Τρίτη 7 Σεπτεμβρίου 2010

Tre të ndryshme në Mëhallën POEZI

Në s’ndodh...

Në s’ndodh diçka në mbrëmje
Dhe gjumit humb në gjumë
Unë prapë të kam në mendje
Një ëndërr shtoj më shumë.

Në s’ndodh diçka mëngjesit
Dhe zgjimit me nxitim
Unë prapë s’i ndahem qejfit
Qoftë puthje, përqafim.

S’kanë ku të venë netët
Mëngjeset s’kanë ku venë
Veç shtojnë më shumë epshet
Që bëjnë sikur flenë.

Më prit ashtu përgjumur
Më prit ashtu dhe zgjuar
Ta kthejmë çdo çast të humbur
Në qejf të dyfishuar.

27 gusht 2010


Më vjen keq

S’më vjen keq se ku do vete
Më vjen keq se ç’do le pas
Nëse trupin tret çdo vdekje
Shpirtin s’e tret asnjë varr.

Dhe ky shpirt lënë pa tretur
Prapë do vuajë si më parë
S’më vjen keq për trupin e tretur
Por për shpirtin mbetur gjallë.

Si do rroj kështu i vdekur?
Si do vdes kështu i gjallë?
Më vjen keq për shpirt’n e mbetur
As për ferr, as për parajsë.

31 gusht 2010


Rrëfimi i Priamit (mbretit të Trojës)

Botës së Hadit endem penduar
Shpirti mbretëror s’më gjen dot rehat
Vula e tij tash Trojën ka shuar
Dhe jo një Helenë me Odiseun dinak.

Tani e kuptoj ç’soj mbreti kam qënë
Mbretëruar nga forca e shpirtit barbar.
Kur erdhi çasti vendim për të dhënë
Helenën dhe Kalin s’i ktheva dot mbrapsht.

O mendje naive, o tru i pagdhendur!
Ç’magji të bëri femërndjekësi Paris?
Nëse mendja e tij një çast ishte çmendur
Mos duhej çmendur e Trojës mbretëri?

O plak matuf, o egoist krenar!
Ç’magji të bëri një Kalë i drunjtë?
Të rrofshin fitoret dhjetë vite me rradhë
Për ta zhdukur Trojën me fatalen minutë.

Ooh, si nuk pëlcet ky shpirt i penduar!
Më shumë mos ma pëlcisni me gënjeshtra, aman!
Kam qenë Priami vërtet i nderuar
Por edhe zhdukësi i Trojës, naivi Priam!

1 shtator 2010

Δεν υπάρχουν σχόλια: