Παρασκευή 9 Ιουλίου 2010

Krijimtaria-magji e fjalës së shpirtit


Mendime

Krijimtaria-magji e fjalës së shpirtit


Me shpirt nënkuptoj gjithçka të koshiencës e subkoshiencës së njeriut. Në krijim vepron energjia e shpirtit, ku përbërësit, si përrenjtë me rrëmbyeshmëri të ndryshme, mbushin hapësirën e madhe të tij, për t’u shkarkuar e kthyer në energji krijuese të njeriut. Në këtë proces akumulimi e shkarkimi energjish të shpirtit, lind drita e fjalës, magjia e saj. Në fakt magjia ka filluar embrionimin e saj qysh në ata përrenj të psiqikës, duke kaluar metamorfozën formuese, deri në ngjizjen e fjalës së shkruar. Ashtu si jo çdo përrua mbart ujin e duhur për ta mbajtur gjallë si të tillë, edhe elementët përbërës të shpirtit vërshojnë ose shterojnë gjatë rrugës së tyre.
Pra, ndërsa çdo krijues është njeri, jo çdo njeri është krijues. Ndërsa çdo krijues ka magjinë e fjalës së shpirtit, jo çdo shpirt njeriu e ka këtë magji. Në thelb, çdo njeri ka premisat e magjisë së krijimit, por siç thashë më lart, ato pësojnë fatin e përroit të tharrë, apo me pak pikla uji. Diku tjetër përroi psiqik i tij mund të mbushet me ujin e duhur për energjinë, që diku tjetër e përdor në jetë. Këtu fjala është për njeriun krijues të penës, pra për shkrimtarin. Fakti që shkarkimi i energjisë së shpirtit të shkrimtarit është tjetërlloj nga shkarkime të tjera energjish njerëzore, e veçon, e shquan, e elitaron atë në shoqëri, e përmason tej njeriut të zakonshëm, e bën të preferueshëm, të kërkueshëm nga njeriu-lexues. Larmishmëria e shijeve, kërkesave, shkallës njohëse e aftësisë kapëse të magjisë së fjalës të shkruar nga lexuesi, determinon preferencat, shkallëzimet hierarkike të çdo krijuesi nga shoqëria, për rrjedhojë, epilogjinë vlerësuese e shpërblyese, vetë suksesin e tij. Këtu lind, krijohet e madhohet kontradikta e pashmangshme mes vetë magjisë së fjalës dhe efektit të saj, mes të vërtetës së kësaj magjie dhe aftësisë magjepëse të njerëzve. Kemi relativitet absolut vlerësues në kohë të ndryshme dhe vlerësim gati absolut, tej kohëve të tilla. Shembujt janë gjithandej. Relativja e absolutja që përmenda mund të shikohen e kuptohen psh tek Dantja, Servantesi, Shekspiri dhe dhjetra e dhjetra shkrimtarë të tjerë. Sot ata kanë kapërcyer relativitetin e kohës së vet, duke fituar absoluten e sotme. Të kuptohemi. Flas për një absolute më të qëndrueshme e qënësishme, që kapërcen etapa të ndryshme kohe, pasi edhe vetë ajo ka relativitetin e vet, në hapësira kohe të mëtejshme.
E vetmja që deri më sot përmban krijueshëm magjinë e saj, është fjala e krijuesit. Sado në sasi qofshin fjalët, dihet si me thënë, inventari i tyre në botë, por nuk dihet dhe s’ka për t’u ditur kurrë sa të ekzistojë fjala, më mistikja e saj, magjia e saj. Magjia e fjalës nuk është truk prestigjatorësh, që e dinë të vërtetën e trukut, e megjithatë kënaqen duke lënë gojëhapur spektatorët. Mjafton njohja e trukut dhe magjia shkërmoqet në qesharakësi.
Kurse magjia e fjalës nuk ka kurfarë truku, përkundrazi, ajo prishet në çast, nëse tenton ta përdorë atë. Truku i fjalës në krijimtari është tallje, injorim, vetvrasje e saj dhe e vetë atij që e përdor. Vetëm krijues s’mund të jetë trukaxhiu i fjalës.
Lind pyetja. A ka patur dhe a ka trukaxhinj të fjalës, që e paraqesin atë si magji të saj? Patjetër që ka, sikurse ka dhe ngrënës të tyre me dashje apo pa dashje, vlerësues të tyre, më shumë me dashje, servilë të tyre, jashtë llojit të dashjes e mosdashjes, pasi servili tjetërkund e ka synimin e servilosjes së tij.
Në këtë mishmash përzjerjesh të trukaxhinjve dhe të vërtetëve të magjisë së fjalës, ndodhet sot shoqëria shqiptare, më shumë se çdo shoqëri popujsh të tjerë.
Tek ne çuditërisht shfaqet dhe piedestalizohet paradoksi i elitës së trukaxhinjve. Mos u çuditni. Edhe elitë, edhe trukaxhinj? Nuk është paradoks i ri, për të mos qenë i vjetër. Koha më prodhimtare e këtij paradoksi ishte ajo e realizmit socialist, ku objektiviteti i ligjeve u subjektivua, kurse subjektiviteti i tyre, u objektivua. Mes këtij kapërcimi absurd, u tha më keq përroi i psiqikës dhe vendin e ujrave të pastër e zunë llumrat, që batakuan hapësirën e shpirtit, duke bllokuar energjinë e vërtetë të magjisë së fjalës. Fjala u llumizua, por u fasadua si produkti më i ri i metodës më të re e të vetme, realizmit socialist. Kjo pseudo metodë standartizoi në kompleksitet njeriun, në çdo qelizë të qenësisë së tij, absolutizoi vetëm njerën anë të psiqikës së njeriut, koshiencën, bile dhe atë në rrjedhën e përroit artificial të krijuar nga Partia, pa i lënë kurfarë hapësirë tjetër rrjedhëse. Subkoshienca u burgos brenda njeriut, nëpërmjet presionit të vazhdueshëm të propagandës moralizuese. Burgosja e saj e përgjysmoi, e linçoi, e varfëroi fjalën, magjinë e saj dhe e futi kallëpëve të standartit të regjimit për t’i shërbyer atij.
Rezistenca jo e vetëdijshme e magjisë së fjalës në shkrimtarë të veçantë, që e kishin të ngjizur në atë embrionin e përrenjvë të fshehur të psiqikës, do dukej brenda këtij standartizimi, duke u ndjerë tek lexuesi-popull. S’ka si mos përmend këtu ndjesinë e veçantë të fjalës së shkruar të Petro Markos, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Sterjo Spasses, Jakov Xoxa, etj, që veçoheshin në lexim e ndjesi nga shumë të tjerë me standartizim të përfunduar. Dua të theksoj që dhe në krijuesit ku vepronte nënpërroi psiqik i magjisë së fjalës, mbipërroi i llumosur i saj në pjesën e koshiencës, do ta merrte atë pas, drejt rrjedhës së komanduar nga superkoshienca e vetshpallur, për të prodhuar energji tjetër magjie, atë të hipnozës së fjalës. Askush nga krijuesit, s’mund të pretendojë mosrënien në këtë prodhimtari hipnoze fjalësh, që arriti ndikimin artistik tek njerëzit, paralel me ndikimin propagandistik partiak. E kam theksuar dhe më parë në shkrimet e mia, që ka ekzistuar një ndërthurrje e tmerrshme e artit me propagandën, duke krijuar ekzistencën e artit të propagandës dhe të propagandës së artit. Magjia e fjalës së shpirtit u zëvendësua me hipnozën e fjalës, me trukun e saj. Magjia mbeti jetime dhe e cunguar vetëm në disa krijime që dilnin jashtë kohës së regjimit. Them cunguar, pasi edhe aty përroi psiqik shfaqej me llumin e vet të propagandës, pra të trajtimit ideologjik marksist-leninist, edhe të ngjarjeve të shkuara.
Iku ajo kohë, por përroi psiqik për çudi nuk precipitoi plotësisht llumin e trashëguar, duke turbulluar edhe sot rrjedhën e tij të re. Krijuesit e llumuar më parë, ishin të parët që kujtuan se rrjedha e mëparshme, duke humbur burimin e vet, mund të mbushej lehtazi prej tyre, pa kuptuar, apo më saktë pa dashur të kuptonin, që mbushjen po e bënin në të njëjtin shtrat të saj. Këtij fenomeni kontradiktor në thelb, por të fshehur përmes magjisë së fjalës, nuk i shpëtoi asnjë krijues në vazhdim, sado kundërvënës që u shfaq në krijimtari ndaj të shkuarës, njëlloj të përkrahur e temenaosur prej tij. Shembulli më adekuat i kësaj kontradikte është Kadareja, nga të vetmit konvertues të hipnozës së fjalës me magjinë e saj. Për mua kjo është zotësi, aftësi, talent, për rrjedhojë edhe sukses. Edhe pse ka për moto thënien e njohur, “Qëllimi justifikon mjetin”, produkt të përzjerjes së pjesëve më të prapambetura, të dy anëve të psiqikës së njeriut,
S’ka si mos pranohet, që liria e fjalës shpërthen energjitë më të fuqishme të magjisë së saj, aty ku ekziston kjo magji. Nuk ka më ndrydhje, tharrje me zor të përroit psiqik, as mbushje artificialisht të tij. Mbetet kryesorja e kryesoreve, që fjala të dalë nga shpirti, nga ai shpirt që ushqehet nga përrenjtë e vet e të askujt tjetër.
Liria, më shumë se liri e vetes ndaj vetes, tek disa krijuesa trajtohet si liri e vetes nga tjetri, nga të tjerët, nga shoqëria. Kjo liri e stërzgjeruar hapësirës tej vetes, duket sikur e bën më komod, më zotërues të realiteteve, ngjarjeve, fenomeneve, krijuesin. Kësaj hapësire me kufij të pakufishëm, ai mund të lëvizë kaotikshëm dhe po kaotikshëm të krijojë, duke kujtuar se vetëm kështu mund të veçohet, shquhet, vlerësohet e fitojë emër e çmime. Magjia e fjalës së shpirtit, në raste të tilla shndërrohet përsëri në truk të fjalës, por në tema të pakufizuara nga ideologjia si më parë. Shoqëria, apo më saktë, pjesa reklamuese, botuese, promovuese e vlerësuese, bëhet pjesë e pandashme e llojit të ri konceptues të krijimtarisë. Truku i fjalës së autorit bëhet truku i biznesit në art. Kaq ishte. Fituesi doli e bashkë me të risia e veprës së tij, që e tillë duhet pranuar në opinion. Truku vazhdon më tej në çdo shkrim analizash e klasifikimesh të autorëve, ku fituesi mbetet i përjetshëm aty. Shikoni sa naivitet, subjektivitet, kriteritet absurd në vlerësim, pati dy vitet e fundit nga Ministria e Kulturës për librat më të arrirë gjatë vitit. Parvjet, kur po bënte bujë, u shit në shifra rekord për kohën dhe u mirëprit nga lexuesit, libri i Ben Blushit, “Të jetosh në ishull”(nuk po flas për reklamën bajate që u bë nga shtëpia botuese), u shpall libri i vitit romani, “Darka e gabuar” e Kadaresë, vetëm sepse ishte e Kadaresë.
Absurditeti vazhdoi për fituesin e vitit të shkuar, ku për çudi këtë rradhë u shpall libri i ri i Blushit, “Otello, Arapi i Vlorës”, kur dihet niveli e pritja e këtij libri, jo si i mëparshmi i tij. Këtë lloj hipokrizie të komisioneve jo vlerësuese, por komanduese, do ta injoroja me mospranim të çmimit. Do më mjaftonte çmimi i madh i komisionit-lexues.
Dola kështu tek liria, që së pari duhet të ndjejmë ndaj vetes e pastaj ndaj të tjerëve. Vetëm kjo lloj lirie na bën të flasim sa e si duhet me fjalën e shpirtit, të mbetemi tek lexuesi vetvetja dhe ai të ndjejë aty vetveten. Ky dualitet, mes krijuesit dhe lexuesit, ka për të vazhduar e ushqyer, larg trukeve e hipnozave të çdo kohe, magjinë e fjalës së shpirtit.



Selanik,2-3 korrik 2010

1 σχόλιο:

Unknown είπε...

Për këtë shkrim-mendim, shkrimtari Vangjush Ziko, shkruan në "Bota e Re"(faqe në internet):

I dashur Edmond,
> I lexova me kujdes,kersheri dhe kenaqesi mendimet e tua per magjine e fjales krijuese.
> Pajtohem plotesisht me ty se fjala (cdo fjale e fjalorit tone te perditshem) ngerthen ne vetvete energji te fshehta e te pashtershme kuptimore,figurative dhe emocionale.Vetem krijuesi i vertetet mund te hyje ne te fshehtat e saj dhe te cliroje energjite e saj te padukshme estetike dhe artistike dhe t'ia percjelle ato lexuesit.
> Ne kete kuptim,krijimtaria nuk eshte thjesht spontanitet krijues,por eshte edhe mjeshteri;mjeshteri e cila nuk fitohet dot aq lehte,pa mundim ,pe djerse,pa meditim,pa kerkim,pa prova dhe ...pa deshtime.
> Sa me shume qe t'i rrahim mendimet tona per keto probleleme "teorike",aq me shume i afrohemi sekretit te magjise se fjales se shpirtit.
> Sa me pak fjale te pergjithshme,sa me pak elozhe dhe vetemburrje te pamerituara,
> sa me shume shkrime te tilla ne faqet e Botes sone te Re,
> aq me shume ndergjegjesim per misionin e larte te krijuesit,te cilit i jemi perkushtuar,
> aq me shume respekt per lexuesin tone.
> Sinqerisht, Vangjush Ziko
--------

Kurse shkrimtari Ziko Kapurani, në faqen facebook, shkruan:

Pershendetje, i dashur Mondi! Nje shkrim sfide per trukaxhinjte e fjales. Po ata nuk dalin dot. Ti thua te verteten, jo pergjithesime, por konkretisht. Kete te vertete e analizon me menyren tende bindese. Meriton me shume vemendje nga kopetentet. Jo nga bisnesmenett e fjales, por nga te kulluarit e fjales. Te fala, Ziko.