Mes dy Itakave
Jo, nuk i gabonin sytë, aq më tepër kujtesa në metamorfozën kthyese në kohë të pamjes së saj. I mjaftuan pak minuta për t'i çrudhosur ato pak rrudha poshtë syve dhe zhdukur poshtë faqeve e sipër gushës pjesën e tepërt mishore të tyre. Sa për flokët, ato nuk ja devijuan aspak bindjen, që ajo femër e ulur pak metra larg tij në bar-kafe, ishte Maria, mikja e dikurshme e kohës së beqarisë. Vulën e plotë të bindjes e vunë ato që e kishin trullosur qysh në shikimin e parë, sytë kaltëroshë. Një kaltërsi e blunjtë dhe e jeshiltë bashkë, që vetëm disa burime ujore të alpeve mund ta krijojnë. Dhe ashtu si ato burime, që mund t'ja përcjellin atë ngjyrë vetëm rrjedhës së tyre e asnjë rrjedhe tjetër, për atë ishte mëse e sigurt, që e njëjta gjë kishte ndodhur dhe me vajzën në krah të Marias.
"Bukuria e përkryer e Marias", tha me vete Fredi, duke mos ndaluar hedhjen e shikimit sa në e jëma, tek e bija.
Bashkë me shikimin ndjeu hutim dhe bashkë me hutimin lindjen e një mendimi çmendarak, që e bëri të kthente kokën sa majtas-djathtas, se mos ja kishte dëgjuar njeri tjetër përreth. E quajti në çast veten të roitur, vuri në buzë filxhanin e kafesë, por për herë të parë ndjeu derdhjen e saj në mjekër nga dridhja e dorës.
Vendosi të ikte sa më shpejt, ndaj bëri me shenjë nga banaku për të paguar, por kamarieri i afruar me nxitim hapash i tha me zë e shenjë, që kafeja ishte paguar nga personi pak metra larg tij. Sytë e hedhur përballë, mbetën në tjetër hutim përpara buzëqeshjes së Marias.
Përsëri bashkë me hutimin dhe mendimi i mëparshëm çmendarak, që këtë rradhë ju përzje me dëshirën jo më pak çmendarake.
Buzëqeshi dhe ai me përmbajtjen e vetes për më shumë seriozitet ndaj çdo të papriture të shfaqjes së të shoqit të Marias. Por Maria, më shumë se buzëqeshja, me një lirshmëri në dukje për t'u patur zili, e ftoi në tavolinën e saj.
Mund të kishte rrëzuar gjithçka nga tavolina nga ngritja dhe lëvizja nxituese që bëri duke u penguar deri afër rrëzimit. Duhej mbledhur vetja sa më parë, ndryshe mund të bëhej siç thuhet, gazi i botës. Dhe kush? Ai superseriozi në mjedise të tilla.
Por sado serioz të ishte, apo të hiqej, afrimi drejt Marias dhe me siguri, vajzës së saj, e bënë të shfaqej si i eturi alpinist, kur i shfaqet burimi ujor.
Ai ujë ishte tani kaq afër tij, sa do deshte të sulej gjithë etje për ta pirë në dy burimet e kristalta. Me një ndryshim ama. Në e para me etjen djegëse të shpirtit, kurse në tjetra, me etjen e freskimit të tij.
"Maria, ti këtu? E pabesueshme! Vajza tënde kjo me siguri. Të ngjan shumë".
Kaq ishte ndjesia jetësore në qenien e tij, pasi më pas trupi filloi t'i mpihej deri në akullnim. Zëri i Marias ju dëgjua si jehonë, që i depërtoi mbyturazi brenda qendrës së ortekut, që sa e kishte marë me vete.
Pra nuk kishte gabuar, jo për Marian, po për të bijën e saj.
U ul si një manekin i ujdisur vetëm për disa poza në vitrinë.
Maria ishte në të njëzetat e viteve të jetës, kur ai e kishte njohur në ndërmarrjen e emëruar pas studimeve universitare. Pavarësisht botkuptimit të tij e sidomos atij moral për dashurinë, shfaqja e Marias në repart ku ai mblidhte të dhëna për diplomën, sikur ja larguan mendjes për një çast gjithçka parimore. Ajo bota tjetër e trurit, që me aq bindje e imponim bashkë e kishte strukur dhe prangosur burgut të ndërgjegjes, sa kishte këputur hallkat e zinxhirit. Po ndodhte brenda tij mbizotërimi tjetër, ai mbizotërim që vetëm me sinjale të rralla e kishte ngacmuar adoleshencës dhe kohës studentore. Sado çudi t'i dukej, ajo po ndodhte me një forcë të papërballueshme. Dhe e gjitha kjo, nga një shikim. Dhe ky shikim, nga dy sy magjikë, ku ngjyrojnë bashkë qielli dhe uji malor.
Ata sy do ta ndiqnin Fredin ëndrrës, imazhit, fantazisë, deri në vetkënaqësi. Jo, nuk kishte devijuar ai nga asnjë parim. Mbase parimi mund të kishte devijuar nga pjesa tjetër e psiqikës së tij. Përderisa diçka e fuqishme po i ndodhte në trup e shpirt, parimi duhej t'i përshtatej kësaj fuqie të re. A nuk kishte ndodhur kjo sa herë me përshtatjet sipas kushteve të reja të teorisë marksiste-leniniste në vendin e tij?
Atë ditë e vendosën heshturazi të dy të bënin gjithçka përmban dashuria. Ai i bindur se kishte gjetur shoqen e jetës, ajo e bindur më shumë nga bindja e tij për të. Të dy të bindur për një akt final, pas të cilit vetëm vdekja mund t'i ndante. Bile as ajo sipas Marias. Të dy sa të frikshëm, aq të guximshëm, sa të turpshëm, aq të dëshiruar, sa të paditur, aq kurizoë, për atë akt të shenjtë.
Fredi ishte i bindur apriorisht për virgjërinë e Marias. Ja që kështu i kishte ndodhur që në shikimin e saj të parë. Për të mos thënë tani, hutimin dhe naivitetin e saj, gjatë intimiteteve prekëse me duar.
Pas çvirgjërimit ata ishin në tjetër botë kënaqësish e ëndrrash për të ardhmen.
E ardhme, që kurrë s'do vinte.
E ardhme, që dhe ëndrrën do ta tmerronte me ferrin e saj.
Maria nuk ekzistonte më aty ku lindi dhe u vra një ëndërr e bukur.
Kur Fredi u kthye nga kryeqyteti pas mbrojtjes së diplomës, ajo ishte zhdukur bashkë me familjen.
Diku mes burimeve malore e rrëzë qiellit, ishin internuar ata sy, për të bashkuar jo vetëm ngjyrën mes tyre, por edhe lotët e Marias, me lotët e Zotit.
Maria vazhdonte rrëfimin me lot në sy.
Jo, nuk ishte faji i tij. Ndryshe s'do ekzistonte kurrë ajo buzëqeshje. Por as ai lot s'do dilte i tillë. Ndërsa buzëqeshja ishte sinjali i lumturisë takuese, loti shuante sadopak etjen e një shpirti, që kurrë s'pushoi së lotuari për një dashuri të këputur në sythin e saj, nga një kohë që mbillte vetëm gjemba telash e hekurash, burgjeve dhe internimeve.
Aty, ku bashkohej e pabashkuara edhe në fantazitë më të tmerrshme e çmendarake të mendjes, parajsa e Zotit dhe ferri i regjimit, aty, në një stallë të braktisur bagëtish, Maria e tij, e lumtur në vuajtje dhe e vuajtur në lumturi, lindi si dikur Maria Krishtin, vajzën e saj Kristinën, siç do ta quante brenda shpirtit e më pas pagëzimit , bashkë me emrin tjetër të shpirtit dhe dëshirës, Fredan.
Jo, nuk ishte pra çmenduria profetike, që i kaloi si një sinjal nga qielli, posa pa Marian me vajzën e saj. Ishte vetë kjo profeci, që tashmë ndodhej e realizuar para syve të tij, para gjithë qenies së tij.
Aty ku bashkohej jashtë çdo fuqie të Zotit parajsa dhe ferri, aty mund të lindte vetëm një krijesë e bekuar nga Zoti, por e mallkuar nga regjimi, Freda e tij dhe e Marias.
Ai, babai i tre djemve, i përvëluar për një çupë, sa kishte gjetur dhuratën e fshehtë të Zotit.
Ajo ishte aty, para syve të tij. Kaq e bukur, ohh sa e bukur, si vetë e jëma.
"Edhe si ty, Fred, bile si ty më shumë. E vetmja çmallje me ty ka qenë Freda në pamje dhe emër. Dhe e vetmja dashuri e vërtetë e jetës sime".
"Njihuni, Fredi për të cilin të kam folur, babaj i Kristinës sonë".
Fredi i zgjati dorën burrit të posa afruar.
Ishte i huaj.
I huaj? Ç'them dhe unë kështu?
Vendali i vendit fqinj, ku kishte përfunduar Odiseja e Fredit dhe Marias vite e vite të shkuara. Sejcili në Itakën e jetës së vet, por kursesi të shpirtit.
Duhej të ndaheshin. Anija pas pak nisej drejt ishullit, ku Penelopa e tij kishte kohë që nuk endtte më pëlhurën e pritjes dhe ku ai, Odiseja i saj, kurrë nuk do të arrinte.
Por, mes dy Itakave, që përmbysnin një legjendë për të krijuar një tjetër, tani ishte ajo, Itaka e re e krijuar dikur dhe e rigjetur për të mos humbur më kurrë, Freda e tyre.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου