Κυριακή 17 Απριλίου 2011

Tjetërvetja -- Tregim - Esse

Tjetërvetja


Nata ishte tatëpjetës, kur sa mbarova fjalën e fundit të tregimit, hedhjen e tij internetit dhe po klikoja mbylljen e laptopit, dëgjoj të dalë prej tij zëri im, duke më thënë që të ikja për gjumë pa atë. Buzqesha me naivitetin e tij, pasi deshte, s'deshte, s'mund të ndahej atë çast nga mua. Kështu mendova unë, por jo ai, që përsëriti të njëjtën thënie me ton më të lartë, aq sa i lëshova një "Shshsht!" të gjatë, sepse mund të zgjonte njerëzit nga gjumi. Bashkë me shsh-ëtin, i shpjegova pandashmërinë nga mua, por ishte e kotë.
Edhe kjo më duhej, të harxhoja kohën e mbetur për pak gjumë, nga një tekë e kokëfortësi e krijesës sime. Një çast mendova ta shuaja komplet tregimin e bashkë me të edhe ndodhinë e papritur, por kjo më shumë se triumf do ishte humbja ime. Vetes do i shtoja një gënjim më shumë, që edhe pse e shuar në gërma reale, ekzistonte në gërmat e psiqikës sime. Sikur të ishte në mendjen time, zëri lëshoi një qeshje ironie, pastaj përsëriti për së treti kërkesën e parë, duke më sqaruar çuditshëm, qe edhe pse ishte i krijuar nga mua, nuk mund të veproja më tej me të si të desha. Bile më tha, që qysh në çastin e parë krijues, ishim tek njeri-tjetri sa të varur, aq të pavarur. Me afrimin drejt fundit, vartësia shkonte drejt zeros, duke i dhënë atij të drejtën e pavarësisë së plotë ndaj meje.
I ndodhur mes kësaj logjike të çuditshme, m'u turbullua çdo gjë në qenien fizike e psiqike. Krijesa ime, në një farë mënyre, po kthehej kundër meje, qoftë dhe në një tekë të vogël për të mos fjetur me mua, gjë që paralajmëronte për të tjera veprime sipas kokës së saj. I pafuqishëm për ta bindur, u ngrita dhe ika drejt dhomës së gjumit. Ktheva kohën për të parë nëse po më ndiqte pas, por veç përshëndetjes së saj për gjumë të ëmbël, asgjë tjetër nuk ndodhi. Pashë me inat laptopin, këtë pengmarrës të pamëshirshëm të krijesës sime më të re, edhe pse në vetvete e dija që faji s'ishte i tij. I mundur u shtriva në krevat, me sytë hapur, pa ditur nëse fjeta apo jo, deri në shfaqjen zbardhëse të dhomës nga rrezet e diellit.
Përballë, pas cipës së zbehtë të agut në dhomë, filloi të qartësohej pamja e një trupi njerëzor. S'ishte çudi, pasi mëngjesit ndodh që kur përtoj unë, ta përgatitë e sjellë kafenë gruaja, ose të shfaqet ndonjë nga fëmijët për punët e veta, kështu që nuk i kushtova vëmendje shfaqjes së një trupi njerëzor.
Çasti mospërfillës do kthehej në çakëritje sysh, kur cipa e zbehtë e agut do zhdukej dhe do më qartësonte të plotë pjestarin e familjes, që nuk ishte as gruaja, as fëmija, por...


O Zot, mos luaj me krijesën tënde, se s'ka pak halle, ankthe e strese, jo vetëm ditën, po deri brenda ëndrrave të natës!
Edhe kjo lojë mëngjesore i mungon, që të kujtojë se hapësira rreth tij qenka një pasqyrë sferike, ku veç vetes, asgjë tjetër reale mos shikojë.
A e di, o Zot, se kjo gjendje vetshikuese është pragu kapërcyes i normalitetit, drejt ikjes tej vetes?
Të shikosh veten jashtë vetes, në dyzimin e saj të ndarë në dy qenie trupore përballë njera-tjetrës, do të thotë të jesh në dy ekzistenca paralele, pa marë vesh se kush nga të dyja je vërtet ti. Edhe pse e di që jam unë i shtriri në krevat, trupi im në këmbë më bind që jam njëkohësisht dhe ai.
Pra, jam unë në dy trupa, pa ditur akoma nëse jam dhe i njëjti shpirt në ata. Kokës më kumbon zëri i dalë nga laptopi para gjumit. A s'ishte dhe ai zëri im jashtë meje?
Të jetë vallë trupi përballë, burimi i atij zëri?
Ç'flas kështu dhe unë? Do ndroj origjinën e krijimit, duke kthyer në shkak pasojën, dmth zërin e një trupi, në krijim të atij trupi? Po si shpjegohet atëhere kjo antimetamorfozë, që kishte ndodhur në kufirin ikës të nates dhe ardhës të mëngjesit?
Trupi përballë, i pispillosur si rrallë ndonjëherë unë viteve të fundit, më ngacmoi ndjenjën e zilisë. Isha vërtet i pashëm, simpatik, ndryshe nga ç'më dukej vetja prej kohësh. Ai më çmalli me kohë të shkuara kostumosjeje e gravatosjeje.
Mos isha gjë në ndonjë sebep natën dhe nga e pira e rëndë po më ndodhte ky dyzim mëngjesor i vetes?
E pamundur, sepse ja tek po sillja ndërmend gjithë kohën krijuese në laptop të tregimit, hedhjen e tij në internet, bile dhe pëlqimet e para nga të pagjumët e zonës së natës dhe të zgjuarit e hemisferit të ditës.
"Ç'më shikon si për gjynah?"
S'di as vetë si më doli kjo pyetje gjyhnaqare nga goja.
"Kështu të dukem? Gabon! Shikimi im është gjyhnaqar ndaj vetes, edhe pse nuk është faji i saj për këtë. Fundi i fundit ti më krijove dhe unë duhet të mos jem më shumë se ç'më ke dhënë ti në këtë krijim. Një çast kujtova se isha i dyti tënd i pavarur krejtësisht prej teje. Por me sa duket, krijimi, sado i pavarur të jetë nga krijuesi, mbart shumë nga shpirti i tij, qoftë dhe në të kundërt me të".
"S'po të kuptoj fare. O mua po më fle akoma mendja, o ti je dehur në ndonjë aheng".
"As njera, as tjetra, miku im. Jam esëll fare, siç je dhe ti pa pikë gjumi në mendje. Më shikon e të shikoj, të dëgjoj e më dëgjon, por e kuptuara në tru nuk ndodh njëlloj si me sytë e veshët".
"Qenke në formë të filozofosh pa dalë mirë dielli, më duket".
"Merita tënde kjo".
"Timja? Pak më qartë, se kështu as kemi për t'ja gjetur anën bisedës".
"Kujto zërin, çastin kur ike për gjumë. Isha unë në padukshmërinë time, brenda krijesës tënde. Që atë çast po dilja prej teje, po formohesha, po bëhesha dhe unë diçka në këtë botë, diçka imja, apo më saktë, Tjetërvetja tënde".
"Tjetërvetja ime!? Mundja unë të krijoja një tjetër vete? Ç'thua kështu?!"
"Të vërtetën them. Unë po e ndjeja lindjen time prej teje, njëlloj siç ndjen një femër shtatzënë dhimbjet e lindjes. Paradoksale kjo, që i linduri të ndjejë dhimbjet e asaj që e lind. Pastaj njëlloj u lehtësova prej tyre, bile dhimbjet u shndruan në një kënaqësi gati çmendarake".
Ky qenka ç'qenka, thashë me vete. Paska qejf të filozofojë pa u hapur mirë sytë e ballit, lere pastaj të mendjes. Por po më pëlqente, aq sa po më bënte dhe kurioz për më tej. Që ta merrnim më shtruar e jo ashtu siç ishim, unë shtrirë e ai në këmbë, i propozova të shkonim nga salloni dhe të përgatisja kafenë për të dy.
"Edhe pse e piva një me Marian, me kënaqësi pranoj", ma ktheu, duke thënë emrin e Marias, si të ishte i njohur për mua.
"Marian? Mos gaboj, gruaja tënde është?"
"Gruaja ime jo, por në rolin e gruas në një farë kuptimi".
"Haha, qenke i lezetshëm. Nuk besoj se e teproj në pyetje, se për cilin rol gruaje e ke fjalën".
"E di ti më mirë se mua, bile shumë më mirë se kushdo tjetër, sepse vetë ti e ke krijuar atë rol të Marias për mua".
Po e mblidhja pak nga pak veten, përmes kalimit në mendje të personazhit tim të preferuar me emrin Maria. Ajo që mbetej ende enigmë e mundimshme për ta kuptuar, ishte lidhja e Maries me të. Maria personazh s'ishte vetëm një në tregimet e mia. E përbashkëta e saj ishte vetëm tek universaliteti i femrës. Pra çdo femër aty ka Marien e vet, por jo çdo femër është e njëjta Marie.
"Për ty? E ke gabim. Nuk krijoj personazhe konkretë për njerëz konkretë, edhe pse në jetën konkrete mund të ketë të tillë".
"Kuptoj idenë tënde, por ti nuk po kupton më duket shpirtin tënd, më qartë, atë skutë të tij, që ti i largohesh si qoftëlargut, edhe pse e di që s'është qoftëlargu".
"Ditke ti më mirë se mua skutat e shpirtit tim? Krijimi njohka krijuesin më mirë se ai veten e vet?"
"Po ti vetë i ke shfaqur skutat në krijimi tënd, edhe pse përmes fantazisë tënde. Edhe në rastin më të largët të fantazisë, grimcat e skutave të tua i janë ngjizur asaj. Për lexuesin e zakonshëm kjo pak rëndësi ka, por për ty dhe mua është grimcë e boshtit të jetës sonë".
"Prit, prit, se si shumë thellë po zhytesh. Dashke të njëjtësosh veten me mua në gjithçka më duket, duke më koklavitur me personazhin".
"Jo, aspak. Ti s'po kupton, ose s'të vjen mirë të pranosh, që unë jam pikërisht skuta e shpirtit tënd, ajo skutë që pasi u shfaq ndryshe prej teje në krijime, tani të çudit e mundon. E di ti nga po vij kaq i pispillosur, por me shikim gjyhnaqari?"
.....
"Pse heshtën? S'të vjen mirë ta thuash me gojën tënde? Njëlloj është, po ta them unë me gojën time. Nga Maria reale, nga ajo Marie, që e njëjtë me një nga personazhet e tua të femrave, më gjeti mua, të njëjtin me një nga personazhet e tua të meshkujve".
"Të gjeti ty pra, ç'lidhje kam unë në këtë mes? Ndodhi një realitet fantazish, pak të tilla ndodhin në jetën njerëzore?"
"Realiteti je ti tek mua këtë rradhë dhe unë jam realiteti i asaj që ndodhi sot mesnatës".
"Çfarë ndodhi, se më plase?! Po e vërtit e vërtit bisedën, sikur jemi në leksione letrare e psikologjie bashkë".
"Ti, dmth unë, sot mesnatës isha me një grua, flertara dhe bëra ç'bëhet gjithçka në një flert, mes një femre e mashkulli. Gjithçka!"
"Hahaa, të zuri kafeja më duket! Paske imagjinatë, shkuar imagjinatës, që ma kalon mua po e po, po dhe kush e di sa krijuesve të tjerë".
"Falë imagjinatës tënde, mik. Ti po qesh tani për të fshehur sikletin. Siklet mëkatari".
"Unë mekatar? E shumta e mëkatit tim mund të jetë botës platonike, thjesht një imazh, fantazi, ide, kaq dhe vetëm kaq. Nuk mund të jem në të njëjtin vend natën me gruan time dhe njëkohësisht të flertar në tjetër vend me tjetër grua".
"Ishe miku im, ishe, ti dhe ajo, kaq realisht sa jemi këtu të dy dhe kafeja që pimë".


Mbeta pa folur, por edhe pa frymëmarrjen normale, shikimin e dëgjimin normal.
I heshtur dhe ai, sikur të kuptonte gjendjen time. Shikimi i tij, i njëjtë me shfaqjen e parë, gjyhnaqar. Nga e gjeta këtë përcaktim shikimi, sikur të ishte fjala për ndonjë fatkeq, mjeran. Mos kështu ju duka atij që në fillim?
Mbase. Mbase ndodh kështu kur njeriu shikon veten e vet përtej shfaqjes së saj. Përtej kësaj shfaqjeje qenka ajo tjetra, ajo, Tjetërvetja, e fshehur, e strukur aty, skutave të shpirtit njerëzor.
I largohemi asaj duke e afruar, e largojmë atë duke ju afruar, pa ditur që në të dy rastet ndodhemi të njëjtës orbitë, që na mban përmes kontradiktsionit të forcave tërheqëse e shtytëse.
Mos po më ndodhte gjë ndryshimi i koncepteve, njohjeve, kuptimësive për jetën kaq papritur, apo unë po ju shtoja atyre atë çast pjesën tjetër të munguar, që rrinte e strukur qënies sime? Atë pjesë, që shpesh na flet përmes zërash sirenash, por që ne, ndryshe nga Odisea, i dyllosim veshët mos e dëgjojmë. Dhe ashtu, veshzënë, kujtojmë se dëshmojmë triumfin tonë mbi to, kurse në fakt shfaqim dobësinë dhe frikën e qenies brenda qenies.
Dhe, duhet të vijë ai çast mëngjesor të na shfaqet Tjetërvetja, për të na çbllokuar veshët. Por atëhere është vonë, tepër vonë.
Sirenat e kane mësuar prej kohësh dinakërinë odiseane të veshbllokimit. Tjetërvetja është bërë prej kohësh ishulli i tyre, brenda oqeanit të shpirtit tonë. Ishull, në të cilin secili prej nesh jeton, qoftë dhe në tjetër përmasë të universit të tij, robinsoniadën e vet.


Selanik,  prill 2011

1 σχόλιο:

Unknown είπε...

Poeti Dhimiter Papando ne Bota e Re shkruan:

Ka disa gabime dialektore qe ndoshta duhen rregulluar
Desha=doja
pse heshten?=Pse hesht?

Sidoqofte ky tregim ala-Buzati me ka perlqyer shume. Dyzimi i vetvetes, e ndertuar ne forme dialogu me veten, qe ne pamje te pare te krijon pershtypjen e nje dublimi te personalitetit, vjen me nje realizim artistik shume te realizuar. Fantazia e thurur bukur me problemet e kohes sjell nje krijim me strukture krejt moderne, me karakter psikoanalitik te spikatur

Te lumte Edmond

dhimitraq papando