Παρασκευή 23 Ιουλίου 2010

EKSPLORATORI


EKSPLORATORI


Idea i vërtitej mendjes më shumë si lojë brenda vetes, që e përfundonte gjithmonë në favor të saj. Për ta nxjerrë e provuar jashtë, i dukej si diçka tej guximit, e tepruar dhe pse jo, shenjë egoje, që edhe nëse do përfundonte në favor të tij, nuk do ta bindte aq për të vërtetën e kërkuar.
Por, kohët e fundit ideja po i ngjante si guri i Sizifit, që sa përpiqej ta largonte, duke e shtyrë tutje, në thellësi të vetes, ajo i kthehej prapa, e merrte dhe atë me vete drejt fillesës. Nuk ishte faji i idesë burimi mundues i tij. Pse, mos ishte faji i gurit për mundimin e Sizifit? Kush e di sa gurë të tillë do kishte lëvizur e rrokullisur ai, pa u ndjerë i mundur prej tyre, më parë se t'i caktohej fati i fundit mundues. Megjithatë, dukja qenka dukje dhe nuk mbeti mendja e tij sot, të ndryshojë iluzionet e njerëzve të kthyera në besime e bindje. Po me veten ç'duhej bërë tani, që ideja i kërkonte daljen tej vetes, pra daljen e tij nga mundimi sizifian? Prapë krahasimi me gurin po ja turbullonte mendjen. Ç'do ndodhte nëse ai gur, aty në majë, s'do kthehej prapa, bashkë me Sizifin? Do ikte matanë i vetëm, apo bashkë me atë? Për ku do vinin më tej të dy? Cili fat i priste më tej?
"Ç'them dhe unë kështu?", mendoi shkrimtari dhe vazhdoi më tej. "Po të ndodhte kjo, as do ekzistonte kjo histori dhe ti s'do endeshe krahasimeve me gur e Sizif të vetes dhe idesë tënde. Kurse historia tënde do ekzistonte e pakrahasuar me diçka të shkuar e të njohur dhe s'do hante kaq hyrje rrëfimi. Ç'ke ndërmend të bësh atëhere? Do mbetesh kështu me avazin e njohur të legjendës, apo varja asaj dhe guxo për më tej? Pse jo? Nëse për Sizifin ekzistonte e njëjta ide e kohës dhe hapësirës, për mua ekziston kohë e hapësirë idesh të ndryshme, nga normalet, deri në çmendaraket. Ec e mere vesh sot njerën e tjetrën. Mund të kujtosh për normale çmendaraken dhe anasjelltas. Për Sizifin do jetë diçka tej të dyjave. Prandaj dhe mbetet normal në çmendurinë e pafundme munduese. Apo mbase i çmendur në normalitetin e pafundëm mundues. Domethënë të vazhdoj dhe unë normal çmendurinë e idesë sime, apo i çmendur normalitetin e saj? Çdo fitoj kështu, veç një mundimi të ri, që do më ndjekë më keq se i mësuari, i duruari, i stërvituri Sizif. Atje i qoftë atij! S'kam ndërmend ta mbyll jetën time, njëlloj me pafundësinë e jetës së tij".
Dhe vendosi. Ç'kishte të mbaruara e të paekspozuara nëpër libra e faqe interneti dhe ç'do krijonte në vazhdim, nuk do ishin më krijesat e tij të dashura, nuk do kishin më emrin e mbiemrin e tij, firmën e tij. Nuk do ndjente më llojin e lëvdatave, vlerësimeve, vërejtjeve, kritikave, sugjerimeve, debateve, kundërtive, mërive, zilive e cmirave, të kthyera në manira lexuesish e kolegësh. Ajo që do provonte më tej, do ishte krejt tjetër, diçka e paprovuar në plotësinë e saj, diçka sa e njohur, aq dhe e panjohur në formësinë dhe energjinë e re mbartëse.
Pa u munduar shumë, pas dy-tre variantesh, pëlqeu nofkën e re paraqitëse nëpër faqet e internetit, EKSPLORATORI. Në çdo hyrje të re, prezantimi përmblidhej në pak shpjegim të llojit mistik rreth vetes, duke u bërë tërheqës që në fillim dhe me kaq, sepse më tej do ishte më i preferuari me shkrimet e sjella. Edhe ato, vazhdonin variantin mistik të shfaqjes, ashtu si vetë EKSPLORATORI.
Tashmë ideja nuk ngjante më me peshën e gurit. Kishte dalë tej vetes dhe ai, shkrimtari, po e shikonte për herë të parë atë të tjetërsuar, në llojin e ri shfaqës të një të dyte, përballë së cilës edhe vetë ai po merrte të njëjtin qëndrim me lexuesit. Sa kishte filluar adhurimin e Tjetrit në veten e tij. Gëzohej dhe duartrokiste për të, pas çdo vlerësimi, bile arriti dhe vetë ta uronte me gjithë shpirt për frymëzime e suksese në vazhdim. Filluar vetëm me një Tjetër, më pas do shumëfishohej në të tjerë, duke ndjerë përmasim të ri të ndjesisë ndaj tyre.
Shkrimtari sa vinte dhe i largohej efektit të parë tronditës, prekës, dëshpërues e mundues, kur mungoi firma e tij poshtë një poezie. Vendin e saj e zuri shpjegimi për një autor të huaj, tepër të njohur në vendin e vet, që ai e kishte përkthyer me mundim për shkak të dëshirës ruajtëse të rimës. Shpjegimi i tij hapi pak debat për forcën e përkthimit, ndonjë mangësi, kurse për poezinë u derdhën perlat e brilantet pa mbarim nga komentuesit. Jo vetëm kaq, por dikush shprehu dëshpërimin dhe ankesën për mungesa vargjesh të tilla në letërsinë e vendit të vet. Kjo i bëri një dëng në gjoks shkrimtarit dhe gati sa nuk i ra me grusht kompjuterit, por shpej e mblodhi veten, duke i kërkuar falje tjetrës së saj të pafajshme.
Më tej ai filloi të ndjehej më shumë eksplorator se krijues, pasi ai Tjetri, ata të tjerët më vonë, do ndjeheshin prej tij krijuesa të vërtetë. Kështu arriti të miqësohej më shumë me ta, duke marë me raste falenderime dhe urime nga lexues të shumtë për paraqitjen e tyre, apo përkthimet e bëra për të huajt.
Sepse EKSPLORATORI më pas guxoi të paraqitë Tjetrin e Vetes si krijues vendali të njohur, ku rastësisht i kishte gjetur krijime të panjohura më parë. Ishte vërtet një lojë e çmendur, që mund t'i prishej nga çasti në çast. E megjithatë, mes vorbullës që ekzistonte në vend, ku s'po e merrte vesh i pari të dytin në krijimtari e botime, EKSPLORATORI vazhdonte të ndiqej me interes, pa u cënuar ende nga autorët e vërtetë. Mos u çuditni! Hë për hë autorët vendalinj s'mund të flisnin dot. Ata i përkisnin tjetër bote dhe EKSPLORATORI, duke ju kërkuar falje atyre dhe vetë Zotit, vazhdonte bashkë me faljen, llojin e tij të mëkatit. Krijimet e Vetes Tjetër në raste të tilla ishin të natyrës lirike, me natyrë e dashuri romantike, në përshtatje me autorin e zgjedhur. Përsëri do mbushej me falenderime, kurse për autorin në fjalë do shtohej një tjetër perlë, kryevepër, mjeshtëri të shkruari, nga duhet të marrin shembull krijuesit e sotëm.
Shkrimtari me raste të rralla do hidhte internetit në emër të tij ndonjë krijim që ia vidhte Tjetrit të Vetes, duke i kërkuar falje heshturazi për vjedhjen e bërë dhe vërejtjet që do merrte për mangësi në figura, fantazi të tepruar, mani për të shkaktuar efekte tek lexuesi e një sërë këshillash për krijimtarinë e mëtejshme. Sa mërzitej e revoltohej, aq dhe qetësohej, kur Tjetri i Vetes nuk i mbante mëri. Jo vetëmn kaq, por i jepte kurajo duke i thënë se do përmirësohej në të ardhmen, se kishte talent, por duhej më shumë të punonte me fjalën e figurat. Shkrimtari ja kthente duke i thënë atij që mos e maste atë me nivelin e vet, pasi ai ishte i paarritshëm për të, ishte një idhull, por ai i ngulmonte në thënien, që kështu kishte qenë dhe vetë në fillim, bile dhe shumë vite më pas, derisa arriti këtu ku arriti. Ku ta dinte ai, që shkrimtari po t'ja vidhte më tej atij krijimet, njëlloj si deri tani do vazhdonte të pritej, kurse po mos ja vidhte dhe të vazhdonte me nofkën EKSPLORATOR, do t'i shtonte Tjetrit të Vetes, akoma më shumë lavdinë dhe lartësinë e arritur.
EKLSPLORATORI dhe Tjetri i Vetes u miqësuan vënçe, aq sa s'mund të bënin dot pa njeri-tjetrin, në internet jo e jo, po as jashtë tij. Sa ndjehej borxhli ndaj tij kur vonohej në frymëzim, aq si fëmijë bënte nga gëzimi kur ulej e shkruante për të. Tjetrit i qeshte fytyra, i afrohej dhe i binte lehtë supeve, duke i dhënë kështu më shumë energji krijimi. Pastaj ulej në kolltuk, nxirrte llullën(çibukun) dhe tymoste deri sa e shkëpuste nga e shkruara me gërhitjen e tij dhe sidomos me zhurmën që bëhej nga rënia e llullës në dysheme. EKSPLORATORI rrinte pak minuta së shikuari Tjetrin e Vetes, i mbushur me kënaqësi e mburrje për të, por edhe pak ndjenjë zhelozie, për ç'ka kishte arritur në jetë. Sa do deshte të ishte qoftë dhe pak çaste në atë vend, të ndjehej i nderuar e vlerësuar si ai. Por aq ishte ndjesia, në imitimin që i bënte duke u ulur kolltukut, thithjes së llullës dhe dremitjes njëlloj si Tjetri. Zgjimi do t'i kujtonte distancën e re, që i largonte e largonte nga njeri-tjetri në çdo krijim hedhur internetit.
Deri sa...
Kur vendosi të merrej me të gjallët e vendit, me të paktët e gjallë, që po bënin emër brenda e jashtë me krijimtarinë e tyre, EKSPLORATORI do ngacmonte këtë gjallësi deri aty, ku s'ja kishte pritur kurrë mendja, qoftë dhe në parashikimet më absurde. Zgjedhjen e bëri për më të afërmin në stilin e tij, por jo në karakterin e tij. Edhe pse i njohuri tej kufijve kishte arritur shumë e më shumë nga ç'meritonte në fakt, egoja e lakmia e tij për akoma më shumë, nuk e ndalte para çdo marifeti. Kjo ishte dhe s'íshte aq në favor të zgjedhjes së EKSPLORATORIT, por ishte më e mundshmja dhe e volitshmja për të. E pafavorshmja ishte më shumë në anën njerëzore, punë karakteresh, por nëse deshte të arrinte kulm lavdie, në tjetër zor ta gjente.
Dhe guxoi. Për herë të parë krijimit të tij i vuri emrin e të njohurit vendali të gjallë. Marifeti ishte aq i ujdisur për lexuesit, sa ai u dend që minutat e para të shfaqjes në internet. Krijimi ishte një prozë e gjatë mes romanit e novelës. Ishte krijimi më i dashur i EKSPLORATORIT, punuar tre vitet e fundit, por të pashfaqur, të panjohur, nga asnjë, veç tij. Ai foli në emër të autorit, sikur ta kishte mik e shkuar mikut, që ja kishte dhënë dorëshkrim atë vepër sa për t'i hedhur një sy, por ai i entusiazmuar prej saj, pa e pyetur autorin, nuk duronte dot pa ja bërë të njohur lexuesit.
"Le të bien mbi mua sharjet e mallkimet, për këtë veprim, por mbase bien një ditë të kundërtat e tyre dhe atëhere do më falenderoni e kërkoni të falur", e mbylli në fund sqarimin internetit, EKSPLORATORI.
Buja e veprës mori dhenë dhe të gjithë prisnin reagimin e shkrimtarit të madh, por ai ende nuk po shfaqej gjëkundi. EKSPLORATORIT i vinin ftesa të çuditshme, për intervista e sqarime më të hollësishme rreth veprës së hedhur në internet, por ai përgjigjej shkurt po aty, pa kontaktuar fizikisht me asnjë. Nuhatja i thoshte që kjo ishte përpjekje dinake e shkrimtarit të madh për ta takuar, por ai s'kishte për t'ja krijuar kurrë këtë mundësi, para se të dëgjonte diçka nga goja e tij. Heshtja vazhdoi, por jo buja e nami i madh për veprën e re surprizë të shkrimtarit të madh.
Kur hapi një natë sytë pas dremitjes, EKSPLORATORI pa përballë Tjetrin e Vetes me çmimin Nobel në dorë. Tjetri ishte ai, ai pra, shkrimtari i madh, fituesi i Nobelit në letërsi për vitin,... prit, ç'vit shkruhej aty, se nuk po e dallonte dot. Pllaka e florinjtë ja verboi sytë dhe ai s'po lexonte dot as gërmat, as numurat që përbënin vitin e kërkuar. Shkëlqimi verbues papritur u vazhdua me rrezatim djegës në trup. Po digjej vërtet. Nuk mund të ngrihej dot. Rrethuar nga flakë zjarri, dalloi përsëri pllakën e florinjtë të formësuar në kapelën e metaltë të një njeriu, pastaj të një tjetri...
Zjarrfiksat i hodhën një mbulesë dhe ai u gjysmëndje në lëvizje pa këmbët e veta. Shpëtoi për mrekulli.
Filloi të fliste përçart e më pas të thërriste po përçart për çmimin Nobël që i takonte atij, se EKSPLORATORI ishte ai, ai ishte dhe i huaji poet francez, prozator gjerman, poeti i madh vendali i vdekur dhe i madhi shkrimtar i nobeluar. Të gjitha ishin të tijat. Dhe betohej per qiell e dhe, për nder e prindër të vdekur, se gjithçka ishte ideja e tij, se nuk deshte ta mbante atë si guri i Sizifit, se, se, se...
Një pickim në krah po e turbullonte drejt përgjumjes, por fjalët e fundit të dëgjuara mbyturazi, "Shpejt, në spitalin psiqiatrik! Qenka i çmendur!", e sollën një çast në vete.
Aq, sa për t'i thënë dhe ai vetes, "Vërtet, qenkam çmendur!"
Në të njëjtën kohë, ndaluan shkrimet në internet me emrin e tij të vërtetë dhe nofkën, EKSPLORATOR.


Selanik, 22-23 korrik 2010

Δεν υπάρχουν σχόλια: