
Edmond Shallvari
Tregim
Zonjë dhe seks grua
I hidhte hapat si në hava, po ashtu dhe zemra i dukej sikur i rrihte jashtë gjoksit, diku sipër hapave të shkëputura nga trupi. Logjika i kishte mbetur mes boshësisë,
që me zor po drejtonte qenësinë e saj amorfe. Bota përreth mjegullohej e mjegullohej në shtëllunga avujsh, që herë i depërtonin boshësisë, duke e shtyrë të dilte jashtë vetes, e herë e rrethonin të gjithën, duke e futur më thellë asaj.
Në këtë lloj sfungjerizimi të çuditshëm të materies dhe antimateries trupore e shpirtërore të ekzistencës, Maria ndjeu papritur rrjedhjen lagëse në trup të një lëngu freskues, që në kontakt me nxehtësinë e gjakut, po i shkaktonte fragmente drithërimash orgazmore.
Ndaloi papritur. Hapat në hava u këmbëzuan në trupin e saj, zemra ngadalësoi drejt normalitetit rrahjet po brenda gjoksit, mjegulla e shtëllungosur u zhduk avullueshëm. Jo, nuk duhej mbaruar kështu kënaqësia drejt të cilës po shkonte. Shtrëngoi shalët si për të kthyer mbrapsht rrjedhën e nisur drejt rrëzës së tyre burimore, por ajo do ta ngacmonte për së fundi me drithërimën e fundit njomëse.
“E çuditshme!” mendoi. “Ç’po ndodh kështu me mua? Mblidh veten, Maria! Je zonjë grua. As më të shkrehurat e femrave nuk bëjnë kështu si ty”.
Por kaq ishte ashpërsia gjykuese ndaj vetes.
“Fundi i fundit ç’bëre? Ishe kënaqur ndonjëherë kështu me veten mes rrugës? Përderisa ndodhi, duhej të ndodhte. E përderisa u kënaqe, pse vetgjykohesh? Je tërë energji, Maria. Pse ta lesh të humbasë kohës së rëndomtë të jetës?”
Kënaqësisë së mëparshme ju shtua dhe kënaqësia e logjikës mbrojtëse, qetësuese e më pas ngacmuese, për ç’ka e priste më tej në ecjen e kësaj pasditeje të zgjedhur.
Të zgjedhur? Kështu i pëlqente varianti takues me atë, që të qenurit zonjë grua në shoqëri, i kishte zbuluar anën tjetër të fjetur, të harruar, apo mbase të paditur aq prej saj, të qenurit seks grua.
Dëgjuar për të tjerat nëpër programe televizive e revista modelesh, se si i tingëllonte për keq, pa shpjeguar pse-në. Dhe jo vetëm kaq, por menjëherë pas fjalës “seks”, ajo do nxitonte të shtonte të sharat me kurva e putana. Kështu kishte arritur barazimin e fjalës seks me ato të shara, duke larguar nga vetja llojin e ngacmimit ziliqar, që i shkaktohej sa herë i shfaqeshin seks femrat. Ngushëllohej e qetësohej me veten, pas çdo nervozizmi në fillim.
Kur nga goja e tij dëgjoi t’i vishej asaj kjo fjalë, ato më tej me kurva e putana nuk i kaluan as shpejtazi nëpër mendje. Ndryshe, pse nuk shpërtheu nga ofendimi, pse qelizat e trupit i thithën dhe shpërndanë brenda e jashtë saj ndjesinë e kënaqësisë?
Kaq ishte. Ajo u ndje vërtet seks grua, duke spostuar pa ditur as vetë sa larg dhe pa kurfarë hezitimi, atë tjetrën mënyrë vleresimi të vetes, si zonjë grua.
Në ekzistencën e para atij çasti, Maria kujtonte se ishte e plotë në kënaqësitë e saj trupore e shpirtërore. Por u desh ky çast shfaqës kaq i papritur, kaq i paparashikuar fantazive, apo ngacmuar ëndrrave, që plotësia e mëparshme të gjysmohej e gjysmohej, aq sa të ndjehej në mangësinë torturuese me veten e ndaj vetes.
E megjithatë, kur plotësia e menduar u mangësua dhe mangësia e posa ndjerë u plotësua, Maria nuk e la më të harruar ndjesinë e parë të zonjllëkut. Përkundrazi. Ajo mori tjetër përmasë për të, aq sa ju duk vetja zbuluese e diçkaje të re, më kuptimplote, më të fuqishme e gati absolute në harmoninë e marrëdhënieve mes të dashuruarve.
Sipas saj, sa më shumë vazhdon jetesa bashkëshortore, aq më i domosdoshëm është ky ilaç magjik i harmonisë.
Cili?
Të ndjerit zonjë në seksin tënd.
Kështu Maria, jo vetëm e riktheu kënaqshëm titullin e mëparshëm, por e përforcoi atë me titullin e ri akoma më shumë të kënaqshëm. S’kishte rëndësi në ishte vërtet, apo jo, seks grua. Mjaftonte për të vetëm e thëna, qoftë dhe kompliment mashkulli për ta afruar, që ajo të avanconte më tej, për ta bërë më se të vërtetë në besimin e saj. E dinte, që ky besim e devijonte nga statukuoja e jetesës së pak të më parshme. Dridhej frikshëm nga hapi i nisur, por dhe ndjellshëm ndaj tij.
Sikur titulli i ri të ishte i vjetër sa martesa e saj, kjo e sotmja do ishte thjesht një fantazi shkrimtari, për të bërë sensacion në publik me krijimin e tij. Kurse tani po bëhej ajo vetë sensacion, në librin e jetës së vet. Asaj jete, që aq tkurshëm i kishte dhënë titullin e zonjës, pa e ditur sa formale e jetonte atë realisht.
Faji?
Mbase i të dyve, ose i askujt.
Po përse atëhere shtonte një faj të ri, ndaj një faji amorf?
Faj? Pse të jetë faj i saj plotësia e një mangësie? Nëse ai, burri i saj, do kapte më parë kohën se ai tjetri, atëhere kjo lojë fjalësh s’do kthehej në lojë jetësh.
Po kohën mund ta kapte dhe ajo. Pse e kërkonte vetëm ndaj burrit?
“Sa budallaçkë që je!”, i shfryu vetes. “Si mund të kapja unë diçka, pa vetë ekzistencën e diçkasë?”
Ekzistonte diçkaja?
Thua ti kështu. Këtu nuk jemi në leksione filozofie për ekzistencën dhe njohjen. Ja mirë, e pranojmë që ekzistonte. Po diçkaja, a nuk ka lidhje me ekzistencën e njohjes për të, për ta bërë tënden më pas? E nëse ekziston mosnjohja, edhe diçkaja merr formën e mosekzistencës për ty. Filozofi deshe, filozofi të bëra.
Dakort, po e njëjta filozofi, a nuk ekziston dhe për burrin tënd?
Kush e mohoi? Prandaj dhe ky çast përmban dridhjen e frikshme, bashkë me ndjesinë e fajit të mëkatit. Po të ishte vetëm kjo lloj dridhjeje, hapi nuk do hidhej në hava e zemra të fluturonte jashtë gjoksit, mjegulla nuk do shtëllungohej e depërtonte gjithandej boshllëkut të vetvetes, lëngu rrjedhës do mpiksej që në burimin qelizor e shalët nuk do përpiqeshin të ndalnin njomjen mes rrëzës së tyre.
Po afrohej.
Edhe pak hapa ndarëse nga ai dhe nga ai çast, kur ajo, zonja Maria, më shumë se e tillë, mezi priste të ndjehej për herë të parë, seks grua.
Nuk kishte ç’të humbte, veç tkurrjes e ndrojtjes të një jete iluzore.
Ç’do fitonte?
Gjithçka të mosnjohjes e mbi gjithçka, atë që po e priste, aty, prapa asaj porte, brenda asaj dhome-folezë ëndërrash, pasionesh e fantazish orgazmash, burrin e saj.
Selanik, 18 qershor 2010
4 σχόλια:
Komente në facebook:
Jona Merjo
Interesante sesi eshte ndertuar personaliteti i jashtem dhe i brendshem i nje femre,i detajuar ne perceptim te asaj qe eshte, duhet te jete dhe i luftes se brendshme te ndjesive...Flm Mondi per tag!
Alma Basha
...nese fjala mekat do na bente te dridheshim nga tmerri, pse ngurrojme ti japim denimin?....permbysjen e asaj qe eshte ne konflikt me arsyen dhe shkrirjen e endrres me jeten......me fal qe hyra pa ftuar po me terhoqi shkrimi juaj..pershendetje..
Leon Lekaj
Kur një mashkull flet për botën e brendshme të një femre, përveç talentit kërkohet edhe diçka tjetër, të cilën mendoj që deri afër të fshehtës, autori e bën të besueshme nëpërmjet monologut të personazhit të vet.
Faruk Buzhala ...
Ekzistonte diçkaja?
Thua ti kështu. Këtu nuk jemi në leksione filozofie për ekzistencën dhe njohjen. Ja mirë, e pranojmë që ekzistonte. Po diçkaja, a nuk ka lidhje me ekzistencën e njohjes për të, për ta bërë tënden më pas? E nëse ekziston mosnjohja, edhe diçkaja merr formën e mosekzistencës për ty. Filozofi deshe, filozofi të bëra.
Bëra këtë shkëputje nga tregimi yt ngase ke përfytyryar shumë bukur botën e personazhit tënd.Kështu unë mendoj edhe pse nuk jam i gjinisë femërore,hahahahahahah.
Të përshëndes miku im.
Komente në facebook:
Qani Abazi
E konceptoj si nje dualitet i ndricuar artistikisht,i thelbit me guasken e personalitetit te njeriut, por ketu i femres kryesisht.Thelbi biologjik eshte ne kontradite te pa pajtueshme me konvencionet shoqerore te adaptuar nga njeriu si harac per rritjen dhe zhvillimin social,te qenit "Seksi" me te qenet "Zonje" duken si dimensione te pa pajtushme,por zhvillimet njerezore evolucioni shoqeror eshte angazhuar qe ta zbuse e bile ta mohoje kete kontradite, por eshte nje ndermarje e gjate dhe kontributi i letersise eshte evident edhe ne kete tregim.
Kopi Kyçyku
Një mënyrë e re të shkruari, në kërkim, por edhe në gjetje të së beftës, jo si qëllim në vetvete (për të bërë thjesht efekt të jashtëm), por për të na bindur se mjetet e përtëritjes së trajtave të të shprehurit të figurshëm, janë praktikisht të pashtershme. Ashtu sikurse me vetëm shtatë nota, sa herë të kërcesh si pehlivan në katër fusha të pentagramit, si në katër tela, do të bësh të jehojnë tinguj me diapazon të pamatshëm. Këtë përshtypje të le leximi i këtij tregimi të Edmondit, duke të bindur të heqësh dorë nga mendimi kalimtar që, në ndonjë rast, të shtyn të besosh se autori merret me lojë fjalësh. E vërteta është se ai luan me fjalët apo, më saktë, i bën të luajnë (të hedhin valle) sipas melodisë së vet.
27 Ιουνίου στις 7:57 π.μ
Mesazh nga shkrimtari Petraq Zoto:
Përshëndetje, Mondi.Të kam lexuar shpesh, në krijimtarinë tënde çmoj modernitetin. Tregimi yt
i sotëm sjell risi, gjithashtu, sikurse dhe vetë densiteti i prozës.Them se nuk e ke gjetur tërësisht raportin
ndërmjet një farë mjegullime të qëllimtë dhe qartësisë së asaj çfarë do të përcjellësh, gjë që të dikton një
farë kalimi nga tregimi në ese.Gjithsesi, tregim me shumë interes.
Përgëzime,
Petraq Zoto.
21 qershor 2010
Δημοσίευση σχολίου