Σάββατο 30 Μαΐου 2009

Nga gazeta TRIBUNA (shqip) në Greqi




Libër i ri historik i shkrimtarit Bujar Muçaj

“Aranitasit dhe Mallakastra midis legjendës dhe të vërtetës”

Edmond Shallvari

Nxitoj për të patur privilegjin e lajmëtarit të parë, për daljen këto ditë nga botimi të librit të parë me karakter historik të shkrimtarit të njohur, Bujar Muçaj, “Aranitasit dhe Mallakastra midis legjendës dhe të vërtetës”.

Nuk janë pak, por 224 faqe të mbushura me fuqinë tërheqëse, këtë rradhë jo të fjalës së fabulës dhe humorit tipik të autorit, por të fjalës që flet me gjuhën e historisë, të arshivave të kohës, dokumentave adekuate të ngjarjeve, momenteve e kthesave epokale, deri në trashëgiminë e krijimtarisë në prozë e vargje me autorë të njohur dhe anonimë. Nuk kam qëllim futjen në brendësi të faqeve dhe analizave të temave që trajton autori, gjë që është në dorë të njohësve më kompetentë të kësaj fushe hulumtive të pashtershme historike, por s’mund të rri pa theksuar meritën e pamohueshme të autorit në përdorimin e metodës analizuese e deduktive, e ndërthurur kjo me aftësinë bashkangjitëse të krijimtarisë letrare në prozë e vargje. Autori i shpëton me sukses rënies në grackën e bukurisë dhe fuqisë së vargut, që shpesh kthen në legjendë dhe mistifikim një ngjarje dhe heronjtë e saj, kur është fjala e ballafaqimit me të vërtetën historike. Por, me nuhatjen e krijuesit, di të thithë prej thellësisë së vargut, atë që ai ka marrë vërtet nga realiteti, për të qënë sa më afër këtij realiteti në trajtimin që i bën fenomenit të kohës në fjalë.Më duket se po më rrëmben dhe mua brendësia e librit, duke mos mbajtur fjalën e fillimit, por kështu ndodhka po të kesh në dorë këtë vepër vërtet tërheqëse të Bujarit.

Për pak harrova të them, që ky është vëllimi i parë i librit, pra në vazhdim pritet i dyti, që siç thotë Bujari, prapë mbetet portë e hapur për më tej, ashtu si vetë historia shqiptare.

Për kuriozet po jap dhe disa të dhëna të tjera. Libri ka për recensues, dr.Luan Zyka dhe dr.Evis Qaja, redaktor z. Nuri Plaku, kurse kopertina është realizuar nga Edlir Poda. Libri u botua nga Enti Botues “D.I.J.A.- Poradeci”.

Po e mbyll lajmërimin tim me një pjesë të shkëputur nga parathënia e studjuesit, dr. Stavri Dajo.

“Një gjë do të them me bindje: është një libër që lexohet me endje, me dëshirë dhe me kureshtje deri në fund. Të mëson dhe të bën të mendosh. Libri i tij, pa dyshim, është një trajtesë e thukët dhe, si e tillë, një pikë referimi në bibliografinë për Mallakastrën”.



E Premte, 15 Maj 2009

Δεν υπάρχουν σχόλια: