Δευτέρα 16 Ιουνίου 2008

Nga libri

1 9 9 7

Ju uroj mirseardhjen të gjithëve dhe ndërkohë që Mira do merret me qerasjen, po filloj me shkrimin e parë, që mund të jetë i njëzeti në rradhën e kujtimeve.
Ishte fillimi i 1997-s dhe ndofta unë me Miran ishim të vetmit jashtë shtëpisë atë natë, kur krisma e parë shpoi errësirën dhe paralajmëroi ardhjen e ditëve kataklizmike dhe për Korçën tonë të dashur. Ishte një paralajmërim pa afat, që nuk priste përgjigje nga askush, ndaj dhe përmbante të thënën e të bërën menjëherë, që ithtarë të ndryshëm më pas e interpretuan sipas ithtaritetit përkatës. Ishim për vizitë në shtëpinë e Fredi Blushit, kur trokiti dera dhe dëgjova zërin e të vëllajt taksixhi të thotë lajmin më absurd e të çuditshëm, ”Po vinë!” Ceremonia e mikpritjes u la në mes dhe ne si të ngrirë nga ajo thënie hutuese u ngritëm dhe ikëm, si për t’ju larguar asaj që po vinte atë natë. Qyteti i errësuar nga nata dhe mungesa e dritave, m’u duk si i lënë në mëshirën e atyre që po vinin s’dihej se nga ku e për çfarë. Kur u afruam para bibliotekës, një krismë na ndali për një çast frymën e na shpejtoi ecjen e trembshme. Pra ata që “Po vinë” kishin ardhur çuditërisht bashkë me natën, duke veshur petkun e zi të saj, që paralajmëronte të tjera veshje të zeza të nënave e motrave korçare. Arritëm me një frymë në shtëpinë tonë, kur aty nga lulishtja e Shën Marisë filluan dhjetra krisma armësh të çanin errësirën e natës së parë korçare. Morra shpejt kasetofonin dhe hapa derën e ballkonit. Pasi vura një jastëk poshtë, u shtriva mbi të dhe shtypa butonin e inçizimit. Mira më lutej të futesha brenda se s’dihej ku shkonin plumbat, por unë vazhdoja të merrja çdo krismë duke folur e rënkuar, i përfshirë nga një trishtim deri në dhimbje e dëshpërim. Ajo kasetë është dëshmia më e padeshifruar e absurditetit njerëzor, por dhe akuza më ironike ndaj kujtdo analisti apo ithtari, që ato krisma netësh e ditësh të 1997-s nxituan t’i pagëzonin kryengritje e revolucion popullor. Mund të më gënjeni me kohën e kryengritjeve dhe revolucioneve të pajetuara dhe unë të mirëbesoj, por mos bëni krim ndaj të ardhmes me pseudointerpretimet e të sotmes.
Dhe kështu, pas asaj nate të parë krismash, Korça u gdhi e pushtuar nga ata që “Po vinë”. Këto qënie me këtë emër pa emër, atë natë të parë krismash, përdhunuan qytetin tim, vendlindjen time, jetën time, tënden, tuajën, por edhe vetveten.
* * *
Akte komedie të një tragjedie të saponisur...........
I pari veprim që bëra atë mëngjes të parë, ishte vajtja në shtëpinë e gjykos, siç i themi babajt të Miras dhe të dy në mënyrë instiktive morrëm rrugën drejt një reparti ushtarak në minierën e Drenovës. Si dy shqiptarë të rrezikuar nga pushtues shqiptarë, kërkonim armë për të mbrojtur familjen nga çdo sulm i mundshëm barbarësh. Rrugës rrëzë maleve, lëvizje kaotike njerëzish më krijonin idenë e një beteje të dështuar, që ende s’kish filluar. Krisma të thata e më pas breshërie, mbushnin luginën dhe ne ulnim kokën për t’ju shmangur plumbave. Mundohesha të dalloja në ato qënie që ecnin në drejtime të kundërta, ata që “Po vinë” nga ata që “Po iknin”, por le ta lemë për më vonë këtë dilemë, që në ato çaste pak rëndësi kishte. Arritëm në një depo ushtarake, që ndofta një ditë apo disa orë më parë i vinte shtatë t’i afrohej vetë ariut të Bozdovecit, hymë brenda dhe të vetmet pajisje të pa rrëmbyera ishin ato kundërkimike. Gjykos i vajti syri në një pompë spërkatëse dhe kur e morri më tha se i duhej për të bërë me ilaç rrushtë e oborrit. Kaluam në një depo tjetër, ku të ikurit kishin lënë topat e tipit të lehtë (shyqyr që morrën të tyret), ca mushamara dhe armë zjarri gjysmake.Kërkuam gjithandej për ndonjë pushkë apo automatik, por zhdukja e tyre ishte bërë si me magji. Ca karikatorë i futëm në një çantë, kur në një arkë të hedhur kuturu, gjetëm qindra fishekë. Disa arka që i kapërcenim pa i prekur, ishin dëng me bomba, por ç’na duheshin ato në kushtet e luftës brenda pallatit. Në hyrje të repartit, ndali një furgon i vogël dhe sa hap e mbyll sytë, bombat u zhdukën. As na shanë e as na ranë, por me një të thënë, “Bëni mënjanë!”, mallin bombë e përlanë. Në të dalë të repartit, m’u afrua një kameraman dhe një person me mikrofon në dorë më pyeti greqisht, që përkthyer nga një shoqërues, kërkonte të dëgjonte diçka nga mua për ç’ka po ndodhte aty. Shpreha hutimin e shqetësimin tim për atë situatë anormale e të rrezikshme dhe bëra thirrje mos dëmtohej e keqpërdorej asnjë material në depon me mjete e materiale të karakterit kimik. Nuk mbaj mend me hollësi çfarë thashë tjetër, por di që ai grup televiziv ishte i një kanali grek dhe që persona që më njihnin e jetonin në Greqi më kishin parë në televizionin grek. Siç dukej, gjithshka po ecte si nëpër skenarë të njohur filmash, ku s’mungonte prezenca e një fotoreporteri, në këtë rast grek, as aty në një repart ushtarak mes humbëtirës së maleve.
Me një çantë në sup, me ca karikatorë e fishekë brenda, më dukej vetja i çarmatosur pas një beteje imagjinare, por me njerëz e protagonistë realë. Më i “fituari” ishte gjykoja me trofenë më të çuditshme të betejave: Pompën spërkatëse! Kur u ndodhëm në rrugën anash varreve të qytetit, disa vetura kaluan me shpejtësi dhe gjysmatrupash jashtë dyerve, duke shkrehur kallashnikovët me tytat drejt qiellit, thërrisnin e çirreshin si triumfatorë. Hymë në qytet dhe në një rrugicë prapa pediatrisë, ndaluam pak si për të marrë veten. Më ka mbetur në mendje një skenë trishtuese atë çast ndalimi. Një i njohur që në universitet, mësues i gjuhës së huaj, ecte nxitimthi duke mbajtur mbi sup një derë të shkulur në një objekt, që kur pa tek i bëra shenjë me, “Edhe ti!?”, u skuq, uli kokën dhe iku pa më folur. Kjo logjikë absurde, shprehje e një primitiviteti që si atavizmë ekzistoka brenda qënies njerëzore, më ka munduar vazhdimisht dhe më ka vështirësuar analizën e mjaft situatave dhe rrethanave të realitetit shqiptar. Rregullimi i vetvetes, nëpërmjet çrregullimit jashtë saj, mikroparajsa e individit, mes ferrit shoqëror, janë prezencë në të gjitha shkallët e veprimtarisë së njerëzve e të rangjeve në shoqërinë shqiptare. Formën e një dis’harmonie deri në ekstrem e ndesh në çdo hap që hedh, qoftë si kalimtar i thjeshtë, qoftë si një qytetar i zakonshëm e për më tepër kur vihesh në kontakt me shtetin në gjithë hallkat e tij. Por, le të vazhdojmë ecjen, se kushedi sa do jenë alarmuar në shtëpi nga vonesa tonë. U ndava me gjykon dhe arrita në shtëpine time, duke mos i lënë rradhë Miras të shprehte shqetësimin e merakun e saj.
“S’do ketë bukë nëpër dyqane e të gjithë po rendin për miell”, më tha Mira, duke më treguar nga ballkoni dhjetra njerëz të ngarkuar me thasë me miell. M’u kujtua shoku me derën mbi supe, që e paragjykova çaste më parë, por analogjia me miellin s’kish kurfarë lidhjeje në këtë përpjekje mbijetese. U nisa me Jorgon 9 vjeçar dhe me biçikletën e dhuruar nga nuna Keti (një grua greke, për të cilën do shkruaj më vonë) drejt fabrikës së makaronave, nga vinte dhe vala e njerëzve miellmarrës. Kur hymë në sheshin para fabrikës së bukës dhe asaj të makaronave, u ndodhëm mes një haosi dhe tmerri të papërshkruar. Lëvizje kaotike njerëzish e makinash tip veturash, furgonash, nga ku triumfatorët shkrehnin kuturum armët, për t’ju hapur rrugën drejt depove. Gëzhojat binin mbi kokat tona dhe kur pashë Jorgaqin tim si mbronte kokën me duart e tij, e përqafova dhe e lashë në një kthinë të sigurt, duke i thënë të më priste pa bërë as lëvizjen më të vogël. Cava mes turmës dhe për çudi, forca shtytëse e njerëzve më solli mes thasëve me miell. Ca koklidhur me nga një shami si kauboj filmash, shponin tavanin me breshëritë e plumbave dhe pasi vunë karocerinë e një mauneje, përlanë dhjetra thasë me miell. Dhjetra njerëz tërhiqnin thasë duke rënkuar e thirrur, me fytyra të zbardhura nga mielli.
Aty ishin gjithë moshat njerëzore, në një përpjekje tragjikomike për kafshatën e vogël dhe të madhe njëkohësisht. Aty ishte shqiptari i tjetërsuar, i zhgënjyer, i ofenduar, i revoltuar, i egërsuar, me një instikt të hiperbolizuar urie e agresiviteti. Pashë plakun të shkelej mes thasëve dhe shkelsat të shpëtonin thesin me miell, pashë koklidhurit e armatosur dhe shtetin e përshkelur nga shtetarët e vetë shtetasit. Të gjithë ishim aty, të miellosur e dreqosur, pjestarë të pashmangshëm të atyre që “Po vinë” dhe atyre që “Po iknin”.
Vumë me Jorgaqin thesin mbi biçikletë dhe u kthyem në shtëpi nxitimthi, duke siguruar kështu rezervën disaditore të bukës. Fanatik i moscënimit të pronës së tjetrit, e ndjeja veten fajtor dhe borxhli për atë thes të papaguar. ”Do ta paguaj pas çlirimit”, e thënë kjo që shkaktoi pak humor tek Mira, mes atij ankthi dhe dëshpërimi për të nesërmen tonë. Por ishte për të qeshur e për të qarë, kur mes njerëzve thasngarkuar pashë dhe nga ata, që pa ditur vlerën e funksionimin e mjeteve laboratorike, rrëmbenin aparate analizash, mikropeshore e ku ta di unë se çfarë. Të tjerë, ngatëroheshin mes makaronave të njoma të varura në dhomat e tharrjes, duke i tërhequr e futur nëpër thasë e qese, të transformuara në një lloj mase brumi si lëmshe gjigante të deformuara. Më të duruarit e specialistë në zanatin e tyre, ishin zhvidhosësit e elektromotorave të makinerive, të prizave e releve nëpër murre. Një boshatisje totale e gjithshkaje, për të mbushur sejcili vetveten sipas mundësisë, dëshirës, forcës dhe pangopësisë më të paparë njerëzoshtazore.
Korça e zaptuar kishte marrë ngjyrën gri, që më shkaktonte një ftohtësi trupore e shpirtërore të paprovuar. Tek ecja me biçikletë drejt qendrës, më dukej sikur gjithshka kish ndaluar në kohë dhe çdo lëvizje mjetesh e njerëzish., sikur ndodhte në tjetër hapësirë të kozmosit. Mos isha në një ëndër të mundimshme dhe hapja e syve do më sillte ngjyrat e gëzueshme të jetës? Edhe era që frynte, shpërndante ngjyrën gri të pluhurit, të plehrave. Edhe kaltërsia qiellore ishte strukur universit, duke u krijuar një mjegullnajë grisore mbi qytetin fantazmë. Xhame dyqanesh të thyera, rafte të shkulura e boshatisje e gjithshkaje brenda tyre. Qënie njerëzore, që kishin marrë formën e mallit të rrëmbyer, çaplenin këmbët për t’u rikthyer përsëri më të babëzitur, deri në shëmtimin më të shëmtuar të personalitetit dhe mjedisit shqiptar. Më falni, por s’mund të vazhdoj dot tek kujtoj këto skena të shpërbërjes të hapësirës e kohës të një populli, që po e pësonte si Sizifi. Ajde të pimë nga një gotë, miq të dashur. E kuptoj padurimin tuaj për vazhdimësinë e shkrimeve të mia, por gëzuar e me shëndet të gjithëve, se ato posa filluan e kemi përpara një mal të tërë.
Në mbrëmjen që kish filluar para kohe, fytyrat e rrëmbyesve i fshinte maska e zezë e natës. Hije të deformuara lëviznin qytetit në format nga më të shpërbërat, duke devijuar përmasat njerëzore nga pesha e mallit të rrëmbyer. Një komshi, moshatar me mua, që deri atë natë lante trupin në dushin e sajuar me një qyngj e kazan që nxente ujin me gaz, siç duket, nga alergjia e këtij përdorimi, ja kishte vënë syrin dusheve me korent të dyqanit të një turku, aty në sheshin e 7-ë katshit. Dhe alergjia i kalon përmasat e të zakonshmes, se me sytë e mi pashë të sillte dy pajisje dushi e siç më tha vetë, kish marrë e nja dy të tjera. A thua duhej nga një dush për çdo pjestar të familjes! Sejcili, sipas zanatit e mundësisë, mbushte torbat e thasët me ç’të mundte, duke siguruar të njëjtin mall për 1000 vjet jetë. E shoqja e një tjetri komshiu na solli një palë pandofla falas, pasi i shoqi kish mbushur thesin me dhjetra palë të tilla nga Fabrika e këpucëve.
Të gjitha këto rezerva mallrash, ndronin pronarin në mënyrën më të skajshme e të dhunshme të biznesit ekonomik. Dhe çdo kapërcim i tillë i dhunshëm i pronësisë, si ditën, ashtu edhe natën, shoqërohej nga refreni i çakërdisur i krismave.
* * *

Δεν υπάρχουν σχόλια: