Vogëlushi i vetes sime
Pse më ndjek pas vogëlush i vetes sime
Pse trupin ma vesh me rrobkat e tua
Kokës tullace m'i ve leshkat e ndritshme
Dhe më bën të ec ndaj vetes i huaj?
Ç'qenka kjo botë, që shikimit më jep
Ç'është kjo ndjenjë jashtë botës së sotme
Ku hapat më çojnë nga toka në qiell
Ku qielli më çon nëpër ëndrra rinore?
Ç'është kjo stinë me të gjitha stinët
Ku me valët e detit krijoj topa bore
Ku pemët në gjethe e kthejnë ngricën
Dhe qielli e lag tokën me shkëndija yjore?
Prit, mos më ik, o vogëlush i vetes
Lemë disa çaste të jem vogëlush
Nëse ti s'më vjen, unë tek ty do kthehem
Në kthimin e fundit, që s'do ketë kurrë fund.
24 mars 2011


Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου