
Edmond Shallvari
Tregim
Edeni tjetër
Ata ndiqnin njeri-tjetrin si në garë stafete, ku marrësi ishte vetë dorëzuesi dhe dorëzuesi vetë marrësi. Në çastin takues diçka thoshin me shenja e përsëri vazhdonin garën për t'u ritakuar, ribërë shenjat, vetmarë stafetën e kështu drejt finishit ende të paarritshëm e të padukshëm.
Nuk ishte vështirë të kuptoje që më shumë se garë stafete, mes tyre diçka tjetër e papajtueshme po ndodhte, por që në çastin takues e shkëmbyes të shenjave zbutej, aq sa kujtoje se pajtimi ishte çështje sekonde. Por kaq ishte shpresa, sekondare, pasi ndodhte një shkëputje nga njeri-tjetri, akoma më e egër në nxitimin vrapues.
Që ishte Eva dhe Adami, merrej vesh edhe nga më i palexuari e njohësi i historisë së tyre. Që sa kishin dalë nga kopshti i Edenit, merrej vesh nga ai pak më shumë se i padituri për këtë kopësht. Që kishin filluar zënkën më parë brenda kopështit, kjo mund të mos merrej vesh nga më budallai i budallenjve. Dhe e fundit, se përse po vazhdonin zënkën përtej Edenit, para syve të mi, duket e kollajtë për të gjithë llojet e të diturve e budallenjve, pasi e kafshuara mollë e ndaluar, lind e njohur që në embrion të fëmijës me premisat e mëvonshme të zgjuarsisë apo lajthitjes.
Kaq, domethënë? Ja u sqaruam edhe për këtë, ç'na dërdëllis atëhere duke i rënë anës e pas anës muhabetit, sikur kushedi ç'ke ndërmend të na thuash? Ka mijra, qindra mijra, varja se sa vite ka, se askush s'e di, kjo mesele e tyre, kështu që përsëritja për të miliontën herë prej teje, shton të miliontën e mërzitjes e besdisjes tek ai që të dëgjon. Kurse vetë ke për të humbur si miliona të tjerë, kohën kot, me meselenë e njëjtë. Kupton se sa kohë milionshe në të çfarëdo masë të llogaritjes së saj, është harxhuar e ka ikur kot nga paraardhësit e tu, bashkëkohësit e tu dhe nga ty tani?
Tund kokën pa mundur t'i përgjigjem as vetes, as atyre që krijon ajo rreth meje. Do duroj, ndryshe nga milionat e tjerë, por edhe nga disa të tjerë më të çëkes, që janë marë më vënçe me Evan, Adamin, Edenin dhe mollën e ndaluar, por të kafshuar. S'kagje, le të më bëjë budalla vetja, e akoma më budalla ata që ajo krijon e më tallin bashkë me të.
E bëra budalla s'ka nevojë për bisturi në tru. Mjafton të dalësh ti pak nga statukuoja ekzistuese e njohjes dhe ke hyrë në të bërën e budallajt.
I fundit këtë çast, po jo i pari ama, e pranoj të bërit e vetes budalla, që ma krijon pjesa e devijuar e saj nga statukuoja e njohjes.
Ashtu siç ndodh të mos mendosh njëlloj me tjetrin, ndodhka të mos shikosh e dëgjosh njëlloj me të. Pak absurde kjo, pasi jashtë teje dhe tjetrit, pamja e zhurma janë po ato, të njëjta në ekzistencë. E megjithatë kalimi i tyre brenda qënies sonë, me sa duket nuk qenka i njëjtë. Pak argument? Mjafton reagimi im dhe i tjetrit jo i njëjtë, ç'ka dëshmon për perceptim e ndjesi jo të njëjtë. Oboo, u largova nga meseleja e nisur dhe kushedi ç'thonë tani ustallarët e penës. Ku e nis nuk e bitis ti Mondi rrëfenjën. Ç'të bëj? Sa gjëra nisim e ndryshe i bitisim në jetë, jo më pastaj një rrëfenjë, që unë e nisa dhe po e vazhdoja tamam, po ajo devijoka e më devijon dhe mua pas saj. Pse? Sepse s'mund të ndaloj siç dua unë stafetën mes Evas e Adamit, as tí nxit për ikje kur ndalojnë e xheç bëjnë me shenja mes tyre. Do t'i pres pra të mbarojnë e kur të arrijnë në finish, do hy pastaj aty ku u nisa në fillim. Pa prit! Sikur the që s'duket ky finish. Kështu do ngordhë gomari së prituri mbirjen e barit.
Mos kujtoni se thatë ndonjë çudi e ma mbyllët gojën. Këtë rradhë jam unë finishi i tyre. Turp, nder, siç shikoj fshehurazi me raste nga ato skenat me pornografi, e pranoj që po i shikoj të dy në nëntëdhjetë e nëntëpërqindshin e masës trupore, lakuriq. Edhe aty mes këmbëve, ku në Eden ju bënte punë më shumë gjethja e pjergullës, pak copëzë e saj ka mbetur nga nxitimi në ikje e sipër. Megjithatë, qëndrojmë përballë njeri-tjetrit ndryshe në turpësi e skuqje. Jam unë nënëtdhjet e nëntëpërqind i veshuri në trup, që më vjen turp, tek jam ndryshe para tyre dhe që skuqem tej skuqjes, si ato qershitë në vishnjë. Instiktivisht ve pëllëmbët e duarve tek vetja, aty ku ata kanë copën e gjethes, gjë që më bën akoma më qesharak. Mbledh shpejt veten nga ky lloj reagimi instiktiv, që u shkaktoka për efekt reagimi ndaj dëshirës të mbulimit të pjesës së turpshme që të shfaqet përballë. Sikur do që të ndihmosh tjetrin me veprimin tënd në dukje absurd. Ja që kështu më ndodhi. Por shpejt vi në vete dhe marr qëndrimin e gjykatësit para të pandehurve. Pse gjykatës? Quajeni arbitër, po deshët. Për ta jam unë finishi e shpallësi i fituesit e humbësit. Nuk është finish kohe, që mat mbritësin e parë. Nu ka stafetë, nuk ka prerje shiriti, nuk ka matës kohe. E megjithatë unë shikoj përtej mosdukjes, kryqëzimin e stafetave të tyre, përtej shiritit, njëjtësinë e hapave të tyre, përtej kohës, çastin ndalues të saj.
-E pandehura Eva. Betohu para pragut të kësaj bote të re për ty, që do thuash të vërtetën e vetëm të vërtetën, edhe sikur ajo të jetë më e hidhur nga faji tënd.
-Të betohem për të vërtetën? E përse? Ja ku jam unë e tëra e vërteta që kërkon. E hidhur? Nuk e njoh këtë fjalë. Nuk ka ekzistuar kurrë në Eden. Mos më ngatërro me fjalët e botës tënde.
Kjo qenka ç'qenka. Keq filloi e s'di sa keq do vazhdojë, se për të mbaruar e di që s'ka për të mbaruar sa të ketë Evë e Adam dhe si mua, që gjithmonë keq ka për ta filluar gjykimin e tyre.
-I pandehur Adam. E njëjta pyetje dhe për ty.
-E njëjta përgjigje që dha Eva. Vetëm dua të parathem diçka tjetër. Ç’domethënë i pandehur? I shpëtoi Evas, po jo mua.
-Ç'na the! Unë e mora për titull mirësjelljeje nga një njeri më të ditur se ne.
-Mos vazhdoni këtu me njeri-tjetrin. Nuk u lodhët? Keni filluar që në Eden e deri sa ju ndala këtu.
-Edhe kujton se nuk do vazhdojmë më pas? Haha, qenke i lezetçëm ti. Sikur të ishe në Eden, s'do më shpëtoje as ti pa të provuar.
Kjo e përmbysi në çast jo vetëm gjykimin, por aftësinë time për të gjykuar. Ç'po përralliste ashtu ajo femër, që s'i bënte tër syri?
Si as unë s'do t'i kisha shpëtuar? Ç'kujton ajo se jam unë, gjah i lehtë për t'u kapur? Se bëri ç'deshi me një Adam, kaq lehtë i duken meshkujt e tjerë?
Kaq më logjikoi mendja me aq sa duhej e më erdhën në mendje nga bota e moralit e kodit të mësuar. Kaq ama. Se sytë e saj të jeshiluar nga ngjyrat joshëse të Edenit, më lëshuan syrit, si era luleve, polenin magjik të ngjizjes.
-Mirë, mirë. Këtu nuk jemi në Edenin tënd të humbur tashmë. Edhe vetë e shikon sa stonon e sa ndryshojmë bashkë. Mistikja tënde fshihet keqazi nga një copë gjethe e fishkur. Aty ku filloi fishkja e saj, mbaroi Edeni tënd e fillon Edeni tjetër.
-Edeni im s'ka për të mbaruar kurrë sa të ekzistoj unë, por as Edeni tjetër s'mund të bëjë dot pa të. Nuk do që ta pranosh me fjalë, por të pashë pak më parë si u gëlltite dhe e humbe toruan. Nëse do ndjeheshe pak më i lirë në Edenin tjetër, pra tëndin, tani do ishe skllavi im e unë skllavja jote dhe ato rrobat e tua të tepërta për lakuriqësinë do fishkeshin më parë se gjethja ime.
-Edhe këtu moj gjarpër vazhdon të helmosh mendje burrash?
-Gjarpër je ti, Adam, që aty, prapa pemës së asaj molle të mallkuar, vajte me gjarpërin e femëruar në tjetër Evë.
-Unë prapa e ti përpara mollës me atë gjarpërin tënd të mashkulluar në Adam. Por ti e fillove e para.
-Jo Adam. Ti nuk më beson, por ishe ti i pari. Unë u ndjeva e vetmuar, kur kishe ikur nga krahët e mi atë natë dhe unë vendosa të hakmerrem. Unë ja kërkova vetë gjarpërit Adamin tjetër, kurse ti u joshe prej Evës gjarpër. Ndryshojmë shumë Adam e kështu do ndryshojmë gjithmonë. Unë kisha tek ty gjithçka e humba më shumë se gjithçka. Tani është zor të gjej Adamin e parë. Në çdo Adam tjetër që mund të gjej, kam frikë nga vetja, nga ai gjarpëri që më ka hyrë thellë saj e më nxit për Edenin tjetër që krijuam brenda Edenit të parë. Edeni tjetër është këtu, ja në këtë prag, ku ky i ashtuquajturi gjykatës më kërkon të betohem për të vërtetën, që dhe vetë nuk e njeh. Ose e njeh për aq sa të gjykojë të tjerët, por kursesi vetveten.
-Mjaft, e pandehur! Kështu rëndon më shumë veten tënde!
Se si e lëshova këtë thirrje kopjace nga sa e sa seanca të tilla, as vetë s'e di, veç di që e humba toruan dhe vetja m'u duk si ai nxënësi që mësonte e përgjigjej përmendësh në klasë.
Kjo Evë, më shumë po më çudiste me të rejat e Edenit të saj, që unë as në fantazi nuk i kisha krijuar. Ose, gënjente me aq mjeshtëri, për t'ja hedhur dënimit që e priste.
Çdërdëlliste aq bindshëm jo vetëm para meje, po edhe në debat me Adamin, për Edenin e saj e të tyren, për Edenin tjetër brenda tij, që i kishte bërë të ndiqnin njeri-tjetrin në atë stafetën e çuditshme të para pak minutave?
Ajo do më përmbyste mua e botës sime të vërtetën mijra vjeçare të mëkatit të saj, që na dha ne këtë jetë mëkatesh më pas?
Kaq kollaj kjo Evë flakte mollën e kafshuar, duke e shndërruar në pemë, rrëzë së cilës paska parë të parin të dashur të saj Adamin, me një tjetër Evë?
Dhe më mistikja tjetër e saj, që jo vetëm po më luante mendsh për nga fantazia, por lëkundte për të vërtetën e mëparshme, ajo historia e kërkesës ndaj gjarpërit për t'i dhënë forcën e hakmarrjes. Pra molla na u bë pemë, pema vend mëkati të parë të Adamit me Gjarpërin- Evë e më pas, të Evës me Gjarpërin -Adam. Kështu ndron jo vetëm historia mijravjeçare, por edhe kodi moral i saj i pashkruar. Po faktet që kam në dorë e që nga pranimi i të dy palëve rëndojnë Evan? Sepse ndërsa kemi një Evë, që veproi për hakmarrje, e kjo sipas rrëfenjës së saj, kemi një Adam me flagrancën e kapjes së saj me tjetrin, gjë që Eva e pranon. Nëse do ishte ajo kapësja e parë, rëndesa do ishte në të kundërt. Pse-ja e një mosveprimi të tillë, më ka munduar në sa e sa procese të tilla, po sot s'di pse po më rëndon më shumë. Nëse do njihej kjo e vërtetë e femrës, që është pasojë e një shkaku të mëparshëm, mbase diçka do ndryshonte në ligjet e nënligjet, në nenet e nënnenet e jurisprudencës. Por më tepër do ndryshonte diçka thelbësore në kodet morale të pashkruara të shoqërisë. Dhe akoma më shumë, në kodin burrëror të mashkullit. Jo burrëror për nga madhështia e burrit, se sa të llojit patriarkal të pozitës së tij në familje e shoqëri.
Oh, më falni se më rrëmbeu zanati dhe vetja jashtë zanatit, duke ju mërzitur me leksione mbase të njohura më mirë se unë. Po ja, kështu e kam unë, ndaj dhe vuaj. Sinqerisht që vuaj. Përmes një gjykimi që e kam lehtë ta fus brazdave të ligjeve dhe të jap versionin tim të dënimit, endem jashtëligjësisë, si me thënë, shkëputem nga forca tërheqëse e tokës dhe dal hapësirës së lirë, ku s'më ngacmon asnjë forcë shtytëse, apo tërheqëse, asnjë pengesë muresh sallash të gjykatës, asnjë ndërhyrje, apo presion të vegjëlish e të mëdhenjsh, as nga ato zarfet joshëse me kartmonedha, që deformojnë normalitetin trupësor e shpirtëror të njeriut.
Që të veproj dhe në rastin konkret nga kjo hapësirë e lirë, më duhet ai tjetri, Adami, që vazhdon të mbrojë me kryeneçësi nderin e tij të cënuar nga Eva. Jam i bindur që ai po i beson pjesës së gënjeshtërt të vetes, aq sa për të flet më me pathos, se e vërteta tjetër e saj. Kjo më dëshpëron. Do t'i le kapërcimin e pragut në këtë botë, një besuesi të gënjeshtrës së tij. Ai do vazhdojë të shumohet kështu me këtë besim, edhe pse e di mirë ç'bëri aty, rrëzë trungut të asaj molle të Edenit. Dhe ajo që më bën të hedh tej pelerinën e gjykatësit, është se kurrë s'do mund të gjykoj procesin e padukshëm, të jetëve të dukshme njerëzore. Ky proces më shfaqet zgjuar e në gjumë, më kacafytet pas copës së zezë që nga fundi i këmbëve, kacaviret më lart për të më rrethuar shtrëngueshëm grykës. Atëhere ngrihem i djersisë nga gjumi, ose lëviz vendit, duke liruar kopsën e parë të këmishës kur jam zgjuar. Eshtë padukshmëria e asaj, që sot ma bindi akoma më shumë kjo Evë e gjarpëruar, para gjarpërimit të saj. Nuk do ishte kurrë ajo e para rrëzë asaj peme, që do t'ja dridhte Adanit të saj me një tjetër Adam. Sepse Adami i saj ishte përkryerja e mashkullitetit- njeri, të ujdisur vetëm për të. Ajo kishte pjesën tjetër të vetes së munguar, ku bashkë me të nuk i tepronte asnjë copëzë për të tjera kompesime. Po Adami? Nga vetë natyra mashkullore e tij me dhuntitë e forcës, të epërsisë, ndjehej sa i plotësuar, aq dhe i tepruar përballë një Eve më delikate e të dhënë pas tij. Një Adam i tillë, sipas mendimit tim, do bënte atë që bëri, i pari e jo i dyti, aty rrëzë pemës së mollës.
-Adam! Do pranoje të të bënte Eva ty, atë që i bëre ti asaj?
-Kurrë?
-Je fajtor Adam për shtyrje në të njëjtin faj të Evas, e për këtë do kërkoj rishkrimin e historisë së mollës së ndaluar e mëkatit të parë.
-Eva! Do pranoje të të bënte Adami ty, atë që i bëre ti atij më pas? M'u përgjigj si Eva që njoh unë, para asaj molle të ndaluar.
-Tani që e mendoj, ndjehem keq.
-Je fajtore Eva, edhe pse pas një shkaku nxitës. Shkaqet nxitëse në jetë mund të çojnë në ekstreme të rrezikshme. Tëndja çoi në ekstremin e një tradhëtie, që unë e di ç'po heq së pari, dëgjuari e gjykuari, që kur jam ulur në këtë vend të gjykatësit.
Dua, s'dua, ligji më detyron t'ju le ta kapërceni pragun, të hyni e vazhdoni kësaj bote jetën tuaj tjetërlloj. Fundi i fundit vërtet mund t'ju duket tjetër Eden nga tuaji parajsor, po me sa dëgjova e mësova nga ju, Edeni tjetër paska filluar të ekzistojë, që në parajsën e vet.
Isha duke zbritur shkallët. Eva dhe Adami, sikur mos kishte ndodhur gjë, u puthën buzëve të njeri-tjetrit, duke u ndarë në dalje të portës. Aty, në pragu i saj, tek bëja të dilja, Eva më del përpara.
-Mondo, këtu është pragu i daljes nga pallati i drejtësisë dhe hyrjes në jetën e përzjerë. Kur të duash të provosh Gjarpërin- Evë, thuaje me ment atë dhe atëhere do provosh të paprovuarën. Mere këtë për mos'harim.
Mbeta i shtangur, pa kapërcyer dot pragun, me një copëzë gjetheje në dorë.
Selanik, 27 qershor 2010

4 σχόλια:
Po vendos këtu mendimet e disa miqve ne facebook:
Agim Pipa
Filozofi e thjeshte, pragmatiste dhe e vertete. Askush, nuk i shpeton dot asaj. Ose, atyre: Evas, Adamit, gjarperit Adam dhe Evas gjarper...Dhe, jeta vazhdon, ne kopshte Edeni, qe racat e njerezve, i pershtasin ne nje: kopesht me molle te ndalueme, qe kafshohen papushim, perjetesisht, me patjeter, me se s'ben...Esse, apo tregimth i bukur Mondi. Nuk do ishte keq, te shkruaje me tej, histori te tjera njerezore, bazuar mbi kete legjende. Nese po, pune te mbare, miku im!
--------
Gentjan Banaj
Permes simbolizmit dhe metonimise, MOndi arrin te na percjelle me nje stili sa tregimtar aq edhe esseistik problamitiken dhe mendesine shoqerore si plage dhe si filozofi.
Pershkrimi dhe transmetimi i ketij mendimi me elementet simbolike -biblike kapercen cakun e nje kohe duke i dhene mesazhin e madh gjithekohor, perjetesine.
Urime, miku im Mondi !
Genti
----------------
Luan Xhuli
Simbolikë që rrëfen të vertetën që fshihet...Filozofi që përkufizon mendimin ngacmues...!
-----------------
Konte Sin de Vak
Jam me Gentjanin , madje desha te shtoja se kerkimi i hapesirave per perthyerjen e mitit religjoz dhe shpalosjen e ideve te qendrueshme ne domethenien e vitalitetit njerezor deri ne sterhollim dhe rafinatece me mrekulloi.
Urime dhe sukses !
--------------------
Jona Merjo
Mond,te ndjek me vemendje te madhe,me jep kenaqesia letersia jote,ndoshta pse behet nga elemente simbolike...Te falenderoj ,sinqerisht!
-------------------
Adriana Zguri- Ducellari
Sasia shpesh here rendon ne kurriz te cilesise por deri me tani nuk e kisha ndjere edhe per asnje cast te vetem teksa lexoj shkrimet e tua. Filozofia e autorit ia ka arritur per mrekulli ta kaperceje kete handikop, jo vetem duke ia dale por mbi te gjitha duke servirur bukur. Kendveshtrimi juaj sa interesant aq edhe real
Mesazh nga shkrimtari Petraq Zoto:
I dashur Mondi,
Kam qenë mjaft i zënë, ndaj po të shkruaj paksa me vonesë rreth tregimit tënd të ri “Edeni tjetër”. Ky është më i forti që kam lexuar prej teje, ngjan si sinops për një roman të pazakontë e madhor, por edhe kështu është tronditës, dëshmi e një individualiteti krijues të veçantë e potent. S’më vjen mirë t’i përsërit sugjerimet e mëparshme, mirëpo gjykoj se duhet ta shohësh krijimin nga ai këndvështrim, sepse, në fund të fundit, proza është art, emocion, duhet të pëlqehet para se të meditosh për brendinë e saj, kurse ti shpesh e shndërron në ese të mirëfillte, aty-këtu dhe në kalambure që e lodhin edhe lexuesin më të vëmendshëm. Megjithatë, urime të nxehta.
Miqësisht,
Petraq Zoto.
2 qershor 2010
Koment ne facebook:
Elona Mitre
I mrekullueshem ky shkrim.....Filozofia e absurdit...e koceptit kohe qe tashme eshte kokolepsur me keq me ngaterrimin e mosnjohjeve te se vertetes,moralit,ndershmerise e te hedhim tutje mekatin e genjeshtren qe brejne familje e sjellin shkaterrim-dora e djallte ne perdorim....
Ku objektiviteti e subjektiviteti duhet te zhduket per te mbizoteruar ndergjegjia njerezore...ajo qe lakmohet si puritane ndaj simboleve te edente,ku ciftet duhen te njohin nj-tj:ku jetesa do vazhdoje te beje tatto te dukshme ose jo qe nga historia e pare- ajo e prejardhjes se majmunte prej nga vijme qe zgjohemi te tmerrshem sikur biem nga lartesite ne boten e udhetimte te endrrave;bota e shkences e revolucionit...ose per te ecur paralel me keto subjekte mijera vjecare te popullimit!!!!!Te jetosh vetem eshte po aq e veshtire sa te jetosh me dike tj...udhekryqi ku mund te ndodhemi na ben absurde si vete situata....por qe ne skemi cte bejme jemi ato qeniet e brishta me plot endrra roze ne zhvillim (se enderrimtaret jane ata te cilet cojne boten para...)si kjo historia e juaj qe rimisheron nje F.Kafke te ri po pa inicialet e tij-ju deshironi inicale personazhesh qe i njeh dhe femija ne djep... mesazh universal qe transemotohet bukur nepermjet leksikut dialektor jugor qe eshte sh emotiv....Pyetjet retorike reflektojne ndergjegjien e zeshme te njeriut qe kerkon Drejtesine e udhen e pafundme te shkrire nepermjet mashkullit e femres ,qe ne anatomi jane te ndryshem por ne ide e mendime te njejte ndaj dhe funksionon lidhja e vazhdimesia e jetes se tyre .....Pergezime per nderthurrjen e ketyre personazheve te dyzuar........por qe me mekatarja mbetet prape simboli femer...tunduesja e gjithe koheve e shpirtrave mashkullore si Kleopatra,Klitemnestra...e sh te tjera qe objekte pushtimi kane patur te ndryshme...Eshte kenaqesi te lexosh punime te ketij lloji mgjth kohe skam patur e jam me vonese ne rishikimin e tregimeve...
Gjithe te mirat e u frymezofsh sa me sh ne cfaredo gjinie...
Δημοσίευση σχολίου