nga çudirat e atyre ditëve të asaj jete? Keni dëgjuar për kohërat kur pa dalë ende paraja, njerëzit shkëmbenin prodhimet e sendet e ndryshme sipas nevojave që kishin? Më jep një dele, të të jap një qyp, etj,etj këmbime nga më të ndryshmet.
Maliqarët 1997-a i bëri pronarë tankesh, falë repartit tankist në zonën e tyre. Një grup i tmerrshëm korçar, i njohur për vjedhje e krime te rënda, 1997-a i bëri pronarë mallrash elektroshtëpiake (veç mijra te tjerave), falë dyqaneve dhe supermarketit të vetëm në qytetin e tyre. Të dy grupvjedhësit korçaromaliqar, realizuan shkëmbimin më të çuditshëm të të gjitha kohërave, të vjetra apo moderne qofshin.
Nga grupi korçar: ”Mirdita. Si venë punët?”
Nga grupi maliqar: ”Bereqaves. Jo aq sa juve ama”.
Nga grupi korçar: ”Mos u qani. Nga armët jeni më mirë se ne”.
Nga grupi maliqar: ”C’i duam vetëm armët. Ju keni tërë dyqanet në dorë.”
Nga grupi korëar: ”Ha, ha, ha! Po pse jemi këtu, të merremi vesh me njëri-tjetrin. Troç muhabeti! Duam një tank!”
Nga grupi maliqar: ”Një e dy po të doni, ju çfarë na jepni nga ato tuajat?”
Nga grupi korçar: ”C’të doni. Pranoni nja dhjetë video e ndonjë televizor për një tank?”
Nga grupi maliqar: ”E thënë e bërë!”
Shtrëngim duarsh dhe në prezencë të dy grupeve, realizohet këmbimi i mësipërm. No koment!
* * *
Por edhe Maliqi, në një nga ato ditë të 1997-s, do hapte varre për dy djem, që naiviteti e kapriçioja e moshës i çuan drejt vdekjes makabre.Të armatosur lëviznin rrugëve të qytetit, duke ndjerë superioritetin e më të fortit, deri atë natë kur...
Në zonën në të djathtë të ish klub Devollit, një firmë private korçare kish punësuar dhjetra maliqare, që qepnin rroba të ndryshme për eksport. Për ta rruajtur nga vjedhjet dhe shkatërrimet, pronarët e rruanin ditë e natë duke vënë një mitraloz në hyrje të godinës.
Në errësirën e asaj nate, të ndihmuar dhe nga mungesa e dritave, dy hije njerëzore morrën rrugën drejt qendrës së qytetit. Ndaluan për një çast për t’u bindur që ishin të vetëm në çmendurinë e vendimit të marrë dhe vazhduan me ngadalë ecjen drejt fabrikës së rrobaqepësisë, duke bërë gati armët për çdo të papritur. Dhe ashtu të armatosur, me sigurinë e më të fortit, kaluan bulevardin dhe u ndodhën në porta e oborrit të godinës, nga ku filluan mësymjen me shkrehje armësh për të hyrë brenda në fabrikë. Një breshëri shurdhuese mitralozi shpoi tej për tej trupat e tyre, që vazhdonin të perpeliteshin në rrugën drejt vdekjes edhe kur i morrën urgjentisht për në spital. Mbrojtësit e fabrikës, të kthyer papritur në vrasës, të tmerruar nga ky akt tragjik, të trembur e të hutuar, lanë armët dhe pronën dhe morrën rrugën e arratisë për t’i shpëtuar hakmarrjes. Ndërsa të vrarët përcilleshin në banesën e parakohshme, pikëllimi e hidhërimi, përzjerë me urrejtjen, i çoi të afërmit e tyre drejt pushtimit të fabrikës së braktisur. Pronarët e pranuan në distancë këtë akt, duke u lutur të mbyllej me kaq hakmarrja e lindur nga çmenduria e një lufte të pakuptimtë.
Ishte koha kur vdekja e ndiqte jetën me pamëshirshmërinë më të egër të saj, ashtu sikurse në të njëjtën kohë jeta e çorientuar nga lajthitja e sistemit, ndiqte vdekjen me naivitetin e një kapriçioje absurde mendjelehtësie e aventuriere.
Ishte koha e shpërthimit në ekstrem të instikteve më të egra, por edhe e zmadhimit dhe mbizotërimit të negativiteteve e veseve të pashfaqura, ose të shfaqura në minimum. Ky triumf i antilogjikës dhe antiarsyes njerëzore, krijoi individë e grupe individësh me damkën e hajdutit të pangopur e të vrasësit për hiç mos gjë, që në instancën më të ulët të pozitës shoqërore e deri në më të lartën të pozitës pushtetore. E keqja e këtij triumfi, veç viktimave pa faj, me pak e me shumë faj, pati krijimin më të dhimbshëm deri në fatalitet të Viktimës -Popull e Viktimës-Shtet. Ky dualitet viktimash ju duhet në çdo kohë krijuesve e zbatuesve, sepse vetë pozita e tyre në ngritje apo rënie, i bën të luajnë të dy kartat e këtij dualiteti. Për sa kohë populli grackohet në këtë lojë të ndyrë, pushtetarët mbeten të paprekur në pushtetllëkun e tyre, ashtu sikurse mbetet e opozituar në pafuqishmëri çdo lloj opozite. Ironia tallëse më kulmore e kësaj loje, është vetë loja e zgjedhjeve, ku të grackuarit gradojnë dhe rigradojnë me një naivitet bindës apo bindje naive të ashtuquajturit, më saktë të vetëquajturit, bij të popullit në drejtimin e shtetit. Dhe viktima mbetet përsëri viktimë, kurse të graduarit vazhdojnë më të sigurt ciklin e përjetësimit të pozitave sunduese në shoqëri e pushtet. :
Në pauzën midis ciklimit apo riciklimit, Viktima-Popull pëson oshilacionet nga më ekstremet: të mirëbesimit deri në verbëri e të zhgënjimit deri në fatalitet. Individë apo grup individësh dhe familje të tëra, si nga të mirëbesuarit, ashtu dhe nga të zhgënjyerit, të ndodhur përballë rrezikimit të tjetërsimit të personalitetit e të vetë jetës, kapërcejnë kufijtë e Viktimës-Shtet, duke lënë pas atë që marrin me vete, dëshpërimin dhe dhimbjen më të ndjeshme njerëzore. Më falni, miq të dashur, nëse ju lodha me këto gjykime, por ja që kështu më rrëmbejnë ngjarrjet e ndodhitë, realitetet e rrethanat, që s’janë kursesi rrufe në qiell të kaltër, por shkak e pasojë, brenda trusnisë së një strukture e superstrukture ende në amorfitet.
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου