
Aq ishte.
Maria posa kishte hyrë një tjetër bote. Asaj bote, që asnjë natë e 20 viteve të saj nuk ia kishte shfaqur, në ëndërr jo e jo, po as në fantazitë më të shkrehura të seksit. Të seksit? E ku merrte erë ajo nga kjo fjalë? Po , po, nga kjo fjalë, sepse edhe si e tillë, për Marien ishte më e ndaluara që mund të thuhej nga një femër. Kurse sot, tani, pak sekonda më parë se tani, ajo, e ndershmja Mari, e virgjëra Mari, e mbyllura, e humbura, e posamartuara Mari, kishte hyrë asaj bote që shpirtërisht e urrente, trupërisht i trembej, moralisht e dënonte. Mbathja e varur njerës këmbë, pjesa e fundit rezistente e ndershmërisë së saj, u bashkua nga këmba tjetër dhe me pafuqishmërinë e duarve që lëviznin si të mpira, u ngjit lart, për të mbuluar e fshehur atë pjesë trupore të përdhunuar pak sekonda më parë se tani. Tani, kur bota e mëparshme nuk ekzistonte më për të. Apo mbase ajo nuk ekzistonte më për atë botë E ç’rëndësi kishte tani kjo botë e tjetërllojtë, kur ajo, e saja, njëzetvjeçarja botë e saj, ishte rrokullisur tatëpjetë një humnere të pafundme. E kishte parë me sytë e saj, e kishte dëgjuar me veshët e saj, e kishte ndjerë në trupin e saj. Bile pak sekonda më parë ishte rrokullisur dhe ajo bashkë me të. Ndërsa bota e mëparshme ishte zhdukur humnerës, ajo kishte hyrë një bote tjetër,
Pasi mbuloi plotësisht pjesën e përdhunuar, uli fustanin, bëri sikur rregulloi leshrat e përzjera çrregullisht dhe me sikletin dhimbës që e çponte trupit si maja thikash, ndoqi me trup hedhjen e dridhshme të këmbëve.
E megjithatë, kishte mbetur e virgjër.
Kalimi në trurin e çoroditur i kësaj fjale të shenjtë, sikur e solli pak në vete. E përsëriti disa herë atë, si për t’u bindur në ekzistencën e vërtetë të saj dhe u bind vërtet për të.
Ajo, Maria, e posamartuara pak javë më parë, e posa përdhunuara pak sekonda më parë, ishte akoma e virgjër.
Domethënë?
Çfarë domethënë? Ç’ke ndërmend të thuash tani pas kësaj, “domethënë”? Mos kujton se ishe në të parën ëndërr të tmerrshme dhe sa u zgjove në të mëparshmen e jetës tënde?
Mbase! Me siguri pas kësaj, mbase, do thuash dhe pranosh veç të qenit e virgjër, edhe të fjalës tjetër ngjitur me të, të qenit e ndershme. A mund të ndahen dot nga njera-tjetra virgjëria me ndershmërinë? A mund të jesh e ndershme, pa qenë e virgjër? Njëlloj dhe e kundërta.
Pra mblidhe veten Maria. Ajo që ndodhi, ndodhi, por ajo që mbeti, mbeti përsëri tek ty. Je pra e virgjër dhe e ndershme.
Por e çpuara në trup, ja përmbyste në çast mendimet ngushëlluese. I dukej sikur maja e një thike kishte mbetur aty, thellë, në pjesën e posambuluar pak më parë. Po kjo ç’të ishte? Si mund të quhej? Krim trupor? Mund të ekzistojë një krim i tillë, që kriminelët i tërbon në orgji kënaqësish? Si jo? Pak ke parë filmave tortura njerëzish ku xhelatët qeshin e kënaqen çmendurisht? Po xhelatët e tu torturonin ndryshe, tërboheshin ndryshe e po ndryshe kënaqeshin. Mjeti i torturës ishin ata vetë me trupin e tyre, me gjithçka të tyren në trup.
Dhe me ato pjesë, që ngjanin me të burrit tënd, që ti edhe pse e turpshme, dëshiroje të të preknin kënaqshëm, deri në depërtim brenda qenies tënde. Edhe pse ai depërtim nuk ndodhi as natën e parë të dasmës, ku ti do t’i dëshmoje burrit ndershmërinë e 20 vjeçares së virgjër. As natën e dytë, të tretë, për të arritur papritur natën e parë të vetme në shtrat. Atë natë larg njeri-tjetrit, që po vazhdon dhe tani.
Ai iku pas mijrave të tjerë me premtimin për t’u kthyer ndryshe, për një jetë krejt ndryshe. Dhe la e mori peng, më të çuditshmin peng njerëzor, virgjërinë e gruas. Marias nuk ja nxinte goja ndryshe veprimin e të shoqit. Edhe pse ai e lëshoi kalimthi si fjalë mes përqafimeve e ledhatimeve natën e tyre të fundit.
“Durim e dashur! Kur duron burri njëherë, gruaja s’e ka problem të durojë disa herë. Nuk dyshoj për ndershmërinë tënde, por burrë jam dhe unë dhe burri tundet. Mos e merr për garanci të lutem, po për mua virgjëria është kryesorja që duhet të gjejë burri tek gruaja. Ajo i mban ata fort të lidhur. Jam i bindur që do ta gjej atë kur të kthehem, ashtu siç e ke”.
Garanci?! Pra e kishte thënë, ashtu, rrëshqimtasi mes fjalëve. Virgjëria e saj do ishte garanci për burrin, sado larg të ishin mes tyre. Ajo duhej ta mbante atë, si shenjë bese e ndershmërie. Ashtu siç e kishte mbajtur dhe më parë, shumë më parë, pa patur idenë e burrit. Për ta ngulitur pastaj më shumë në mendje,nga fjalët e prera të mamasë, që e quante virgjërinë më të shenjtën pjesë të trupit të femrës.
Dhe ja, këtë pjesë të shenjtë, ai, burri i saj, po ja linte pa prekur, pa e provuar, si garanci në kohën e mosqenies pranë njeri-tjetrit. Deri atë çast, kur i kthyer, do vihej në provë kjo garanci, do lirohej përfundimisht ky peng mes tyre.
Maria u ndje për herë të parë e ofenduar. Ofendimi ia harroi për një çast dhimbjen çpuarëse në trup, por jo dhimbjen çpuarëse të shpirtit. Brenda atij shpirti, që pak sekonda më parë sa s’po i dilte perpelitshëm nga trupi i perpelitur. Bashkë me zërin e tij të formësuar në klithma e këto të fjalëzuara në lutje përgjëruese ndaj atyre qenieve të përbindëshuara, për të mos e prekur aty, aty ku fshihej, ruhej e mbahej peng virgjëria e saj. Më shumë se për vetveten, ajo perpelitej e lutej për të shoqin. Sepse ajo vetvete më shumë se asaj, i përkiste atij.
Atij? Ç’po ndodhte kështu me të?
Jo vetëm arriti në shtëpi, por as mori vesh si u xhvesh nxitimthi dhe lëshoi mbi trup ujin përvëlues të dushit. Veç nxehtësisë depërtuese, asgjë tjetër nuk po ndjente trupit nga rrëshqitja e ujit. Gjithçka në lëkurë i dukej e pistë, që sado e fërkonte me duar e sfungjer, shtohej më keq. U plas e raskapitur rrëzë murit, me këmbët e mbledhura shtrëngueshëm nga duart, duke mbështetur mbi gjunjët e ngritura, fytyrën e lagur e të lotuar.
Po qante. Me heshtje, dënesë e zë bashkë. Po dëgjonte të qarën, më shumë se çdo të qarë tjetër në jetën e saj. Edhe atëhere kur qante si grifshë për tekat e pamundshme për t’u plotësuar.
Po qante dhimbshëm, revoltshëm, urrejtshëm.
Bashkë me të dhe uji, që po i dukej si pjesë përbërëse e qarjes dhe lotëve.
U ngrit me shikim hutonjës, përqëndruar diku pa qartësi pamjeje. Ashtu dhe doli nga banja, eci koridorit, hyri në sallon, u vërtit si sonanmbël, u kthye në koridor, duke u drejtuar dhomës së gjumit. Shikimi i qartësoi lakuriqësinë e trupit në pasqyra përballë. U mbush me frymë dhe vetëm atëhere lëvizi sytë në çdo pjesë të trupit. Bashkë me sytë lëvizën dhe duart, si për t’u bindur në ekzistencën e çdo pjesë të saj, ashtu siç e kishte më parë, më parë se ato sekonda, minuta, apo orë të pak mëparshme. Dhe ndjeu të pandjerën ndonjëherë në jetën e saj. Ishte dhe s’ishte ajo, Maria e vetes dhe vetja e Marias .
Ata ishin tre. I treti mes tyre tani po merrte përfytyrimit të saj fytyrën e të shoqit. Lëvizi vendit për të larguar imazhin e tij, duke e quajtur çmenduri të çastit kujtesor, por fytyra e të shoqit vetëm se largohej nga njeri, për t’ju shfaqur tek tjetri.
“ Po çmendesh vërtet Maria!- i shfryu vetes.
Mbase kjo që po ndodhte ishte nga ngacmimi i fjalëve të tij para ikjes. Mbase ato fjalë i erdhën ato çaste në ndihmë të ulërimës dhe lutjes për të mos e cënuar aty ku ai e kishte lënë vetë pa cënuar. Dhe ata u smbrapsën çuditërisht menjëherë, si të ishin urdhëruar jo nga ajo, por nga vetvetja e tyre. Mbetën ashtu të smbrapsur, duke parë njeri-tjetrin dhe pa u marë vesh me fjalë, lëshuan fjalë gati të njëjta mes talljesh e qeshjesh, duke u lëshuar drejt saj.
“Ho, hoo, thua të të besojmë në këto që thua? Sot ju prisheni që në djep. Ç’na thua moj, e martuar dhe e virgjër?! Hahaaa, e virgjër! Dëgjoni, ooo? Qenka e virgjër! Uaaa, hahaaa! Me burrë u martove apo me homo?”
Ishte mes duarsh që filluan ta xhvishnin. Atëhere ukërima e saj i ndali për së dyti, duke ju lënë duarve pjesë të rrobave dhe mbathjen e varur në njerën këmbë.
“Ju betohem për këtë Zot, për jetën time, që jam e virgjër. Jam e vdekur po ma morët atë. Ju lutem si motra juaj!”
“Mbylle moj gojën! Mos na u bëj motër tani! Po ta lemë virgjërinë, mbaje me shëndet për burrin tënd. Hahaaa! I zgjuar tjetri. Të paska vënë në çark. As duam të ndyhemi me çvirgjërimin tënd. E mos na çaj më kokën tani, dëgjon?”
Ndjeu që i bindi dhe lëvizi duart për të mbuluar pjesën e lakuriqtë të trupit, kur duar të fuqishme e kthyen menjëherë përmbys. Hapësira përreth u mbush me ulërimat qarëse të saj.
Gjithçka ju qartësua tmerrshëm në lakuriqësinë e trupit para pasqyrës, për të vazhduar mbarimin mes veshjes e gjakftohtësisë së mendimeve.
Maria po ndjehej njëlloj e cënuar përdhunshëm nga dhunuesit dhe përdhunshëm e pacënuar nga ish i shoqi i saj.
Kjo, “ish”, e papritur, nuk e çuditi aspak.
Sa e vendosi tani, të ecte e vetme, në tjetërbotën e saj.
Selanik, 17-18 korrik 2010
5 σχόλια:
Koment në facebook:
Ariola Lola
nje mashkull mund te kete autoritet(pozitiv dhe negativ) mbi trupin e nje femre,por sado qe ta lendoje, nuk do te arrije kurre te dhunoje mendjen e saj.Duhet udhetuar ne labirinthet e trurit te nje femre te traumatizuar,per te kuptuar gjithe kete mister... Tregimi eshte po aq sa prekes,dhe real
Δευτέρα στις 10:49 μ.μ.
Koment ne facebook:
Eva Hysi
Jo pak femra kane njohur e njohin dhunen mashkullore ne trup e ne shpirt...nje realitet ky qe te ndjell trishtim,urrejtje,revolte...me bere te rrenqethem e te ndjej ftohte ne 40 grade,Mondi!Ky eshte ART!Pergezime dhe faleminderit per tag:))
Koment ne Bota e Re
Tregim E virgjΓ«r nΓ« tjetΓ«rbotΓ«n e saj, Nje dialogim mes realitetit te jetes dhe transmetimit te ndjenjave - nga Monda Moisiu
Pershendetje i dashur e i nderuar Mondi,
Si nje lexuese e rregullt e krijimtarise tende, kjo fale Klubit Bota e Re, e lexova me nje kersheri te vecante kete tregim, ne vazhden e tregimeve te kolegeve tane qe deri diku po trajtojne te njejten teme e ide, duke e praqitur secili ne kendveshtrimin e vet.
Tregimi i Juaj
"E virgjΓ«r nΓ« tjetΓ«r botΓ«n e saj":
Eshte nje tregim argetues, i kendshem e terheqes, nje proze e fresket, interesante per moshen e re te personazheve. Sa shume ata riskojne per te gjetur lumturine, te miren, sublimen, miresine, ate dashurine njerezore, dhe lindin nje sere pyetjesh, a jane keto mese te arriteshme ne kete udhetim te gjate te jetes??
Qofte edhe njehere te vetme!!
Proza eshte nje dialogim mes realitetit te jetes dhe atij te transmetimit te ndjenjave, nje dialogim mes personazheve me vullnet te forte, mes agonise dhe ekstazes te se drejtes se femres per te qene vetvetja , per cdo femer e cila ka enderruar apo enderron se cfare ndodh kur "perralles se zanave" i vjen fundi. Nje romance interesante mes individeve, te cilet nuk epen, nuk trillojne, por sfidojne marredheniet tabu te shoqerise, dhe mesazhi qe ata na japin, per jeten, dashurine dhe afirmin e tyre brenda kesaj shoqerie.Nje proze qe percjell enderrat e atyre qe e lexojne, te ben te ndjehesh pjese e saj, a thua se je ti vete personazhi i tregimit. Personazhet jane "pikturuar", me penelin e nje artisti me figura artistike e letrare,qe gezojne gjalleri, force jetesore,, ciltersi, dashuri, ankthin e deshiruar nga te gjithe dhe sfidojne me triumfin e tyre ne jeten e personazheve. Prozatori Edmond Shallvari me nje stil te shumellojshem dhe imagjinate pjellore te begate, na ka dhene nje tregim bashkekohor dhe rilindjen e shpirtit intim.
Urime e Suksese
Sinqerisht,
Monda Moisiu
RE: [BOTAERE] Tregim E virgjΓ«r nΓ« tjetΓ«rbotΓ«n e saj
Raimonda me duket se e percaktoi sakte dhe bukur permbajtjen ideo-emocionale te ketij tregimi te ri te Mondit.
Autori shtron nje dileme te vertete hamletiane midis "virgjerise" dhe "cvirgjerimit",nje problem qe koha jone moderne e ka bere prezent ne shoqeri,duke e lidhur kete,ne radhe te pare,me te drejten e njeriut per te qene vetvetja dhe me kurajon civile dhe njerezore per te perballuar sfidat e veshtira te botes sone mekatare gjer ne cmenduri.
Kete problem Mondi na e paraqit nepermjet sfides seksuale,por ai merr nje kuptim edhe me te gjere duke aluduar per dinjitetin e njeriut,per te mbrojtur kete dinjitet nga sfidat e mentalitetit "te vjeter" dhe,njeheresh,nga ato te moralit qe e quan veten "te ri",por qe te dyja e fyejne personalitetin njerezor.
Me pelqen dhe e pershendes guximin e Mondit per te trajtuar tema te mprehta dhe per te kerkuar jo vetem nje leksik te ri por dhe nje dinamizem psikologjik te tensionuar,gati tragjik,nje stil qe po perpiqet te beje te vetin gershetimin meditimit filozofik me caste konkrete te mprehta intime te personazhit.
Kjo hulli krijuese ka edhe riskun e vet te renies ne sentenca dhe shfaqje te ballperballshme te mendimit,se ciles Mondi nuk i shmanget dot plotesisht.Maria e dyte eshte me e pranueshme dhe me "femer" se sa Maria e pare.
Edhe perseritja e emrit te personazhit dhe te paralelizmit te tij me "virgjereshen Mari" me duket,jo vetem i perseritur,por edhe tendencioz,i kerkuar.
Une e pershendes Mondin ne kete rruge te re te stilit te tij krijues dhe me vjen shume mire qe ne krijimtarine e Botes se Re ka kerkime dhe arritje te vazhdueshme.
Eshte me te vertete nje gje e bukur qe kemi larmi stilesh dhe autore me fytyra te ndryshme krijuese.
Me qe jemi ne kjo teme,qe trajton tregimi,"dashuria dhe seksi",une e bej fare bukur dallimin e stilit te Petraqit nga ai i Raimondas,te Agimit nga ai i Mondit apo nga ai i Perparimit tone gjithnje te ri (kam para sysh ato krijime me kete teme,qe kam mundur te lexoj,pas nje shkeputjeje te gjate nga Site yne,te me falin).
Dhe,per sa i perket diskutimit teorik se si duhet te jete tregimi i shkurter(nuk i dal dot perpara mjeshtrit tone te Botes se re,ne kete gjini,te nderuarit dhe te respektuarit Naum Prifti).Po them vetem nje mendim te pergjithshem,le te mos merremi aq shume me diskutime teorike se sa me kerkime, "guxime" te tilla krijuese,secili ne hulline e stilit te vet,te kerkesave dhe synimeve te veta artistike,te peshes se talentit te vet.Shume bukur qe po i kembejme konkretisht mendimet tona,pa na terhequr kerraba nga vetja,nga stili vetjak.
Urime,Mondi!
Vangjush Ziko
Mesazh ne e mail nga shkrimtari Agim Bacelli:
E lexova me nje fryme. Te pergezoj per guxmin qe ke marre te trajtosh nje tregim teresisht shpirteror. Tregime te tilla qe flasin per boten e brendeshme te njeriut jane shume te veshtira por ti ja ke dale mbane.
Dhjetra pyetje me vertiten ne koke dhe kjo eshte merita jote qe lexuesi duhet te vetepyese dhe vetepergjigjet.
Morali I larte I gruas se ndershme shpaloset qarte dhe mposht materien duke nxjerre ne pah bukurine e ndergjegjes te cilen s’mund ta perdhunojne dot kurresi ata qe perdhunojne fizkisht!
Nje teme qe kurre nuk e kisha pare te trajtohej me pare.
Te lumte!
Agimi
Δημοσίευση σχολίου