Σάββατο 19 Μαρτίου 2011

Kodi liderian i një shteti gjysmak


Kodi liderian i një shteti gjysmak

E vetmja rrugë depërtimi në atë shtet gjysmak aziatik, ishte të kthyerit në të padukshëm. Se si ja arrita kësaj gjendjeje, është i vetmi sekret, që dhe vetes s'kam për t'ja thënë ndonjëherë. Ishte një padukshmëri krejt ndryshe nga ato që shikojmë filmave fantastike. Ato kanë mbetur thjesht një fantazi e asgjë më shumë. Padukshmëria ime, zor të realizohet me teknologjinë dhe truket e sotme të Hollivudit. Pse? Sepse më shumë se truku kompjuterik, ajo kërkon trukun njerëzor në dy pjesët përbërëse të ekzistencës së tij, në trupi dhe psiqika e tij. Nëse trupin e quajmë objekt dhe psiqikën subjekt, padukshmëria i përket vetëm psiqikës. Pra unë depërtova në atë shtet gjysmak aziatik, padukshmërinë e psiqikës dhe dukshmërinë e trupit tim.
Që në çastin dalës nga dera e avionit, trupi filloi një lëvizje të tipit ushtarak. Nyjet lidhëse të kockave të këmbëve, pjesës të ashtuquajtur legen dhe rruazës së fundit lidhësë të shtyllës kurrizore me kafkën e kokës, ishin të vetmet pjesë të privilegjuara për të lëvizur pjesën tjetër të mishtë, të dhjamtë e të gjaktë të trupit. Shkallët mbaruan për t'ja lënë vendin një tapeti të kuq, që më çoi përballë portretit të liderit të plotë të shtetit gjysmak. Thashë të plotë tani, se në të vërtetë për vendalinjtë të thuash vetëm kaq, je afër të qenit armik që ul vlerat mbinjerëzore të liderit.
I plotë mund të jetë kushdo, por kursesi lideri i tyre. Ai është mbi çdo plotësi njerëzore, sepse nga ai varet ekzistenca e kësaj plotësie. Nejse, po e le me kaq, se kjo punë e plotësisë dhe mbinjerëzores në gjysmështetin aziatik, do faqe më vete për t'u trajtuar.
Trupi bëri një përkulje të gjysmës së sipërme të tij, paralel me tapetin e kuq, duke e përsëritur s'di se sa herë dhe pas drejtimit vertikal, kaloi anash për tek porta, por pa i kthyer as profilin, jo më shpinën, portretit të liderit.
Ishte mëngjes i vrenjtur, ku dielli dukej sikur përtonte të ngrihej nga gjumi i natës. Shoqëruesi që më rinte ngjitur në krah, sa pa fytyrën time të ndritshme para qiellit të vrenjtur, foli me entusiazëm.
"Për të gjithë botën lideri tonë është diell që ndrit edhe në kohë të vrenjtur. Këtë e tregon dhe fytyra jote e qeshur. Ajo e ndjen dritën e liderit tonë edhe në një ditë si kjo".
Koka u tund aprovueshëm, duke i dhënë më siguri ecjes së këmbëve drejt xhipit, që do më çonte në zyrën e sekretarit të Partisë.
Han Jet Nxin-it, i dilnin duart mbi supet në tavolinë e për një çast m'u duk sikur ato mbanin bashkë me qafën kokën katrore, rregullsia e së cilës prishej vetëm nga dalja trekëndore e mjekrës, pa shenjë qimeje në të.
Trekëndëshe dhe hunda, ku majuca e shtypur, me siguri kishte ndikuar në zmadhimin e dy vrimave si feçka e një derkuci. Me tepricë vareshin vetullat, poshtë të cilave sytë humbnin mes zhubravitjes së lëkurës përreth.
Sqarimi me pak fjalë i shoqëruesit, po dhe dosja ime mbi tavolinë, e thyen katrorllëkun e fytyrës së Han Jet Nxin-it, në forma të tilla shprehëse, që më zbutën gjendjen e sikletshme të prezantimit.
E çuditshme vërtet, si mund të ndryshonte kaq papritur ajo fytyrë, ku çdo qelizë dukej sikur ishte e palëvizhme në vendin e vet. Vetullat gati u bashkuan me strehën e kapelës, zhubravitjet rreth syve u rralluan si dallgë deti të kthyera në valë, koka doli mbi supet, supet mbi tavolinë dhe dora e djathtë më shtrëngoi të djathtën time me një tundje të fortë, që më lëvizi gjithë trupin.
"Kemi miq në gjithë botën. Ti je mik i vërtetë. Më vjen keq për vendin tuaj, liderin tuaj, por ai gaboi, gaboi rëndë dhe kjo nuk i falet".
Nga trupi im lëvizte vetëm koka në shenjë aprovuese, pas çdo mbarimi të tonit ngritës të Han Jet Nxin-it. Por ky veprim i kokës sime, në vend të çonte fundit të bisedës, shtonte më shumë fjalët dhe tonin e shefit.
"Po të ndiqte rrugën e liderit tonë të madh, sot ju do ishit njëlloj të lumtur si ne dhe vendi juaj s'do binte në prehërin e imperializmit amerikan".
Desha ta pyesja se ku gaboi ai toni, se kur vdiq ai, ne si ata ishim dhe pas tij. Sikur të kuptonte shikimin tim pyetës, Han-i i qëndruar vertikalisht, vazhdoi.
"E di që do të dish se ku gaboi lideri juaj. E di që as ti dhe asnjë nga populli tënd nuk e dini gabimin. Lideri tonë i madh me largpamësinë e tij e ka shmangur të keqen që ndodhi tek ju, sepse ka shmangur gabimin e liderit tuaj. E keqja e një vendi vjen nga gabimet e liderit".
Trupi im vazhdonte të njëjtën gjendje lëvizëse të kokës, në pritje të mësonte kodin, nga mosditja zbërthyese e të cilit, e kishte pësuar vendi im.
Han-i, i bindur se po më zbulonte diçka të madhe, të paditur më parë, bashkë me tonin ngritës të zërit, po ndryshonte çuditshëm pamjen e mëparshme të fytyrës. Ajo po merrte formën e fotos së liderit mbi kokën e tij. Po, po, lideri i madh po dilte nga portreti si një mjegullnajë fantazme, duke u formësuar para syve të mi.
Kodi mistik, që vetëm ai e dinte dhe askush tjetër, po më dukej si një çelës magjik përrallash, që hapte portën e thesarit më të madh të botës.
Çelësi magjik në dorën e liderit të madh vazhdonte të më shkaktonte vërtet efektet e përrallës. Rrezatimi i florinjtë i tij po i kalonte përmasat e të zakonshmit. Jo vetëm kaq, por po ndryshonte dhe formësinë e vetes. Përralla ishte në kulmin e saj, aq sa më dukej vetja pjesë e saj magjike. Para syve të mia s'kishte më çelës. Në krah të liderit të madh po formësohej mes rrezatimesh të florinjta një njeri i dytë, tepër i ri, me pamje perëndie aziatike, ku ajo që më tërheq më shumë janë faqet e rrumbullakosura të ndritshme e lëmuara. Zëri i Han-it më solli në vete.
"Asnjë lider tjetër s'mund të vazhdojë udhën e liderit baba, veç djalit të tij, trashëgimtarit të tij. Vetëm ai dhe vetem ai, trashëgon gjakun e shpirtin e vërtetë të babajt. Lideri juaj e ndaloi vazhdimësinë e vetes dhe bashkë me këtë, vazhdimësinë e lumturisë së vendit tuaj".
Si të kishte thënë zbulimin më të madh të universit, Han-i qëndroi heshtur me kokën kthyer nga portreti i liderit baba e bir, kurse nga mua hidhte herë pas here shikimin sa triumfues, aq dhe keqardhës.
Trupi im, i ngacmuar një çast nga padukshmëria ime, u lëkund si i alivanosur, por tek ndeshi me shikimin pyetës të Han-it, e shtyu tutje padukshmërinë dhe mori qëndrimin përkulës të njeriut të gjysmështetit aziatik.
"Kuptoj mërzitjen dhe revoltën tënde për gabimin e madh të liderit tuaj, më vjen keq vërtet për ty dhe popullin tënd. Humbët atë, që zor ta fitoni tani. Imperializmi të fiton, kur s'di të mbrohesh prej tij. Ju nuk ju fitoi imperializmi nga forca e tij, por humbët nga gabimi i madh i liderit tuaj. Ne s'ka ç'na bën imperializmi, sepse kemi lider të pagabueshëm. Ai është i njëjti, edhe kur nuk jeton më. Të njëjtë mbetemi dhe ne në besimin dhe dashurinë për të".
Vetem pas kësaj ligjërate të gjatë, Han-i u kthye në gjendjen e fillimit, sikur të ishte tërhequr dhe thithur treçereku i trupit, brenda ndenjëses së karrikes.
Formalitetet e azilit tim politik mbaruan më shpejt se fjalimi i Han-it.
Në trup po ndjeja tërheqje dhe shtrëngime pjesësh, si të isha një masë e madhe plasteline në formësim tjetërlloj.
Në çdo çast të tillë, kërkoja padukshmërinë time për të kuptuar metamorfozën që po më ndodhte. Gjëkundi s'dukej. E pamundur. Unë isha me të në çdo çast, lëvizje. Ajo ishte e vetmja perëndi mbrojtëse dhe shpëtuese për mua. Pa të s'do mundesha kurrë të isha vetvetja. As si këta gjysmështetarët aziatikë. Sepse këta më shumë se gjysmakë të tillë, janë në vetë thelbin e jetës së tyre. Gjysmakja e thelbit vazhdon pafundësisht metamorfozën e gjysmimit të tyre pa u ndjerë. Pra është gjysma e gjysmës së gjysmës, së gjysmës...
Nga pjesa më e vogël gjysmake, ndodh pastaj në të kundërt zmadhimi gjysmak, deri në plotësia shfaqëse e ekzistencës së tyre. Ekzistencë e shpirtëruar në zotërimin e një ndjesie të vetme, ku ndodh ngjizja më e çuditshme e koshiencës dhe subkoshiencës, në formën e besimit të frikshëm. Ja dhe kodi tjetër i zbuluar nga unë, që sikur gërmën e parë t'ja thosha Han-it, do më kishte ngrënë të gjallë trupin dhe padukshmërinë bashkë.
"Këtu qenke moj?", pyes i lehtësuar, tek shikoj padukshmërinë time.
Pyetje ama dhe unë!
Harrova që gjithë kjo logjikë medituese më lart, vetëm nga padukshmëria mund të buronte e kursesi nga trupi i aziatikuar pak më parë.
Ndërsa trupi, pas kaq e kaq vitesh largimi nga e njëjta jetë në vendin tim, po fillonte ripërshtatjen, padukshmëria gjithmonë e më shumë po rezistonte, për të mos e lënë trupin në fatin e mëparshëm.
Arritën më në fund një marrëveshje historike mes tyre. Trupi të vazhdojë azilin politik, kurse padukshmëria të përcjellë reportazhet e jetës së tij, në pjesën tjetër të botës.
-Deri kur?
-Deri sa të mbarojë përralla e çelësit magjik në gjysmështetin aziatik.
Për herë të parë lutem për shterpësinë vetëm të një çifti. Të çiftit liderian të këtij shteti gjysmak.
Dhe prapë kam frikë, edhe nëse lutjen ma dëgjon Zoti, kam frikën se mos kodi gjenetik, mund të kthehet në kod klonimi.
-Atëhere?
-Atëhere shko mere dhe trupin tënd që aty dhe leri ëndrrat me sy hapur.
Dhe...
-Çfarë dhe...? Thuaje të lutem!
-Prit apokalipsin për shpëtim.

19 mars 2011







1 σχόλιο:

Unknown είπε...

Krijuesja Lida Lazaj, ne Bota e Re, shkruan:

Kur shkrova per krijimtarine e Edmondit, diku them ...me poezine Selanik Edmondi u çfaq duke plotesuar aspiratat e mija.Aspiratat e mija jane pak a shume te njohura( se krijuesi eshte simbioze e krijimtarise).Ne fakt fraza e pare qe me erdhi ndermend ishte ...u çfaq me te gjitha permasat, por me njehere u kujtova se krijuesi eshte ai qe te tjeret shohin tek Ai. Pra s`ka sesi te çfaqet i plotë.
Por une sapo mbarova se lexuari Kodin liderian... dhe pashe dhe nje dimension tjeter te Edmondit.Te lumte Edmond.!
Asaj qe kam shprehur per Ty, s`do ti hiqja snje presje, vetem do shtoja konsiderat per krijimet e Tua plot origjinalitet, e ndjeshmeri si nje qytetar i Botes!