

Fjala e Menelaut para akejve
Akej trima, të nderit e shpatës
Sot nuk ju flas si mbreti i Spartës.
Si burri-burrit, ky burrë ju flet
Që nderin e burrit dikush ja ka prek.
Dikush që e ula në të mikut sofër
Shpatën e ula dhe i shtriva dorën.
Dorën e besës që e kërkoi vetë
Me porosi të Priamit, të Trojës mbret.
Për paqen urdhrova aheng mbretëror
Për mike pranova, armiken Troj’.
Trupin ja lava me verë perëndish
Barkun ja mbusha me fruta e mish
Epshet ja shojta me qejfe orgjish.
Por miku përdhosi të akejve pritje
Syri i lakmoi të tjetrit hise.
Hisen e gruas të burrit mbret
Të këtij burri që i tradhtuar ju flet.
Tradhëti që trojani e vuri mbi besën
Mua dhe ju na rrëmbeu Helenën.
Timen grua e tuajën mbretëreshë
Trojani i qelbur, Trojan i pabesë.
Mos u habisni akejt e mi
Sot ka ndodh më e madhja tradhti.
Çdo burrë këtu në besë është prekur
Si mua ndjehet i gjallë i vdekur.
I gjallë a rrohet me nderin e vrarë
I vdekur a tretet me nder të pamarë?
Prisni akej, e kuptoj inatin
Shpatat tona më bukur do flasin.
Të gjithë drejt Trojës për Helenën e tij
Bekuar qofshi, akejt e mi!
10 korrik 2010
Monologu i Menelaut
O fat i madh i shumëpritur
Të vije kaq lehtë s’e kisha ditur
Më more Helenën, në këmbim të Trojës
Me Helena të tilla i ve zjarr gjith’ botës.
Ha, haaa, o fat, o lakmia ime
Mes nesh do mbetet kjo kohë historie.
Helena do mbetet simbol tradhëtie
Lakmuar nga femrat për nur bukurie
Endërruar nga burrat për shtrat dashurie.
E vërteta do shuhet bashkë me Trojën
Bashkë me ata që shpagimin morrën
Shpagimin e nderit që ju mori jetën
Dhe ashtu mashtruar drejt Hadit mbetën.
Trojë më s’ka, as lavdi trojane
Lakmia na dha, zgjuarsinë dinake.
Mbi Trojën pa Trojë e të bukurën Helenë
Dikush do këndojë një gënjeshtër legjendë.
Ika tani dhe unë drejt Hadit
Veç aty më pret gjykim i mëkatit.

Mos prit të të vij, bija ime
Aty ku je ti, s’është vendi im
Ti u bëre fli pavdekësie
Unë nga një grua pabesish.

Agamemnoni duke dhënë shpirt
Jo, nuk ishte shpatë në të armikut dorë
Aty ku shesh i luftës përballë trimat i mat
Le të vdisja nga shpata e trojanit në Trojë
E jo nga tradhëtia e Klitemnestrës në shtrat.
Le të therresha e digjesha, mes Trojës së djegur
Flijim të bëhesha për inate perëndish
Ashtu siç u nis me Ifigjenën e therrur
Që i zbuti Poseidonit egërsit.
Mos prit të të vij, bija ime
Aty ku je ti, s’është vendi im
Ti u bëre fli pavdekësie
Unë nga një grua pabesish.
Klitemnestra, Agamemnonit
Çfarë prisje ti nga mua, Agamemnon
Të isha si e Odiesut, Penelopa?
Hahaa, sa qesharake kur e mendon
Me mua do të tallej e gjithë bota!
Besnike ndaj një burri gjakatar
Që shpirtin për lakmi veç e pati
Dhe bijës i ngul shpatën mbi altar
Dhe mua më le qyqe për së gjalli!?
Dhe nis akejtë një lufte pakuptim
Për një Helenë mashtruar që të gjithë
Por unë ta njihja mirë dinakërin’
Dhe jo më pak të njihja tradhëtitë.
Çfarë prisje Agamemnon nga një grua
Që bijën i rrëmben nga krahët e saj?
Të gjeje Klitemnestrën tek mua?
Ajo vdiq bashkë me çupën në altar.
Gjallë mbeta unë, vdekja jote
Tradhtia e një femre të tradhtuar
Nëse deshe pritje Penelope
Të ishe pak Odise, o i mallkuar!
Selanik, 12 korrik 2010


Rrëfimi mistik i Helenës
Jam bashkë me Menelaun në Elize
Këtu ku u vendos fati tonë
Mos prisni të vërtetën t’ju them
Ajo u zhduk bashkë me një Trojë.
Kështu ishte caktuar fati im
Kështu dhe e pranova këtë fat
Duhej bashkë me mua një Paris
Duhej bashkë me ne i drunjti kalë.
Jam Helena e parë, e fundit jo
Kaq mjafton t’ju them nga Elize
Nëse koha prapë më kërkon
Një Paris naiv prap’ do ta gjej.
Selanik, 12 korrik 2010

1 σχόλιο:
Komente ne facebook:
Jeton Mucollari
Shumë kanë shkruar për luftën e trojës, por dhe këndvështrim juaj Mondi është interesant, sidomos kur është fjala për vargëzim pezie, me përmbajtje realiate të saj.
Ilir Magjistari
E pare sot pas 3000 vjetesh bota eshte thuajse njesoj.
Mond me pelqeu shume trajtimi dhe mevetesia e personazheve te historise me te mrekullueshme qe nuk ngopem se shijuari sa here me te ndeshem.Te pergezoj
Ziko Kapurani
Mondi, e lexova me shume kureshtje mozaikun e vargjeve per luften e Trojes. Nuk je vetem nje njohes i thelle i atyre dramave te lashta, por dhe nje poet i ri i tyre. Rralle e kane bere kete. Mua me shpure ne vargje homerike. Me shume pershtypje me beri Klitemnestra, Agamemnonit. E perkryer, e frymezuar. "Bota e re", besoj se do befasohej nga keto vargje ku poeti ngre shpaten e burrerise nga njera ane dhe helmin i tradhetise nga ana tjeter, ne nje forme te re krijuese. Vargjet me pelqyen dhe te dergoj nje Te lumte Penes!
Luan Xhuli
Një element i perveçëm e dallon krijimtarinë e E.Shallvarit....Poetikë fantazmogorike mbi një botë joshëse nga e pa njohura...!
Urime !
Qani Abazi
Mondi te pershendes! me befasuan keto vargje te mozaikut tend.per cudi ti me disa penelata te mprehta ke depertuar dhe interpretuar ne thelbin e problemite te shume njohur te lashtesise.Ne vargjet e tua spikat qartesia dhe kopetenca njohese e filozofise se kohes por edhe te koherave, evidentimi i koherences se problematikes njerezore ne shekuj.Me pelqeu aq shume dhe po ta kisha une ne dore kete mozaike do ta perdoria si materjal komentues dhe ndihmes ne studimin shkollor te Iliades.
Aldo Perizi
thjeshte je i MREKULLUESHEM
Δημοσίευση σχολίου