Δευτέρα 8 Φεβρουαρίου 2010

Tregim Fjalimi


Tregim Fjalimi

Muzikën mëngjesore të radjos e ka në vend të ziles zgjuese. Me sytë përgjumësh, zgjat instiktivisht dorën sirtarit të komodinës, duke plotësuar kështu normalitetin gojor me protezat e dhëmbëve.
E zakonshmja kafe, me trupin gjysmëngritur e mbështetur jastëkut në pozicion vertikal kokës së krevatit, një sy kalimthi kanaleve televizive për të rejat e fundit dhe drejt kompjuterit, për të tjera të reja nga interneti.
Në 90 përqind të mëngjeseve, këto janë 99.99 përqind të veprimeve të tij.
Më pas? E zakonshmja e ikjes për në punë.

Ndryshimi i orës të djelës së sotme, edhe pse pa kurfarë lidhje me veprimet e zakonshme, ja çorienton rradhën e tyre. Dëshira për më shumë gjumë, ul butonin e radjos, por ngjeshja pas trupit të gruas e ngacmon për tjetër gjë.
Kur gjëja kapërcen kënaqshëm kulmin e saj, kujtesa për takimin promovues të librit të tij e brofën nga krevati. Ora e radjos, e qetëson në çast.
Në raste të tilla, kur ndodh ajo, gjëja e qejfit, ai nxiton i pari për bërjen e kafesë. Kështu, edhe sot.
Por, gati sa nuk e kafeos jorganin pas thithjes së parë, kur rastësisht në qoshen e ekranit të televizorit shikon orën, që është 60 minuta përpara asaj të radjos.
Për çerek ore fillon takimi.
Me sharje të përzjera dhe përgjysmime veprimesh vrapon tualetës, vishet e spërkatet shpejt me aromën e preferuar, hedh ripin e çantës në sup dhe ikën me një "Mirupafshim!", të përfunduar shkallëve të pallatit.

Kryetari i Lidhjes lehtëson frymëmarrjen, kurse ai mezi mbush gjoksin me të, nga nxitimi i sforcuar. Pak kollë çjerrëse, djersitje dhe rregullim të veshjes të deformuar rrugës.
Po afron koha e pushimit, pas të cilit është rradha e tij folëse.
Emocioni e drejton tualetës, ku më kot ul e ngre zinxhirin e pantallonave. Më shumë ndalet pasqyrës, duke marë poza të ndryshme folëse.
Është çasti buzëqeshës, që e tmerron dhe alarmon papritur. Çakërit sytë, çaplen horizontalisht e vertikalisht dy-tri herë gojën nga mosbesimi, fshin xhamllëkun e pasqyrës dhe gati sa nuk e copton me grushtin, që ja kthen vetes.
Është pa dhëmbët e tij! E para herë e stërgjatur në kohë, pas harresave që s'kapërcenin derën e pallatit.
Edhe pak minuta për të hyrë në sallë. Edhe pak sekonda pas tyre, për të zënë vend në podjum para njerëzve e kamerave të kanaleve televizive.
Nxiton sallës, ju bën shënjë të njohurve më të moshuar, që e ndjekin pas të çuditur, deri në shqetësim.
"Kush ka proteza nga ju? Mos më shikoni kështu, nuk më kanë rrjedhur akoma mentë. Vetëm sot më rrodhën një çast. Harrova dhëmbët në shtëpi. Shpejt, s'kam kohë!"
E di që kërkon budallallëkshe diçka të pamundur, por zgjidhës për sikletin. Vetëm dy me proteza si ai. Dy të tjerët, me gjysmaket e tyre.
"Turp, nder, nxirrini t'i provoj! Të gjitha, kuptoni?!"
Larje e shplarje në çezmë, hiq e ver disa herë, deri në kombinimin e gjysmave të dy gojëve të ndryshme.
Forca mendore për kapërcimin e situatës, ia largon pështirosjen që ndjen në fillim të prekjes, larjes dhe provës në gojë të dhëmbëve të huaja. Dhëmbë njerëzish janë dhe sa pak që ngjasin!
Në fund, edhe pse me siklet, ndjen më të afërtat në voli, shikohet në pasqyrë, lëviz nofullat, thotë dy-tri fjalë dhe sikur lehtësohet ca.
Miqtë merren mes tyre, për ndarjen pronësore të dhëmbëve të mbetur. Dy prej tyre, mbetur me mangësi dhëmbësh në të kundërt, rrugës për në sallë, ngacmojnë njeri-tjetrin.
"Paskemi të ngjashëm me mikun, gjysmënofullat tona. Ha, ha, haaa!"

Ngrihet, ecën, shtrëngon nofullat për t'i ngjeshur më fort protezat, me një dhimbje goje të kthyer me zor në durim.
Fillon të flasë.
Nuk po ndjehet mirë. Trupi i drithëruar i shkëputet nga koka. Në fjalën më pas, edhe pjesë të kokës i shkëputen, duke e lënë vetëm ndjeshmërisë së gjuhës dhe nofullave.
Jo, nuk ndjehet ai në të folurën, xhestet, tonin dhe elokuencën e tij.
Në fokusin e kamerave, i shfaqet koka e mikut të protezës së sipërme. Ai po flet njëlloj me të. Jo, ai po flet njëlloj si miku, bile sa gjysma e tij. Pas tij, ja dhe i dyti, i protezës së poshtme. E njëjta ndjesi.
Mbetet pak çaste pa folur. Hedh sytë sallës, lëshon nga duart letrën, buzëqesh dhe mes çudisë së dëgjuesve, vazhdon.
"Njeriu, aq më tepër krijuesi, duhet të flasë me gojën e tij, gjuhën e dhëmbët e tij, apo siç thuhet popullorçe, jashtë dhëmbëve të tij. E për të vazhduar simbolikën e dhëmbëve, pyes: Po kur s'ka dhëmbët e tij, ç'bëhet?"
Heshtje, pas pak gjallëri, më pas duartrokitje në sallë, me zëra të përzjerë përgjigjesh për pyetjen simbolike e përsëri heshtje, në pritje të përgjigjes së tij.
Me marifet të fshirjes së hundës, nxjerr protezat, i fut në xhep dhe i lehtësuar nga shtrëngesa e tyre, lëshon zërin e tij të vërtetë.
"Kur i mungojnë dhëmbët, akoma më shumë do flasë shpirti i tij. Ky shpirt, që sot po flet para jush!"

Dhe vazhdoi të fliste, njerëzit të duartrokisnin dhe askush, veç katërshes së miqve të vjetër, nuk mori vesh të vërtetën e së vërtetës, të fjalimit të tij pa dhëmbë.

7 shkurt 2010

Δεν υπάρχουν σχόλια: