www.fjalaelire.com: Fuqia dhe kodi moral në poezi
Fuqia dhe kodi moral në poezi
================================================================================
Fatmir Terziu on 01/04/2010 17:44:00
Fuqia dhe kodi moral në poezi
Funksionet e forta estetike të poezisë “Puthja e Judës”
Fatmir Terziu
Morali me të cilin kuptohen shumë ‘gjëra’ nuk është vetëm nocion
filozofik. Ai është një prurës logjik i ardhur nga semantika për të
forcuar lidhjen mes ‘fuqisë’ dhe ‘kodit’ që fuqizon tërë strukturën
amorfe të jetës dhe lidhjes së saj me fjalën në lidhje me ‘gjërat’.
Poezia si një magnitudë e ardhur nga fjala, vrullon në këtë mes si një
ciklon që diktohet nga vetë fuqia e fjalës së zgjedhur. Fuqia e fjalës në
tërë diskursin e fuqisë dhe vetë formacioneve të diskursit pozon anën e
diskutueshme të vetë fjalës, duke kanalizuar aspektet historiografike,
biblike apo edhe të lidhjeve mes besimeve në një udhëtesë që mundëson
ndriçimin e situatave, qofshin kulturore, sociale, psikologjike apo edhe
politike. Kështu duhet parë ndjenja morale që uzurpon funksionet e forta
estetike të poezisë “Puthja e Judës” që poeti, kritiku dhe publicisti,
Edmond Shallvari ka krijuar rishtas. Atituda e kësaj poezie nuk është një
lidhje fragmentare, as edhe një dispozitë historiografike në lëminë e
shkrimeve apo krijimeve me temë biblike apo Hyjnore, por një metaforë
komplekse ku fuqia dhe kodi moral janë udhëtarë të heshtur me njeriun, me
poetin që e dikton dhe me ndërtimin apo sekularizmin e njeriut në procesin e
ecjes. Është kjo atitudë që në fillesën e viteve 1938-të përshkruhej në
mënyrë të zjarmtë nga studiuesi britanik, Bertrand Russell, kur ai foli dhe
solli për herë të parë në skenën filozofike ‘Fuqinë’ (Russell, 1938).
Në një mënyrë të ngjashme në lëminë e kritikës shqiptare më pas
është fjala e Arshi Pipës, që çimentoi nocionin e tij se çdo art
presupozon një arritje shpirtërore të arritur, ‘nji kulturë të
shëndoshë’ (Pipa, 1941: 59-61). Një kulturë të tillë të cilën Pipa e
gjente tek Faik Konica, ku cilësimi i tij ishte superior; “ma të madhit
stilist”, apo tek Fan Noli, të cilin e quante ‘Bariu i popullit’ (1944:
41-46). Në këtë analizë janë dy pika tek të cilat dua të ndalem për të
ndricuar këtë krijimtari poetike të poetit Shallvari. Së pari është ana
metaforike e fuqisë dhe së dyti është koncepti me të cilin lidhet fjala
poetike e Shallvarit me fuqinë si nocion filozofik. Duke parë këto anë unë
do të diskutoj nëprmjet vargut dhe fjalës poetike të këtij autori
artikulimin që vetë poezia e tij prezanton.
Në poezinë “Puthja e Judës” autori nëpërmjet stilit të tij dhe
metrikës sjell fjalën e ilustruar nga rima, jo thjesht si një ngarkesë të
tendosur të ligjësisë poetike, por si një demarkacion fjale për të
shumëzuar kuptimin dhe mesazhin e saj filozofik. Vargjet “Një herë, o
Krisht, të puthi Juda/Thonë, Ti e dije ç’të priste pas saj/Qysh atëhere,
besoj që puthja/Në besnike dhe tradhtare u nda!” kanë lidhjen e natyrshme
biblike dhe nëpërmjet kësaj lidhjeje funksionojnë si një matematikë e
qartë, në virtualitetin jetik për të transmetuar se ‘mirësia’ dhe
‘ligësia’ pikërisht janë produkte të ‘puthjeve’ njerëzore, të
puthjeve që në vetë natyrën e tyre kanë të mirën dhe të keqen mes
veprimit. Ky veprim që buron nga fuqia, nga kjo fuqi që nuk është
tradicionale, por që dëshmon nëpërmjet ‘nudititetit’ të saj elementë
të ngjashëm fuqie, dikton se njeriut tashmë ka ristrukturuar proporcionet e
tij. Ka krijuar fate të ndara. Ndarje të tilla që diktohen nga kjo fuqi
prodhojnë natyrshëm kode të debatueshme morali, kode që na vijojnë të
ndikohemi e principializohemi. Më tej autori me vargjet “Qysh atëhere të
gjithë jemi pak Judë/Pak Krisht a jemi, s’e them me siguri/Puthjen mijra
herë, gati mbajm’ mbi buzë/Më shumë se mijra herë, të puthim, o
Krisht!” sjell pikërisht këtë kod morali të diskutueshëm njerëzor, për
të fokusuar terminologjikisht me anë të fjalës veprimin që kushtëzohet nga
fuqia, por që ndikohet prej saj. Është ky njeri që puthjen në mënyrën e
tij e detyron, madje edhe ndaj Krishtit, të cilin autori e kupton më saktë me
veprimin më shumë se mijëra herë të puthim o Krisht. Në këtë mes
aritmetika sipërore, që në semantikë lincon kuptim të qartë, ka anën
tjetër filozofike të mesazhit, ka majën e lartë të shprehisë me anën e
fjalës së përzgjedhur. Në këtë pikë autori duket shumë i kujdesshëm,
por edhe shumë inteligjent, pasi vë në lëvizje tërë strukturën e tij të
fjalës së zgjedhur me ritmin dhe fuqinë e rimës.
Gjuha me të cilën autori komunikon në këtë poezi luan një rol të
dyfishtë. Është një element i rëndësishëm komunikimi, si një objekt i
rëndësishëm i studimit të stilistikës gjuhësore, por edhe një mënyrë e
qartë organizimi tipik e tejet individual, që përforcon koherencën në
lidhjen me stilistikën letrare. Përmes stilit të tij ky autor ka shtuar
aspektin retorik të ndikojë me forcë mbi produktin e mesazhit. Në vargjet
“Nëse atëhere e dije se ç’të priste/Sot, vetëm më thuaj, e di se
çfar’ na pret?/Ti në fund të fundit, një Krisht i vetëm ishe/Dhe Juda
ishte një, në fatin e vet!/Më beson që mua po më lodhin puthjet/Më beson
që ndihem Judë më shumë se Krisht?/Se sa herë nga shpirti im dalin lutjet/E
pësoj më keq se Ty në kryqëzim?” retorika e tillë është pikërisht kodi
moral dhe vetë fuqia që interpretohen në mënyrë të artikuluar. Ky
përcaktim ka të bëjë me origjinalitetin e autorit në zgjedhjen edhe të
formave e mjeteve gjuhësore që përdor për trajtimin e kësaj poezie.
Duke përfunduar, e gjithë kjo poezi e parë tek Fuqia dhe kodi moral, me një
këndvështrim më të thellë mund të shihet si një profil tipik të prurë
nga ky autor në fushën e poezisë. Ajo duket si një vlerë e qëndrueshme
në krijimtarinë e tij. Përpos këtyre fakteve që lidhen edhe me ‘pozinë e
shëndoshë’ origjinaliteti i kësaj poezie dikton art. Një art që duhet
lexuar e lëvruar me kujdes.
Εγγραφή σε:
Σχόλια ανάρτησης (Atom)

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου