Δευτέρα 7 Ιουλίου 2008

nga libri

Kapitulli i Letrave të mia
(prill-shtator 1997)
I vetmi ngushëllim e lehtësim shpirti, e vetmja hapësirë e lirë shprehjeje dufi e gëzimi, e vetmja mënyrë komunikimi shpirtëror me Mirushen e djemkat, e vetmja rrugë për të filozofuar, dialoguar e monologuar, ishin minutat e orët e shkrimit të letrave. Ato çaste shkrimi, vetmia arratisej, distanca arrinte në zero dhe nuk merrej vesh nëse isha unë në Selanik apo Selaniku ishte korçarizuar, duke më sjellë në krahët e mia gëzimin e familjes së munguar. Kam këtu një dosje të mbushur me dhjetra e dhjetra letra, që tek i shfletoj dhe lexoj nxitimthi, më shfaqet një vetvete e shkuar, që më ngjall nostalgji përzjerë me një lloj zhelozie ndaj saj. Ndërsa sot, kur shkruaj për një ndodhi të asaj kohe, e gjej kollaj shkakun, pasi pasoja tashmë është në të shkuarën e saj, në ato letra gjithshka ishte pasqyrim e gjykim i çastit, pa ditur surprizat e të mëpasshmes. Prandaj e quaj më të arsyeshme, që më poshtë të paraqes pjesë letrash me origjinalitetin e tyre, si dëshmi e të vërtetave, të hidhura apo të ëmbla qofshin.

4 prill 1997
Mira ime e dashur!
Vogëlushët e mi të shtrenjtë!
Mirë i thonë, që kur s’ke oreks, sado të ta shtrojnë tavolinën, asgjë s’të hyn në sy. Në këtë gjendje ndodhem unë këtu në Selanik, ku asgjë s’më hyn në sy pa ju patur dhe ju pranë. Më shikon 10% e syve, më gëzon 1% e shpirtit dhe çdo ditë që kalon po më bën më të menduar e të merakosur. Mungesa e krismave jo vetëm s’më qetëson, por më bën t’i ndjej dhe ditën. Mos vallë dua t’ju jap zemër kot se vetë jam në të tjera pozita? Përkundrazi. Unë kam nevojë të më jepni ju zemër, që t’i rrezistoj çdo vështirësie të këtushme për të arritur së bashku atë që dëshirojmë..........
A mund ta konceptoj unë veten time të qetë pa qetësinë tuaj, të gëzuar pa gëzimin tuaj, të lumtur pa lumturinë tuaj?
Vetëm kur të jemi bashkë do ndjejmë njëlloj gjithshka, ashtu sikurse tani ndjejmë të njëjtën gjë. Dhimbja dhe prekja e shpirtit tim janë dyfishi i tuajës, pasi veç përjetimeve reale që pata aty, këtu në çdo hap që hedh, në çdo e ngrënë apo shlodhje, ndjej të më mblidhet lëmshi në gjoks. Pse? Sepse mungon prania juaj, sepse ju ende jetoni atë realitet të qelbur e plot ankth dhe se unë dua që sa më parë të jetoni realitetin e këtushëm................
Për ne çdo lloj vështirësie e këtushme është aq e pranueshme, sa ç’u bë e papranueshme ai realitet aty......Le t’i japim pra zemër njeri-tjetrit e mos dëgjojmë “këshillat”, vërejtjet e gjithë atyre që gjoja na qajnë hallin. E kush më dashka mua më tepër se ty, apo ty më tepër se ç’të dua unë? Kush më do mua më pranë e kush ju do ju më pranë?.......A mund t’ju imponohemi ne njerëzve për të vepruar siç dëshirojmë ne? Edhe të drejtë të kemi, s’mund të imponojmë, pasi gjithsejcili e shikon të drejtën sipas koncepteve të veta. Aq më tepër me të afërmit, unë dua të jem i sinqertë dhe ashtu sikurse e bëj për ta çdo gjë me zemër, dua që dhe ata kështu ta bëjnë për ne. Mjafton të ekzistojë dëshira e mirë, se pengesat kapërcehen..........
Të dashur gjyshi Niko e nënë Areti, po dhe të dashurit Neljan e Nikolin (nipërit e Miras). S’ju mjaftojnë letrat nga Cikagoja, po na dhe nga Selaniku....S’dua t’ju mallëngjej, se boll lot na shkaktoi ky vit ters për gjithë Shqipërinë. Sa lot kam derdhur këtë vit, se mban gjithë jeta ime. E qenka e shkruar që ende bara, dhimbja, shqetësimi më i madh të bien mbi prindërit, sikur borxhi i tyre ndaj fëmijëve të jetë deri në fund të jetës. Dhe ne sado të duam, nuk mund t’ja u shpërblejmë sa e si duhet. Jo vetëm s’ja u shpërblejmë, por ndodh që ju shtojmë dhimbjet më shumë. Veçse dijeni se kjo bëhet pa dashjen tonë. Mua më vjen të pëlcas kur shoh se ndërsa dëshiroja t’ju shpërbleja gjithshka keni bërë për ne, ju shtoj dhimbjen e largimit të vajzës e nipërve tuaj. Në këto çaste unë e ndjej forcën e kësaj dhimbjeje se po e provoj vetë, por ç’faj duhet të na rëndojë vallë që ndahemi së gjalli?!......................Piro e Donald që po ju kujtoj çdo çast. Babi ju puth çdo ditë e mezi pret t’ju ketë pranë bashkë me mamin. Ju pret Fiona, Niko, Eva. Eva që ka më shumë llafka se trup thotë :”Siç rrinë Fiona me Nikon, do rri unë me Jorgon”....................

8 prill 1997
E imja Mira!
Jeta ime Piro e Jorgo!
Ishim mësuar aq pranë njeri-tjetrit, sa dhe kur flasim në telefon dhe kur shkruaj letra e ndjej se nuk kompesoj as 1% të boshllëkut që ka krijuar largimi im. Mundohem të përballoj padurimin për t’ju marrë me aq sforco, sa e ndjej se stonoj në mjediset e këtushme. Vetëm dy herë s’kam gabuar me emrin e Mondas, se gjithmonë i thërras Mira. Ajo qesh dhe më ngacmon e thotë: ”Sa të vijë Mira, pa ta tregoj unë qejfin”!
Së bashku do ndjenim si vështirësitë ashtu dhe të mirat e këtushme, kurse pa ju ndjej vetëm mall, mërzi e padurim. Të gjithë mundohen të më kënaqin dhe këtë s’ja u harroj kurrë, por unë s’ja u shpërblej dot me qëndrimin tim të duhur, se i ngul sytë diku dhe bie në mendime..........Si përfundim, u dashka mësuar me durim për të mos rënë në pesimizëm, se kështu kanë fituar gjithë ata që sot janë ingranuar në jetën e këtushme. Janë bërë zotër të vetes dhe nuk lenë t’i tërheqin për hunde. Punojnë, fitojnë dhe gëzojnë e ç’është kryesorja jetojnë si njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kur i shoh në jetesën e tyre, ndjej kënaqësi e krenari dhe besoj se dhe ne do ecim krah tyre. Të gjithë, e dashur, kanë fituar shumë nga niveli i jetesës, por sidomos fëmijët janë më të fituarit dhe vetë surpriza. Fiona, Niko, Eva, Dea e deri Stavri i vogël i Djonit, të thajnë në greqisht e të çuditin me shkathtësinë e tyre.
Studjojnë vetë në dhomë, shohin televizor filma fëmijësh e kështu kanë fituar më shumë zgjuarsi e shkathtësi. Menjëherë i sjell këtu me përfytyrim dy djemkat e mi dhe jam i bindur se shumë shpejt dhe ata do na çuditin në të folur e në të vepruar më tepër se deri sot............Një natë fjeta nga Gjushka, se të nesërmen kishim atë punën. Edhe Gjushka punon e fiton shumë e bën një jetë si ja ka qejfi. Eshtë shëndoshur e lezetuar e ke qejf ta shohësh kur nget motorin. Mbi cigaren ka kohë që ka fituar, por jo mbi pijen. Merak kam vetëm mos e hipë motorin i pirë se për shëndet s’ka problem. Hyrjen e ka rregulluar mirë e me shije, vetëm se është pak ngushtë pasi do një dhomë veçan për Evan.........Djoni banon në shtëpi më vete, me verandë e oborr të bollshëm. Me dhomë për fëmijët, sallon ndënje, dhomën e gjumit, kuzhinën. Do pak dorë taraca se ka dhe dhomë tjetër por ka lagështirë. Edhe Djoni është rregulluar shumë mirë, ndonëse punon vetë e shumë rrallë Tomka....Më priti me tërë të mirat.
E veçuar dhe e lënë keq pas dore shtëpia e xh.Stavrit. Igrasi dhe ftohtësi e një banjë skandaloze. Xh.Stavri duket mirë nga pamja, por nga kura që bën ka shqetesime e rënie flokësh në masë...........
Por këtë letër s’dua ta shpërndaj për të gjithë, se mjafton paraardhësja e saj. Tani të desha e të dua vetëm ty përballë për për të kuvenduar se a e ke kuptuar që ndjej një mall e dashuri që a do ishe e zonja ta përballoje po të të kisha pranë? Se mos thuash që kështu flas nga që jam larg. Pse s’më ke provuar për vite me rradhë, kur largësia s’ka ekzistuar as 1 metër mes nesh? Nuk di se a ndjen dhe ti të njëjtën gjë, por mendja ma thotë e shpirti ma ndjen se do më lumturoje 10 fish më shumë. Unë, e dashur Mira, kam forcën e përfytyrimit dhe s’ka momente mos të ndjej pamjen e frymën tënde. Fantazia është i vetmi burim i kënaqësisë, sa herë ndodhem vetëm e sidomos kur shtrihem në shtrat. Je e pranishme çdo mbrëmje dhe ti se merr me mend se ç’të punoj. Dhe me atë lloj kënaqësie që të fal përfytyrimi, mbyll sytë rreth orës 3 të natës. Po ti e dashur a e ke provuar këtë imazh erotik, apo e ke larguar mendjen e ndjenjën në këtë drejtim? E di që s’të lenë punët, djemkat, të afërmit e shoqëria, por mundoju një çast para se të flesh të më kesh pranë mendërisht dhe unë të premtoj se s’do të të zhgënjej asnjë sekondë. Përderisa më shfaqesh çdo natë me trupin tënd joshës, me sytë tënd eksitues, e ndjej se dhe unë të shfaqem ty. Derisa të vijë çasti kur fantazinë ta ndjejmë bashkë me gjithë fuqishmërinë e saj. Po mundohem e dashur të të largoj pak çaste nga ai realitet i zymtë, ndonëse e di se pak ja arrij qëllimit. Sepse nga ai realitet mund të të largojë vetëm largimi dhe ardhja këtu.........Mira, erdha tek ty e po të përqafoj. Vazhdo ti vazhdimin. Edi


16.4.1997
Mira, Mira, Miiiiraaaa!!! Të dashur Piro e Jorgo!
Ju kënaq apo jo, unë përsëri po ju shkruaj, se zemra ma thotë e dora s’më përton. Ende s’kam marrë letrat tuaja për të shprehur ndikimin e tyre, megjithatë e marr me mend se me sa dashuri e mall i keni shkruar. Koha që po kalon qysh nga ardhja ime e ajo që do vazhdojë duke na lënë ende larg njeri-tjetrit, do jetë dëshmi jo vetëm e forcës së dashurisë sonë, por edhe e kulmit të durimit. Kjo kohë po ve në provë shumë gjëra, prandaj ne duhet të rezistojmë për hir të mbijetesës sonë. Cdo hap i nxituar në këtë drejtim, do na verë në pozita aq të vështira, sa do jetë më e pamundur marrja e vetes e rimëkëmbja. Për hir të së ardhmes më të sigurt, duhet sakrifikuar e sotmja. Realitetet duhen jetuar e kuptuar, që të mund t’i gjykosh drejt. Të kam thënë e dashur që shpesh marrëdhëniet mes njerëzve varen në fije peri e për ta këputur atë s’do shumë forcë. Unë vërtet s’dua të rruaj marrëdhënie formale me burim interesi, se do zhgënjehesha shumë, por ama pse të bëhem unë shkaktari i hollimit deri në këputje i lidhjes? Njerëzit, e për më tepër të afërmit, duhen kuptuar thellë e pastaj të gjykohen. Sepse sejcili në pozitat e tij i jep vetes të drejtë dhe askush s’tërhiqet nga pozicioni i vet. Duhet kuptuar thelbi e jo të merremi me ca llafe apo zënka që s’dihet ku çojnë. Unë jam i bindur që në thellësi të shpirtit të Mondas është dëshira për të na rregulluar dhe parë sa më mirë. Dhe në fjalët e saj dhe në kulmin e ndonjë revolte me tone të larta, unë arrij të zbuloj këtë dëshirë, se po mos isha i bindur për këtë gjë sot do isha aty pranë jush. Pra nuk po më mban thjesht interesi im, por edhe dëshira e kujdesi i Mondas dhe Koços........
Nuk dua e dashur të kalojmë në dy ekstreme. Në atë të euforisë, të arritjes lehtë të të mirave, apo në atë të fatalizmit, të mosbesimit. Kur të shkruaj për të mirat e vështirësitë e këtushme, dua të më kuptosh e jo të biesh herë në njerin apo herë në tjetrin ekstrem. Unë shpreh realitetet që ti t’ju hysh shpirtërisht e logjikisht dhe pasi t’i vlerësosh drejt ato, të më qëndrosh në krah se kam nevojë për ty.
Këtu jetesa ka një rrjedhë me aq kthesa sa çuditesh. Ndodh që në kthesa të dobtit përplasen e dalin jashtë, ka të tjerë që vazhdojnë, por që në ndonjë kthesë tjetër më të madhe dalin jashtë loje. Por ama rrjedha vazhdon dhe ai që reziston e përballon atë me sukses. Dikush preferon një pellg të vogël e aty thotë jam mirë, por dikush tjetër do që të dalë në det se aty është hapësira e suksesit. Mund të thuash se pavarësisht nga këto, ç’janë këtu jetojnë e kjo tregoka se ja vesh kot. Jo e dashur. Se për të jetuar ka vend kudo dhe në baltë, varet për ç’jetë është fjala. Kuptohet që minimumi i jetesës këtu është shumë më lart se e ashtuquajtura normale aty, por fjala është se si arrihet ky minimum dhe a duhet preferuar gjithmonë ai?...............Mos numuro ditët e javët, ato ikin, por mendo përkohshmërinë e atjeshme dhe të ardhmen e këtushme. Le ta përgatitim këtë të ardhme sa më mirë, me lezet, që nesër mos pendohemi...........Dje u morra si shumë me filozofirat e jetës së këtushme. Megjithatë s’besoj se të kam bezdisur. Diçka ke kuptuar mbi mekanizmin e këtushëm, ndonëse shpjegimi im prek shumë pak për të. Kryesorja është që gjithë familjet shqiptare këtu kanë mundur të përshtaten e kush më shumë e kush më pak jetojnë dhe shpresojnë për më mirë.
Po u more me krahasime s’fiton gjë, se herë entusiazmohesh, herë mërzitesh, prandaj duhet shikuar vetja, variantet e punës dhe atëhere mund të ndjesh të mirat......E dashura ime! Ke thënë se si s’kam shkruar vjersha për ty. Vjershat, katër apo tre strofa kanë, po këto letra ku treçereku janë dedikim i dashurisë sime për ty, çfarë tregojnë? Unë e hedh 1 mijë herë poshtë thënien: “Larg syve, larg zemrës”. S’është aspak e vërtetë! Unë jam aq i marrosur pas teje, sa them mos po e teproj, mos dëmtoj forcën tënde të dashurisë ndaj meje. Them, që jam i lumtur ta kesh sa gjysma ime këtë forcë. Dikush mund të thotë se e kam nga malli. Ky është një faktor ndikues. Sepse unë s’ndjej vetëm mallin e zakonshëm, që shkakton distanca, por një grumbullim energjish të brendshme, një rrahje të fuqishme zemre, një hipnotizim ndjenjash, që i kalojnë përmasat e mallit. Kjo është forca e dashurisë që ndonëse ka mbi supe 10 vjet, mbijeton në përmasa më të fuqishme. Se ka të tjerë që thonë se burri apo gruaja të bëhen si motra apo vëllai dhe ndjenjat bien. Thonë ata që s’e kanë patur aq për zemër në kompeksitet të dashurin apo të dashurën. Sa për mua edhe ky mendim s’ekziston dhe hidhet poshtë si kur ishim pranë, ashtu dhe tani që jemi larg njeri-tjetrit. PER MUA TI JE GJITHMONE RASTI I PARE, MISTERI I PARE, KENAQESIA E PARE E KJO KA PER TE QENE GJITHMONE E PANDRYSHUAR. Gjithshka fantazoj, gjithshka krijoj e shtoj në përfytyrim e variante, është në funksion të kënaqësisë që dua të të dhuroj ty dhe vetes....................
Mendoj e dashur ta mbyll, ndonëse s’i dihet, po erdhi letra mund të ngacmohem e të vazhdoj. Megjithate për sot: Mbyll pak sytë, afromë buzët, ja kështu realizohet puthja nga të dy. Joti Edi...........
E premte: Mbrëmë vajtëm nga Gjergji e kështu morra më në fund letrën tënde të shumëpritur. Me përjashtim të revoltës që shpreh pas bisedës me Mondan, gjithshka tjetër është ndjenjë e ngrohtësi, që më solli ato çaste leximi prane teje. Bile dhe revolta ka bukurinë e vet, pasi kam qejf të të zbut vetë. Dhe besoj se ajo gjendje të ka kaluar. Fiton ai që kalon pikërisht çastet e dëshpërimit, që del nga gjendja e mundimshme dhe hedh sytë nga e ardhmja.Koha është relative e në rastin tonë disa muaj s’duhen parë me masën e viteve. Përderisa bëhet fjale për jetesë e jo për disa javë pushime verore, duhet gjykuar e vlerësuar koha në këtë përmasë. Pra disa muaj durim, që përgatitin vite jetese, janë pika uji në det. Kështu shikoji ditët e javët aty. Kurrë mos i numuro, se duken pambarim. Siç më ndodhi mua natën e parë të punës, ku më dukej sikur minuta zgjaste 1 orë. Por më pas nuk e shikoja shpesh orën dhe nata kalonte më shpejt. Kur shtrihesh, thuaji vetes se e mira po afron e duhet fjetur për ta afruar më shpejt. Sakën se ve në gojë valiume! Valiumi më i mirë është përfytyrimi i asaj çka dëshiron dhe ashtu mbyll syte e fli..............Siç e sheh e dashur, po mundohem të të qetësoj, të të jap siguri e besim, gjumë më shumë. Nuk po përdor kurfarë diplomacie, por vetë të vërtetat që na rrethojnë. Më beso pra, më dëgjo me bindje e mos u ndiko nga kurkush.
Më ke mua pranë në çdo gjë, siç ju kam unë ju. Distancën mund ta shkurtojmë vetëm ne e jo llafet e të tjerëve........
E dashura ime e përjetshme.
Lotët e tua janë dhimbja ime, por që e ardhmja mos ketë më lot, duro me forcën e shpirtit e të mendjes. Lotët e tua janë krenaria ime, sepse e di sa më do e sa më ndjen. Aty është dhe loti im, dhimbja e dashuria ime. E përfytyroj çastin kur me lot në sy ke shkruar letrën e ç’nur të ka rënë nga shkëlqimi i syve. Atë çast ndje se buzët e mia njomen nga ai lot dhe puthin sytë e tu. Ai lot është si nektar i jetës për mua e më jep forcë për të përballuar gjithshka. Unë s’i përtoj punës, por puna tregohet tekanjoze me mua. Ja si ikën ditët e kësaj jave pa punë e kjo llogaritet me rreth 40 mijë dhrahmi të pafutura në xhep. Sot jam në pritje se mos më lajmërojnë për të filluar. Mos duhet vallë të dekurajohem? Jo! Në mos sot nesër, puna do dalë dhe gjendja shpirtërore e materiale do ndryshojë. Mua më hanë duart për punë, pra s’jam me teka.......... Unë jap shpirtin për ty e djemkat, e jo ato dhrahmi të mbledhura po për ju. Babi s’ka ardhur këtë radhë këtu për turizëm, po për ju e vetëm për ju e s’do ta ndjej veten të qetë pa siguruar diçka për të ardhmen tuaj. Ky është burri e babi juaj, që jetën e vet se ve në hesap para jetës suaj. Më kuptoni, më dëgjoni, më kërkoni e unë jam i gjithi juaji kurdoherë. Ju puth fort juaji Edi.

24.4.1997
Gëzuar Pashkën Mira ime!
Gëzuar Pashkën Piro e Jorgo!
Gëzuar Pashkën nënë Areti e gjyshi Niko, bashkë me Neljanin e Nikolinin!
Gëzuar Pashkën Irena e Llaqo, me çunat Vasjan e Joan e gjyshin Vasil e nënë Ditkën!
Gëzuar Pashkën shoqëria ime e paharruar......
Gëzuar Pashkën të afërm që jeni aq shumë, sa e kam vështirë t’ju përmend të gjithëve!
Gëzuar Pashkën dhe ti shoku, miku e ortaku im Xhevo(Stavri)!
E di që urimi nuk do bëhet nga ju në tempullin e besimit, se krismat e armëve e kanë prishur qetësinë e harmoninë mes njerëzve. Por Krishti u ngjall e bashkë me të ngjallet dhe shpresa jonë. Duhet provuar vuajtja e mundimi për të ndjerë më pas gëzimin e fitores. Unë besoj se Zoti s’do zgjatë shumë mundimin tonë, por do afrojë sa më parë bashkimin e gëzimin. Vetëm Zoti e di sa i brengosur jam dhe sa i lutem për t’ju patur pranë. Këtë letër të shkurtër po e shkruaj me dorë të lodhur, se sot pata punë me një usta elektriku që po instalon linja alarmi dhe telekamere në Muzeun e Mondas. Më ka marrë ndihmës dhe sot mirë dola. Më la dhe vetë të shpoja me trapan e të instaloja linjën e kjo më dha kënaqësi. Më pas më solli me veturën e tij në shtëpi e më tha dhe për nesër. Pra, e dashur Mira, dalin variante........Po ashtu shpresa ka të fillojë fabrika e plastikeve dhe aty del jo keq.......Ju puth Edi

26.4.1997
Sot në mes të natës e pas orës 12, jam më shumë se çdo herë tjetër aty mes jush, duke përpjekur vezën e kuqe. Dhe dijeni se kjo natë kur do thuhet, ”Krishti u ngjall!”, do jetë për ne nata që do sjellë ditë të bardha. Ju ndofta mund t’ju ketë zënë gjumi e unë do lutem të keni pranë engjëjt që t’ju bëjnë të harroni hallet e streset e mënxyrrës që ka pllakosur gjithë vendin. Sot burri e babi juaj punoi 4 orë e kështu bashkë me dy ditët e tjera u plotësuan tre ditë punë. Ustai më dha 15mijë dhrahmi e kjo më gëzoi. Më tha se më do dhe të martë e të mërkurë e kështu për 5mijë do
mbushet 100 mijshi i parë. Pra si fillim jo keq...........Po ndahem se s’më le rehat Koçoja. ”S’u ngope me letra”-më thotë......Ju puth Edi
* * *
Kështu, miq të dashur, muaji prill shënoi fundin e vet, duke arshivuar inagurimin e një jetese me plot enigma e të papritura në muajt pasardhës. Ai nuk mundi të zgjidhte, ose të paktën të vinte bazën e shpresës për bashkimin tim me Miran dhe djemkat.
Premtimet dhe entusiazmet ditëve të para prillore u venitën, aq sa u konsiderua e zakonshme zgjatja e statukuosë pa kurfarë afati. Në të njëjtën kohë unë, i përfshirë në botën më të padjallëzuar të mirëbesimit, vazhdoja avazin e analizave dhe argumentave pa mbarim, si në faqet e letrave ashtu dhe telefonatave. Pafuqishmëria vepruese, e përzjerë me indiferentizmin e njerëzve përreth, më shkaktonin një kontradiktë të brendshme, që herë më përplaste në botën e vetmisë e të trishtimit e herë në atë të revoltës e shpërthimit. Por kur arrinte çasti në njerin apo tjetrin cak, ndjenja ekuilibruese e mirëbesimit më rrezatonte udhën e shpresës e të optimizmit. Atëhere kuptoja triumfin e jetës dhe ashtu si Galilei me thënien epokale, “E megjithatë bota rrotullohet”, më vinte të thërrisja kumbueshëm, “E megjithatë.... jetojmë!”
* * *

7.5.1997
Mira ime, zemra e shpirti im!
S’besoj se kam qënë ndonjëherë mangut sadopak në ndjeshmëri, kur kemi qënë pranë njeri-tjetrit. Dhe për një të ndjeshëm si unë, është e natyrshme që distanca me ty e femijët, ta qindfishojë ndjeshmërinë.
Kur ky fakt dihet fort mirë nga ty e dashur, pse më lëndon qoftë dhe me një fjalë njërrokëshe në letra apo telefon!?
C’domethënë e thëna tënde gati shpartalluese: ”U pa kjo punë”!?
Me të drejtë pyes pa kërkuar përgjigje: Cila punë u pa, që kaq menjëherë mbyllka problemin në fjalë?
I kemi hyrë një misioni të vështirë, por të domosdoshëm, ku unë ndodhem si ai kozmonauti i vetëm në kozmos. Dhe kur kujtoj se dhe pak rrugë më ka mbetur për të arritur në destinacion, më dërgojnë nga toka sinjalin pesimist: ”Lere se u pa kjo punë!”. Dhe atëhere kujtoj se kam humbur kursin, se kam devijuar nga trajektorja dhe me të drejtë çorientohem se s’di nga t’ja mbaj. Unë shihja planetin që po i afrohesha, kurse tokësorët gabimisht më thoshin: ”U pa kjo punë!!!”
Pse kaq shpejt ky konkludim, kur një muaj ka kaluar dhe pse maten kohët tona me të të tjerëve, kur sejcili ka aftësitë e mundësitë e veta vepruese? A e kupton, e dashur Mira, që në këtë ndjeshmëri kaq maksimale, një sinjal i vogël ngacmues shkakton tronditje që duhen superforca për t’i përballuar?
Unë e di se kjo thënie buron nga vetë ndjeshmëria jote me kulminacionin e saj, dashurinë për mua. Por ama, në gjëndjet që ndodhen ndjeshmëritë tona, kanë nevojë për të tjera impulse e ngacmime.........Halli që na ka zënë mos duhet përshkruar tragjikisht nëpër letra e telefonata? Cfarë do fitonim veç vuajtjes e tmerrit.............E di që do kundërshtosh deri në thirrje e qarje, se se ke thënë kështu siç po e analizoj unë. Të kuptoj fort mirë e dashura ime, e di që e thua në kuptimin kohor, në pamundësinë e ardhjes sa më parë, se nuk e kam unë në dorë e kështu kjo gjendje do zgjasë tej parashikimit. Dakord, e di që këtu e ke burimin e thënies, por ama mua më mundon ky lloj fatalizmi. Edhe sikur dita e java të afrohej e unë të të thosha, ”Duro e ca ditë apo javë”, ti duhej të më kuptoje e më jepje të drejtë e jo vetëm kaq, por edhe zemër. Sepse kur tjetri të sqaron vënçe realitetin e ta sjell në pëllëmbë të dorës, ti e dashur Mira, menjëherë më përmend dhjetra të vrarë e tmerret e atjeshme, më ve në ballancë të tjerë njerëz e për mua këto janë koncepte që shprehin jo thjesht kërkesën tënde, dëshirën tënde apo dashurinë tënde, por edhe vërejtje e ankesë ndaj burrit të pafuqishëm, që s’po mundka dot të marrë gruan e fëmijët. E ç’është atëhere ky palo burrë që shkruan e shkruan me dhjetra faqe letra malli e dashurie për t’i “mbushur” mendjen gruas se e do dhe vdes për të e s’lëviz dot për ta patur pranë!?............Unë kurrë nuk e kam cënuar dinjitetin, personalitetin tënd, as e një grimë. Nuk të kam vënë as 1ç10 e sekondës në balancë me të tjerat e të them se filanka i zgjidh më mirë problemet e jetës se gruaja ime. E kuptove tani se ku e kam, se s’dua të alarmohesh nga kjo letër, por ta ndjesh atë si letrën më të dashur e dashamirëse të burrit tënd. Unë s’do desha të harxhoja kohën me këto gjykime, por të vazhdoja si më parë. C’të bëj kur ti ma devijon stilolapsin. Pres të ma kthesh kursin e nisur, jo me sqarime e betime, por me letra të zjarrta që të të burojnë nga zemra jote e lënduar. Dashuria jote është hyjnore dhe Edi tënd mundohet ta arrijë çdo ditë. Këtë mbaje mend nga gjithë kjo letër. Të puth me zjarr Edi.


8.5.1997
Mira, o ëndra ime e realizuar!
Mirë do ishte të prisja letrën tënde dhe i frymëzuar prej saj të të shkruaja. Por është e pamundur që të ndodhem i vetëm në shtëpi e të rri pa menduar për ty. Dhe kur mendimi më çon në botën e pafundme të ndjenjave, menjëherë më lind skenari i filmit. Atëhere rrëmbej stilolapsin e fletoren dhe hedh frymëzimin tim. E marr me mend përmbajtjten e letrës tënde dhe i dehur nga mushti i saj nuk duroj pa hedhur dhe unë ndjenjat e mendimet e mia.
Këtu më ngacmojnë duke thënë se lodhja në punë do të të frenojë e s’do ta kesh aq dëshirën, apo fuqinë më mirë, për seks.
E në e paç ti, më thonë, s’do ta ketë jot shoqe se do t’i dhembin kockat nga puna. Për ty s’po flas, se nuk di rezistencën tënde, ndonëse e marr ca me mend dhe nuk frikësohem, po për vete deri më sot them se po ndodh e kundërta.
Kam qenë në disa punëra që kanë patur dhe kulme lodhjeje apo sikleti. P.sh. aty në fabrikë, kur kalonte ora 3 e natës dhe lodhja shtohet nga pagjumësia, mua më ndodhte tjetër gjë nga të tjerët që gati flinin në këmbë. Cfarë? Përfytyrimi për ty, e jo duke bërë punët e shtëpisë apo çentrot e Lenit, por i asaj fantazie intime seksuale që më largonte lodhjen, gjumin e më ngacmonte për seks. D.m.th. që paskam qënë në gjendje që pas 12 orëve punë natën, të shtrihesha pranë teje e mos të të ktheja kurrizin, por të kënaqesha me ty. Askush s’mund të thotë se tjetër është veprimi e tjetër përfytyrimi në raste të tilla, se gjoja përfytyrimi nuk harxhon energji si veprimi. Në fakt unë realizoja gjithshka me më shumë mundim e lodhje, pra s’ka pse ngacmohem nga thumbat e hedhura. Po ti, a do mundesh të më përgjigjesh, kur e kthyer nga puna, me rënkimet se të dhembin kockat, do kërkosh të shtrihesh, të shlodhesh? Dhe kur unë të qasem, a do reagosh me pranim, apo do më shtysh e do thuash, “Nuk mundem, të lutem, në një vend e ke ti mendjen!”, etj, etj?
Ja dhe tani që po shkruaj, jam i kthyer nga një punë ku djersa s’mungoi. Ishim në një hyrje pallati me ortakun e Gjushkës dhe ndërsa ai prishte me çekan banakun e vjetër të betonuar të çezmës, unë mbushja qeskat me dhe, tulla e pllaka të thyera dhe i çoja afër ashensorit. Më pas, kur mbaroi prishja, i zbritëm me ashensor dhe i nxorrëm jashtë për t’i transportuar me fortigo......
Në shtëpi jam vetë dhe u shtriva për shlodhje duke dëgjuar muzikë, por mendimet në një destinacion më çonin, tek ty Mira....
Por, përsëri ti pranë meje duke më ledhatuar, e në vend që të më sillje gjumin, më ngrite dhe më ule këtu në tavolinën e kuzhinës, ku dhe po të shkruaj. Dhe dihet që e shkruara nuk është shlodhje, se kërkon mendim, ndjenjë e lëvizje dore. Pra ja dhe një provë tjetër në favor tim e jo të atyre që ngacmojnë. Do më për Belulin?
Kur punoja me elektrologun tek muzeu. Ndonëse kisha djersirë nga ca punime të vështira, më pas kur dolëm në trotuar për vendosjen nëpër anët e trotuarit të prozhektorëve mbi shtylla, kur isha majë shkallëve, përsëri përjetoja çaste kënaqësie me ty.
Vetëm 70 m larg ishte deti. Afër tij rruga me dhjetra makina. Disa kalimtarë, sejcili në punën e vet, me një lloj indiferentizmi të admirueshëm. Dikush me celularin në vesh, kushedi me kë sqaronte diçka. Dikush me zinxhirin e qenit, sikur ndiqte rrugën e qenit e kënaqej. Dikush me gotë e tubo në gojë, duke thithur frape apo pije freskuese. Dikush me gjiro apo tost (lloj ushqimesh të preferuara) shijonte në ecje ngrënien. Më të rinj e të reja, me patina lëviznin bukur trotuareve.
Dhe ja, çifte, ky dualitet i stërlashtë, që përkrah njeri-tjetrit, tek ecnin shkujdesshëm, kujtoheshin në çast për ekzistencën e puthjes. Në ecje apo pak ndalim i shikoja buzëmbërthyer e thosha, ”Lum si ata!” Ndryshe nga fanatikët aty që do thoshin, ”U prish bota!”
Dhe ashtu majë shkallëve, merrja vendime të prera: ”O do puthem kështu me Miran, o pëlcas!” Dhe si i përhumbur merresha me ty disa sekonda apo minuta, derisa më zgjonte zëri i ustait për t’i dhënë ndonjë vegël.
Ato çaste kanë qënë fantastike, pasi ndërthurrej deti, godinat, bulevardi plot makina, kalimtarët dhe fantazia ime. Atëhere lodhja arratisej nga trupi e vendin e saj e zinin të tjera dëshira e pasione të zjarrta. Ato prisnin vetëm atë që do t’ju jepte kuptimin e plotë, të dashurën time, pra ty Mira. Ti thuash dikujt këto të vërteta, kushedi ç’thotë, por ja që ato ekzistokan dhe për mua s’ka rëndësi opinioni i të tjerëve. Ato hedhin poshtë ngacmuesit, që mbase nuk e ndjejnë aq sa ne dëshirën për seks. Besoj se ja kalova dhe Belulit. Vazhdoj të shkruaj e mezi po pres të shijoj letrën tënde. Të paktën aty ka diçka nga qënia tënde që unë kurdoherë e kam preferuar. Do më duket sikur duke shijuar atë, do fus në trupin tim thelbin e ndjenjës tënde e kjo do më lumturojë jashtë mase. Por le t’ja le vazhdimin e frymëzimit provës e jo fantazisë..................

17.5.1997
Mira ime!
E para letër që do të të mërzitë ca, por mos u alarmo se dhe hallet e sikletet për njeriun janë....Puna po ecte mbarë dhe për të qënë më kursimtar në kohë fillova të ngas motorin. Dje u kënaqa, pasi i brodha rrugët e Selanikut. Sot në mëngjes pas 12 orëve punë, më shkrepi të marr motorin nga Djoni e të vija në Monda (në shtëpi). Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Në një rrugicë u ktheva me shpejtësi dhe rrashë. Motori goditi këmbën e djathtë keq dhe bëri nja tre metra xhiro afër trotuarit. Unë rrashë në krah të djathtë, por ndjeva dhimbje në këmbë. E hipa motorin dhe ashtu siç isha brodha për t’u qetësuar. Por dhimbja më mundonte dhe u ktheva në shtëpi. Këmba u enjt shumë.
Koçoja kujtoi mos nxorra gavilen. Mua më vinte mendja për thyerrje. Morra Djonin, me veturën e tij e Koçon shkuam në spital, ku pas grafisë ma vunë në allçi. Thyerrja është tek gishti i dytë më duket (afër samarit). Do vete pas një jave vizitë e kështu Edi tënd sot qan me lot nga dhimbja e shumëfishtë, pra jo vetëm e këmbës. E di që tani po loton, por të mos alarmohemi se për njeriun janë të gjitha. Puna prapë do vazhdojë, se nuk më ndron me tjetër, vetëm se ditët do më duken të mërzitshme. Pas kësaj letre, lexo vjershat e harro këtë lajm që s’desha të ta thoja, por në një formë a tjetër do ta merrje vesh. Mos e komento gjatë me të tjerët.
Të lutem mos më qorto, se Edi tënd e qortoi vetveten për nxitimin. Por lutu të fle rehat e pa dhimbje e ta kaloj sa më shpejt sikletin. Të dy se të dy e kemi. Më fal e dashur që të shqetësova. Jam pranë teje, yti Edi.

20.5.1997
Mirushja ime!
Kaq shumë kam shkruar e kemi folur në telefon, sa dhe pranë po të ishim s’do kishim biseduar as 70% të tyre. Duket sikur s’kemi ç’të themi më, por e shoh se ndërsa ekziston vetëm fundësia e letrës së një date, ekzistoka pafundësia e mendimeve e ndjenjave të mia për ty. Kjo tregon se dhe në jetën e përtejme unë do vazhdoj avazin e kësaj jete, pra s’do pushoj së foluri kur të të kem pranë e së shkruari kur Zoti të më ketë nisur diku me shërbim në parajsë.
Ajo që më ndodhi më 17 maj ’97, duket sikur frenoi shpejtësinë kozmike të të shkruarit, pasi sikleti e dhimbja s’më ulnin dot në karrike për të shkruar. Mbase Zoti kështu desh, që intensiteti i ndjenjave mos arrinte kulminacione me përmasa të papërballueshme. Megjithatë e shoh se frenimi s’ish tjetër veçse një stacion urbani. Unë përsëri kam hipur në Pegasin tim dhe ja tek po vazhdoj përsëri të të shkruaj.........E di e dashur që të kam shkaktuar dhimbje, merak, shqetësim e për këtë më duket vetja aq fajtor sa s’di ç’dënim t’i jap më shumë se nga ç’kam pësuar. Kur e analizoj veprimin e atij mëngjesi, them se u bëra rob i të keqes. Sikur më shtynte diçka të devijoja itenerarin e atij mëngjesi........Më vinte të ulërija nga veprimi im. Gati po qaja nga inati e shaja veten aq sa s’e kam sharë tërë jetën time.....Atë ditë e dashur vetëm sharje e thirrje kam hequr nga Monda, Koço e Djoni. Më ngacmonin aq sa më nuk duroja, pasi dhimbja më djersinte e më bënte të paduruar.......Lëviz duke kërcyer me të majtën ose duke kapur mbështetësen e karrikes nga prapa. Nuk ta merr mendja sa më mungon moj zemra ime për gjithshka. Kur jam vetëm të kërkoj me zë: ”O Mira ku je, oh të të kisha moj Mira, s’ta merr mendja sa të dua e sa ta kam nevojën!!!”
Tani ujrat rrjedhin qetë..................

22.5.1997
Shpirti i shpirtit tim, zemra e zemrës sime, Mira!
S’kanë kaluar as 12 orë që folëm në telefon, por s’ka kaluar dhe as një minutë pa menduar për ty dhe përsëri po ulem të të shkruaj. Se ç’po ndodh me mua, një Zot e di, por vetëm tani e besoj qindpërqind tragjedinë e Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”. E besoj dhe ndjej se jam bërë një Romeo i kohëve moderne që do ta çudiste çdo shkrimtar të sotmin. Sot kur qindramijra e miliona femra luten për pak Romeo dhe mezi e gjejnë dhe në ëndërr, këtu, në një vend të Selanikut, shfaqet si papritur ai dhe hë për hë ka çuditur gjithë ata që e njohin. Në fillim e shikonin jo aq me interes, se kujtonin që kështu e ka distanca, por tani po binden se ekzistoka ajo dashuri, ta themi romantike, që i bën partnerët të duhen gati marrëzisht me njeri-tjetrin.........
Duke parë një Romeo këtu, kuptohet që besojnë se ekziston dhe një Zhuljetë në Korçë. Pra nëpërmjet meje, po të njohin dhe ty. Sepse s’mund të ekzistojë një Romeo pa një Zhuljetë.
Por çfarë ndodh në realitet pas kësaj njohjeje? Cili është efekti, reagimi, ndikimi, etj?
Kemi të bëjmë në këtë rast me çifte të stazhionuar, që ndërsa në fillim mund të kenë patur shumë nga Romeo e Zhuljeta, më pas, me dashje apo pa dashje i janë larguar këtij çifti ideal.....Nuk dua të rëndoj njeri, por në përgjithësi kështu është e vërteta.
Të gjithë duan të jenë Romeo e Zhuljetë e pak, shumë pak mbeten të tillë. Dhe kur takojnë në jetë çifte që ngjasojnë, i shohin, dikush me çudi, dikush me zili, dikush me cmirë, dikush me respekt, dikush mbase dhe mund të tallet. Pra sejcili sipas gjendjes së vet dhe koncepteve për jetën, mban qëndrimin e tij.
Kush i është larguar tepër këtij çifti ideal, mundohet të ngushëllojë veten me lloj-lloj justifikimesh, kush e ka cënuar disi veten e ndjen se nuk i ngjan sa ç’do deshte t’i ngjante, mundohet të riparojë diçka në jetë. E kështu pra, reagimi është aq i larmishëm, sa po ta përmend do duhen dhjetra faqe.
E vërteta është që çdo lloj syri qoftë, sikur na lëshon ca rreze, sikur, si i thonë plakat, merr mësysh. Unë them se merr apo s’merr mësysh, ajo që po ndodh mes nesh me kaq intensitet e fuqishmëri, sikur ka nevojë për ca frenim e ngacmim, pra për ca “zënkë”.
Dhe Zoti ka ditur çka bërë, kur krahas dashurisë ka vënë dhe xhelozinë, krahas harmonisë ka vënë dhe zënkën etj, etj. Veçse ama duhet patur kujdes që raportet mos kthehen në të kundërt siç ka ndodhur në sa e sa raste. Pak kemi dëgjuar për dashuri e tradhti, për harmoni e ndarje, e deri në tragjedira?
Do vijë një ditë, e dashur Mira, që kur të rilexojmë letërkëmbimin tonë, të ndjejmë nostalgji e krenari. Në letrat e mia asnjë fjalë e shprehje s’më ka munduar, por ka dalë aq natyrshëm nga zemra, sa dora s’ka qenë aq e shpejtë ta hedhë në letër. Nuk them se shkaku i kësaj force të mistershme jam vetëm unë, pasi pa ty ajo nuk do mund të shfaqej. Eshtë një lidhje gati hyjnore, ku veprojnë dy forca vërtet të ndara fizikisht, por aq të lidhura e të ndërthurura me njera-tjetrën, sa bëhen një e vetme. Unë e ndjej se brenda qënies sime ka hyrë dhe vepron forca e shpirtit tënd e duke u shkrirë në një me timen, materializohen në këto shkrime. Jo vetëm në shkrime, sepse unë ndjej veprimin e tyre vazhdimisht, në çdo mjedis ku ndodhem. Eshtë kjo forcë dyshe e bërë një, që vepron e reagon ndaj çdo ndikimi e ngacmimi, duke e neutralizuar atë............
Nuk besoj se jam marrë me ty e dashur praktikisht më shumë se sa jam marrë këtu duke të shkruar. Sado të pretendosh se dhe ti më ke ballancuar apo tejkaluar, e vërteta është kokfortë dhe kaq e dokumentuar, sa s’ka nevojë për avokat mbrojtës. Letrat mund t’i lexosh për disa minuta, por pas tyre janë orë të tëra dedikimi mbi tavolinë. Jam ulur p.sh.në orën 9 të mëngjesit e jam ngritur ende pa përfunduar letrën në orën 1 të drekës. Jam ulur përsëri në 3 e më kanë ngritur të tjerët në ora 6. E të mendosh që njeriu ha mëngjes, drekë , darkë, pi dy herë kafe, punoja natën apo me raste dhe ditën. Po darka? Ndonëse me njerëz, përsëri një apo dy orë shkrim letre apo vjershe..........Më pas rreth 12 të natës në shtrat me pultin në dorë. S’më ze gjumi deri nga 2 e 3 e natës. ............Sytë lodhen dhe unë pasi e mbyll televizorin, përsëri merrem me ty. Në fillim jam i mbështetur në dy jastëkë. Më pas njerin e ve pranë e them, ”Kjo është për Miran”. Pra u mësova të ve dy jastëkë, si në krevat dopio, se më duket sikur aty të kam dhe ty. Derisa më mund gjumi e mjera ti se ç’heq nga unë, po dhe i mjeri unë nga ty?!.................
Unë veproj në letra si në jetë. Pra si më vjen e jo si duhet të më vijë, si e ndjej e jo si duhet ta bëj Miran të më ndjejë............
Kështu e dashura ime që po më luan mendsh, mos shko asnjë të dhjetën e sekondës dhe asnjë të qindën e fijes mendimin se Edi tënd duron pa ty. Duroj pa ty aq sa mund të durojë gjysma e trupit tim pa gjysmën tjetër të tij.
Nganjëherë them se ç’po ndodh kështu me mua? Mos jam i sëmurë nga dashuria për Miran? Mos vallë Mira s’ma pranon këtë pasion kaq të papërmbajtur dhe tallet me ndjenjat e mia? Pra, mos po e kaloj masën e dashurisë, apo dashuria është e pamasë dhe unë jam përfshirë fuqishëm në forcën e saj tërheqëse? Ti si po thua këto çaste që lexon këto mendime? Kush qëndron prej tyre? Ma shpreh e dashur sa më parë mendimin tënd se kam nevojë për të, siç kam nevojë për gjithshka tënden.
Oh, kur do bëhen realitet gjithë ato puthjet e tua që më dërgon me letër! Do rri shtrirë me orë të tëra të ndjej erën e trupit tënd dhe buzët e tua në trupin tim. Do jetë çasti më i magjishëm që do më lumturojë. Oh, sa kam nevojë për puthjet e tua të ngrohta, nga buzët e tua që s’ju ngopem dot! Oh, sa kam nevojë për ledhatimin nga gishtat e tu fantastikë! Oh, sa kam nevojë për çdo pjesë të trupit tënd, që ai e di ç’do heqë porsa ta kem pranë! Kam nevojë të shoh pambarim sytë e tu e të shlodhem në jeshillëkun e tyre, të puth buzët e tua e të dehem, të puth faqet e gushën, të gudulis veshët, të luaj me kaçurelat......................
Jorgua im! O shkrimbukuri i babit! Po ç’mu duke kaq i rritur me mendimet që shkruan, o xhan i babit? U rrit krenaria ime për ty. Të lumtë! Më shton besimin se dhe këtu do na nderosh.
Pirushi im! C’i ke ato llafka aq të ujdisura që më ngacmuan mallin e tani s’po duroj dot pa të patur pranë. Mos u tremb, të keqen babi, nga krismat e bombat se ke mamin që të mbron në shtëpi, ke babin që lutet dhe Zotin që na mbron të gjithëve. Do vijë dita që s’do dëgjosh më nga ato zhurma të frikshme, veçse nëpër filma. Pra ti po rritesh i fortë.
Për të dy ju, babi mendon, por tani kërkon ta falni dhe ju se babi tuaj gaboi me motor dhe theu këmbën. E kërkoj faljen tuaj se ashtu do shërohem me shpejt. Të treve ju kërkoj falje. Ju puth, ju puth, ju puth, fort, fort, fort Edi

* * *

Muaji maj, veç letrave të shumta, përmban dhe hedhjen në letër të vargjeve të para për Miran. Poezi modeste, pa pretendime poeti të afirmuar, që dëshiroj ti lexoni si dëshmi të asaj bote të trazuar timen, por me plot dashuri e pathos djaloshar.

Endërra ime
Vetmia është boshllëk
Që zemrën ma mundon
Ve kokën në jastëk
Por ti seç më mungon.

Dhe gjumi arratiset
Më le pagjumësi
Dhe ëndërra ime niset
Të gjejë pak lumturi.

Seç ndalet pranë teje
Aty në shtratin tonë
Ti duart zgjat drejt meje
Dhe fort më përqafon.

Kështu dua të rri
Me ty Mira e dashur
Deri në pafundësi
Pranë ke për t’më patur!!!
12.5.1997

Cast
Ec rrugës i trishtuar
Asgjë s’më bën përshtypje
As vajzat shalzbuluar
As çiftet mbuluar me puthje.

Sepse më mungon ti
O musht i dashurisë
Prej teje veç do pi
Këtë lëng të përjetësisë.
12.5.1997

Mall
Shoh detin e trazuar
Më ngjan me shpirtin tim
Kush vallë i ka munguar
Që sot nuk gjen qetësin?

Ec bregut dhe i them:
Sot jemi në një hall
Ti mall ke për ca diell
Për Miran unë kam mall.

Shoh detin e qetësuar
Me shpirtin tim s’më ngjan
Ai dallgët ka ndaluar
Unë dallgë lotët kam....
13.5.1997

Përsëri një ëndërr
Jam ulur në ballkon
Dhe kafen po e pi
Vetminë ti ma zbon
Dhe pranë meje rri.

Atëhere zemra rreh
Me forcë djalërie
Oh ç’puthje ti më jep
Me ndjenjë vajzërie.

Dhe kur rri përballë
Moj kaçurelja ime
C’magji po më bën vallë
Me sytë tënd jeshile?

A mundet të duroj
Pa puthur sytë e tu?
Ndaj buzët i afroj
Por kafen kam këtu.

C’po ndodh, ku vajte ti
O ëndërra ime e bukur?
Mos prish këtë magji
Që po na bën të lumtur.
14.5.1997

Tek paketoja poezitë e mësipërme, i shoqërova me sqarimin e mëposhtëm:
Këto vjersha lejohen për çdo moshë, ndaj mund t’ja ekspozosh kujt të duash.
Dhe dëgjo, vazhdo me modestinë tënde, që është një nga burimet e frymëzimit tim. Unë nuk ngatërroj modestinë me krenarinë dhe krenarinë me mendjemadhësinë.
Pra është e drejta jote të krenohesh, të kënaqesh me dedikimet e mia e të dëshmosh para kujtdo se sa shumë duhemi e bëjmë për njeri-tjetrin.
Vërtet paskemi 10 vjet martuar? S’e besoj! Ne porsa po zbulojmë tek njeri-tjetri se sa të dhënë e të dashuruar jemi. Po më parë se dinim? Kush tha? Ne kështu kemi nisur e vazhduar, duke dhënë e dhuruar, duke marrë e shijuar gjithmonë dashuri. Qenka dashuria e përjetshme, apo ne po e bëjmë të tillë? Nuk e di. Mos pretendojmë për autorësinë. Ne jemi autorë e protagonistë të dashurisë sone e në këtë autorësi s’i hyjmë kurkujt në pjesë. Për vete kemi të drejtë të nënshkruajmë: Mira-Edi.
15.5.1997
* * *

Sikur dëgjova të thoni, të dashur miq, që ju pëlqen të vazhdoj me paraqitjen e letrave. Me gjithë qejf po ju plotësoj dëshirën, duke e bashkuar dhe unë kuriozitetin tim me tuajin, se me thënë të drejtën, tek i lexoj harroj për një çast vetautorësinë dhe para meje shfaqet një Edmond i 1997-s, i vetëm dhe i papërsëritshëm.
* * *
24.5.1997
E shtrenjta treshja ime e zemrës, Mira, Jorgo e Piro!
Thashë të mos shkruaja pas telefonatës, por e qara e Piros s’po më hiqet nga mendja dhe po më duket vetja fajtor. Nga ana tjetër, doni ju që më kish marrë malli për atë qarje dhe sikur u çmalla ca.
Sa të qarë tërheqëse paske mor Pirush. Hiç nuk ke faj ti, se e di që më do dhe dëshiron të flasësh me mua në telefon.Por unë s’dua ta zgjas shumë se mallëngjehem dhe nuk duroj dot. Të dëgjoj zërin tuaj të ëmbël dhe mos ju shoh e prek dot? Prandaj dhe ju flas pak e kërkoj mamin, se me mamin është ca më ndryshe dhe di ç’më thotë për të më qetësuar...... Edhe unë me mamin ju kuptojmë në ëndrat e dëshirat tuaja dhe mundohemi t’ja u realizojmë. E dimë që keni botën tuaj shpirtërore, doni të luani e argëtoheni, nganjëherë edhe do shkoni kondra, se fëmijë jeni. Ne nuk ju pengojmë, por përpiqemi që me ato mundësi që kemi t’ju afrohemi kërkesave tuaja. Kudo fëmijëve ju mungon diçka dhe askush s’mund të pretendojë se ja u plotëson dëshirat, sado i kamur qoftë.
Ja, unë e shoh këtu përditë. Dikush ka lodra më shumë, por pak mundësi të luajë me to, dikush do të dalë shëtitje më shumë, por s’kanë kohë prindërit. P.sh. Fiona me Nikon. Kur janë pasdite në shkollë, në mëngjes çohen nga 9-10 bile 11 dhe sa bëjnë detyrat, hanë ca mëngjes e ikin në shkollë. Janë vetë dhe kur kthehen pasdite nga 6 e 30....Sepse mami nga muzeu shkon për hekur dhe kthehet nga 9 e10 e natës. Babi mund të ndodhet, por merret me pazar, ndonjë shëtitje të vogël e kështu fëmijët mbyllen në dhomë e shohin televizor.
E njëjta gjë dhe kur kanë shkollën paradite. Ka dhe ditë që si mami dhe babi në orën 5 e 30 janë në shtëpi. Por janë grumbulluar aq punë, sa s’kanë nge të merren me fëmijët. Vetëm 5 minuta përkëdheli dhe më shumë thirrje për qetësi, se dhe fëmijët luajnë e thërrasin. Kështu që si Niko e Fiona vetëm ndonjë të dielë mund t’i çojë babi i tyre nga nënë Lefteria dhe kaq.......
Megjithatë, unë mendoj ndryshe dhe sado i zënë të jem me punë, s’do t’ju le pa ju nxjerrë e argëtuar. Do ndihmojmë njeri-tjetrin me mamin dhe do t’i japim mundësi vetes për t’u marrë dhe me ju....
Po me Evan ç’ndodh? Eva thyen rekord në të folur dhe në iniciativë. Ajo ja gjen vetes mënyrën e argëtimit....Po e morre telefon të mban një orë me llafe....Kur është pasdite në shkollë, paradite shkon në televizion e merr pjesë në emisionin e fëmijëve.
Të dy palët kanë nevojë për më shumë kujdes prindëror.........
Unë e mbaj premtimin. Jorgos do t’ja ble patinat e do ta marr në ndonjë vend që t’i mësojë. Piros do t’i ble një makinë të madhe si pe gare që ta drejtojë me pult. Kur të dalim shëtitje nga deti, Jorgoja do ecë me patinat e Piroja do drejtojë makinën e madhe.
Unë e mami do ulemi në stol e do shohim detin.....e përsëri në shtëpi e në punë. Pra do dimë si ta ndërtojmë jetën. Me sforco, por jo aq sa të thyej përsëri këmbën.
Jam më i qetë, e dashur Mira, që Greqinë tashmë nuk e shoh me aq eufori si në fillim. Pra ndonëse nuk e ke provuar, nga letrat e mia dhe fjalët e të tjerëve, ke mundur t’i afrohesh realitetit e të kuptosh se sa probleme e pengesa ka jeta e këtushme.
Se i dija më parë këto, pa nuk shtroja kurrë shpërnguljen tonë këtej. Ti e di se ç’thoja në këtë drejtim. Por nga dy të këqija, më duket se kemi zgjedhur më të voglën, pasi aty në vendin tonë ka plasur e keqja e madhe. Kjo pra është e vërteta, sado e hidhur qoftë. I thonë shpërngulje, ku ngrihesh e le shtëpi e katandi..............
Asgjë s’ke tënden, veç krahut tënd për punë. Po flas për fillimin, ndaj mos u alarmo, se nuk e kam aty qëllimin.
Kërkon punë e mezi del. Diku të duan me dokument se kanë frikë nga kontrollet. Diku të pranojnë dhe s’të japin aq sa ç’meriton për punën që bën. Diku duan të dish gjuhën e kështu me radhë. Sot këto pengesa janë shtuar, se këtu po rikthehen dhe ata që kanë qënë më parë e kanë ikur. Ata dinë pra gjuhën dhe e kanë më lehtë. Por ka ama që dinë gjuhën e punë s’gjejnë. Shumë s’kanë ku futin koken. Dikush kapet, dikush zë ndonjë lek e kthehet në Shqipëri. Pra, mijëra shembuj. Unë them se varianti del po të jesh në kërkim...........Në favor është se kemi të afërm e të njohur që, “në mos njeri-tjetri moj, Melin moj do ma marrë”.
Për të ardhurën tënde, po i rikthehem edhe njëherë problemit. Të mos japim shkas për diskutime prapa nesh, për qarje halli prapa nesh. Nuk dua, moj Mira, që padurimi tonë t’i shqetësojë e alarmojë. Ti s’e merr me mend se sa i ka ndryshuar vendi, puna, njerëzit. I ka lodhur fizikisht dhe ju ka dobësuar nervat. Më shumë kjo ka ndodhur me Mondan që punon tej mase.
Asnjë femër apo dhe mashkull qoftë, nuk punon me atë intensitet e orar sa Monda. Robote e vërtetë. S’them e përditshme, por ka ditë që ikën në 8 e30 në mëngjes e vjen në 9 e 30 apo 10 të natës.
Një ditë vajti paradite në një shtëpi. Punoi deri nga 1-shi. Në muze i thanë të shkonte në ora 4 pasdite. U kthye në shtëpi, u vërtit një orë e iku në muze. E po, thashë, në ora 9 do vijë. Që aty i telefonon njëra e i lutet për hekurosje. Pra i shkon dhe vjen në shtëpi në ora 11e natës. Cfarë të presësh në shtëpi në këtë orë nga gruaja? Kur s’është e s’bën dot për burrin dhe fëmijët e vet, ç’mund të pretendoj unë? Shtrihet, ja ve Koços këmbët në prehër dhe ai ja fërkon. Bien gjumë nga 12 e natës ku dhe sheh televizor ndonjë orë e nesër përsëri avazi. ”Kështu do vazhdoj-thotë-deri në fund të vitit, se atëhere them se do realizoj planin. Pastaj do lehtësohem”. Ashtu qoftë, se nuk e shoh dot të ikur gjithë ditën.
Prandaj dhe në ndonjë debat, nuk ve re tonin e fjalët e thëna, por e mbyll sa më parë. Nuk dua të jem shkaktar i asnjë shqetësimi, por rri aq sus sa ti më kupton se sa ngushtë e ndjej veten, se dhe unë kam nevojë të veproj lirshëm.
Në këto rrethana, ti se beson, por unë kam thirrur me zë emrin tend, aq të kërkoj të të kem. Dhe në çast ndjej lehtësi, krenari e kënaqësi që të kam ty e dashur, ndonëse larg, por e di se ç’grua kam. Sado të ndikojë Greqia e puna këtu, unë s’do lejoj kurrë që të të acaroj nervat e të mbilodhesh, aq sa mos jesh në gjendje për asgjë. Sejcili le të rrojë me planet e veta, ne do kemi planin tonë, apo jo? Megjithatë, na takon të kuptojmë thelbin e shpirtit e jo aparancën e prandaj dua të besoj se thelbi është pozitiv e dashamirës.......Do kalojë ajo lloj egoje e do kuptohet se kështu e ka jeta. Boll me qarje e ankesa, jo s’i takon Edit kjo punë, jo ti je si zonjë e s’duhet të lash banjot e grekëve etj, etj. Pse se di unë ç’më takon mua e ty e dashur? Por ja që dikush në vendin tonë na i preu rrugën e jetës e ne duhet ta vazhdojmë atë në formë tjetër. Sepse s’është faji tonë, pra mos i shfryjmë vetes, por të përpiqemi të mbijetojmë. Pse se di une ç’ëndra na u vranë ne e mijra familjeve shqiptare?! Pra s’jemi vetëm. Pse se di unë që s’ka si shtëpia jonë, shtrati tonë, dhoma jonë, kuzhina jonë e banja tonë?..................
Vetëm fakti se përsëri këtu i shpëtojme asaj jete pa kuptim e të shpuar nga plumbat, më jep forcë e besim dhe i jap vetes kurajo....Unë mezi pres ditën kur të jemi vetë në shtëpinë tonë e me të ardhurat tona. Kushedi sa i lumtur do jem atë ditë, se merr dot me mend ç’mund të bëj nga gëzimi. Ti ke për t’i hequr kusuret e atij gëzimi. Të puth ty e djemkat. Edi

25.5.1997
Mira, Jorgo, Piro=jeta ime!
Ekuacion apo barazim që s’ka nevojë për vërtetim.
Një e vërtetë absolute dhe e përjetshme, pa të cilën s’do kish kuptim jeta ime.
Familja=domosdoshmëri e ekzistencës sime.
Prova? 10 vjet martesë, 10 vjet dashuri e harmoni ideale, 10 vjet lumturi e gëzim familjar, 10 vjet shpërthim e lulëzim ndjenjash në rritje, 10 vjet gjithshka e ëndërruar dhe e bërë realitet në dashuri me gruan dhe fëmijët.
Letrat e mia? Vazhdim letraresk e artistik në distancë i vetë mendimeve, fjalëve, veprimeve të mia, në jetën familjare. Vazhdim logjik i vetë logjikës sime gjatë 10 vjetëve martesë. Më mirë se kushdo, këtë të vërtetë e di ti e dashura ime Mira.
Ndërsa për ndonjë grua tjetër prezenca e burrit në shtëpi qenka dimër i dytë, për ty ka qënë dhe është pranverë e parë. Pak të thosha se do dal e ti ngryseshe e pak të vonohesha ti merakoseshe e më prisje me padurim. Dhe kur rrinim bashkë, se sa e dëshiroje këtë realitet, e dëshmoje me sjelljen tënde të çiltër. Të këndonte çdo pjesë e trupit. Pra e bëje të këndshme mjedisin, që unë jo vetëm mos mërzitesha, por edhe të kënaqesha. Ti ecje dhe unë kundroja trupin tënd nga koka në këmbët e ngacmohesha për ta prekur. Ti gatuaje dhe në pozicionin që merrje ngacmoje fantazinë time erotike. Sa herë lëvizje nga dhoma në kuzhinë dhe unë të ndiqja pas si ndonjë djalë i porsadashuruar, që pret rastin e propozimit.
Dhe këto nuk ndodhnin rrallë e për mall, por gati çdo ditë. E çdo ditë nuk e veniste, përkundrazi e shtonte kënaqësinë. Dimri i dytë ne na ndodhte kur dikush largohej prej nesh. Bile dhe atëhere ky lloj dimri zbutej me fantazinë e sejcilit. Pra s’mund ta konceptoj dot, se si prezenca e burrit në shtëpi, të quhet nga ndonjë grua si dimër i dytë. Diçka çalon në dashurinë e atij çifti, që në vend të pranverës ve dimrin në mes ...........
Sepse ajo femër, gradualisht konceptin e saj për dashurinë, do ta ndajë në ngastra. Do duket se vlerëson burrin, duke e ngritur me fjalët e saj dhe të të tjerave në qiell e kjo është NGASTRA E PARE e moralit, e një lloj mburrjeje apo krenarie.
Kush e dëgjon, kujton se ka të bëjë me një çift ideal.
Më pas, fillon ndonjë vërejtje si me të qeshur, si duke thënë, ”më fal që po ta them por”, e kështu numurohen disa të meta të burrit......Ja si del NGASTRA E DYTE , që gradualisht fillon t’ja kalojë të parës. Për mua, kjo është shprehje e pakënaqësisë së gruas ndaj burrit. Më pas, fillojnë hedhje-pritjet, herë me shaka e herë seriozisht, të ngacmimeve në fushën e ndjenjave, në fushën e seksit. Këtu ka aq takt e diplomaci të femrës, sa burri i gjorë (jo çdo burrë ama) fillon të gjykojë vetveten. P.sh., ka shoqe, thjesht shoqe, që ju flet e ajo ja përmend, e thumbon për to. Burri që nga natyra dikë mund ta ketë simpatizuar, i duket sikur e ka tepruar e ka bërë mëkat ndaj gruas kaq besnike e të ashpër në këtë drejtim. NGASTRA E TRETE ja tek po formohet si pa u ndjerë. Aty duket sikur femra ka supremaci dhe autoritet absolut ndaj burrit. E sulmon mbarë e prapë në moral, herë me shaka e herë seriozisht dhe në atë ngastër krijon terrenin për t’u hedhur në ngastrën tjetër të sajën. Por më parë duhet krijuar ky terren, kjo lloj ure sigurie. Fillojnë thumbat, tolerimet ndaj burrit, kushtet e premtimet, ca shakara të ekzagjeruara për matje pulsi e kur sheh se burri i ha e gëlltit kollaj, hidhet më tej, në kërkesa të ashtuquajtura reciproke, por ama të fshehta ndaj njeri-tjetrit. Pse them reciproke? Kjo femër e përdor reciprocitetin sa për sy e faqe ndaj burrit, duke i thënë se e lejon të shkojë me kë të dojë e të bëjë çfarë të dojë, por ama pa e ditur ajo se me kë. Këtu qëndron dhe fshehtësia. Për këtë i jep leje si me shaka e më pas i betohet seriozisht. Pra në thelb, ndonëse mund të jetë xheloze, ajo e lejon burrin të shkojë me të tjera. Ja këmba e parë e urrës për t’u hedhur në ngastrën e saj. Më pas, me lezet, pasi ja vesh burrit të paqënën apo mbase të qënën......fillon të kërkojë reciprocitetin, pra që dhe burri ta lejojë atë të bëjë ç’të dojë e me kë të dojë. Moralizon pak, duke thënë për lidhje të përkohshme e jo për dashuri të vërtetë. Pra thjesht lidhje seksi. Në fakt, unë mendoj se me këtë lloj diplomacie, kjo femër nuk kërkon thjesht një shkarkim seksi, por lidhje më të ngushtë, pasi vetë ngastrat aty të çojnë.
Duke i kërkuar burrit këtë liçencë, ajo ka kapërcyer ndrojtjen, sepse më parë e ka budallallepsur atë me sulme e tolerime, me lejime e përkëdhelje. Burri mbase ndodhet disi i hutuar, por i duket vetja ca mëkatar. Gjithashtu, i jepet dhe leja për aventurë. Këto mishmashe e hutojnë dhe ndodhet si i papërgatitur para gruas. Cfarë të bëjë? Në vend që ta shkundë gruan e veten, e shikon si i çuditur. Forca e saj logjike si jep mundësi t’i kundërpërgjigjet si duhet. Dashuria e xhelozia e bëjne disi të matur dhe nuk i jep lejen me firmë e vulë, por ja le ta nënkuptojë dhënien e saj. Por gruaja është lavrake, se ha atë teke. Ajo, ose është lidhur më parë me dikë dhe tani sa do që ta ligjërojë këtë veprim qoftë dhe me një aprovim koke, ose është duke u lidhur dhe do ta justifikojë po me aprovim koke, ose ëndërron të lidhet e përsëri do firmë e vulë për të qënë më e qetë në lidhjen e saj. Me shkrim a me goje, kjo femër porsa hyri në NGASTREN E SAJ. Me gjysmëaprovimi apo më shumë, ajo qetëson disi ndërgjegjen e saj. Shpirtin e saj e gryen ana moralizuese dhe ajo mundohet të verë në anën tjetër peshën e ngastrave të porsangritura. Dhe ju rëndon atyre aq sa të qetësoje veprimet e saj. Kështu jeta vazhdon me të njëjtin avaz të ndarjes së ngastrave.
Burri kujton se gruaja do veprojë, por ama pas tij dhe kjo sikur e qetëson. Dhe po nuk e pa vetë gruan me tjetrin hipur, s’ka për ta marrë vesh kurrë tradhtinë e saj, sikur të gjithë t’ja thonë. Për të, ajo është gruaja që e do, e ngre lart (ngastra e parë), pavarësisht se ai paska ca të meta, ajo ja pranon dhe mundohet t’ja verë në dukje (ngastra e dytë) dhe se ai mund të rrëshqasë pasi dikë ka parë e simpatizuar nga shoqet e se e shoqja vërtet e do, por e lejon të bëjë me tjetër, vetëm ajo mos e marrë vesh, se pastaj do t’ja shpërblejë me të njëjtën monedhë (ngastra e tretë).
Pra janë tre ngastra në favor të tij, në dukje, që e bëjnë të mirëbesojë dhe vetëm po devijoi ai do shpërblehet me të njëjtën monedhë. Pra, dhe në ja ka dhënë lejën gruas si me të qeshur, beson tek monedha e jo tek leja e dhënë. Pra gruaja tani vepron në ngastrën e saj si të dojë dhe burri s’mund të hyjë atje, se boll i ka dhënë atij tre ngastra.
Kjo është për mua filozofia e kësaj femre............
.........por kjo analizë, e dashur Mira, më shërben mua dhe ty për të mundur njohjen më mirë të realiteteve e të njerëzve dhe për të mos lejuar që ne të përdoremi si fasadë e bukur për këdo që e ka ndarë jetën e vet në ngastra........
Rilexo hyrjen e kësaj letre, domethënien e saj. Mbase vazhdimi i devijoi ca hyrjes, por dije se në fund të fundit asaj i shërben.
Nuk dua të dal e të shfaqem as egoist, as hipokrit, as xheloz i tepruar. Për mua familja është gjëja më e shenjtë e shoqërisë njerëzore. Ajo që e rruan dhe e forcon këtë shenjtëri, është vetë çifti bashkëshortor duke e ngritur lart e lezetuar me fëmijët, të ardhmen e tij. Ky çift, lidhet në një dashuri të shenjtë dhe as vdekja nuk mund ta ndajë e ndalojë, sepse ajo mishërohet tek fryti i kësaj dashurie, fëmijët.
Dashuria e çiftit përmban forcën e ndjenjave dhe kur femra ka gjetur tek mashkulli realizimin e ëndrës së saj dhe anasjelltas, këto ndjenja nuk veniten kurrë. Ato kurdoherë shpërthejnë dhe realizohen me larmishmëri të tillë që e lumturojnë çiftin. Pikërisht këtu s’ka moral e rregulla. Morali i çiftit fillon aty ku mbaron ky lloj amoraliteti. Duke qënë të njeri-tjetrit e për njeri-tjetrin, si femra e mashkulli e ndjejnë veten njëkohësisht dhe pronar dhe pronë. Ky reciprocitet u jep të drejta e detyra po reciproke, që në fushën e seksit kanë larmishmëri të pafund veprimesh kënaqësie. E në këtë larmishmëri, fantazia e partnerëve mund t’i çojë në udhëtime variantesh aq ekzotike, sa t’i stërkënaqë e t’i bëjë të shpërthejnë në orgazma të paprovuara më parë. Sepse i tillë është seksi me enigmat e variacionet e tij të pafundshme. Ai të largon nga realiteti e të fut në hapësirën e ndjesive e të epsheve që të mahnisin me fuqishmërinë e tyre. Kur gjithshka mbaron dhe ekstaza s’vazhdon dot atë çast, kthehesh në jetën reale me të mirat e të metat e saj, me rregullat morale të shkruara e të pashkruara...............
Pra, mirë është të fantazosh e të kënaqesh me gjithshka në këtë fantazi erotike, përderisa arrin dhe të të kënaqë, ashtu sikurse në realitet është mirë të dish të veprosh me të e të vendosësh raportet e duhura në marrëdhëniet me njerëzit. Ky është dhe kuptimi i vërtetë i morales, amorales, i ndjenjës dhe logjikës, i vetë familjes, çiftit dhe i raporteve shoqërore apo miqësore mes njerëzve. Po u kuptua kjo, ke triumfuar mbi çdo ego, hipokrizi apo xhelozi të sëmurë, veçse po u kuptua nga femra e mashkulli.
(Vazhdon letra në dt26.5.1997) Në fakt jo të gjithë arrijnë ta kuptojnë e aq më tepër të përballojnë inercinë e instikteve.......Dhe në çast përsëri ju duket se bota është e tyrja dhe asgjë e keqe s’ka ndodhur. Por posa kalon vala e instiktit, e epshit dhe kënaqësisë, ndodh vetgjykimi i veprimit të bërë. Ndeshja me realitetin tani është e mundimshme dhe gati e papërballueshme. Sepse ke rënë, si me thënë, brenda dhe e ke zor të dalësh. Mëkati të qëndron si shpata e Demokleut mbi kokë dhe shlyerja e tij nuk bëhet thjesht me rrëfim në prifti. Cfarë ndodh me këta persona......Rruga që ndjekin është e ndryshme. Ka persona që vazhdojnë më tej rrugën e nisur duke thelluar mëkatin. Ata nuk gjykojnë më, nuk mund të justifikohen më, por merren vetëm me ngushëllimin e vetes. Konceptet ndryshojnë për moralin dhe e pamoralshmja hyn gradualisht në moralin e tyre. Pasojat dihen. Tradhëti bashkëshortore që mund e çon në shkatërrim të familjes.
Ka të tjerë që arrijnë t’i thonë vetes, ”Ndalu beg se ka hendek!”, dhe përballojnë me forcë ngacmimin seksual........
Pra, shiko e dashur, sa delikate janë labirinthet e seksit dhe vetëm kush di dhe mundohet t’i njohë ato në unitet, fiton mbi çdo lloj inercie e tundimi në jetë. Konkluzionet apo shprehjet që paraqes në fillim të letrës, janë për vetë ne, për familjen tonë. Sepse deri më sot ne kemi mundur me sukses t’i japim kuptimin e duhur jetës dhe familjes. Kemi ditur t’i japim kuptimin dhe forcën e duhur dashurisë.
Pra ne, jo vetëm s’kemi qënë mangut në fushën e dashurisë, por kemi ditur të shijojmë gjithshka të arsenalit të saj të pashtershëm e njëkohësisht kemi ditur t’i japim vendin e duhur fantazisë e realitetit, pa i ngatërruar e bastarduar ato.Kjo është forcë e jo dobësi, është përmbajtjte e jo shfrenim, është triumf e jo disfatë.............
...........Kështu, e dashur Mira, pasi udhëtova në disa fusha të jetës, duke u bazuar në logjikën time, por edhe në disa shembuj realë, mendoj se diçka kam arritur të paraqes për diskutim. Nuk pretendoj në të vërteta absolute në çdo analizën time, por dije se gjithshka e kam bazuar në një analizë sa më reale. Nuk them se në këtë analizë jam thjesht në pozicionin e vëzhguesit, që vetë është i pagabueshëm dhe i paprekshëm. Përkundrazi. Edhe unë ngacmohem nga ndjenja e instikte të fuqishme që më futin në një botë tjetër kënaqësie. Edhe unë fantazoj aq sa di ta lezetoj seksin, bile fantazia ime ka përmasa aq të pamata, sa s’pyet për moshë e rregulla morale. Edhe une si qënie njerëzore, ndjej se mund të ngacmohem në jetë nga seksi, mund të ndodhem në një ndeshje të brendshme ndjenjash e mendimesh, sikurse ndjej se jam në gjendje të përballoj tundimin, duke përdorur të tjera rrugë e variacione që nuk cënojnë moralin tim e të familjes.
Edhe unë, ashtu sikurse di të dashuroj me forcën e shpirtit të dashurën time, di të kuptoj e ndjej botën e femrës, pasionet e fantazitë e saj, e pra dhe të zhelozoj në një farë mase.Masa e xhelozisë shkon në proporcion të zhdrejtë me forcën e dashurisë e besnikërisë bashkëshortore. Xhelozia ngacmohet se vetë bëhemi shkaktarë në jetë, me apo pa dashje. Ti më do pa masë, më konsideron në kuptimin e mirë të fjalës, pronën tënde dhe sikur një afrim i dikujt tjetër të ndodhë pranë kësaj prone, të duket se tapia tënde cënohet, po coptohet, lere pastaj që ky dikush të afrohet aq sa të kontaktojë e bisedojë me të. Eshtë në natyrën e njeriut kjo lloj xhelozie, që pëson ulje e ngritje sipas rrethanave.
Me thënë të drejtën, xhelozia tënde, e dashur Mira, me pak përjashtime që i di vetë, nuk i ka kaluar përmasat e norma- les. Ajo i ka shërbyer me sukses dashurisë sonë dhe për mua ka qënë një lloj frenoje e domosdoshme në jetë. Kjo freno, as më është imponuar, as është krijuar artificialisht. Pra nuk ka qënë nga një xhelozi e sëmurë, por nga një xhelozi e dashurisë së fuqishme e prandaj unë e kam preferuar dhe përdorur me sukses në jetë. Ndaj dhe inercia ime në fushën e ndjenjave nuk ka qënë, si i thonë, rënie brenda, por një udhëtim periferik. Pra, vërtet mund të kem simpatizuar, por dije se kjo simpati veç fushës së llogjeve nuk përmban asnjë lloj avancimi tjetër. Në këtë përmbajtje, ka qënë dhe është si logjika ime, ashtu dhe dashuria që kam për ty e që ti ke për mua. Kuptohet dhe frenoja tjetër e mësipërme ka bërë punën e vet. Por, e fuqishme ka qënë e vërteta se mua më do me gjithë zemër një Mirë 100% e pastër në trup e shpirt. Për sa kohë të vazhdojë kjo pastërti ideale, ti ke për të qënë perëndia ime. Dhe koha e dëshmoi deri më sot këtë pastërti..........
...nuk po vazhdoj më me analiza morale, se s’kam ndërmend të mbroj ndonjë titull. Vetëm se kisha dëshirë që ta vija ca në punë trurin edhe në tema të tilla, prandaj ti mos u mërzit me mua, e dashur. Ja që unë i tillë jam gatuar, kam qejf të merrem me ca studime etike dhe në fushën e dashurisë. Ti lexoji se s’ke ç’bën (të zuri) dhe ç’të të pëlqejë mbaji, të tjerat i di vetë ç’ti bësh. Ja që rre në një burrë që i pëlqen analiza e shoqërisë, e miqësisë, e dashurisë, etj, etj.......S’di sa ja kam arritur, se nuk të shoh si reagon, por gjithë mundi im ka qënë që të më ndjesh pranë sa më shumë............
Pas shumë ndodhive të këtushme, ti se merr me mend se në ç’lartësi të shikoj e të vendos unë. Ke për t’u bindur në s’je bindur deri më sot. Më parë, mund të të jap cazë të drejtë kur thoshe se mjafton t’i afrohesha dashurisë tënde dhe ishe e lumtur. Por tani s’qëndron ky pretendim. Tani jam unë që ta them të më afrohesh, sepse e shoh dhe e ndjej që të dua më shumë se jetën time. S’është fjalë dashnori, por burri. Këtë e dinë të gjithë dhe ato femra që na njohin e që mund të kenë marrë ndonjë kompliment nga unë. Vërtet mund të kenë marrë kompliment, por ama kurrë s’e kanë ndjerë veten jo barabar, por as në periferi me ty, sepse kanë parë e dëgjuar se në ç’piedestal të kam vënë. Këngën, ”E para moj është nëna,e dyta moj më je ti”, unë në rastin konkret e them, ”E para është Mira, e dyta moj s’di sa poshtë më je”.......
Pa dale, ti Pirush më dashke më shumë se ç’të dua unë? Po unë qenkam babka më i lumtur i botës. Ti më mbushe syçkat me lot, o shpirt i babit, me llafkat e ëmbla që thua. Sa s’desha të merresha me ty si me mamin, se e di që do vuaj akoma më shumë, por nuk t’u shmanga dot. Më munde ,djalka im, se je i shkathët e i zgjuar. Në fund të fundit, unë këtë dua, të hipësh mbi shpatullat e mia e të shohësh më larg. Ta dish ti sa ëndra e shpresa i janë prerë në mes babit, jo për faj të tij, por të sistemit. Megjithatë unë nuk tërhiqem, sado vështirësi të ndesh në jetë. Po të isha i vetëm mund të pëlcisja nga zhgënjimet, por ja ku ju kam ju të treve dhe jo vetëm nuk pëlcas, por ndjej lumturi. Sepse kam gruan më të mirë në botë dhe ç’është ai që s’do ta deshte një grua të tillë. Pra e kam grua e shoqe jete, kurdoherë në krah, në halle e gëzime. Mos ja thuaj këtë se i rritet mendja pastaj mamit. Ju kam ju djemkat që po hidhni shtat çdo ditë e po bëheni të bukur, të zgjuar e të fortë. Me dy trima si ju, unë jam mëse i sigurt dhe s’kam fare frikë. Ju, jo vetëm do vazhdoni rrugën time, por kushedi sa lart do ngjiteni. Në atë lartësi, dijeni që jam dhe unë, babka juaj, se jam në gjakun tuaj, në zemrën e mendjen tuaj. Vetëm atëhere s’kam për të ndjerë kurfarë pishmanllëku në jetë. Se arrita dot unë një qëllim, do ta arrini ju qindfish.... Kur mami më tha se Piroja po rri në koridor, u mundova të të përfytyroj dhe ndaj i thashë se dua ta mbyll me ty telefonatën.
Lum si mami që të ka pranë e fle me ty, lum si ti që ke pranë mamin dhe fle me të! Përfytyroj se si mami të thërret: ”O Edi”! dhe mallëngjehem. Se ti dhe Jorgoja jeni tani jo vetëm fëmijë, por edhe në vend të babit, ndaj si babi që e ndihmonte mamin, ta ndihmoni dhe ju. Me kompjuter të luash sa herë të duash, veçse me orar se të lodhen syçkat. Edhe jashtë kur del, qëndro aty pranë që mos e mundosh e shqetësosh mamin. Kur mami të thërret, menjëherë të ngjitesh. Jam i qetë, se jeni djemka të dëgjueshëm e të bindur. Ti Jorgo mundoju që shkollën ta mbarosh sa më mirë, të na nderosh. Lexo sa më shumë e merru më pak me lojra. Dëgjoje babin, se për të mirë të flet........
Mira ime.Tani ti kupton çdo gjë për ardhjen. S’di si ta tha Monda, por dhe me sa të kam shpjeguar unë, je e qartësuar. Nuk duhet luajtur me nervat e të afërmve. Ti lemë ngacmimet e të tjerëve në këtë drejtim. Të pranojmë ç’na jepet e për të të dimë të jemi mirënjohës, mos krahasojmë me të tjerët apo me aq sa mendojmë ne, se asgjë s’do nxjerrim në dritë, përkundrazi, do prishim gjithshka. Këtë nuk e kërkoj thjesht për interesin tonë, se në një formë a tjetër njeriu e gjen një zgjidhje, por në interes të harmonisë motër-vëlla e vëlla-vëlla.
....Mira, moj muza ime e frymëzimit, që më ke ngulur në letër e s’po më jep ca pushim. Meqenëse ka ditë dhe nesër, si thua, ta mbyll për sot me kaq se po çuditim Dhorin me trashësinë e letrës. Lere pastaj ambalazhin e bunkerizuar. Po e mbyll pra, treshja ime e dashur, duke hyrë në mes tuaj e puthur pa mbarim. Juaji Edi

28.5.1997
..............Në këto çaste pyes veten: C’janë letrat që shkruan, për ty o Edi?
Përgjigjet më vinë aq të shumta, sa duhet kompjuter t’i kapë të gjitha. Unë po përmend disa, i bindur se kam lënë shumë pa i përmendur.
Letrat e mia për mua?
-Dashuria ime e shkuar, e sotme dhe e ardhme, e shprehur me pasionin e shpirtit dhe shpirtin e pasionit!
-Dialog në distancë me gruan e djemkat, monolog me veten time, gjykim, analizë, hipotezë, vetgjykim, kritikë e autokritikë, konkluzion e propozim!
-Shprehje e një frymëzimi poetik, ku janë pasqyruar artistikisht ndjenjat, pasionet, ëndrat e fantazitë e mia!
-Autobiografi e vogël e jetës sime!
-Ura lidhëse me gruan e djemkat, që ka kompesuar sadopak largësinë me familjen!
-Kanali i vetëm televiziv që unë hap çdo ditë e kam qejf të rri pambarim!
-Orë e ditë nga më të rëndësishmet e jetës sime!
-Edi i vërtetë me thelbin e shpirtit të tij, me të mirat e të metat, virtutet e veset që mbart1
-Frymëmarrja ime, ushqimi im, drita e uji, gjumi e zgjimi!
Me një fjalë, letrat e mia për mua janë: EDI, MIRA, JORGO e PIRO!.................


30.5.1997
...........Letrën po e shkruaj nga Vangjushi ku kam ardhur qysh dje. Morra vesh që ka ardhur Beni nga Korça dhe mendoj t’ju dërgoj me të si letrat dhe 20 mijë dhrahmitë. Janë rroga e fundit e punës në fabrikë, që ma solli dje Djoni dhe ndjej kënaqësi që do përdoret prej jush për jetesë, qoftë dhe për dy javë. Sepse më duket sikur po dal vetë pazarit dhe po ble ushqime për ju. Me këtë rast, ndonëse është shumë modeste, ti Mira plotësoju ndonjë dëshirë djemkave në emrin tim. Po ashtu bli dhe diçka të dëshirueshme për veten tënde, duke e konsideruar dhuratë nga unë. Sido që të ecin punët, pavarësisht nga qëllimi që i kemi vënë vetes, unë do t’ju dërgoj lek, për sa kohë të jetoni në atë mjedis të skamur. Sepse nuk dua dhe s’mund të shkoj në mendje, që gruaja dhe djemkat e mi të ushqehen si me tallon. Këtej nuk arrijnë të kuptojnë, ose s’duan të kuptojnë se çfarë ndodh në Shqipëri. Luftën e krahasojnë me beteja e përleshje dhe nuk shohin se aty po ndodh një luftë më e tmerrshme dhe e frikshme.
Tashmë unë s’kam më fuqi sqaruese e bindëse ndaj disa të afërmve, se e shoh që dëgjojnë veresie.....Megjithatë ndjej mundim të brendshëm shpirtëror, që s’ka për të më kaluar, deri ditën kur të jem me familjen time. Deri atëhere i them vetes, bëj durim, durim e vetëm durim. Të njëjtën gjë kam kërkuar nga ju në gjithë letrat....
Reagimi i Palos dhe Donikas nuk është i papritur për mua. Ata janë miq për kokë që s’kanë nevojë për lulka dhe elozhe. Për miqësinë tonë flet vetë jeta jonë, e pra s’ka nevojë për asnjë lloj komenti. Kalimi i viteve, shoh se sa po e lartëson këtë miqësi të papërsëritshme. Në shpirtin tim ajo ka shkaktuar kurdoherë ngrohtësi e kënaqësi, respekt e admirim. Prandaj dhe jo vetëm s’është kollaj, por është e pamundur, që në këtë shpirt të kompletuar me miq për kokë, të mund të hyjë dikush tjeter, sado ideal t’i duket kujtdo. Sepse hyrja në shpirt është një rrugë sa e gjatë aq e vështirë dhe për mua e miqtë e mi kjo rrugë tashmë ka kaluar dhe them se e ka kryer misionin e saj. Nuk mund të ngatërroj këtë rrugë, me lloje të tjera ndjenjash e simpatish, që mund të lindin mes njerëzve. E keqja është se porsa lindin ato, kujtohet se lindi dhe miqësia. Kush mendon kështu gabon dhe unë them se çdo gjë mund ta ketë emrin, por jo miqësi. Miqësia e miqtë e mi kanë emra konkretë, të shkruar qysh në regjistrat e shkollës fillore.....
Jorgua im! Të kam shkruar e përsëri po të shkruaj. Piron e dëgjoj më shumë në telefon, ndaj herë tjetër dua zërin tënd....Tani që ti ke nevojë për mua, unë të mungoj. Unë, babaka tënd, që krahun e bëra jastëk për ty e s’lija ditë pa të nxjerrë shëtitje, unë që të merrja me karocë e më pas me biçikletë, e sa herë për dore kur ecje vetë më shumë. Dhe bashkë jemi ulur e në klub, të kujtohet besoj. C’ke kërkuar e babi tënd s’ta ka plotësuar me maksimumin e mundësive. Lodra po, kompjuter dheç’të ka dashur zemra. Të morra në Greqi dhe u kënaqe, apo jo? Në mësime, e them se mami të ka qëndruar më pranë, por edhe unë të kam ndihmuar ama, mbase pak me ashpërsi, por për të mirën tënde e kam bërë.....Mira, Jorgo e Piro. E shikoni këtë zemër të kuqe? Aty ju kam të treve ju dhe vetëm për ju ajo do rrahë pambarim. Të filloj me radhë puthjen e perqafimin? Pra, afroju ti Mira, tani ti Jorgo, ja tani dhe ti Piro. Bëjmë një puthje të gjithë? Mami në buzë e ju të dy në faqe. U kënaqa shumë!

4.6.1997
....Jo, ajo që lexova dhe preka me dorë e buzë nuk është letër. Ajo je ti Mira ime, me trupin dhe shpirtin tënd kristal. Ajo është aroma e trupit tënd, që duket se më ka dehur qysh mbrëmë kur e shijova. Ti thua që nuk shprehesh dot si mua, por unë shoh se të flet çdo pjesë e qënies tënde, aq sa letra morri formën e femrës më të dashur e të adhuruar prej meje, që ka emrin e mirësisë, MIRA.
Ndaj më dukej se nuk lexoja, por ndjeja puhinë e frymëmarrjes tënde, ledhatimin e duarve të tua, puthjen e buzëve të tua. Ndaj më dukej se shikoja aq afër kaçurelat, sytë jeshilë, buzët, gushën, gjithë bardhësinë joshëse të trupit tënd.
Dhe ashtu i lumturuar nga prania tënde, vazhdova t’i rezistoj gjumit deri në tre të natës. Më pas dhe me mua ndodh si me ty. Nuk mund të të shoh në ëndër që të kënaqem dhe aty. Pse ndodh kjo? Sepse ne merremi gjithë ditën e natën (kur jemi zgjuar) me njeri-tjetrin dhe duhet një farë pushimi për të patur përsëri pranë njeri-tjetrin të nesërmen.
Ah, moj Mira ime, e kush e thotë me gjithë mend se pak mendoke për mua? Po ja që kam qejf sikur të përkëdhelem ca dhe në këtë moshë. Duke mos të patur pranë, sikur dua të dëgjoj më shumë zjarrllëk prej dashnoreje. Po nuk erdhi prej teje ky zjarrllëk, dije se sado të ngrihet këtu temperatura e verës, unë ftohtë do ndjej. Pak u shprehe në telefon dhe më stërkënaqe. Mënyra e të thënit aq origjinale, dilte tamam prej shpirtit tënd dhe unë vetëm kësaj mënyre i besoj dhe i kënaqem. Kështu dhe mënyra po origjinale e të shkruarit, që e shndërroi para syve të mi çdo gërmë në materializim trupor, tregon se ç’shpirt kristal që ke......E thua pastaj se të mungon talenti. Me këtë lloj të shprehuri që të buron nga zemra, kam të drejtë të krenohem me talentin e zogut tim. Ja, unë, ashtu e ndjej si ty xhelozinë, por i bie gjatë e gjatë analizës, sa nisem për në Korçë dhe rrezik të përfundoj në Tiranë. Prandaj lere me kaq, se ke arritur kulminacionin e të shprehurit. Beso që nuk e teproj aspak. Këtë lloj xhelozie do ta pranoj përjetësisht. Unë ngre duart lart, pra dorëzohem pa kushte, para sinqeritetit tënd hyjnor. E pranoj që më ke mundur dhe në këtë drejtim. Në këtë botë me shumë njollosje, pastërtia e trupit dhe shpirtit është me të vërtetë qiellore dhe lum ajo që e ka, e lum ai që e prek i vetëm atë. Këtë fat të madh, që e them me bindje se e kam, ma dhe ti Mirushja ime dhe unë s’kam kurrfarë të drejtë ta ngacmoj, qoftë dhe për shaka.
Më takon mua të “lahem e shplahem” mirë, pa ta prek e shijoj këtë pastërti trupore e shpirtërore, që ti e dashur ma jep me aq zemër e pasion.
Të kujtohet, besoj, ajo prekja e parë e buzëve tona në atë rrugicë me mjegull? Për herë të parë në jetën tënde ti lejoje që unë t’i prekja ato buzë hyjnore. Por unë dhe pa i prekur ato, pa të njohur vënçe, si i thonë fjalës, ndjeja një zë të brendshëm që më thoshte se isha me fat, se kisha zgjedhur më të pastrën pastërti femërore.......Dhe kaluan vite qysh nga ajo ditë, por unë ta dish se gjithmonë ndjej kënaqësinë e herës së parë e kështu kam për të ndjerë me ty gjithë jetën. Pastërtia e sinqeritetit tënd duket se vazhdimisht të ripërtërijnë dhe të shfaqin para meje kurdoherë joshëse e të dëshiruar, si ato çaste në atë rrugicë. Jo, nuk mund t’i harroj ato buzë, me atë pak ftohtësi e nxehtësi bashkë, që papritur u prekën nga buzët e mia. Ke të drejte kur flet për natën e parë të martesës, këtu në Selanik. Unë do thosha për çastin e parë të takimit, për puthjen e parë këtu në Selanik. Ndjej se do rikthehen ato emocione të atij çasti të lumtur. Dhe dije se do jenë qindfish më të fuqishme, e dashur Mira. Se mos s’i kemi patur të tilla për 12 vjet me rradhë?!.........Pra janë 12 vjet, ku ne asnjë të dhjetën e sekondës nuk e kemi banalizuar dashurinë tonë. E kemi ndjerë njeri-tjetrin për çdo sekondë dhe asnjëherë s’kemi ulur njeri-tjetrin, jo në sy të botës, por as në dualitetin tonë.... Mirushja ime! Kur më flet për situatën, zemra shton rrahjet e merakut. Ti për mua je grua heroinë, që bashkë me djemkat po përballon çdo orë e minutë tmerret e asaj situate.......
* * *

Në vend të pjesëve të një letre, si për variacion leximi, po paraqes dy poezi qershoriane, që mund t’i quani edhe prolog, edhe epilog, por edhe refren të letrave të mia.
“Mëkati “ im
Dhe sa kohë do kalojë
Pa i puthur sytë e tu?
Vallë Zoti kur do dojë
Që të jemi bashkë këtu?

Kur do vijë ai çast
Të të prek me buzë e dorë?
Apo Zoti ka vënë bast
Shpirti tim sa do durojë?!

Nuk e sheh o Zot i madh
Që për Miran time vuaj?
Me vetminë veç mëkatar
Do më kesh gjithmonë mua!
9.6.1997

Kur...
Kur ti ndjen si të rreh zemra
Veten kot mos e mundo
Se jam unë aty brenda
Ndaj mbyll sytë e më shiko.

Kur të duash që të puthësh
Buzët e mia ndonjëher
Mjaft qepallat që të ulësh
Buzët e mia vin’ menjëher.

Kur ti shtrihesh në krevat
Mos kujto se vetëm je
Mbylli syte e dorën zgjat
Se rrëmbimthi vij atje.
10.6.1997



19.6.1997
..........................Hesapet janë fare të qarta, kushtet gjithashtu dhe ne të vrasim mendjen vetë si të zgjidhim sa më parë sikletin që kemi. Mundoju e dashur që të rezistosh dhe ca në atë tmerr pa fund, se çdo çast vras mendjen dhe përpiqem me këdo që njoh, për të afruar ardhjen këtu. Dua që këtë ditë ta afroj me rruajtjten e harmonisë me të afërmit, që pavarësisht nga kushtet e vëna, na duan të mirën tonë......Pra unë që i di kushtet, dua t’ju sjell në shtëpinë tonë, çfardo kasolle të jetë ajo. Kështu mund të rruhet harmonia e këtushme dhe dashamirësia e përpjekjet do jenë më të shumta pastaj për punë e sistemim shtëpie........

22.6.1997
......................Pagjumësia time është binjake me pagjumësinë tënde......Do mundohem me ca krahasime, mbase të trasha, të ta përshkruaj gjendjen time totale, pa dashur të krahasoj realitete të ndryshme.........Pyet qorrin se kë do zgjidhte mes dy alternativave: Errësirën përjetë, apo shikimin e një realiteti të zymtë? Ndonëse me dhimbje, të dytën do pranonte. E pra, unë jam në pozitën e një qorri, bile më keq, se në mungesën e shikimit tim, shoh me sytë e mendjes zymtësinë e tmerrin e atjeshëm.
Pyet shurdhin se ç’do zgjidhte: Mungesën e dëgjimit, atë qetësi të ftohtë humbëtire, apo një dëgjim ku të kishte krisma? Me dhimbje do pranonte të dytën. E pra, unë jam në pozitën e një shurdhi, bile më keq, se në mungesën e dëgjimit tim, dëgjoj me veshët e mendjes krismat e kujën e atjeshme.
Kam sa e sa krahasime të tjera, por besoj se ti e dashur ke kuptuar se ku dua të dal dhe me kaq. Edi tënd rri pa gjumë nga antirehati..........Kur them, aman mos më folë për tmerre, ç’kujton moj zemra ime, se dua t’i harroj e mos di për to? Mes atyre tmerreve unë kam vetë jetën time, e pra kokën të mbulojë nga krisma Piroja, unë kthehem e rikthehem i shqetësuar e rënkoj me dhimbje në shtrat. Një pikë loti tënd më pikon në shpirt më shumë se çtë pikon ty mbi faqe.
Ju s’e merrni me mend se sa rrezatoni çdo çast tek unë çdo shqetësim e stres që kaloni..................
Mblidhen nganjëherë tek njeriu disa halle përnjëherësh dhe në ato çaste duket se s’ka rrugëdalje prej tyre. Atëhere veç lotëve dalin dhe shprehje dëshpëruese e pesimiste. Mendo e dashur që kjo gjendje të vazhdojë kështu nga të dy palët, ç’mund të ndodhë pastaj?! Pra loti me lot, dëshpërimi me dëshpërim, pesimizmi me pesimizëm. D.m.th, shkatërrim i vërtetë, që zor se mund të ndreqet.
Unë e di mirë, që nga një realitet absurd ku s’dihet nga të vjen plumbi, s’mund të pritet përralla me mbret nëpër letra. Në letra ti e dashur je më realistja, por unë të reagoj ashtu siç reagoja e do reagoja po të ishim bashkë. Ti e di se si nuk e qasja në derë frikën, ndonëse rreziku trokiste çdo çast. Pati njerëz që lajthitën nga frika e stresi. Mua mbase vetëm thinjat m’u shtuan më shumë......................Kudo në botë realitetet nuk janë ideale për nga jetesa. Ne të dy mund e duhet të vendosim për çdo gjë. Vendimet e mëdha nuk merren nga çaste kalimtare shpirtërore.........Mbase si fillim ne prisnim më shumë në drejtim të ardhjes komplet këtej, por ja që aq duan të bëjnë. Edhe unë kam rezervat e mia në këtë drejtim, por ç’fitoj t’i them? I kam thënë butë dhe jam ndodhur para tërmetit, jo pastaj t’i thosha më fort.......

28.6.1997
........................Tani mbarova me erotikë, po merrem ca me politikë. Dje më erdhi ndërmend një lloj paralelizmi politik.
Në zgjedhjet e para të kthesës kam qënë në Selanik dhe dihet kush fitoj.
Përsëri zgjedhje dhe unë po në Selanik.
Më duket se i fituari i parë do humbë, ashtu sikurse i humburi i parë mund të fitojë. Po të jetoja direkt ngjarjet (vetëm pjesërisht i jetova), do jepja gjykim më realist. Por prapë, me sa shoh e dëgjoj (lere pastaj me ç’pashë), konkludoj se do bëhen zgjedhje sa për sy e faqe.......Pra nesër, qindramijra patriotë të mi do guxojnë të votojnë. Që pjesëmarrja do jetë qesharake, se ve në diskutim, por edhe rezultati do jetë qesharak. Askush s’e meriton fitoren dhe prandaj e quaj farsë këtë lloj zgjedhjeje. Mjer ne për politikanët që duan të na drejtojnë! Se si do votohet me kallashnikov tek koka, një zot e di. Mendoj se diku tjetër luhen kartat e vendit tonë. Ndaj them: Qoftë për hajër!
Në këto zgjedhje askush s’do quhet e s’do ndjehet fitimtar. Në fitoftë një PS me shifra e humbtë një PD po me shifra, them se të dy palët janë të humbura. Por nga kjo lloj humbje, humb populli, ndaj mendoj se vendit tonë i duhet një dorë e fortë. Nuk di ç’luhet në tavolina të tjera, por di që ne u dashka të vuajmë ende për vite të tëra. Nuk dua të parashikoj % rezultataesh, përderisa kompjuterin e drejton jo njeriu por arma. Por them se Berisha e pësoi e s’ka rëndësi se nga kush, nga koka apo nga të tjerët, them se Nano mund të jetë çakër mes qorrëve. Prandaj them: Mjer ne për politikanët mediokër!
Njerëzit kanë armë, jo se s’duan një Berishë. Ata s’kanë lek, ndaj numurojnë fishekët. Logjika është arratisur dhe instiktet agresive të disa njerëzve po stresojnë një popull të tërë. Sa nëna janë veshur me të zeza e sa të pafajshëm mbyllën përjetë sytë. Unë rroj këtu me ankth dhe dëgjoj rritmin e shpejtuar të rrahjes së zemrave tuaja. Kam vetëm trupin këtu, që mos e paça, kur mendoj kolopuçët e mi si mbulojnë kokën nga tmerri i krismave, kur të mendoj ty si i mbron me vetmohim. Unë përulem para teje moj sakrifikuesja ime dhe jam gati të bëj çdo lloj pune, vetëm e vetëm t’ju marr sa më parë. Asgjë s’më tremb këtu. Ka më keq se puna e hamallit? Ja, unë po e kaloj me sukses. Kur ec me peshë të rëndë në dorë, në çast më shfaqeni ju dhe ajo peshë më lehtësohet.......Ndaj, moj zemra ime, mos loto për lodhjen time se ajo s’është gjë para aktit tënd vetmohues............Ngordhalaqët e dembelët mund të çuditen se si para çdo parashikimi mjekësor, unë mund të lëviz me pesha edhe 12 orë në ditë. Vërtet çaloj pak, por ama punën e bëj më mirë se të tjerët....Duke vepruar si deri më sot, dije...se do jemi më krenarë e të qetë para kujtdo......Që ku duket ndryshimi i rezervës, po shkruhet sot, paraditen e së djelës..
.....ndërsa ne do ndodhemi në punë, aty tek ju me ankth e frikë dikush voton e dikush rri mbyllur në shtëpi. Nuk di ç’rrugë ke zgjidhur ti, por kam besim se do veprosh si të jetë më mirë....Po a do duhet nga populli fituesi? Dyshoj shumë!....
Sot kuptohet që do rri pa gjumë, derisa të marr vesh rezultatet, ndonëse me afërsi i kam në kokë. I pres me ankth se kam frikë mos ndodhë ndonjë gjëmë më e madhe nga të humburit. Lus Zotin të qetësojë mendjet e turbullta.....
30.6.1997 Mëngjes, gjysmë ore para nisjes për punë. Duket se kanë fituar socialistët. Saktë nuk di gjë. Megjithatë, uroj të fitojë Shqipëria! Kaq politika......

3,7.1997
Me ty e për ty gjithmonë, Mirushja ime!
Pasnesër mbyllet 10 vjeçari i parë i martesës sonë dhe fillon një tjetër ditë mbi të, që i përket një tjetër 10 vjeçari. Mund të shprehja lloj-lloj urimesh të krijuara nga imagjinata time, por këtë rradhë më pëlqen të kopjoj nga arsenali i urimeve të ditlindjeve.
Pra: Gëzuar 10 vjeçarin e martesës dhe u bëfshim 100 vjet!
Vërtet beson se kaluan 10 vjet jetesë bashkëshortore? Mua më duket se porsa jemi fejuar dhe ende s’kemi prerë ditën e dasmës. Se mos na dëgjojnë fëmijët, që janë e vetmja dëshmi e 10 vjeçarit martesor, pa ne vazhdojmë të besojmë që porsa jemi fejuar.....Pra jemi në takimet e para, në emocionet e para, në prekjet dhe drithërimat e para.(Se mos na dëgjojnë fëmijët dhe pyesin: Po ne si kemi ardhur në këtë botë?!)
Pra Mirushja ime, kaq të dashura, të bukura, të lumtura, ishin këto 10 vjet, sa na duket sikur i kemi para përsëri...Mjaltë qoftë gjithmonë bashkëshortësia jone, ashtu siç na i dha Zoti për njeri-tjetrin, qysh atë ditë tetori kur u pamë për herë të parë.....
...Sepse shumë të tjerë e nisën si dashnorë e s’arritën bashkëshortësinë, e nisën bashkëshortë të tjerë e s’e ndjenë veten dashnorë. Ca të tjerë e nisën dashnorë, u bënë bashkëshortë duke rendur pas asaj që humbën në fillim.
E gjithë kjo katrahurë, vetëm e vetëm se nuk arritën të mbeten dashnorë e bashkëshortë njëkohësisht, siç na ndodhi ne. Se s’është kollaj të realizohet ky dualitet. Ai është i rrallë, e lum kush ja arrin ta ketë.
10 vjeçari tonë e dëshmon në çdo sekondë të tij, sepse para tij ekzistonte një Mirelë kristal e pastër, që porsa filloi ëndrën e parë të princit sykaltër e gjeti (kështu më ke thënë, s’besoj se po e teproj). Sepse ekzistonte dhe një Edmond, që porsa vendosi të gjente princeshën syjeshile, arriti ta gjejë. Dhe ishte kjo ëndër e bukur që u realizua..., që e bëri dashurinë absolute e të pacënuar........Le të vazhdojmë udhëtimin tonë në qiellin e lumturisë me dy engjëjt tanë të shtrenjtë. Rrezatimi i dashurisë sonë e bën të padepërtueshëm çdo lloj ngacmimi të jashtëm, ndaj përballon çdo lloj meteori që mund të qaset. Prandaj, ato lloj meteorka që shfaqen nganjëherë nëpër letra a telefonata, s’kanë ç’na bëjnë, përkundrazi, na bëjnë më manovrues e fitimtarë. Mbi 10 vjet udhëtim e dhanë provën që qielli i lumturisë na pranon me kënaqesi, ndaj ulmu ca në prehër të të pushtoj fort e përsëri të uroj: 100 e më shumë vjet vazhdofshim lumturinë tonë!
* * *
Në mes të letrës së mësipërme dhe asaj në vazhdim, dëshiroj të paraqes vjershën kushtuar 10 vjetorit të martesës, si një refren e hymn i përjetshëm i saj.
Apoteozë dashurie
E kush tha që 10 vjet
Kemi që jemi martuar?
Kurse unë vetëm sivjet
E ndjej veten të fejuar.

Se nuk matet jeta, jo
As me vite,as me ditë
10 vjeçarin tonë shiko
Sikur nesër prapë do nisë.

Të kam grua e më duket
Sikur le për ditë takim
Sikur zemra po të lutet
Rrimë dhe ca o shpirti im?

Të kam pranë e kujtoj
Sikur fare s’të kam prekur
Se gjithmonë të dashuroj
Sa jam gjallë e kur t’kem vdekur.

E kush tha që 10 vjet
Kemi që vumë kurorë?
Ne do mbetemi përjet
Bashkëshortë dhe dashnorë!
9.7.1997
* * *

Mirushja ime e dashur!
Ti qofsh se si ja arrin që në atë tmerr pa fund, në vend që të më dërgosh letra-bomba, më dërgon letra-pambuk. Se dhe aty ku shprehet shpirti tënd i revoltuar, unë në vend të shuplakës ndjej ledhatim.
S’ka shumë që lexova dy gazeta armike ndaj njera-tjetrës, Albanian dhe Koha jonë dhe u tmerrova tmerrësisht.
Fill pas tyre lexova letrën tënde dhe u preka thellësisht. Po ecja drejt shtëpisë aq ngadalë dhe i hutuar, sa shyqyr që ndodhesha në trotuar......... Në mëngjes porsa bëra një vjershë me rastin e 10 vjetorit të martesës. Por tani që të shkruaj jam në dëshpërimin, merakun e sikletin e shkaktuar nga të tria shkrimet. Dhe them përsëri: E fortë je që i lidh aq bindshëm mendimet për mallin e dashurinë dhe s’je aspak e dobët por realiste, kur përshkruan skenën e frikshme të djalkës sonë, Piro. Dije në mënyrë kategorike e dashur Mira se, LUMTURIA IME DO FILLOJE VETEM ATEHERE KUR TE MBAROJE VUAJTJA TUAJ, ASHTU SIKURSE VUAJTJA IME DO MBAROJE VETEM ATEHERE KUR TE FILLOJE LUMTURIA TUAJ!
Cdo gjë tjetër mund ta harrosh, e mirë do bësh, nga letrat e mia, por thënien e mësipërme kurrë mos e harro, se aty është koncentruar e vërteta e së vërtetës të shpirtit tim............
Nuk dua të shkaktoj keqinterpretime tek njerëzit, e s’dua t’i bezdis me gjendjen time shpirtërore, por me mua ndodh si me priftin që kërcen nga belaja. Me mua ndodh si me të eturin, që i tregojnë gotën me ujë e ja derdhin para sysh, pa i dhënë një pikë në gojë............Ne kurrë nuk e kishim fantazuar as tangent një situatë të tillë, ndaj dhe vuajmë tmerrësisht. Aq sa dhe ti arrin të thuash se të duket e pamundur dalja përtej Shqipërisë. Në një kohë kur s’di se ç’ka mbetur pa dalë prej saj.
Thua se me mua do ishte ndryshe e tani s’ka kush të të japë zemër. Po unë me ç’kam folur e dhënë zemër me letra e telefonata, as që do ta bëja kaq intensivisht me gojë aty. E di që zemër të jep prezenca ime, por aty më ke e dashur, në çdo molekulë të ajrit e të letrave. Kur shkruaj për politikën, më ke si Edin pas leximit të gazetave, kur të dërgoj vjersha, më ke si Edin pas telefonatës në radio Tirana, kur qaj hallin e ushqimit, më ke si Edin që kthehet nga pazari, kur shkruaj për probleme familjare, më ke si Edin bashkëshort, kur shkruaj për fëmijët, më ke si Edin baba, kur shkruaj për intimitetet tona, më ke si Edin dashnor.
Duro dhe pak e do më kesh dhe si trup, e kjo ka për të ndodhur 100%.........
..........Ty nuk ta merr mendja sa krenarë do jemi para kujtdo, me aktin tonë sakrifikues, e sa të vegjël e të injoruar do jenë gjithë ata që tragjedinë tonë e panë si spektatorë në sallën e theatrit. Aty le të vazhdojnë të rrinë, në guackën e egoizmit e cingunllëkut ekstrem, unë nuk i paragjykoj për zgjidhjen që atë bënë në këtë theatër të madh tragjik, ku luhet jeta e njeriut të tyre, e njerëzve të tyre.
E megjithatë jeta vazhdon, qoftë dhe me tragjedinë e saj. Zoti na mbroftë e na dhëntë forcë t’ja dalim mbanë sa më shpejt!.....

11.7.1997
.......Pasdite, pas mërzitjes së një dite pa punë, dola ashtu kot i vetëm dhe morra rrugën nga bregu i detit......Këtu janë kilometra të tëra breg i betonuar dhe vende-vende pas shetitores ka lulishte. Aty-këtu shitsa të vegjël tregtojnë fara, pjekin misra, dikush piktura e dikush akullore. Diku në breg një vapor që shërben si klub....Ecja ngadalë, vështroja pafundësinë e detit, mjedisin përreth. Kalimtarët ecnin sejcili në qejfin e vet. Me raste dëgjoja shqipen nga goja e ndonjërit. Kur i shihja çift thosha: Lum si ata!
Meditimin ma preu sirena e një treni me rrota. Ai s’ka nevojë për shina, ndaj i bie vërdallë gjithë bregut. Hipnin në të , të çdo moshe. Aty e përfytyrova veten krah teje e dashur dhe me dy djemkat përballë. Nuk ju ngacmoj, se treni këtu është dhe mezi ju pret, ju pasagjerëve të rinj e të bukur. Pak më tej, në pritje të ndonjë qeflliu, dy llandone të lezetshme, me kuaj të ujdisur. Si llandonet e mesjetës, të hapura e me fener. Paguan dhe provon një shëtitje në breg të detit. Nuk di sa kushton bileta, por ti e di se ç’tip më ke dhe kur xhepi të ketë ca dhrahmi, do ta provojmë rolin e princit e princeshës. Prapë nuk ju ngacmoj, se dhe llandonet aty janë e pasagjerë duan.
Një pëllumb pranë meje sikur më thosh: ”E di ç’po mendon o shtegtar i malluar. Hidhi në letër ato mendime se i çoj unë te Mirushja tënde, tek djemkat e tu”.
Aty vriten njerëz, pra ka frikë njeriu-njeriun, këtu të afrohet ky pëllumb i paqes si një akuzë ndaj atyre që vrasin paqen.
Këto nuk t’i shkrojta e dashur që të të ngacmoj e pastaj të më thuash: ”Rro ti, pa ne..”. Dua për ca çaste ta largoni mendjen nga ai realitet mënxyrë e të shikoni se ku do jeni pas ca kohe. Nuk i shkrojta as për t’ju thënë se këtu është parajsa, por ama dhe ferri i atjeshëm nuk është.
Pse se di unë si punohet e jetohet tashmë këtu? Por ama di që sado e lodhshme të jetë puna, një orë kohë gjendet për të shijuar një shëtitje a kënd lojrash. Mo po sikur njëherë në javë ta shijosh atë orë, se na ka marrë malli për ca qetësi e argëtim familjarisht.....
Sa t’ju prek me dorë, se s’kam për t’ju lëshuar kurrë më.
Të më struket bukuroshi im Pirushi nën çarçaf i tmerruar nga krismat dhe zemra t’i rrahë më fort nga frika dhe unë mos ja plotësoj gjithë dëshirat? Diskutohet kjo? Pse ngritje mendje është kjo? Ja sa të vini, pa ta shikoni. Sikur njerë bukë të ha e për Pirushin s’do le vend pa e çuar për ta kënaqur.
Të shkojë i tmerruar Jorgua në shkollë dhe mos shijojë lojrat me shokë në mëhallë dhe unë t’i le mangut gjë këtej? As që diskutohet. Dy djemkat tanë meritojnë shumë më tepër nga ç’them në këtë letër. Ju jam borxhli, aq sa s’ka fund e mira që do bëj për ta.
Superborxhli jam para teje e dashura ime Mirushe. Me fjalë do ngelesha kurdoherë defiçitar të shprehja veprimet e mia ndaj teje e me ty bashkë.....

Ndërprerje për një sqarim. Dua të bëj një sqarim në mes të kësaj letre për çka shprehem në vazhdim. Një kushëri i Miras në Shkodër, i quajtur Edi, një djalë azgan i papërsëritshëm në familje e shoqëri, tek drejtonte i vetëm xhipin në një fshat të Shkodrës, u qëllua nga një plumb, që i morri jetën në moshën më të bukur rinore. Qëlluesi, një qënie ende e paformuar në moshë e tru, preu një jetë djali për një xhip që as dinte si ndizej e përdorej.....

Vazhdim i letrës
............Edin e qanë të njohur e të panjohur. Më vinte të ulërija në urban atë natë. Rrija si i ngrirë dhe aty lotova. Erdha në shtëpi, ju tregova për të dhe ecja në koridor, aq sa Monda më tha, ”Mblidhe veten, ai iku tani”.
Dhe nata kaloi pa gjumë. Në çast mu mijfishua vendimi për të ikur nga ai vend vrasës. Sa më parë, sa më shpejt. Shkrojta dje, siç shkruaj përditë, por dje i bëra homazh Edit. Do ta lexoni e prapë do lotoni. I tronditur nuk dija ç’të bëja................

...... Të kujtohet kur s’kishim ç’bënim dhe thoshim: Ku te vemë, aj shkojmë pimë një kafe në Dija.
E ndjeva si një detyrim dhe shkrojta një letër për atë familje. Kanë folur mirë për ne e janë sjellë korektë, ndaj s’ka pse mos tregoj dhe unë mirësjelljen time. Më pas m’u kujtua “tezja”, që për vetë emrin që i kemi ngjitur meriton ta respektoj. Kështu që dhe asaj i shkrojta një letër. Kur të heqësh shiritin ngjitës do shohësh adresimin.....Letra do kesh të paketuara edhe për Irenën, për Janin e po m’u kujtua tjetër nuk do përtoj. Askush, që na ka hyrë e dalë dhe e kemi pritur e përcjellë me dashamirësi, të mos kujtojë se i mirësjellshëm kam qënë vetëm aty e tani që ika nuk i kujtoj. Respekti e sjellja mbeten të pandryshuara, për aq sa mbeten të dëshirueshëm e të pandryshuar të njohurit tanë.
Unë krenohem me ty Mirushe që ke treguar dhe ngritur më lart vlerat e virtutet e familjes sonë para kujtdo, me mënyrën tënde të mikpritjes. Mikpritje me edukatë e kulturë, ku askush s’ka guxuar të devijojë anapulla në llafe e shakara.
Kur tha L... se sa të ndezur jeni ju Shallvarët, unë ja ktheva aq bukur sa mbeti ajo e të tjerët pas saj pa folur. ”Jo të ndezur, gabove zonja L..., por të dashuruar, unë jam tepër i dashuruar pas Miras time. Ndezja është një çast, dashuria çdo çast”. Vërtet moj zemër kam unë meritat e mia në forcën e dashurisë ndaj teje, por ama ishe dhe je ti që m’i dhe kuptim e realitet asaj duke e shumëfishuar. Sepse gjeta pjesën që i mungonte dashurisë sime dhe vetëm atëhere ajo u bë e plotë dhe absolute.
Si thua, të merrem dhe ca me frutin më të bukur e më magjepës të kësaj dashurie, me djemkat tanë të mrekullueshëm?
Sot dëgjova zërin kumbues të Jorgos në telefon. Dua të flas më gjatë e këtë po e le për rastin më të parë kur t’ju marr unë. M’u duk zë më djaloshar e besoj se ti Jorgo je rritur më shumë. Shumë shpejt ke për të më arritur në zgjatje. Në fotografi m’u duke ca më mirë me shëndet se më parë. Mos bëj naze në të ngrënë dhe mundoju të jesh djalkë sa më i qetë, se dhe qetësia të sjell shëndet.
Bëj ç’të thotë mami e asnjëherë mos e mërzit, se ajo për të mirën tuaj vepron. Nuk dua të të imponohem, por i kam qejf letrat e tua, ndaj po s’përtove stërvitu ca me të shkruar. Edhe në biseda me mamin mundoju të jesh ca kurajoz e t’i japësh dhe ti zemër, se je djalkë i zgjuar. Ja që unë ju mungoj dhe e di se sa i nevojshëm jam. Por ama dua që mami të të ketë ty krah, më kupton? Ndihmoje pra sa më shumë. Po porosinë time për të dëgjuar e parë stacionin grek, e ke patur parasysh? Mundoju të dëgjosh fjalët sa më shumë, le të mos i dish se do t’i mësosh këtej. Dëgjo edhe këngët greke dhe mësoju fjalët sa më shumë. Hë, xhan i babit. Sa të jemi bashkë e të dalim si dy shokë, apo jo? S’besoj të të kap për dore, por të përfytyroj me duar në xhepa duke ecur. Kemi shumë gjëra për të bërë bashkë. Jemi shokë apo ç’jemi.Të puth me mall e të përqafoj fort në gjoks, o Jorgushi im i dashur.
S’të durohet mor Pirush të dëgjosh për veten tënde? Mami më bën vërejtje mos ju ngre mendjen, por unë s’ka si t’ju ngre mendjen me të vërtetat që ju premtoj. Këtu sado i varfër të jesh, fëmijët s’mund t’i lesh kurrë mangut në argëtim. Pse çfarë ju kam premtuar unë? Gjëra që realizohen. Mban s’mban mend Jorgua, e ka provuar ca javë Selanikun, kurse ti Pirush do ta kesh për herë të parë. Për moshën tënde ka shumë lloj argëtimesh, prandaj them se do kënaqesh.....O zoçka ime, ti më falenderove për ato pak gjëra që dërgova. Të lumtë o bir, se di të sillesh me babin e të vlerësosh çdo lloj dhurate. Babi desh të dërgonte më shumë, por e mbledh paranë për këtej. A s’është mirë kështu Pirushi im?
Unë jam i shqetësuar o bir me frikën që ndjen kur dëgjon ato krisma dhe mbulon kokën. Por kur mami të flet, ti dëgjoje se mami ka të drejtë. Nuk e shikon sa trime është mami Mira?................por ja që unë jam larg e derisa t’ju marr, mami detyrohet të bëjë gjithë punët. Ju lan, ju gatuan dhe ju ushqen. Ka merak e ju rruan kur luani. Po punët e shtëpisë a s’i bën mami? Pra lodhet e që të shlodhet ca, ti me vëllanë duhet ta dëgjoni e mos e kundërshtoni, bile ta ndihmoni në ndonjë punë shtëpie.Vetëm në një gjë ta bezdisni mamin, duke i thënë: ”Duam sa më parë të ikim të tre pranë babit”. Këtë të ma thoni dhe mua pa pushim. Dhe me mamin do bëjmë të pamundurën për ardhjen këtej.
Pra Mirushe, tashmë kjo thirrje të na mbetet në vesh e mendje: Sa më parë, sa më parë, sa më parë!!!!!

15.7.1997
......Kushdo mund të pyesë se çfarë shkruan vallë kaq papushim, ky person i quajtur Edi, për gruan e tij Mira. Mos është taze i dashuruar? Prapë shumë dashnor i zjarrtë qenka! Si? Ka 10 vjet martuar, plus e një vit e gjysmë fejuar? Dhe shkruan ditë e natë me kaq pasion e frymëzim dhjetra faqe letër për bashkëshorten e tij, Mira? E pabesueshme! Njihet p.sh.Balzaku që thyente rekord me romane, por ama jo për një grua apo të dashur. Ky zoti Edmond si ngjaka asnjërit e për këtë quhet rast i veçantë. Mirë është që të ketë një lexues të vetëm, të dashurën e tij, se po u lexua nga femra të tjera, kushedi ç’do shohim e dëgjojmë. Po u lexua nga vajza ëndërimtare, që ende s’e kanë shijuar dashurinë, rrezik t’i lerë beqare, se ato do kërkojnë të dashurin ideal siç është ai në letrat e tij.
Po u lexua nga femra të martuara, rrezik të shkaktojë konflikte familjare, pasi kush nga ato do ketë provuar romane letrash nga i shoqi, kur s’është ndodhur pranë tij......
.......Dhe vetëm të dëgjosh pastaj zënkat: ”E shikon ç’letra pasionante i shkruan i shoqi Miras? Cerekun të më shkruaje ti, do isha më e lumtura e botës, kuptohet, pas Miras”.
“E shikon ç’vjersha të zjarrta i thurr Mondi Miras? Një varg të kopjuar të më thoshe njëherë të paktën dhe unë do isha më e lumtura e botës, kuptohet, pas Miras”.
“E shikon ç’bisedë telefonike i bën Mondi Miras, sa e kënaq.........Pak ngacmim seksi të më bëje sa të drithërohej trupi, e jo më shumë dhe unë do isha më e lumtura e botës, kuptohet, pas Miras”.
Fola për femrat, po e njëjta gjë, në mos më keq, do ndodhte me burrat.
“E shikon ç’femër e dashuruar, që i preferon çdo mm të trupit Mondit, kurse ti s’më ke prekur as gjysmën e trupit. Prekmë gjysmën e unë do jem burri më i lumtur i botës, kuptohet, pas Mondit”.
“E shikon ç’grua e dhënë me trup e shpirt pas burrit, që meshkujt e tjerë i shumëzon me zero, kurse ti, jo ” ky shiko ç’simpatik, ja vlen ta tradhtosh njerë burrin me të”, jo “s’ka gjë të keqe të dal e të pi kafe me një shok”,.........”. Sikur çerekun e shkrehjeve të tilla të kishe, do isha më i lumturi i botës, kuptohet, pas Mondit”.
Prandaj, Mirushja ime, që mos shkaktojmë turbullira të tilla, unë pranoj të jem autori me emrin Mondi vetëm për ty dhe ti lexuesja e vetme Mira. Kur më lexon e kënaqesh ti, jam më i lumturi i botës, kuptohet , pas Mondit! D.m.th. kam zili veten time për këtë fat të lumtur, që e kam pagëzuar me emrin Mirushe.....

* * *

Diku në këto shkrime, kam përmendur 180 ditët odiseane. Ka apo s’ka analogji ky përcaktim, mua më doli vetvetiu nga shpirti dhe tek shfletoj letrat e atyre ditëve, them se po ti lexonte Odisea, peripecitë e tij të kthimit do ti quante mondiane.
Unë po guxoj, miq të dashur, të thyej tabunë e rruajtjes së aparencave formale të familjeve të idealizuara. PER MUA, S’KA MEKAT ME TE RENDE SE ZBUKURIMI I TE SHEMTUARES DHE SHEMTIMI I TE BUKURES.

* * *
Vazhdon letra e mësipërme më dt.16.7.1997
.............e ndjej të nevojshme të të sqaroj, se nuk mban më shpirti im i vrarë, i ofenduar në ekstrem, nga e quajtura motra ime, Monda.
Shpërthimet e Mondas ndodhin aq papritur, sa s’ta merr dot mendja. Në ato çaste ndodhesh para nervave të pakontrolluara që nxjerrin fraza pa kuptim, pa lidhje logjike, ofendime nga më ekstremet e banalet. Ndodhesh para xhesteve me ecje, lëvizje duarsh e ndritje sysh, që do çuditnin çdo mjek psikiatër.
Të them të drejtën, nuk më ngacmuan aq ofendimet e inatet e reja, apo të para erës së re, por kjo gjendje anormale e motrës që më bënte ta mishëroja. Të të ftojë afër mesit të natës për imonik (dhe unë pranova të haja një felë me të në kuzhinë) e porsa të gëlltitësh felën e parë të të sulmojë si e tërbuar, nuk di ç’emër t’i ve. Shkaku? Fare banal e alogjik. ”Pse të morri Mira në darkë në telefon,....çfarë folët mëk-mëk me njeri-tjetrin?....C’ka që të merr kaq shpejt? Ua, lere, dashuri e madhe...Në fillim të gushtit të kesh marrë shtëpi. Nuk duroj dot. Kështu jam unë.... Domosdo, ti ke qënë i mirë, i zgjuari i shtëpisë, i preferuari i mamasë. Të rroftë zgjuarsia. E pamë ç’fitove. Mjaft, s’dua të të dëgjoj! Nuk shkatërroj shtëpinë time për ju......”, etj, etj, etj. Kuptohet, këto lloj frazash antigjuhësore i thoshte pas ndërhyrjeve të mia.....u mundova ta qetësoja, duke i thënë: ”Qetësoju, sot je e lodhur e s’po di ç’flet, nesër flasim shtruar. Pimë kafe e me të qetë e harmoni më thuaj që të ik, që të ndahemi njerëzisht e jo armiqësisht. Ta di dhe unë që arriti çasti i shtëpisë e të përpiqem”.........
Kam kaluar natën më torturuese e të pagjumë.....
U vesha dhe po rrija. Kur ajo bëri kafe për vete, i thashë a mund të bëj dhe unë. ”S’të ndalon njeri”, më tha.
Prapë debati, por unë ja devijova duke i thënë, ”Tani dua të të pyes pas ultimatumit të mbrëmshëm, se si të veproj. Pra të dal e kërkoj shtëpi, do shënoj nr. e telefonave. Dakord?”
M”u përgjigj, ”S’të dhashë ultimatum, por ti që ke ndërmend të marrësh Miran në gusht, duhet të kesh siguruar më parë shtëpinë tënde. Pra të fillosh që nga 1 gushti”. Kur erdhi dhe Koçoja, sa fole ti aq foli dhe ai, si në mbrëmje ashtu e në mëngjes....E quaja lajthitje të Lefterisë kur më tha se si e dëbuan, bile e kundërshtova vënçe duke i thënë se nuk ka logjikë ky veprim pa shkak. E di si më tha Lefteria? ”Mundoju të zesh shtëpi sa më parë, se po i hipën sat motre, s’dihet ç’bën. Do më kujtosh e do më japësh të drejtë”.........Po kur unë i vëllaj ftohem për imonik e ndodhem para një lloj dëbimi e ofendimeve ekstreme, pra para kurfarë shkaku, merre me mend ç’mund të ketë ndodhur me Lefterinë.......
Sot pra e nisa me xh.Stavrin, duke i thënë që të shohin për shtëpi. Ndonëse ajo zonë është larg, por mund të gjendet më lirë...Pra sot më kaloi dita nga Stavri. Më mbajtën për drekë.....
Erdha rreth orës 8 e i gjeta të dy në gjumë. Ora 10 e 15 e darkës e ata ende flenë. I ndihmoftë pra gjumi në qetësinë e trurit, të paktën, se në ndonjë kthim logjike a pendese, as e shkoj ndërmend. Sot jam i lehtësuar, se e ndjej që dhe pak kohë jam këtu....

17.7.1997
............nuk mund të mposht tani për tani pakënaqësinë që më shkaktoi mesnata e pardjeshme. Meqenëse ky efekt negativ do jetë i përbashkët, së bashku duhet ta përballojmë e kapërcejmë me sukses. Cdo tërheqje, apo dorëzim dhe më keq, çdo kthim prapa, do ishte fatalitet për ne. Të liqtë e cmirzinjtë do fërkonin duart, sehirxhinjtë dhe ndonjë i afërt do thoshte, ”Kaq ishin të zotë, nuk çanin dot më!”
Por ne i kemi mundësitë t’ja u mbyllim gojën të gjithëve të këtij kallëpi. Dhe ndonjë i afërt që kujton se pa të s’bëjmë dot, ka për t’u zhgënjyer së shpejti.Të afërmit e këtushëm po bëhen më keq se të largmit. Harrojnë ata se nuk e nxorrën vetë në fillim gomarin nga balta dhe pasi hipën në kalë me ndihmën e të tjerëve, hedhin e presin po me trutë e gomarit. Monda e Koço përsërisin si refren se ç’kanë hequr...., por harrojnë Lefterinë që ju doli krah kudo. Dhe në e përmendin, sa për të mos e thelluar mëkatin, se ja kanë frikën ndonjë ndëshkimi nga Zoti......
...Po për ne çfarë po bëhet nga këta të afërm hipur mbi kalë? Aq formalisht e për sy të botës po vepron ime motër, sa jam i bindur që nuk bëj ndonjë mëkat me këtë konkluzion. Pse thjesht për të ngrënë e për të pirë erdha unë këtu, që nesër të mburret ime motër e im kunat, se ja e mbajtëm me muaj për ta rregulluar në Selanik? Kur shoh që asnjë përpjekje s’ka prej tyre për gjetje pune.....
Kur sheh veprime të mira, thua, ”Sa të mirë janë!”, por kaq arrin, bile nuk përfundon fjalën e fundit, se mekanizmi i çekuilibruar i ngatron xhestet e fjalët dhe papritur ndodhesh para të kundërtës ekstreme. Prandaj të them se i mëshiroj, pasi më vjen keq për këtë çekuilibër që zor të ndreqet.......
Se ata paskan të drejtë të ironizojnë, ofendojnë, të të ulin, kurse tjetri mos ja u paguajë? Unë jam sjellë me aq takt, sa s’ta merr mendja. Kam gëlltitur aq ngacmime e thumba, sa vetë e di, por ama ka një kufi ku s’mban më ujë pilafi. Dhe prapë reagimi im ka qënë jo acarues, ndonëse nga që s’ju ka ardhur mirë, ata janë vetacaruar. Ti bën një veprim të çastit pa kurrfarë plani, ata e analizojnë anapulla e të çuditin me konkluzionet bajate.........
.....Mirushja ime! Desha sikur të të sqaroja më shumë, që pasi t’i hysh thelbit, mos e prishësh gjakun. Se dhe unë tani, vërtet e prisha në fillim, por e hoqa atë lloj stresi dhe mendjen po e vras për të ardhmen tonë këtu. Pra tani, më shumë se kurrë, duhet ne ta nxjerrim gomarin nga balta. Mos e drejto mendjen në merake të tjera, jo, aty do t’i kemi e do na prishin gjakun ndonjëherë, jo, s’do t’i kemi krah e si do bëjmë vetëm. Këto mund t’i thoshim në fillim. Tani hiqi njëher e mirë nga mendja. Jeta jonë nuk është top futbolli në këmbët e motrës e vëllajt. Të thuash shyqyr që s’do vish as në kunata, as në kunati, por në folenë tënde. Dhe aty do më kesh mua e unë ty, do kemi djemkat tanë e askush s’mund të na prishë gjakun me nevrasteninë e tij......
....Këtu vërtet më thirrën për prift e dashkan të ma rruajnë mjekrën (në fakt e kam hequr prej kohësh), por ama ne dimë vetë se si ta rritim atë, apo jo moj trimja ime? Të të kem ty e djemkat këtu, pa di unë ç’bëj. Të dy ne kemi mend e krahë të punojmë e fitojmë e të tregojmë se s’jemi nga ai lloj që duan të përfitojnë nga të tjerët. Koha ka për ta treguar, apo jo?..........

22.7.1997
..............Vetëm dua të të them se Edi tënd asnjëherë nuk ka qënë ngacmuesi i parë, vetëm po të quhet i tillë meraku im për ju, që dhe atë e kam shprehur me takt e rrallë. Kanë alergji, e dashur, për çdo përmendje që bëj për ty e djemkat, për çdo letër që shkruaj, për çdo telefonatë tonën. Vërtet janë shpërthime të çastit, por thelbi i tyre dëshmon për akumulime të vjetra e të reja të anëve të jetës, që unë, me thënë të drejtën, gati i kisha harruar. Kur të jemi bashkë e të të rrëfej për gjithshka, do më thuash: ”Ti qofsh si ke duruar!” Edhe divani që unë hap për të fjetur, i bën dëng në zemër Mondas, se është blerë me gjak?! C’të vazhdoj me akuza, ofendime e broçkulla të tjera që si nxe kandari.
Përmendja e gjërave që s’kanë lidhje e nuk argumentojnë asnjë grimë anë të karakterit tim, dëshmon për një lloj zilie në përmasat e cmirës.
Tani që shkruaj nxitoj, se do shkoj tek armeni e të shoh çdo bëjmë për atë punën në fshat.........

24.7.1997
......Kujtoja se letrën do ta vazhdoja në fshat, por ja që ku e nisa po e bitis. Megjithatë bëra një odise mbresalënëse e kalitëse qysh pardje....Me armenin u nisëm dhe vajtëm në fshatin Shën Harallambos. Ne kërkuam 8 mijë dhrahmi, por na tha afendikoi duhet të jeni zanatçinj ndërtimi që të arrini këtë pagë. Në një godinë, ç’e pyet, flinin 3 korçarë që na pritën shumë mirë e dy prej tyre më njihnin si fytyrë. Ata u kujdesën për të ngrënë e fjetur. Armenin e lashë në krevatin portativ e vetë fjeta mbi bukë peshku. E kupton ç’të fjetur, sidomos kur kthehesha në krah. Por ndjeja kënaqësi që rrashë me shokë shumë të mirë....Dje në mëngjes na morrën me makinë dhe pas 1 orë e ca rrugë, arritëm në një fshat të Napolit (jo Napoli i Italisë). Sado fshat i largët, rrugët ama të asfaltuara. Qysh atje u bë hedhja e betonit me makineri në kallëpe e ne më nje vibrator vetëm sa e ngjeshnim. Kaq në një shtëpi. Me makinë na çuan në një tjetër. Aty me zetor hidhej dheu në themele e ne me lopatë e grabashkë nivelonim. Kaq dhe këtu. Prapë me makinë e në një shtëpi tjetër.... e kështu ora vajti 10 e 30 e natës kur mbaruam betonimin e fundit dhe në 12 u kthyem në koliben tonë.....Prapë gjumë në bukë peshku......Për pagesën...nuk jepet më shumë se 5 mijë....Pra u nisëm drejt Selanikut....
Deri tani nuk e kam parë shtëpinë tonë. Kur erdha , në dera e pallatit ishte Monda, Lida dhe Eva. Lida më tha se është apartament i mirë dhe qiraja qenka 45 mijë dhrahmi...Vendi ku ndodhet, aty ku ju luta Zotit e quhet Saranda Eklisies. Eshtë një kishë e bukur. Jemi pranë Tomit....Mezi pres sot të vete ta shoh e atëhere do të ta përshkruaj më saktë....

31.7.1997
Djemkat e mi të dashur, që aq shumë ju dua, Jorgush e Pirush!
Dje ishte ditë e gëzueshme për mua, që filloi me urimet e mamit dhe tuajat për ditlindjen time dhe vazhdoi gjatë punës, kur nga një shtëpi më dhanë komplet dhomën tuaj të gjumit (kuptohet, mobiljet me krevat). E dini që nga ai çast nuk ndjeja më lodhje, se më dha forcë gëzimi për ju....Ka pra vend për ty Jorgo, që të bësh detyrat dhe mësosh...Ka pastaj rafte e dollape për libra, mjete të tjera mësimore, për lodra dhe rrobat tuaja.
Po krevati i punuar me dru e lluster? Fantastik! Poshtë ka një sirtar të madh me rotka ku vendoset dysheku. Pra dalin dy krevate për dy vëllaçkot. Hë pra, a s’kam të drejtë të jem i gëzuar për herë të parë pas 4 muajsh? Gëzimi ka filluar që me gjetjen e shtëpisë, por dje arriti kulmin. Sepse e di që do kënaqeni e gëzoheni ju djemkat e mi....E di që do ndroni ambient dhe në fillim kushedi si do ta ndjeni veten. Shumë gjëra do të pëlqeni, por edhe ndonjë gjë s’do ta pëlqeni........
....Tani jeni djemka që kuptoni më shumë, ndaj s’do bëni naze e nuk do grindeni me njeri-tjetrin. Se unë e mami do jemi në punë e ju do rrini dhe vetë në shtëpi, siç rri Fiona me Nikon, siç rri Eva. Kur Jorgoja të shkojë në shkollë e ti Piro në kopësht, do jetë më ndryshe se do kaloni ca orë aty. Do mësoni shumë gjëra e kur të flisni e kuptoni greqisht, kushedi sa shokë do zini.
Kur të jeni në shtëpi, keni me se të merreni, ndaj nuk do mërziteni. Dhe sa herë të kemi kohë, do t’ju nxjerrim shëtitje për t’ju kënaqur sa më shumë......E di që do keni mall për nënën e gjyshin, për Neljanin, Nikolinin, Joanin e Vasjanin, por s’dihet si vjen koha e çmalljes.
Kryesorja është që të përpiqemi për më mirë dhe ne do ta ndjekim të mirën aty ku jepet mundësia për ta gëzuar.
Po ju flas sikur jeni më të rritur, ndaj më falni që e tejkalova masën. Se ju keni botën tuaj fëminore, që s’duhet t’ja u cënojë askush......Sa më kënaqët me urimin që më bëtë, ti Jorgo me atë zërin kumbues e fjalë të qarta, e ti Pirush me ato llafkat e ëmbla ku mungesa e r-së i bën më të lezetshme.
Megjithatë, mundoju, të keqen babi, që ta futësh r-në aty ku duhet. Ti më vete e thua shumë mirë, prandaj stërvitu ca.
Desha që ti Jorgo të më shkruaje më shumë, se ta kam qejf shkrimin dhe mendimin. Mundoju vetë të shkruash se si ja kalon gjatë ditës, ç’bën vetë dhe me Piron, si e ndihmon mamin etj, etj.....
...Për ju është koha, djemkat e mi. Mbase jo që në fillim do t’ja u plotësojmë gjithë dëshirat, por në krahasim me aty ku jeni s’ka krahasim.......
Kam besim se porsa të lexoni letrën do veproni, por kujdes ama, mos e shqetësoni mamin duke i thënë: ”Kështu na tha babi”. Babi ju thotë që të veproni, por ama nën drejtimin e mamit që e di rradhën e punës.
Pra hidhmuni tani, hopa, në krah, se dua t’ju përqafoj e puth fort, unë babi tuaj kaq i malluar për ju. Ja, hapur po i mbaj krahët për ju djemkat e mi. Babi po ju pret me gjithë shpirt e zemër. Ju puth fort.

3.8.1997
Me shumë mall dhe dashuri, për ty Mirushja ime!
Me sa po shoh e ndjej, kam për të shkruar letër për ty edhe një ditë para se të vini këtu. Pastaj, vendin e letrës do ta zerë fjala jonë e përditshme, që gjithmonë në jetesën tonë ka patur vetëm një stinë, atë të pranverës......
..........Ta dish që këtu një çift i rregullt e vlerëson shumë më drejt njeri-tjetrin.
Pse? Sepse gruaja sheh burrin që s’i përton punës dhe djersin gjithë ditën apo natën. Dhe mundohet ta lehtësojë me sjelljen dhe fjalën e ëmbël. Sepse burri sheh gruan që gjithashtu punon e vjen e lodhur në shtëpi. Dhe atëhere ai nuk mund t’i kërkojë përsosmëri gatimi e rregullim shtëpie e vetë të shtrihet e shlodhet. Por e merr në prehër, e ledhaton dhe vlerëson punën e saj. Dhe të dy rregullojnë shtëpinë e gatuajnë. Pra s’ka më unë apo ti, por ne të dy. Këtu, në marrëdhëniet familjare, b u rr i b ë h e t m ë g r u a n ë sh t ë p i, s e p s e g r u a j a b ë h e t m ë b u rr ë n ë p u n ë. Mos e harro kurrë këtë të vërtetë. Dhe s’ka pse të përgojohet “rrëmuja” e një shtëpie, kur dihet se burrë e grua kanë qënë gjithë ditën në punë.
Sa për muhabet t’i them kaq hollësisht, se mbase je ca kurioze. Ndodh që mblidhen plaçka për t’u larë me ditë të tëra. Sa lahen ato, na të tjerat. Bëhet mal me plaçka për hekurosje e porsa i hekuros, lind mali tjetër............

10.8.1997
Copë letër e paparashikuar në këtë orë të pasdites.
...Mund të mos ta shkruaja këtë letër,...por s’dua ta mbaj përbrenda dufin, a quaje si të duash këtë lloj gjendje shpirtërore, që m’u shkaktua pak orë më parë nga e vetmja që e ka këtë lloj aftësie, zonja Monda. Pas gjithë atyre skenave të pakontrolluara,....kuptohet që s’mund të presësh gjë tjetër veçse vazhdimësi veprimesh, por që sot arritën kulmin me tonin më të ulët që ekziston.
Pra,.. më mirë t’i thuhet butë, qetë, kërkesa për të ikur qysh nesër, për të mos i dhënë Edit shkak revoltimi. Idiotësi e vërtetë e shkallës sipërore, pasi unë, shyqyr Zotit, nuk vuaj nga skleroza, që mos mbaj mend deri në hollësi shpërthimet nevrastenike të Mondas. Jo njerkë të ishte, por shkuar njerkës, nuk do pësoja kaq zhgënjim sa ç’kam pësuar nga kjo motër.
Moj po unë prapë e bëj krahasimin me burgun. Kujto ca skena kur e çojnë të burgosurin në zyrën e shefit. Ky i buzëqesh, i thotë, ”Ulu”, i zgjat cigare, pastaj ujë ose pije. Sa mirë ai çast për atë fatkeq. Pastaj ca pyetka dhe papritur grusht surratit e gjak nga buzët.
Nuk gjej tjetër krahasim e ti mund të thuash se i rëndoj si tepër. Mbase, por shpirti tim e di ama. Mua nuk më hynë në sy çastet e veçanta të mirësjelljes, kur papritur dëgjon të papritura që të prekin në karakter, në thelbin e personalitetit tënd. Ndonëse nuk i marr për bazë, se atëhere s’do flisja kurrë me të, por ama s’ka si mos tronditem. Se ta dish, që së pari më vjen keq për këtë lloj tipi që paska ime motër. Tipi më i paqëndrueshëm e kontradiktor deri në ekstremitet.
Pra sot, Mirushja ime, që unë e taksa për qejf të fjeturën në shtëpinë tonë, paska qënë me të vërtetë fundi i skenave marrosëse të Mondas. Me të qeshur e me të ngjeshur, siç e paska zakon, më tha që qysh nesër të shpërngulem në këtë shtëpi. I thashë që kaq i papërgatitur u dashka të ik, por veshët dhe logjika e saj nuk funksiononin në këtë drejtim.
Vendosa ta përmbaja veten që mos quhesha unë shkaktari i sherrit, por ama pavarësisht nga mënyra e butë e të thënit, ky veprim quhet dëbim e asgjë tjetër......Pra ç’bëri ime moter? Më dha ushqim për ca kohë pa ndihmuar as për punë, as për shtëpi dhe kur ju tek më tregoi derën. Sado të mburret tek të tjerët se “e mbajta vëllanë” e sado t’i thotë ndonjë, ”Bravo të qoftë!”, s’ka për të ndjerë kurrë të vërtetën e kënaqësisë, po nuk e dëgjoi të mirën nga goja time. Dhe unë vërtet nuk e mohoj ushqimin e dhënë, por tjetër ishte marrëveshja dhe fjala e dhënë. Se unë nuk isha keq për ca muaj ushqim, por për ndihmë për t’u rregulluar që t’i dal zot vetes. Nuk erdha për lëmoshë, se isha më mirë në Korçë, po për punë që ta nxjerr vetë bukën e gojës. Dhe as Koço e as Monda nuk lëvizën asnjëherë apostafat për mua.
Koçoja paska lënë Mondan të merret me njerëzit. Mirë a keq të flasë, ai nuk ndërhyn. Bluajnë dhe instruktohet Monda kur janë vetë dhe pastaj ai nuk shfaqet fare, por rri si miu prapa poçes. “Mi” 100 kg që le Mondan për çdo gjë. Kunat i thënçin, që s’u ul njëherë të flasë seriozisht me mua për punën time, por vetëm për kotësira që i përsërit qindra herë. Cfarë prisja prej tij e çfarë doli! Nuk ve në dyshim pastaj frymëzimin, që mund të sjellë të papritura të mira. Por unë që shoh thelbin e jo frymëzimet, nuk ndikohem shumë prej tyre.......
....Unë të sqarova gjithshka pasi dije vetëm fillimin e vazhdimin e ndodhive. Duke ditur tashmë dhe fundin, mbyllet seriali i keq i ndodhive.
Por ne kemi kaq të bukur jetën tonë, të ardhmen tonë, që s’pyet për ndodhira të tilla.
Prandaj,...tashmë mos u merr me merake të këtij lloji që mbaruan, por me perpjekjet e jashtëzakonshme për ardhjen sa më parë. Vetëm këtë merak pranoj ta kesh, se dhe unë atë kam. Të tjerat që lidhen me punën e jetesën do t’i zgjidhim siga-siga (avash-avash) së bashku. Ke për ta parë si do t’ja dalim mbanë. Të të kem ty pranë, pa gjithshka tjetër për mirë do jetë....Nuk mundem më pa ty, pa djemkat e mi. Zëri i shpirtit tim ka për të të sjellë ty e djemkat më parë nga ç’pritet. Të pres, ju pres,...Më thuaj sa më parë ditën e ardhjes.
Puthjeeeee

15 . 8. 1997
.Sot është ditë e shënuar që quhet Panagjia. Qysh dje pasdite në 40 Kishat u çel ceromonia fetare....Në mbrëmje, i vetëm në shtëpi, ndeza dy qirinj të trashë dhe rrija në dritën e tyre..... Sot paradite, me Tomin, shkuam në Kishë. Festë e vërtetë. Jashtë dhjetra vetura, flamuj, shitsa ambulantë, brenda vendet plot me njerëz. Ndeza qirinj e zumë vend deri në fund të ceremonisë që mbaroi nga 10 e gjysma....Tani është ora 2 e drekës e unë në vend të shlodhjes e ndonjë gjumi, preferova të të shkruaj ty zemra ime......Pra s’do t’i ndaj letrat derisa të shkelësh në Selanik.
E vetmja “femër” që m’u qep qysh në fillim dhe s’po më ndahet është Vetmia. Me lloj-lloj findesh e tekash, ajo u mundua të më shtinte të tërin në dorën e saj e të bënte me mua ç’ti tekej. Rezistenca ime sikur e argëtonte më shumë.
E vetmja kohë kur ajo zhdukej nga sytë këmbët ka qënë shkrimi i letrave dhe telefonatat tona. ”Më marsh të keqen!”, i thashë, “ta gjeta ilaçin”, dhe ulu e shkruaj ditën e natën.
Ajo u mundua të më sabotonte, herë me mbarimin e stilolapsit, herë të fletores, herë duke më futur shpoma e merake fallco. Mund ta kesh vënë re dhe ti e dashur në ndonjë faqe letër ndikimin e Vetmisë. Por ama, kur letra përmbante pathosin e dashurisë......Vetmia merrte arratinë.
E keqja më e madhe është se Vetmia pati gjatë kësaj kohe aleatët e saj. Me, apo pa dashje, këta aleatë i dhanë asaj forcë, pa kuptuar pasojat e saj tek mua. Aleatja kryesore, që së fundi nënshkroi traktatin e miqësisë me Vetminë, është ime motër, me emrin Monda. Edhe me prezencën e saj Monda më bënte shpesh rob të Vetmisë, jo tani kur ajo i dha asaj armën më të fundit duke më lënë mua krejt të vetëm në fushën e betejës, më fal, në fushën e jetës.
Duket sikur i tha, ”Merre, bëj ç’të duash me tim vëlla, se vërtet e ushqeva dhe mbajta për të fjetur, por po ta jap ty gati krejt të pambrojtur. Harxhoja shpejt ç’i kanë ngelur në xhep e bëje të zvarritet! Ta shohë forcën time ky kryeneç, që nuk dëgjoi kur i thosha, rri sus se qingji i mirë pi dy nëna! Të shohim tani se kë do pijë!”
Dhe Vetmia m’u sul, porsa hyra në shtëpinë tonë. ”Tani je i tëri imi”, më thosh, e më vërtitej si ato prostitutat e rrugëve. ”Vetëm mua më ke e me mua do bësh ç’të dua unë, me hir a pahir. Ke për të parë sa mirë do t’ja kalojmë bashkë. Unë kam lojtur nga mentë mijra meshkuj, nga më të bukurit e botës e ti nuk bën përjashtim. Porsa kanë rënë në grackën time, gjithë meshkujt janë dhënë pas meje. Joshja ime është e një lloji të veçantë. Se unë ta marr kokën mes shalëve të mia e të shastis me epshin që buron në brendësi të tyre. Thithjes sime askush s’i reziston e unë të zalis me energjitë që të shkarkoj. Bëhesh aq i pafuqishëm nga tërbimi im, sa unë luaj pastaj me trupin tënd të dorëzuar. Bota ime është hapësirë e mbushur me tërbim e ulurima”.
E dëgjoja e nuk po e kundërshtoja dhe ajo kujtoi se e kapërceu pengesën e parë. Më kapi për dore e më vërtiste nëpër shtëpi. Budallaqja! Se dinte se unë kisha marrë masat më parë. Porsa u ula dhe të shkrojta letrën, kur ajo thirri e revoltuar, ”Ma punove i poshtër! Unë po të prisja me kohë këtu, në shtëpi, kurse ti paske lënë me tjetër femër takim.....I pabesë, i poshtër! Ka të drejtë aleatja ime, jot motër, që u bashkua me mua. Ke për të parë çdo të të punojmë të dyja!” Dhe me të vërtetë, atë ditë Monda dha ultimatumin për të ikur përfundimisht nga shtëpia e saj.........
...Kështu, Mirushja ime, Edi tënd po ta përshkruan ca figurativisht realitetin e ditës së parë, kur pësoi zhgënjim e tronditje nga e motra, por ama kur dhe e përballoi e morri forcë e zemër nga mendimi, përfytyimi e biseda me ty e dashur. Me këtë forcë shpirtërore i kam kaluar netët e ditët në shtëpizën tonë.
Tashmë Vetmia është gati e dërmuar e vetëm pak çaste sikur e morri veten. Duket sikur më thotë, ”Që më munde, e morra vesh, por me ç’armë më munde, nuk e kuptoj dot!” “Me armën e dashurisë së përjetshme-i them-që ti e ndonjë si ty nuk e kupton dot. Kjo dashuri është në thelbin e shpirtit tim, ndaj nuk më ndahet asnjë çast, se s’mund të ndahet kursesi vetë shpirti. E njëjta gjë është dhe tek Mirushja ime, prandaj moj Vetmi e vetmuar nuk pati asnjë mm vend për ty. Mua më vjen inat me qëniet njerëzore që u munduan të të ushqenin sadopak ty, por që në fakt dëmtuan vetveten”.
Më thuaj, Mirushe, dashamirësi mund të quhet veprimi i Mondas, në një kohë kur ende s’kisha siguruar minimumin e mjeteve të jeteses? Veprimi i saj ndodhi menjëherë, pa paralajmërim, pra mban erë keqdashje. Po mos e quaj keqdashje, hyn në kategorinë e budallallëkut pastaj. Pra, frymëzime e shpërthime të çastit, nga të cilat mund të presësh pambuk e gur. Quaje pra si të duash.
Përse më mbajti, që ato pak dhrahmi t’i prish vetë, pa marrë ende gruan e femijët këtu? D.m.th. të shtyhej pa afat ardhja tuaj........
Si mund ta justifikojnë Monda e Koço xhestin dëbues, kur ky ndodh në çastin e papunësisë sime dhe mungesën e mjeteve më elementare për gatim? Kanë gojë ata për të folur si t’ju vijë për mbarë, por kam gojë dhe unë, e njerëzit na njohin mirë të dy palëve.
Se ishte Monda që mburrej e thosh se Edin e mbaj e 1 vit, kur tani e dëbon nga shtëpia pa arritur të shfaqin as shkallën më të ulët të njerzillëkut. Aq më tepër kur njerëzit shohin se si fton e mban jo hallexheshën por.....
Kur kryhet një veprim ka rrjedhën e tij logjike. Pra, ndonëse nuk e ka për detyrë mbajtjen time, veprimi pranues i ardhjes time, me synim punësim e sistemim në Selanik, u krye. Pasi u krye ky veprim, pra pasi u thirra për prift, u harrua ky fakt e po më rruhej mjekra, derisa mbeta fare pa mjekër.
Këtu është e keqja e çiftit Furxhi, që të thërresin për prift e të rruajnë deri në gjakosje mjekrën. Dhe duan që për aq sa ta mbajtën mjekrën pa rruar t’i falenderosh për gjithë kohën, pra dhe pas rruajtjes. Kjo mund të ndodhte kur të mbetesh prift me mjekër e jo pa një qime në faqe.
E keqja është se me raste ta lajnë e krehin mjekrën, sa thua, ”S’ka si këta mikpritsa!” Por po me raste të shkulin qime, që ti e di ç’heq nga dhimbja. Të vjen të ikësh me vrap, por thua, ”S’u mbarua mjekra se ju shkulën ca qime”, dhe vazhdon të durosh.
Dhe kur kujton se mjekra po të lulëzon e ngjan tamam prift, të heqin një të rruar të papritur, që ta prish gjithë karierën e priftit. Kështu janë çifti Furxhi, njëri sapunos e tjetri pri. Që s’jam i pari dihet, por më duket se s’do ta mbyll unë kaftanin....
.......Megjithatë,....jeta vazhdon e bota rrotullohet.Unë banoj në shtëpinë tonë dhe kam arritur të rregulloj mënyrën e të ngrënit. Ca pazare me rezerva të vogla ushqimesh, ca kombinime llojesh zarzavatesh dhe me raste pjata me gjellë e Tomit, më kanë rruajtur formën e mirë trupore dhe mendore. Se kam energji pa të shkruaj, pra jam i ngrënë. Kështu do ta shty deri sa të vini ju........
.......Monda më shumë më dëmtoi se ndihmoi, pasi më dha dorën deri në njëfarë vendi e pastaj më shtyu për të më rrëzuar.
Atë e ngacmoi për keq dëshira ime për ardhjen tuaj brenda gushtit. U duk se dhe ajo ishte dakord, por më pas ma tha se kjo ishte dëshira ime e jo e saj. Monda as që ndjen respekt për kunatën, kurse dhembshurinë për nipërit e ka me frymëzim. Ajo nuk denjoi njëherë të kërkojë e dëgjojë Piron në telefon siç kërkoja unë Fionan e Nikon......
....Prandaj si mos them për time motër, që drejtohet nga instikte të pakontrolluara në drejtim të sjelljes me njerëzit, ku herë vepron afiniteti e përkujdesi e herë injorimi, e shfryra dhe ofendimi.........Se di ajo se nuk kam ku të gatuaj, e jo të sjellë një tigankë e tenxherkë, ndonjë furnellkë, por pret t’i vete unë. Kjo çfarë quhet, ndihmë apo kunj ndaj vëllait? Po kunati i famshëm, që thosh se vetëm mua më ka, ku është? Me pushime është, pra s’mund të thotë se është i lodhur e s’del.....Po s’ka sy e faqe të vijë tek unë se e menderosën.... Se patjetër do shohë se si e nxorrën Edin nga shtëpia dhe ç’mund të flasë atëhere?.....Ja pra, Koço, që u fry si gjel e tha ti menderosja të tëra të shtëpisë e të vija këtej. Kurse tani na dalka e kundërta sipas Mondas, pra që Koço nuk ka dashur ardhjen time. Dyfytyrësi e shkallës kulmore. Kot sa merrem me analizën e veprimeve të Koços e Mondas, se asgjë nuk nxjerr në dritë. Unë do rruaj sa të mundem harmoninë e do t’i devijoj sa të mundem çdo lloj ngacmimi e atakimi. Kuptohet, aq sa e lejojnë kufijtë e dinjitetit. Pra, do t’i pranoj siç janë me tepër keqardhje e jo siç mendoja të ishin.
Do desha marrëdhënie me zemër, por tjetër qenka realiteti......
...Si thua, të shënoj THE END për këtë lloj teme, se ta morra mendjen si shumë me llogje të tilla pa bereqet...... Mirupafshim ca më vonë.
.......Nuk të rritet mendja, besoj, kur them se jeta ime je ti, se nuk të krahasoj me asnjë femër të kësaj bote, miss apo top model qoftë. Asnjë femer, e dashur Mirushe, nuk më lëkund asnjë grimë dashurinë që kam për ty. Shpirti tënd i pastër, dashuria tënde e thellë ndaj meje, virtutshmëria tënde e pakrahasueshme, i kanë dhënë fizikut tënd bukurinë absolute, duke e bërë gjithmonë më tërheqëse për mua. Këtu pra është gjithë forca e dashurisë sime ndaj teje, që gjithmonë do jetë e gjithpushtetshme dhe e palëkundshme. Këto fjalë s’ti kam thënë vërtet, por ama i kam patur këtu, në shpirtin tim. Ti duhet t’i kesh ndjerë vazhdimisht nga sjellja ime e përkushtimi im ndaj teje.
Tani t’i them e nuk kam frikë se ndikoj për keq në ty, perkundrazi, e di që më shumë prekesh, emocionohesh dhe më do më shumë.
Sa çifte kanë provuar në fillim betime e stërbetime, komplimenta e thënie: Të dua, të dua, etj, etj. Dhe pas ca kohe, këto slogane janë harruar e vendin e tyre e kanë zënë ofendimet, injorimet, sherret, rrahjet, tradhtitë, divorcet, etj, etj.
Ne s’kemi patur nevojën e thënieve të tilla joshëse, se na joshi vetë zemra e syri. Tani që kanë kaluar kaq vite dhe ndjejmë kaq pasion dashurie, kaq respekt për njeri-tjetrin, na dalin po nga zemra shprehje të fuqishme që s’fidojnë dashuritë kalimtare. Ato nuk janë si karemi i çunakëve për të gjuajtur çunaket e për t’i hedhur në aventura fatale. Ato janë shprehje e një realiteti të jetuar dhe e një të ardhmeje të ëndërruar......

17.8.1997
Djemkat e mi të dashur, Jorgo e Piro!
Ju shoh çdo ditë në fotografinë që e kam vënë në një kornizë në murr dhe në vend të çmallem sadopak, mallosem më shumë.
E keni vënë re që nuk e zgjat shumë bisedën me ju në telefon? Sepse e di që do më hipë e qara dhe s’do përmbaj dot veten. Mundohem të bëhem i fortë prej gjoje dhe kërkoj gjithmonë mamin. Por ama në vesh më tingëllon aq bukur zëri tuaj i ëmbël, që s’më ndahet gjithë ditën. E mendoni babin tuaj duke ecur vetë rrugëve të Selanikut? Dilja unë ndonjëherë vetë shëtitje në Korçë pa ju e mamin? Pra e merrni me mend se sa vuaj shpirtërisht, që për 4 muaj e gjysëm s’ju kam kapur për doçke e të dal shëtitje me ju djemkat e mi. Dhe sipas lekëve në xhep t’ju blija diçka t’ju kënaqte.
Pse, nuk jemi ulur bashkë e kemi pirë portokalladë? Po nganjëherë dhe me mamin a nuk kemi blerë hamburger e koka-kola?
I kujtoj këto çaste të lumtura dhe bëhem i paduruar. Po kur shkonim gati për ditë nga gjyshi dhe nëna?......Tani do t’ju merrja sa herë me biçikletat tuaja e ti Piro do stërviteshe për ta ngarë me dy rrota. Kurse Donaldi kushedi sa çiklist i mirë do bëhej.....Megjithatë ka të tjera variacione për t’u kënaqur ju e unë mezi pres t’ja u tregoj e provoj.
Sepse meritoni shumë më tepër se çdo fëmijë tjetër të argëtoheni, pasi po kaloni një jetë të vështirë e të frikshme, vetëm me mamin, pa mua. Ndaj ju jam shumë borxhli o djemkat e mi, se ika ashtu kuturum, pa u thelluar shumë se ç’po bëja. Ikja ime u imponua nga të tjerët, se ju e dini si e përgatitëm në fillim valixhen, me rrobkat tuaja. Pra do iknim të tërë. Unë kujtova se asnjë muaj s’do kalonte dhe ju do vinit, por m’u vu kufiri tek thana. C’të bëja? Po të kthehesha nuk ndreqja gjë se aty s’kish as punë, as shpresë. Dhe thamë të durojmë ca, që ju të vini këtej e jo unë andej. Po të ekzistonte zemërgjerësia e të afërmve të këtushem, ju tashmë do ishit këtu qysh në fillim, e nuk do pësonim kaq halle e merake.
Do t’i kishit harruar prej kohësh ato krisma, që sa herë ju kanë trembur natën. Por ç’të bësh. Unë pak të flisja për ju dhe ndodhesha në breshëri sharjesh, më keq se breshëria e mitralozit. Prandaj mos kujtoni se unë kam qënë i qetë e pa merake.
Jo, ju keqen babi. Mendimi dhe meraku më kanë shoqëruar çdo sekondë. Dhe jam munduar të kryej çdo lloj pune që të mbledh lek për ardhjen tuaj, për të patur një shtëpi tonën këtu. Se askush nuk u tregua i gatshëm t’ju pranonte për pak kohë në shtëpinë e tij........
Por skagje. Sejcili veten e vet tregon, apo jo? Dhe mua, vërtet më mbajti halla Monda, por unë e di si ndenja, si mbi gjemba....
.......Tani që ka mbi 4 muaj pa ju parë, ma merr mendja që jeni rritur e lezetuar më shumë. Se ju hidhni shtat çdo ditë, o kingat e babit.....
....Kështu pra djemkat e mi, siç e shihni, sot ja u kushtova juve kohën më të madhe të kësaj të djele. Nuk besoj se do më lini më gjatë të shkruaj, por bashkë me mamin keni për të ardhur sa më parë.
Nuk e shihni se ç’mall kam e sa letra kam shkruar këto muaj? Tani dua t’ju kem pranë, të luaj e qesh me ju, të bisedoj e t’ju dëgjoj llafkat e bukura, të shoh trupin tuaj, gjithshka, se tek ju jam unë, babka tuaj, ashtu sikurse ju jeni vetë jeta ime e vërtetë.
Mos më lini të fle e të gdhihem i vetëm në shtëpi, të vërtitem si kali në lëmë kot së koti. Ejani pra sa më parë, se vetëm atëhere do marr frymë plotësisht, do shoh qartë e do dëgjoj më mirë. Babka po ju pret t’ju puthë pe vërteti.

30.9.1997
.........................Tani nuk më mban më vendi. Një lëmsh kam në gjoks. Pres lajmin nga ty Mirushe, e vetëm sihariqi tënd mund të ma heqë këtë lëmsh të mundimshëm.
Sot është e martë. Sot pra, e shumta nesër, mund të jetë çast gëzimi e s’dua të pranoj tjetër alternativë. Gjithshka e kam pregatitur për këtë javë e Zoti duhet ta dëgjojë lutjen time. Po pres e vetëm po pres me mall, dashuri, emocion, për t’ju patur në krahët e mi!
* * *

Δεν υπάρχουν σχόλια: