Δευτέρα 31 Αυγούστου 2009

Reagim pas një interviste të fundit të liderit të PS-së.

Lexoj dhe ashtu si në një udhëtim me makinë në një rrugë me gropa, tronditem shpesh mes fjalëve të kësaj interviste çorbë. Tërhiq e mos këput, edhe ashtu, edhe kështu, një hap para, dy hapa prapa, pastaj e kundërta dhe përsëri e kundërta, pa transparencë të vërtetë qëndrimi. Nuk di për veshin e ndonjë të pamësuari me llogje, por për veshin tim ky është zë i çjerrë i një lideri në dilemë. Kush është realist të lerë mënjanë ato tullumbacet bajate, jo kështu të duket ty Mondi, se je anti këtej e pro andej, pasi këto lloj antikundra i kam flakur qysh ditën e të ashtuquajturit pluralizëm shqiptar në politikë e më janë neveritur akoma më shumë, qysh ditën e afrimit të shtetit shqiptar drejt antishtetit, në 1997-ën.
Na paska në Shqipëri një palë të kristaltë me emrin PS, që s'bëri asnjë maskarallëk në votime, pra një PS ideale në liderë, anëtarë, simpatizantë dhe një PD me njëmijë e një të këqija që vetëm vodhi, mashtroi, duke i lënë aq afër pragut të portës kundërshtarët!?
Kurse unë po ju them hapur të dy palëve: Po, keni vjedhur dhe vënçe bile! Jo thjesht ca karta të hedhura kutive të votimit, jo, ato janë fundi i fundit të aktit të madh vjedhës.Ky akt i madh vjedhës është vjedhja e besimit të një populli,që s'di nga t'ja mbajë, që ju beson me shpirt, zhgënjehet në shpirt, mashtrohet në shpirt dhe e pëson në fund në trup e shpirt bashkë.
Sepse ka shpirt të vuajtur, të munduar, por të sinqertë ky popull, sepse ka shpresën e shpresës dhe optimizmin e optimizmit, të cilat ju, të dy palët, ja vrisni sipas konjukturave dhe interesave me gurë të pambukosur e pambuk të gurosur.
Ç'më jeni zvërtitur keqazi!!!

Selanik 31 gusht 2009

Δεν υπάρχουν σχόλια: