Δευτέρα 16 Μαΐου 2011

Po kthehem në dje...



Trokitje e klithur
Në portën e mjegullt
Në orën zero të natës më zgjon.
Errësirës ngjitur
Si për të vdekur
Pak dritë jete kërkoj.


Klithja trokitje
Si qarje korbi
Portës së mjegullt vajton.
Ç’është kjo ngrirje
Zero gradë moti
Në zero dhe koha ndalon.


Mundohem të ec
Me sytë e territ
Oh sa pa fund kjo udhë!
Klithma troket
Kodet e ferrit
Që mund t’i çkodoj vetëm unë.


Ku është porta
Mjegulla ku është
Po unë ku jam këtë çast?
Mos vallë koha
Ky korb është bërë
Dhe klithma e tij zëri i saj?

Kush je, moj klithmë
-E nesërmja- the
Që dashke të më lesh pa ditnatë?
Vazhdo trokit
Unë po kthehem në dje
Mbase embrionit tim të parë.

Selanik, 15 maj 2011


P.s. Pak ditë më parë, në mes të Athinës, masakrohet me thika, burri(44 vjet) i një gruaje shtatzënë, që po bëhej gati për ta çuar në maternitet herët në mëngjes. Vrasësit i morrën jetën për një çantë ku kishte një kamera, me të cilën do filmonte çastin më të lumtur të jetës, lindjen e fëmijës së tij. Për atë baba, që nuk arriti të shikojë fëmijën e tij, për këtë fëmijë, që nuk do jetë kurrë në krahët e të jatit, e nesërmja(e krimit) më mirë të kthehej në të djeshme për një tjetër përmasë kohe të jetës së tyre, me mosndodhjen e atij krimi makaber.
Të nesërme të tilla, ku jeta jonë masakrohet së gjalli çdo ditë, kurrë mos ardhshin!






Δεν υπάρχουν σχόλια: