Σάββατο 5 Φεβρουαρίου 2011

Kodi i patjetërsueshëm i Fjalës Poetike



Mendime


Kodi i patjetërsueshëm i Fjalës Poetike

Çmenduria më e madhe nuk është e të çmendurit, por e normalit që e paraqet të çmendurin për normal. (E Sh)

Poezia përbën një nga format artistike më të larta shprehëse, të konvertimit të mendimit dhe shpirtit njerëzor.
Nuk e teproj të them, që ajo ngjan me çastin shpërthyes të krijimit në univers të trupave qiellorë.
Fjala, ashtu si materia kozmike, që endet kaotikshëm hapësirës së universit, endet hapësirës folëse të botës njerëzore dhe po ashtu si kjo materie, që hyn në kombinime potenciale e reale krijuese, fjala hyn në kombinime potenciale e reale krijuese të komunikimit njerëzor. Por, ashtu si materies, që i duhet ajo grimca e padukshme (grimca e Zotit, siç quhet) për të arritur në shpërthimin e madh krijues të trupave qiellore, ashtu dhe fjalës i duhet ai çast i magjishëm ngacmues e shpërthyes i grimcës së padukshme të shpirtit, për të krijuar trupat poetikë të universit poetik.
Dhe, ashtu si procesi kozmik i krijimit, që edhe në dukjen e tij të qetë akumulon energjinë e shpërthimit të ardhshëm të grimcës, edhe procesi poetik i krijimit, në çastin e qetësisë shfaqëse, akumulon energjinë e shpërthimit të ardhshëm, të grimcës së shpirtit.
Vetëm atë çast shpërthyes të kësaj grimce magjike, universi mbarset dhe lind vetveten në format më të mahnitshme të ekzistencës së tij, yjet diellore, planetet, galaktikat, bashkë me kozmetikën tepruese të lindjes, satelitët, asteroidet e sa e sa forma të tjera materiesh të njohura e të panjohura prej nesh.
Vetëm atë çast shpërthyes të kësaj grimce të shpirtit, universi poetik mbarset e lind vetveten në formën më të mahnitshme të ekzistencës së tij, poezinë.
Hiperbolizim krahasimi?
S'e besoj.
Nëse ekziston një Zot, jam i bindur në ndjesinë e tij kulmore të kënaqësisë, nga ajo ç'ka lind pas magjisë së grimcës së Tij.
Nëse ekzistoj unë, s'kam nevojë për t'u bindur për ndjesinë kulmore të kënaqësisë, nga ajo ç'ka lind pas magjisë së grimcës të shpirtit tim.
I bindur për Zotin dhe për veten, s'kam nevojë për bindje të tjera.
Tjetërkund është meraku e shqetësimi im. Në këtë pikë, paralelizmi me universin nuk ecën në të njëjtin drejtim.

Ndryshe nga krijimi në universin kozmik, që subjektin e kthen në objekt, krijimi në universin poetik, objektin e kthen në subjekt. Grimca e shpirtit, pra, kthen ngacmimin e energjisë së jashtme, në një fakt të fjalës poetike. Aty ku duket se fillon, në fakt mbaron ngjashmëria tonë me Zotin. Siç kam shkruar më parë, Zoti (për mosbesuesin në Zoti, po e le të lirë besimin e tij në diçka tjetër) arrin përmes grimcës së Tij, përsosmërinë krijuese në faktin e jetës planetare, kurse njeriu, e shumta që mund të arrijë, është përkryershmëria krijuese në faktin e artit të fjalës, në rastin tonë, asaj poetike. Gjithmonë njeriu do tentojë përsosmërinë, por e shumta e arritjes do jetë përkryershmëria. Edhe me kaq, ai quhet Zot mes botës njerëzore. Por, ndryshe nga përsosmëria, që ka një Zot (a diçka tjetër), përkryershmëria mund të ketë disa të tillë.
E kundërta?
Njëlloj dhe kjo.
Pra, si në universin kozmik dhe atë poetik, lindin vetvetiu teprimet, skarcitetet, firot, dmth disnivelet krijuese. Pa këtë ekzistencë nivelesh, s'do kishte kuptim as përsosmëria e Zotit, as përkryershmëria e njeriut. Ta lemë tani në punën e tij Zotin, siç na ka lënë dhe Ai ne në punën tonë, edhe pse ekzistojmë vartësisht prej tij.
Cila është puna jonë?
Ajo pra, krijimi i fjalës poetike. Nuk jemi pak krijues të kësaj fjale, por nuk jemi kursesi as shumë të asaj çka obligon dhe kërkon kjo fjalë, për ta afruar sadopak asaj që synon mendja e shpirti krijues, përkryerjes.
Mos keqkuptohemi në lidhje me këtë mendim. Nuk bëhet fjalë për vetë përkryerjen, që edhe e arritur në sa e sa raste, logjikohet në absoluten e saj të përkohshme dhe relativitetin e përhershëm.
Ikona poetike nuk është e formësise së piramidës me një kulm arritës. Më shumë se e tillë, ajo më ngjan me formësi vargmalesh lartësish të ndryshme, rreth planetit tonë. Majat e tyre përbëjnë shumësinë e Olimpeve të zotrave të fjalës poetike.
Ku dua të dal me mendimin e nisur dhe në vazhdim?
Dua të dal nga vetja, për t'u kthyer përsëri tek ajo.
Dua të shikoj e ndjej ecjen, zbritjen, ngjitjen, zikzaket, pengesat, rrëshqitjet, gërvishtjet, plagosjet, frymëmarrjen në normalitetin dhe lodhjen e saj,...
Dua të ndjej e shikoj përshëndetjet e takimet kësaj udhe me udhëtarët e tjerë krijues, çlodhjen në një burim uji dhe shuarjen e etjes, bashkëecjen e bashkëngjitjen, dashamirësinë, sinqeritetin, ndihmën, vërejtjet e kritikat për gabime hapash në ecje, pra, gjithçka të dhimbshme e të bukur që buron nga e vërteta dhe vetëm nga e vërteta.
Të njëjtën gjë e më teper se kaq, i kërkoj vetes sime. Vetëm kështu ecja mund të marë kuptimin e ecjes, ngjitja kuptimin e ngjitjes, apo tërheqja kuptimin e tërheqjes. Vetëm kështu mund të lindë, formësohet, ose të dështojë fjala poetike. Nuk çuditem dhe mos u çuditni, me fatin e keq të dështimit. Ai rri përkrah fatit të mirë të suksesit të mundshëm. Por, kursesi s'mund e s'duhet të ketë konvertim mes tyre, mbulim dhe aq më keq njejtësim nivelesh. Sejcili ecën mes dy fatesh në të njejtën udhë. Nëse fati i keq(jo fati në kuptimin objektiv të tij) bëhet bashkudhëtari kryesor, ecja më tej drejt majës është proporcioni më i zhdrejtë lëvizës i udhëtarit. Ai mbart mbi supe një peshë që i rëndohet tej fuqisë së tij mbajtëse dhe çdo hap lart drejt majës, sjell patjetër dy e më shumë hapa poshtë, drejt rënies. Ndihma në këtë rast nuk duhet të jetë drejt ngjitjes, por ndalimit dhe çlodhjes në rastin e besimit për rimarrje fuqish dhe zbritjes pa plagosje e dhimbje, kur kjo fuqi ka shterur.
Në rastin e besimit për rimarrje fuqish, ekzistojnë gjithmonë premisat e vazhdimit drejt ngjitjes, pasi udhëtari krijues, ashtu si alpinisti i shëndetshëm, rimerr veten përmes çasteve ndaluese e çlodhëse. Në rastin e udhëtarit pretendues për krijues, por me fuqi të shterur, është e rrezikshme kjo ngjitje, ashtu si për pretenduesin për alpinist, por që s'ka këllqe ecjeje as në rrugë të drejtë. Në këtë rast (të vazhdimit të ngjitjes), dëmtimi është i dyfishtë, personal e shoqëror. Personal për shëndetin mendor e fizik të personit dhe shoqëror për shëndetin e shoqërisë. Personi është një, dy, apo disa, gjë që në rastin sforcues të ngjitjes së tij, apo disave, sjell reaksionin zinxhir në edukimin estetik e artistik të shoqërisë. Bashkëfajtore me të, apo me disa, shoqëria s'bën gjë tjetër veçse e dëmton deri në plagosje e vrasje fjalën poetike. Udhëtari tjetër krijues që vazhdon ngjitjen e denjë, do jetë më pas mes të padenjëve të ngjitur me barelën e ndihmës së shpejtë. Në lartësinë e arritur ai do trajtohet njëlloj me të panjëllojtët në vlerat krijuese. Bile, siç ka ndodhur sa herë, mund të mbetet më poshtë tyre.
Fjala poetike ka pësuar kështu goditjen më fatale në thelbin e saj, nga vetë fjala. S'ka më tragjike, më gladiatoreske, kur fjala vret vetveten, duke krijuar e kënaqur antishijen e publikut.

Jetojmë kohë evolucionesh dhe revolucionesh në krijimtari, me protagonistë që përcjellin ide, mendime, ndjenja, teorira, të kohëve të ndryshme. Në këtë amalgamë kohësh, evolucioni dhe revolucioni i sotëm krijues, ecën në disa shina në dukje paralele, tërhequr nga lokomotiva të ndryshme, duke filluar qysh nga e para e përdorur nga njeriu. Çaf-çufi i saj ngre më shumë zhurmën mes të tjerave, duke kujtuar dhe pretenduar se ajo e vetëm ajo është më e sigurta në ecje, edhe në kohët moderne. Të njëjtën gjë pretendon ajo pas saj dhe e fundit pas të gjithave. Harron lokomotiva e çaf-çufit, se ashtu siç është, i ka vlerat më shumë në muzeun e kohës, duke u vlerësuar gjithmonë nga çdo brez. Udhëtimi i sotëm me të s'është gjë tjetër veçse një eskursion kurioziteti. Më shumë se kaq, ajo harrron më kryesoren, që edhe pse në muze, në fakt është e konvertuar në pasardhësja e saj moderne. Pa këtë konvertim, apo më saktë, pa ekzistencën e saj, pasardhësja moderne s'do ekzistonte kurrë.
Vetëm i parë kështu, çaf-çufi i parë tingëllon bukur, ëmbël, frymëzueshëm. Ndryshe ai do mjegullojë mbytshëm me avullin e tij, hapësirën e sotme të fjalës poetike.

Por çfarë ndodh në fakt sot?
Tani pa figuracione e krahasime si më lart.
Gjithandej fjala përballet me fjalën në format e ndryshme shfaqëse të saj. Përballje buzëqeshëse, lajkatare, servile, djallëzore, ndihmuese, kritike, analitike, deduksionale, vlerësuese, antivlerësuese, nderuese e shkatërruese, hyjnizuese e asgjësuese.
E keqja më e madhe, më tragjike, e përballjes së fjalës me fjalën, është se ndodh nga i njëjti front i tyre, nga fronti i krijuesve të fjalës letrare, pra dhe asaj poetike.
Sot më tepër se çdo herë tjetër, kritika profesionale është absorbuar pa profesionalizmin e saj nga shumica e krijuesve, sikurse në shumë raste krijimtaria letrare(poetike) është absorbuar pa letrarizmin(poetikën) e saj, nga kritikët profesionistë. Nuk po flas për talentin dhe përgatitjen e dyanshme të një krijuesi e studjuesi. Jemi vetë dëshmitarë të kësaj të vërtete vërtet absurde që ekziston mes nesh.
Po e nis nga vetja. Në asnjë shkrim për artin, për krijimtarinë, nuk kam shënuar sipër KRITIKE, por, MENDIME. Mendime je i lirë të japësh për gjithçka, deri në budallallëqe, pasi dëshmon aftësinë njohëse të mendimit tënd. Por kursesi s'do pretendoja, qoftë dhe në rastin e një mendimi me vlera kritike, marrjen apriori të diplomës së KRITIKUT LETRAR.
Ndodhur pra në një front të gjithë, veprojmë sipas relacioneve dhe shijeve që kemi jo vetëm për fjalën poetike, por më shumë për krijuesin e saj. Që në këtë fillesë të tillë relacioni dhe shijeje, përballja e fjalës ka humbur misionin e saj.
Fjala komentuese vlerëson fjalën poetike, më pas fjala poetike kthehet në fjalë vlerësuese ndaj komentuesit e kështu fillojnë hallkat e zinxhirit të fjalës, që në fakt e zinxhirosin vetë fjalën në dy format e saj shfaqëse, të komentimit dhe krijimit. Cënimi deri në këputje i këtij zinxhiri, s'mund të ndodhë kursesi nga krijuesit e tij (veç në raste ekstremale fërkimesh), por vetëm nga një përballje me tjetër fjalë jashtë tij. Këta zinxhirë artificialë, lidhin, shëmtojnë, dëmtojnë e shkatërrojnë, bukurinë e fjalës poetike. E keqja më e vogël është mbetja në dyshen e parë të krijuar. Por sot ekziston e keqja më e madhe e shtimit të kësaj dysheje, nga të ngjashmit e tjerë me të. Atëhere vërtet, mjer, fati i fjalës poetike!
Të tjerët jashtë, që s'janë bërë pjesë hallkash, mbeten të zinxhirosur si i burgosuri në qeli. Në këtë realitet paradoksal, ku i burgosuri i pafajshëm ka zënë vendin e të fajshmit, fjala poetike ofendohet në vlerat e saj dhe vlerësohet e shpërblehet për mediokritetin dhe antivlerat që mbart. Bile ofendimi fillon edhe në thënien e pameritueshme në këtë rast, kur e quajmë Fjala Poetike. Sepse, çdo gjë mund të jetë si fjalë, por kursesi Poetike.
Kur s'njeh fjalën, s'bën ndonjë faj, as kur s'njeh e s'mund të krijosh dot fjalën poetike, nuk je aspak fajtor. Por të njohësh fjalën e aq më tepër të pretendosh se mund ta krijosh atë poetikisht, je përgjegjës ndaj vetes dhe shoqërisë, nëse pretendimi vlerësues shtrihet përtej vetes. Që nga ky çast pretendues, sikurse ke të drejtën e fjalës, ke dhe detyrimin për mos tjetërsimin e saj para shoqërisë, siç ke të drejtën për t'u vlerësuar, ke përgjegjësinë e përcjelljes të vlerave që meritojnë vlerësimin. Kjo është si për krijuesin e fjalës poetike, ashtu dhe për vlerësuesin e saj.
Gjithçka them, do mbetet mendim i cunguar e pa vlerë, pa kuptimësinë e vërtetë të fjalës poetike. Hapësira e shpirtmadhësisë së saj, ka joshur e frymëzuar, por edhe ka keqkuptuar e ngatërruar, veç krijuesve të talentuar, edhe njerëz pa haberin e krijimit. Formalitetet teknike të ekzistencës brenda saj, që përbëjnë në fakt formësimin material të krijimit në faqet e librit, për këta njerëz pa haber, është parë si e vetmja mënyrë dukjeje, njohjeje dhe mburjeje në publik. Ata do mbeteshin qyqarë të mjerë që në hapin e parë, nëse ai formalitet teknik, do lihej i gjithi në dorën e tyre, pa atë dorën tjetër ndihmëse të një apo disa penave krijuese. Këto pena, qofshin miqësore pa interes material, qofshin materialiste për xhepin e vet, ushqejnë me artificialitet vlerash antivlerën, duke krijuar kështu klonimin më absurd të fjalës poetike.
E keqja fillon që në çastin e parë shfaqës të penave dhe antipenave brenda hapësirës së krijimit. Do ishte lehtë nëse kjo ndarje do ishte kaq e lehtë në dukje, siç e klasifikova unë. E vërteta është më e koklavitur. Eshtë, sepse brenda penave, ka nga ato që rrëshqasin në letër e ke qejf t'ju dëgjosh qetësinë e tyre, por edhe nga ato që të gërvishtin dëgjimin nga gërvishtja që bëjnë në letër. Mbase gërvishtësit janë nga mëhalla e antipenave, por ata, falë heshtjes, konjukturave, njohjeve, etj, kanë zenë vend mes penave të tjera.
Nuk është ekzistenca e gërvishtësve, ajo që më shqetëson e alarmon, përkundrazi, respektoj këtë ekzistencë, si çdo lloj tjetër ekzistence të gjendjeve njerëzore në fizikun dhe mendjen e tyre. Po ç'kusur unë, ti, ne, njerëzit e një shoqërie, të marrrim të servirur për gjellë me shije e vlera ushqyese, baltrovinat dhe llumrat e debilitetit krijues? Me ç'të drejtë ky debilitet krijues i serviret shoqërisë nga normalët krijues?
Çmenduria më e madhe nuk është e të çmendurit, por e normalit që e paraqet të çmendurin për normal.
O normal krijues!
Përpara teje nuk është fjala poetike, nuk është poezia, nuk është arti, nuk është pra, magjia e krijuesit.
Me ç'të drejtë atëhere, atë togë, apo batalion bashibozukësh fjalësh të rrjeshtuar strofave, e quan poezi dhe jo vetëm kaq, por arritje poetike, brilant, perlë, etj, etj?
Poezia, kjo shtojzovalle përrallash, që kemi fatin të na prekë dhe ta prekim realisht, duke e shijuar magjishëm në shfaqjet e saj të mahnitshme, shkrihet e zhduket, posa i cënojmë kodin e saj të ekzistencës.
Kodin e cënon si i padituri, duke e dëmtuar që në fillim, ashtu dhe i dituri, duke e cënuar më tej atë.
Shembull?
Marrim rastin e një poezie të rimuar.
Sot kanë vërshuar vargëzime, ku në vend të fjalës poetike në tërësinë e poezisë, kërkohet më shumë gjetja e rimimit në fund të vargjeve. Një bejtizëm bastardues, që vërtitet në rimime ciklike fjalësh, pa kurfarë bukurie të fjalës poetike. Kur dihet, që poezia me rimë, është më e vështira për t'u realizuar, pasi ashtu sikurse rimimi duhet të rrjedhë natyrshëm, pra të të vijë e jo ta kërkosh, ashtu dhe mendimi e shpirti poetik mes vargjeve, duhet të koncentrohet për t'u shprehur përsëri i plotë përmes fjalëve.
Poezia me rimë po i reziston kohës, duke u rrezikuar në kohë nga vetë ne. Po i reziston përmes bukurisë së fjalës poetike, harmonisë e melodisë së saj në vargje.
Po rrezikohet nga shëmtimi që vetë ne i bëjmë gjithë kësaj bukurie. Jo pak herë lexojmë komente e vlerësime për poezi-bejte, duke i quajtur si lasgushiane, pushkiane, eseninane, agolliane, etj, etj, kur ato veç një imitimi të rëndomtë figurash të stërnjohura, kanë dhe një rimim gjyhnaqar amatoresk dhe estradesk. Ky fenomen është më i theksuar në poezinë e ashtuquajtur fshatare, për nga vetë natyra e larmishme që afron jeta në këtë mjedis. Ka kryevepra kjo lloj poezie, por fatkeqësisht sot është diku mesatarllëkut, me përjashtime të rralla mbi të. Shumica e poezive të tilla mesatare, më bëjnë të mos shijoj si dikur, apo diku tjetër, as zërin e bilbilit, as fëshfërimën e të mbjellave, blegërimat e bagëtive, stanin e çobanit, bukurinë e vashave tuj mbush ujë tek burimi, etj, etj, etj. Duke shijuar frutin e shëndetshëm më parë, fruti i krimbur e vende-vende i kalbur sot, më hidhëron gojën ta përtyp dhe dëmton stomakun ta kapërdij. Mos flas të njëjtën gjë edhe për poezinë e quajtur qytetare, që edhe pse ka nivele vërtet të larta, bëhet shoqe me komshien.
Marrim tani rastin e poezisë me varg të lirë.
Vërshimi i njëjtë, në mos më shumë se ai për atë me rimë, ka joshur mes të tjerëve edhe prozatorin më të rëndomtë.
Vargu i lirë vërtet është më i hapësirshëm për fjalën poetike, por kursesi i teprueshëm për fjalë tej saj. Ka ndodhur e ndodh që skica, duke u renditur në formë poezie, të pagëzohet menjëhere e tillë. Sot jemi para një konglemerati poetikoprozaik, që fshin kufijtë mes poezisë me varg të lirë dhe prozës së shkurtër.
E keqja nuk qëndron tek e qëna poetike e një proze, apo prozaike e një poezie, por tek pagëzimi jo adekuat që ju bëjmë atyre në llojin e tjetërllojtë që kanë. Ndodh që për të njëjtin krijim, nga krijues të ndryshëm, të ketë përzjerje pagëzimesh. Njëri e pagëzon me emrin e plotë, Poezi, tjetri me shtesën, Poezi prozaike, një tjetër si Prozë poetike, e ndonjë i vonuar, si Prozë.
Vargu, nga i lirë në kuptimin e tij poetik, kthehet kështu në i robëruar në lirinë e vet. Si vargëzuesi, ashtu dhe pagëzuesi, janë në të njëjtën pozitë mosnjohjeje të lirisë së tepruar të fjalës poetike, e cila humbet kështu qenësinë e saj të pavarur, nga fjalët e gjinive të tjera.

Pa zgjatje më shumë, duke menduar se diçka shpreha e diçka lashë mes saj, për t'u vazhduar mendërisht nga kushdo tjetër që ngacmohet nga ky shkrim, po i kthehem fillimit për fundin.
Mahnitemi para magjisë krijuese në univers, përsosmërisë së arritur në dukshmërinë e padukshmërinë e materies me jetë e pa jetë, harmonisë së kësaj materieje dhe vetë ekzistencës sonë.
Kjo është vepra e fjala e krijuesit, kushdo qoftë ai. Aty është kodi i përjetshëm i veprës e fjalës së tij, që na joshën e ngacmon, na fton ta çkodojmë aq sa mundemi, në hapësirën e kohën tonë të ekzistencës, duke na dhënë mundësinë e të qënit edhe ne, krijuesa të universeve të vegjël poetikë.
Mos e shpërdorofshim këtë kod magjik!



Selanik, 5 shkurt 2011



2 σχόλια:

Unknown είπε...

Mare nga Bota e Re.

Pershendetje Mondi per kete shkrim

Sigurisht qe keto jane probleme te vazhdueshme ne art. Puna eshte se interneti i jep mundesi kujtdo qe te cfaqe mendimet e tij. Kjo ka anen e mire qe e masivizon fjalen e shkruar dhe besoj qe me kete menyre krijon premisa per kalime ne nivele te tjera. Ne anen tjeter, krojon imazhe te reme. Virtualiteti eshte nje bote e cuditshme.
Psikologjia e se ponjohures, krijon bote te paqena. Imazhet vijne te deformuar dhe shpesh te gabuara. Gjithkush e sheh veten VIP.
Madje studjues te ndryshem vlersojne psikologjine e virtualitetit, si nxitesin kryesor te fenomenit facebook dhe bum-it te tij ekonomik.

Megjithate, mendoj qe e keqja eshte diku gjetke.
Nuk eshte fajtore deshira e kujtdo per te provuar veten ne fusha te ndryshme, as (le te jemi te bute) nuk eshte fajtore deshira e fshehte e kujtdo per t'u bere VIP, por Paaftesia e sistemit per te vleresuar ne menyre adekuate.

Pamundesia per te dhene ne menyre racionale vleresime te sakta per nje fenomen, apo krijim eshte dobesia me e madhe e shoqerise njerezore ne stadin e sotem te zhvillimit te saj.
Ky lloj konceptimi eshte i vertete ne te gjitha fushat. Eshte ndoshta shkaku kryesor i krijimit te perversiteteve, sidomos ne shoqerite e pazhvilluara ose ne tranzicion.
Pershendetje edhe njehere.

Dh Papando

Unknown είπε...

Mare nga Bota e Re.

Nga Luan Xhuli

Eshte e vertete se ne trungun (e Thanit dhe se vertetes reale) sa me teper te analizosh, aq me i pa ditur ndihesh...Dialektike dhe filosofike njeheresh...
Edmondi, ka gximin e studiuesit dhe eksperimenton tek vetja dijet e vete studimit. Pa perimeter kjo pune, por jo pa rezultat. Te jemi koshiente ne orbiten e vetes, do te thote te dijme edhe sistemin levizes te planeteve qe na rrethojne..
.!urime Mondit dhe suksese !

Luani nga Athina