
92
Ata kishin kohë, që në rradhë si fëmijët e kopshtit kalonin në sheshin para pallatit. Andrea, bashkë me shokët e mëhallës, mund t'i dallonin vetëm nga dobësia apo trashësia e trupit, se nga fytyrat gjithnjë ngatëroheshin dhe haeshin me njeri-tjetrin.
Vetëm njërin mundën ta veçonin lehtazi, pasi tejkalonte pak në lartësi të tjerët. Të paktën të kishin rroba të ndryshme, se dinin vetë pastaj si t'i quanin, kurse kështu me kostume të njëjta në ngjyrë, bëheshin akoma më të njëjtë me njeri-tjetrin.
Më i vogli në moshë nga mallaxhinjtë, gjithnjë rendte i pari dhe zgjaste dorën me lutjen, "Kinez, nëm një stemë!"
Ai ishte bërë mik me grupin e kinezëve, që ndalonin si me komandë para tij dhe ja mbushnin duart me stema. Bënin pastaj me shenjë nga fëmijët e tjerë, me një përshëndetje duarsh të ngjashme me atë të stemës së kuqe me rreze të arta dhe iknin duke qeshur.
Edhe e qeshura dëgjohej sikur të dilte nga një gojë e vetme.
Me stemën rrumbullake në dorë, Andrea humbte mes shkëlqimit të saj. Kishte në dorë figurën e atij, që kushedi sa herë e kishte parë pankartave gjigande në ditë festash. Ai po, dallonte nga grupi i kinezëve, ishte vërtet i veçantë dhe sikur mes qindra mijrave të ndodhej, do ta dallonte menjëherë. Ashtu siç dallonte dhe dinte përmendësh emrat e atyre të katërve, vënë o sup më sup të njeri-tjetrit në pankartë gjigande, o veç e veç në rradhë, sipas kohës kur kishin jetuar. Diku përballë, me një pamje vërtet largpamëse ndodhej ky i stemës dhe në krah të tij xhaxhi Enver. Këta ishin më të mëdhenjtë e kohës dhe mjaftonte të bëje siç kishin shkruar ata nëpër libra, për të arritur komunizmin.
Katër të parët që nuk rronin më, kishin lënë gati teorinë e tyre, që quhej marksizëm-leninizëm. Edhe pa ditur se ç'kishin shkruar ata të katër, mendjes fantaziste të Andreas i mjaftonte të dëgjonte seç thoshte xhaxhi Enver. Pse kot thoshte ai aq shpesh dy fjalët, marksizëm-leninizëm, në fjalimet e tij? Nuk ishte njëlloj me dy emrat Parti-Enver, që çdo ditë lexoheshin dhe thuheshin në shkollë dhe jashtë saj?
Pra, sipas mendjes së Andreas, marksizëm-leninizmi duhej të ishte për Partinë dhe xhaxhin Enver, siç ishin këta për popullin. Më shumë se kaq, nuk nxinte më truri i tij akoma fëminor.
Ndërsa Andreas kaq i nxinte truri, për Partinë nuk mjaftonte me kaq. Ajo e dinte mirë sekretin e vazhdimësisë së ekzistencës së saj deri në përjetësi dhe kjo nuk arrihej vetëm me propagandra parrullash e mbledhjesh. Edhe pse përvoja e mikut të madh kinez e kishte shpëtuar sa herë nga rreziku i shpërbërjes, ky rrezik qëndronte mbi kokë si shpata e Demokleut. Ç'ishte kjo shpatë e padukshme, por ekzistence sipas saj, vështirë të zbulohej. Megjithatë diçka duhej bërë për ta zbuluar e bërë copë-copë. Ndryshe një ditë ajo do t’i binte mbi kokë dhe atëhere do ishte tepër vonë. Sipas kësaj logjike të ekzistencës, në pamundësi zbulimi dhe bërje copa-copa, duhej devijuar thjesht pozicioni i shpatës.
"Eurekaaa!!!", kumboi thirrja nga lart dhe filloi çkodimin e saj nga vetë krijuesi-thirrës.
Ajo që shfaqej gjatë çkodimit ishte vërtet e tmerrshme, por e domosdoshme për t'u ndjekur, ndryshe vinte në djall ai dhe Partia e tij. A s'ishte rrezikuar më parë dhe për qime kishte shpëtuar? Dhe kur? Kur ende nuk njihte mirë sekretet e çkodimit. Kurse tani ky sekret, në misterin e të cilit përfshihej dhe ai vetë, më shumë se mundimin e zgjidhjes, mbante bindjen e mundimshme për sigurimin e vazhdimësisë. Rëndësi tashmë kishte ai, Njeriu i Ri, kurse çdo njeri tjetër, kudo qoftë, që mundohej apo do mundohej ta dëmtonte këtë krijesë, duhej nxjerrë si skarco e shoqërisë dhe në pamundësi rikrijimi, të flakej tutje, në zhdukje pa nam e nishan.
Se ç’bëhej më lart, pak i interesonte Andreas dhe shokëve të tij. Veshët dhe mendja e tyre, ndonëse normale për moshën, po mësoheshin me zëra, fjalë dhe të dhëna, që edhe pse e tejkalonin atë, po bëheshin pjesë e normalitetit jetësor. Përrallat e fëminisë me të mirë e të liq, të bukur e të shëmtuar, të vazhduara me historira legjendash e të vërtetash heronjsh të hershëm e ata të luftës së fundit nacional-çlirimtare, po pasuroheshin akoma më shumë me historira të reja, ku përsëri ndesheshin të kundërtat e përjetshme. Ajo që shtohej në historitë e reja, ishte se këtë rradhë, i miri, heroi, që s'i bënte tër syri nga çdo çiklop, ishte më i miri i të mirve bij të Partisë. Ai fitonte e duhej të fitonte. Ai nuk vritej e s'duhej të vritej, sepse kishte sekretin e pavdekësisë. Ky sekret përcillej shpirtit të tij nga supershpirti i pagabueshëm.
Ndërsa ky hero ishte i njohur, që nga fëmija në djep e deri i moshuari buzë varrit, ai tjetri përballë, ai maskarai, i ligu, i degjeneruari, spiuni, kompllotisti, agjenti i amerikanëve, rusëve, ndronte surratin, emrin dhe të këqijat e tij, më keq se në magjitë e magjistricave.
Kush më shumë e kush më pak, kush më bukur e frymëzues dhe kush më dobët, kush me dashje e kush pa dashje, të mbledhur aty, në krahun e djathtë të Partisë, në banesën e dhuruar prej saj, krijuesit e artit plotësonin dhe zbukuronin me gjuhën e artit, gjuhën e propagandës.
Falë kësaj gjuhe prekëse, emocionuese dhe frymëzuese, përcillej akoma më mirë direktiva e Partisë, plotësohej akoma më shumë edukimi i masave. Gjithçka duhej të funksiononte në mënyrë të përkryer, pa krijuar as më të voglin boshllëk, ndryshe gati ishte për të depërtuar dhe helmuar trurin e njerëzve, e huaja e degjeneruar, borgjezja dhe revizionistja. Askujt s'i lejohej as devijimi më i vogël e për këtë duhej vënë mbi kokë të kujtdo, ajo shpata mistike. Sekretin e saj e dinte vetëm ajo aty lart, Partia.
I zhytur librave me ngjarje lufte dhe të pas çlirimit, me vjersha dhe poema që të gufonin gjoksin dhe të mbushnin trupin me mornica e frymëzim, Andrea po krijonte në kokën e tij një tjetër lloj ideje dhe përfytyrimi për Partinë dhe udhëheqësin e saj. Edhe pse ishte ndryshe nga ç'ndjente e mësonte librave të shkrimtarëve të huaj, francezë, anglezë e deri të tragjedive greke, ai vinte krahas personazheve më të dashur për të, dy personazhet e veçantë shqiptarë, Partinë dhe Enverin. Nuk do ishte kaq e kollajshme për të arritur mendja e tij adoleshente në vlerësime personazhesh, po mos ishte magjia shkruese e krijuesve të huaj dhe shqiptarë. Ashtu siç fluturonte ishujve si një Robinson Kruzo, apo nëndetrave si një kapiten Memo, ecte qytetit me duart në xhepat e palltos apo pantallonave si një udhëheqës Partie e pse jo, si një Enver i vogël. Kur rreth jetesës së tij, diçka nuk shkonte sipas asaj që i thoshin personazhet në mendje, merrte pozën e mërzitësit e të menduarit, në kërkim të zgjidhjes sipas mendjes së vet.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου