

Të pranosh realitetin, përbën realizëm. E pranoj, që ky realitet hë për hë nuk më favorizon për botimin e disa krijimeve të mia të përfunduara. Nuk zgjat dorën kurkund për ndihmë, sepse s'di sa dhe si zgjatet, sa dhe si kërkohet kjo lloj ndihme. Pra, më mirë kështu, në pritje të një realiteti më të favorshëm, ku dora të zgjatet si e sa duhet, vetëm drejt xhepit tim. Deri atëhere, pak njohje për krijimet e mbaruara dhe ende të pabotuara.
-Romani shumëfaqesh(rreth 400 faqe), me titull, "Unaza e diamantë", filluar në qershor 2006 dhe përfunduar në korrik 2009. Romani ka në thelb jetë familjesh korçare, nga viti 1947 deri në vjeshtën e vitit 1991. Eshtë një metamorfozë reale, me të mirat e të këqijat e kohës. Ngjashmëritë e ngjarjeve në roman me persona e ndodhi reale, janë në funksion të fantazisë sime për sa më shumë realizëm, sikurse mosngjashmëritë mes tyre, në tërësinë e romanit, ruajnë harmoninë, moscënimin dhe privatësinë e personave realë.
Romanin është duke e redaktuar gazetarja e njohur Anila Jole.
-Romani alternativ, "Unë në Dy", u shkrojt në periudhën, tetor 2009- shtator 2010.
Nuk i kalon 200 faqet, për vetë natyrën specifike të tij. Më shumë se një roman i formës së njohur klasike, ky libër ndjek linjën e Unit njerëzor të ndarë në dy Unet e tij në kohë. Eshtë një kundërti, ballafaqim, dialog e monolog Unesh, që zbulon vetveten, deri në skutat më të errëta të saj.
-Libër me tregime, që hë për hë e titulloj, "Edeni tjeter..."(pasi dhe mund ta ndryshoj titullin në çastin e fundit). Nuk besoj të kalojë 150 faqet. Veç tregimeve, mendoj që në fund të përfshihen disa thënie e mendime të miat të natyrës së aforizmave. Jam në idenë e një tregimi tjetër, për ta përfshirë në këtë libër, por nëse nuk realizohet në kohe, edhe me kaq libri është gati për botim.
-Libër me poezi, 'Absurditet, apo...", përfshin rreth 105 poezi të krijuara nga muaji maj 2008, deri në shtator 2010. Libri është konceptuar i ndarë në katër pjesë me nëntituj më vete. Redaktor është shkrimtari Ziko Ll. Kapurani.
-Libër me poezi, "Një çast me fshehtësinë", me rreth 93 poezi të periudhës , korrik 2010-dhjetor 2010.
Këta pra janë librat e përfunduar, ende të pabotuar, që së pari ja citoj vetvetes në këtë blog, po edhe miqve dashamirës, që më lexojnë dhe interesohen për krijimtarinë time.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου