
Tregim
Atë s’mund ta shpëtonte dot as Krishti
E tejkaluar në dehje nga vera e tepruar në pirje, afrimi tek krevati i shfaqte në shikim rrumbullakosjen e deformuar të katrorllëkut të mureve, kurse nëpër qoshet e zhdukura të tyre, krijoheshin spiralisht lëvizje thellësore rrathësh, që shkonin drejt një qendre të padukshme thithëse. Me mundësinë e gjysmëxhveshjes u plas barkas krevatit, me këmbë e duar të hapura, drejt qosheve gjithashtu të rrumbullakosura të tij. Me kokën ngritur e mjekrën mbështetur jastëkut, lëshoi zërin lutës ndaj ikonës mbi kokën e krevatit. “Më jep një fëmijë, o Zot i madh! Maria quhem dhe unë, si Maria e birit tënd”.
Ikona u lëngëzua rrjedhshëm në mur, si verë e derdhur nga gota mbi mbulesën e bardhë, duke krijuar dhjetra degëzime vijash të holla, që pas pak u ngrinë dhe ndriçuan në formë vetëtimash e gjëmimesh. Maria çakëriti sytë, por kjo më shumë i shtoi në shikim ndriçimet gati verbuese e në vesh zhurmën gati shurdhuese. E megjithatë, as sytë nuk i mbylli, as veshët nuk i zuri me gishta.
Dehja nga vera s’ishte gjë, para llojit të ri dehës, që po i depërtonte në gjithë trupin me një forcë të papërballueshme. Ajo filloi prekshëm në pulpat e këmbëve, i largoi shqyeshëm hollësinë e këmishës dhe akoma më egërsisht najlonin e getave në dy anët e vitheve, duke zbuluar bardhësinë e lakuriqtë të tyre. Ndaloi një çast e bashkë me të ndaluan dhe vetëtimat e gjëmimet.
Jo, nuk kishte ndaluar asgjë. Gjithçka po vetëtinte e gjëmonte ndezshëm, brenda trupit të Maries. Ishte zëri i saj, perpelitja e saj, ekstaza e saj. Ashtu, e plasur si në fillim, ngritur vetëm gjysmëbarkas, ngjeshur më pas vithet, thithur brenda tyre, si ato spiralet qosheve të mureve, lëngun e farës së kërkuar.
Juda, siç ja kishte vënë llagapin ndihmësit të tij i shoqi i Maries, Sifi, i dha shtytjen e fundit trupit, deri sa ndjeu që asgjë se lidhte mes shalëve të saj. Ngriti pantallonat e zinxhirin bashkë, shtrëngoi në mes ripin, ju ra përkëdhelshëm me dorë dyanshmërisë së vitheve dhe si të mos ndodhej në atë dhomë, u largua heshturazi.
Maria shtrëngoi këmbët, duke mbajtur me zor brenda lëngun e derdhur, që megjithate po e njomte mes tyre. Me ndjesinë e mëkatit hodhi sytë ikonës, që po formësohej nga shuarja e vetëtimave dhe lëshoi drithshëm zërin lutës të faljes.
Sifi u kthye pas mesnatës dhe me lëvizje si në mungesë ajri hyri dhomës, bëri pak shtytje me dorë trupin e saj dhe kur pa që ajo s’lëvizi, u bë paralel me anën e krevatit. Nga lodhja, gjumi ia largoi sikletin shtrirës.
Qielli i natës i kishte shkarkuar gjithë retë e mbledhura me një shi-breshër, vetëtima e gjëmime, për t’u gdhirë krejt i pastër, me pak kuqësi në lindje dhe freski ajri të lagësht. Maria, mbaroi bërjen e ponçit dhe vuri xhezven për kafenë. Sifi që mezi solli në vete kockat e bllokuara të trupit, u ngrit përgjysmë në krevat, mbështetur jastëkut, në pritje të Maries. Shfaqja e saj me diskun në dorë, ju duk krejt ndryshe nga çdo mëngjes tjetër, Aq ndryshe, sa i erdhi t’i sulej që nga krevati, ta rrëmbente në krahë, ta hidhte pastaj aty e të lëshohej si i paparë mbi të. Kështu i kishte ndodhur dikur, herëve të para të bërjes seks, pas pamjeve si të sotmes të Maries, që e joshnin më shumë. Afrimi i saj e largoi nga sulja, por jo nga ngacmimet poshtë niktikosë, bashkë me nazet dhe thënien e saj, ”Avash se do më derdhësh filxhanet!”
Maria e ndjente deri në bindje, që atë natë lutjesh e kthim të ikonës në vetëtima e gjëmime të papritura, diçka më shumë se njerëzorja kishte ndodhur brenda saj, aty ku fillon rrugën ngjizja e farës për jetën, aty ku ndal kjo ngjizje e fillon magjinë e saj të embrionit të krijesës së re.
Ç’të ishte kjo më shumë se njerëzorja? Kur njëlloj si ajo do provonte atë që provonin miliona femra me barë? Ja që ajo kështu e ndjente veten e saj, nëse vërtet brenda saj kishte ndodhur thagma e barës. Thagmë? Si i erdhi kjo fjalë për ndodhi çudirash tej normales e të zakonshmes së jetës? Mos po gënjente veten dhe justifikonte diçka që e rëndonte në shpirt?
Ç'ishtë ajo, Maria e Krishtit, që gati sa s’po i dukej vetja e barosur nga fryma e shenjtë?
Maria e Krishtit?
“Falmë o Zot për këto mendime të marra. Po nuk i mbaj dot. Nuk i kam mbajtur dot as më parë. Që atë çast kur fara e Sifit nuk mbinte dot në barkun tim. Kam menduar që atë çast për Marien tënde. Jam lutur si ajo. Besoj që dhe ajo do jetë lutur. Dhe atë natë kur t’u luta më shumë, të ndjeva më shumë. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Si Marisë tënde? Oh, mos më gjyko o Zot! Nuk tallem. Krijesa tënde jam e në dorë më ke të më gjykosh e dënosh. Unë jam dhe s’jam Maria tënde. Kam vetëm emrin e saj, kam burrin me emrin e burrit të saj dhe ja ku të premtoj, që dhe fëmija që do lind, do ketë emrin e birit tënd. Lemë të mbaroj këtë mision gruaje e pastaj bëj ç’të duash me mua. E di. Ferri më pret. Jo si Marien tënde, qielli hyjnor. Edhe pse më duket i padrejtë ky fat. Më ler të shprehem. Fundi i fundit më keq se Ferri s’ke ku më çon. Nëse do ishe gjykatës dhe ndaj vetes, siç je ndaj nesh, duhej të gjykoje mëkatin e parë fare. Jo atë të Evas. Ajo është një hiç para tëndes. Nuk po zemëohesh me sa shoh. Jashtë ka diell e asnjë re. Pra të vazhdoj.
Nëse bëra unë mëkat me Judën, oh, ç’rastësi e keqe emrash me tradhtarin e djalit tënd, që dhe atë jo pa qëllim e krijove, a nuk është lloj i mëkatit, edhe ajo që bëre Ti me Marien e martuar? Të besoi Josifi se ke fuqishmërinë e besimit, po Sifi im, a do më besojë dot mua, me pafuqishmërinë e femrës mëkatare? Dy mëkate o Zot, me fate të kundërta Mariesh”.
Duhej t’ja thoshte sa më parë Sifit, pa dalë barku në dukje. Po kur? Në mëngjes, kur dalldisej pak nga ponçi dhe thithte shijshëm kafenë? Me pak naze më shumë para, apo pas pirjes?
Apo në mbrëmje si ajo e asaj nate, kur vera sa nuk i xhveshi majë trapezës, po mos ndodhte vdekja e shokut dhe rendja për bërjen e arkivolit,, ashtu siç deshte t’ja bënte vetëm ai?
Në të dyja variantet, duhej të ishte ajo më dalldisja se pijet, ndryshe humbej davaja. Në atë të mëngjesit do duhej të sforcohej më shumë, pasi tjetër ishte kur vinte dhe vetë në qejf nga dehja. E dehur nuk përmbahej dhe ai e dinte ç’hiqte. E padehur do duhej të kujtonte Judën. E tmerrshme. Ndjeu se kishte rënë në mëkat dyfish, jo vetëm ndaj burrit, po edhe Zotit, pasi Maria e Tij nuk kishte asnjë Judë në jetën e saj me Josifin, si ajo.
Sifi pranoi i menduar fjalët mes skenave të seksit të Maries, pa kundërshtuar asnjë prej tyre. I vetmi kundërshtim, që siç filloi dhe mbaroi, pavarësisht përpjekjeve me çdo pjesë ngacmuese të trupit e kokës së Maries, ishte mos ardhja në formë, edhe pse përbrenda ndjente zjarrllëkun ndezës. Për të mos e mërzitur dhe lënë pa kënaqur të shoqen, ai bëri ç’mundi sipërfaqshëm e më tej me duar, derisa dëgjoi rënkimin ulëritës të saj. Meqë Sifi nuk i ktheu kurrizin, por vazhdoi deri në fund të ekstazës, Maria u ndje triumfatore në gjithçka atë natë.
Jo, nuk duhej krim i dyfishtë. Kaq fije mëshire i kishte mbetur ende në pjesën e pakët të shpirtit të mpirë. Nuk ishte si ata të papërmbajturit e shkalluar, që në çmenduri e sipër merrnin veç jetës së grave edhe jetë të tjera. Çmenduria e tij ishte zbutur që në çastin e ardhjes. E megjithatë ishte çmenduri. E vetma gjë që i kishte lënë pjesës së koshiencës, ishte durimi i pritjes deri në lindjen e fëmijës. Më pas edhe kjo pjesë do çmendej si gjithë të tjerat. Derin atëhere do vazhdonte t’i shtohej më shumë padurimi i çmendurisë, nga sytë e gojët e njerëzve.
Maria e tij ishte tjetërsuar në Magdalena e para dy mijë viteve dhe s’kishte Zot e Krisht ta shpëtonte. Sepse thirrjes së Krishtit për të gjuajtur i pamëkatshmi njeri mbi atë grua mëkatesh, ishte ai i pari që do t’i përgjigjej. Kështu ishte në rregull jo vetëm me veten, por edhe me Zotin.
Po Kristina e vogël? Logjika e çmendurisë e vërtiste po rreth saj. Ajo nuk duhej rritur me qumështin e mëkatares, edhe pse ishte krijesë e tij. Po mëkatari tjetër pse duhej të jetonte? Ja që këtë i urdhëronte përsëri logjika e çmendurisë. Juda le ta gjente nga tjetërkush, ashtu si Juda i vërtetë. Kot s’ja kishte vënë nofkën Judë, edhe pse e mbante në punën e tij si ndihmës. Të shiste më keq se Juda, për një meze kërnacesh e një gotë birrë. Me siguri që i kishte bërë magji, që nuk e dëbonte. Qarjet e tij për jetën, ja mposhtnin Sifit, anën tjetër të inatit. Kujtonte se me kalimin e kohës e mësimin e zanatit të marangozit, Juda do ta vetlargonte nofkën e keqe. Por ai, siç po merrte nga zanati i Sifit, arriti t’i merrte më parë më të çmuarën e jetës, Marien. Jo, nuk do ta merrte pas edhe atë. Nuk e meritonte të iknin të tre. Ai do merrte me vete vetëm Marien e tij e njëkohësisht do godiste me gurin e dënimit, Magdalenën e saj.
Zoti le ta gjykonte pastaj.
Ata dukej sikur po flinin shtrirë të dy, pranë njeri-tjetrit, sejcili në arkivolin e vet.
Qarja e Kristinës e tundi nga shtangia e tmerrshme Judën. E mori në krahë, e shtrëngoi në gjoks dhe doli jashtë duke vrapuar e thirrur ulëritshëm. Para syve i shfaqeshin arkivolet bosh, që pak ditë më parë i kishte bërë vetë Sifi, pa e lënë atë ta ndihmonte. Prapa i dukej sikur e tërhiqte një dorë e padukshme, por që më pas e përfshiu të tërin rreth kockash skeletore. Në vesh i kumbonte zëri i Sifit, “Judë, që Judë mbete, o i gjorë!”
Pas, me bardhësinë e mermertë të laluriqësisë, vraponte drejt tij Maria, me duart shtrirë drejt foshnjës.
Kristina nuk ishte më në krahët e tij.
Ambulanca lëshoi zhurmën alarmuese të urgjencës.
Selanik, 24-25 qershor 2010

3 σχόλια:
Miq në facebook shkruajnë:
Qani Abazi
Amesia eshte instikti me i fuqishem egzistencial, i pa konkurushem me asnje ndjenje tjeter njerezore, ne emer te amesise gruaja ben jo mekat por edhe krim.Ajo qe ne gjeneze ka nje pakt te fuqishem me zotin ate te krijimit dhe te vazhdimesise,dhe realizimi i keti pakti e terheh ate si graviteti, duhet ta realizoje pa derman.kjo eshte thelbesoria, te tjerat, jo mekati jo tradhetia jane korniza e konvencione shoqerore,te vendosura nga te vdeksmit me kontrate(Kontrata shoqerore e Zh, Russoit).Raporti nganjehere kontraditor midis ketyre te dy gjendjeve te species njerezore, eshte objekt i iluminimt te letersise, arteve filozofise dhe shkences.Tregimi yt Mondi eshte i bukur i thelle.
-----------------------
Belina Frasheri
Edi behesh gjithmone e me befasues me shkrimet e tua. Kurreshtja qe i ngjall lexuesit jep nje kenaqesi teper te vecante , fantazia dhe filozofia jote bashkejetojne shume kendshem dhe ndjesia qe i le lexuesit ne mbarim eshte nje mrekulli. Flm dhe urime .
----------------------
Eva Hysi
filozofia dhe arti jane shkrire kaq harmonishem ne kete tregim me teme kaq interesante sic eshte amesia dhe mekati ne emer te saj...flm per kenaqesine qe na dhuron me prozen si dhe me poezine :))
-------------------
Ziko Kapurani
Mondi! Eshte nje tregim shume interesant. E nisa dhe nuk mund ta lija ne mes. Eshte tejet jetesor. Shume i vertete. Dhe i realizuar mrekullisht. Tregime te tilla, nuk i gjen gjithmone , sado te rrish ne radhe.
Po vazhdoj me komentet në facebookË
Laureta Lika
Urime! Mopasan i vertet.
-----------------
Adriana Zguri- Ducellari
Nuk ishte e thjeshte te lexoja, dhe aq me shume te ta ndiqja mendimin. Te filozofosh me artin per jeten nuk eshte e zakonshme dhe per te qene e bukur eshte e veshtire...kjo ju ben te vecante :)))))
-----------------
Elindjona Rexha
Falemnderit per kenaqesine qe me dhe duke lexuar tregimin tend. Si gjithmone nga duart tua dalin gjera terheqese dhe te vecanta. Te komplimentoj duke te uruar nje vazhdimesi gjithnje e me te begate.
--------------------
Agim Pipa
Ankthe te tmerrshme. Qe percillen prej Marias, tek Sifi dhe Juda. Keshtu ndodh, kur ne Kopshtin e Edenit, ngaterrohen druret, me kembet e njerezve...Urime. Stil i vecante rrefimi. Artistik dhe mbreslenes.
Shkrimtari dhe perkthyesi i njohur, profesori Vangjush Ziko, shkruan ne Bota e Re ne internet:
Si e lexoj une tregimin e Mondit
Nje femer e deshiruar per femije,qe nuk ia "jep" dot bashkeshorti.
Nje mekatare e ndergjegjshme.
Dilema midis deshires femerore per t'u bere nene dhe paaftesise fatale te te shoqit, ne planin biologjik, e bejne gruan nje mekatare "pa faj",nje mekatare "te ndergjegjshme" .
Dilema midis deshires perveluese nenesore dhe gjyqit te ndergjegjes se saj fetare perbejne dramen e saj si personazh letrar,nje drame njerezore dhe fetare,reale dhe surreale.
Perplasja e ketyre dy dramave ka percaktuar dhe stilin e tregimit( frazeologjine me emfaza delirante;monologun me ngjyrim filozofik,teologjik ,eseistik; fjalorin dhe krahasimet;paraleli znat blasfemike;subjekti n lakonik,i thene dhe i pathene;"vellon" mistike te fillimit dhe te fundit te tregimit;emrat e kerkuara te personazheve dhe paralelizmat simbolike midis tyre;shprehjet fetare...
Perqasja midis castit mekatar njerezor dhe atij biblik te evangjelizimit, le shteg per diskutim parimor dhe te ben te mendosh se eshte i sforcuar (perqasja midis Judes (njeri) dhe kryeengjellit Gavril,qe solli mesazhin hyjnor,casti seksual njerezor dhe casti biblik).
Gershetimi midis reales dhe surreales eshte shume delikat gjithmone.
Personazhi i Josifit me duket me i realizuari,nje personazh real,jetesor, nje personazh tragjik (me nuanca dostojevskiane) ,qe vetendeshkohet per paaftesine e vet.
E pershendes guximin krijues te autorit;e pergezoj kembenguljen e tij per te kerkuar forma te reja bashkekohore te shprehjes artistike ne poezi dhe ne proze,synimin e tij per pergjithesime filozofike.
Suksese te tjera,Mondi!
Vangjush Ziko
Δημοσίευση σχολίου