





Mes natyrës…
Kjo bukuri natyre
Ç’më mori frymëzimin
Më la vargun pa hyrje
Pa fund ma la mendimin.
Më futën brenda saj
Nuk jam më vetja ime
Më shumë se vetja jam
Tek rroj kësaj çudie…
…Pema…
Nëndheut bëhem farë
Dhe ndjej dhimbjet e lindjes
Mbi tokë pastaj dal
Dhe ndjej qejfin e rritjes.
Çudia ndodh më pas
Kur duar kam me dhjetra
Me mijra gjethe mbaj
Dhe ndjehem Mondi-Pema.
Ndryshe provoj stinët
Tek ndjej ripërtëritjen
Qetësinë, fëshfërimën
Dhe errërave, dridhjen.
Ndryshe nga njerëzia
I vishem pranverës
Në dimër paturpësia
Lakuriq më çveshën.
Si veshur, e si çveshur
Unë prapë pemë mbetem
Kështu vazhdoj ndër shekuj
Zilinë e kam me veten….
.…Ujë…
I lëngshëm në çast kthehem
Burimesh gurgulloj
Vazhdoj më pas rrjedhjen
Dhe ndjehem Uji-Mond
Oh, çfarë jetë e ujshme
S’i ngopem kurrë vetes
Në fund mes detit futem
Dhe prapa kurrë s’kthehem!
Si lumë e si det
Unë prapë mbetem ujë
Dëgjoj të thon’ s’ka jet’
Atje ku mungoj unë….
….Ajër…
Më duket se po zhdukem
As njeri, as pemë, as ujë
Mes grimcash, grimcë futem
Pa formë, pa peshë, pa ngjyrë.
Më mer Toka me vete
Oh, sa më mban me hatër
Kudo jap frymë jete
Dhe ndjehem Mondi-Ajër.
I pastër, i papastër
Veç fajin s’ma ka vetja
Unë mbetem prapë ajër
Unë mbetem prapë jeta.
….Diell…
Ku jam, as vetë s’e di
Oh, sa e vogël Toka
Më duket se po ndrit
Nga dielli rreze dola.
Largohet errësira
S’më ndalën dot asgjë
Në tokë lindën dita
Dhe ngrohtësi mbi të.
Miliona vite kështu
Gjithë vetja më shkëlqen
Me Tokën mik më shum’
Dhe ndjehem Mondi-Diell.
………
Moj Pemë, o Ujë
O Ajër, o Diell
Mos u zhdukshi kurrë
Që i pazhdukshëm të jem!
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου